Nga Dr. Selim IBRAIMI / Njujork/Tetovë
Ngritja dhe rënia e fuqive ka qenë një shqetësim që nga kohërat e lashta. SHBA-të dhe Kina janë shembuj klasikë të një trendi të tillë.
Tajvani do të jetë prova se si do të duken të dy superfuqitë në të ardhmen. Presidenti amerikan Donald Trump pë rrjetin televiziv Fox News tha: “Dua që Tajvani të qetësohet, dua që Kina të qetësohet.”
Aktualisht, Kina ka një pozicion të favorshëm, të cilin edhe zyrtarët amerikanë e kanë pranuar se një ngritje e tillë nuk duhet të shkojë në dëm të SHBA-së. Pavarësisht kësaj dileme, pyetja kryesore ende vazhdon të mbetet pa përgjigjeje.
Kina, si fuqia potencialisht numër një, do të ndryshojë mënyrën se si sillen shtetet e tjera.
Në Evropë, ku interesat tona janë bazuar në SHBA-në dhe BE-në për më shumë se 80 vjet, situata ka gjasa të jetë ndryshe.
Tani le t’i hedhim një vështrim takimit të fundit midis dy udhëheqësve në Kinë. Vizita e delegacionit amerikan të udhëhequr nga presidenti i SHBA-së Donald Trump, demonstroi rëndësinë e këtyre dy superfuqive në rendin ndërkombëtar. Kina pothuajse e ka arritur SHBA-në në PBB, ndërsa raportohet se e ka tejkaluar atë në shumë fusha.
Nëse ngritja e Kinës do të bëhet pa konflikte të reja, a do ta pranojë bota atë si të tillë?
Pavarësisht takimit të fundit, ngritja e vazhdueshme ekonomike, teknologjike dhe ushtarake e Kinës nuk mund të parandalohet, por, siç thonë zyrtarët amerikanë, ajo duhet të menaxhohet.
“Bota ka ardhur në një udhëkryq tjetër,” tha presidenti kinez Xi Jinping. Ai më pas pyeti: “A mund ta kapërcejnë Kina dhe SHBA-të të ashtuquajturin ‘Kurth i Tukididit’ dhe të krijojnë një paradigmë të re të marrëdhënieve midis vendeve të mëdha?”
Sipas analistëve, presidenti kinez Xi po i referohej historianit të lashtë Tukididit, i cili shkroi librin “Historia e Luftës së Peloponezit”, (431-411 para Krishtit).
Në rrëfimin e tij, Tukididi shkroi: “Rritja e fuqisë së Athinës dhe alarmi që ajo frymëzoi në Spartë e bënë luftën të pashmangshme.”
Në kontekstin aktual, Kina dhe SHBA-të janë në të njëjtën situatë, e cila, siç thamë, nuk dihet se si do të përfundojë.
Sekretari i Departamentit të Shtetit Marco Rubio tha për Fox News se SHBA-të nuk po përpiqen të përmbajnë Kinën. “Ngritja e saj nuk mund të vijë në kurrizin tonë.
“Nuk mund të vijë në kurriz të rënies sonë. Kjo është një fushë ku do të kemi një ndryshim në të menduar. Kina ka një plan. Ata besojnë se do të jenë vendi më i fuqishëm në botë”, tha Rubio.
Duke folur gjithashtu për rrjetin televiziv NBC, Marco Rubio theksoi se preferenca e Kinës është ndoshta që Tajvani t’u bashkohet atyre me dëshirë dhe vullnetarisht.
“Kjo ka qenë e spikatur gjatë mandatit të presidentit Xi. Ata e quajnë ribashkim, kështu e quajnë, është diçka që duhet të ndodhë në një moment. Ne mendojmë se do të ishte një gabim i tmerrshëm ta detyronim këtë ose diçka të tillë”, tha Rubio.
Delegacioni amerikan përfshinte drejtues të lartë nga kompani të mëdha amerikane. Në këtë kontekst, presidenti Donald Trump tha: “Solla me vete 30 udhëheqësit më të fuqishëm të biznesit në botë. Dhe të gjithë pranuan të vinin…, tha presidenti Donald Trump gjatë takimit me delegacionin kinez.
“Sot, ata janë këtu për të treguar respekt ndaj jush dhe Kinës. Ata vijnë të etur për të bërë biznes, për të investuar dhe për të ndërtuar.
Nga ana jonë, kërkoj që të jetë 100 përqind reciproke… ju lutem”, tha presidenti Trump në fjalimin e tij përmbyllës.
Disa kritikë të administratës së tij e quajtën atë një përkulje amerikane ndaj Kinës.
Të tjerë e krahasuan politikën e presidentit Trump me politikat amerikane të viteve të 70-ta të shek. 20, kur SHBA-të i mundësuan Kinës të hapej ndaj botës.
Samiti dy ditor përfundoi të enjten. Takimi në Kinë erdhi pas një periudhe mosmarrëveshjesh mbi tarifat e vendosura nga administrata e Trumpi-it, konflikti aktual me Iranin, problemi me Tajvanin dhe gara në fushën e inteligjencës artificiale.
Treguesi më i fundit nga SHBA-të është në disavantazh të Tajvanit, Ukrainës, aleatëve të Paqësorit Lindor dhe, qartë, mund të themi, edhe të Ballkanit, sepse SHBA-të po përpiqen të ruajnë një marrëdhënie të mirë me Kinën për arsye ekonomike.
Konteksti i “Kurthit të Tukididit” do të jetë shmangia e luftës midis tyre sa më shumë që të jetë e mundur, me një ndikim negativ tek aleatët dhe miqtë aktualë dhe të mëparshëm të SHBA-së.
Çështja kryesore në Evropë për SHBA-në dhe aktorët e tjerë do të mbetet Ukraina dhe Ballkani. BE-ja duhet të kalojë nga një aktor ndërmjetës me potencial për të financuar projekte në një fuqi më aktive dhe mbrojtëse, që zotëron një ushtri të përbashkët të pavarur nga SHBA-të.
Në këtë drejtim, deklarata e fundit e Sekretarit të Shtetit Marco Rubio në lidhje me luftën në Ukrainë nuk ishte e rastësishme.
“Ukrainasit zhvilluan taktika, teknika, pajisje dhe teknologji të reja, duke krijuar një lloj lufte hibride asimetrike. Kjo është mbresëlënëse. Rusët po humbasin 5 herë më shumë ushtarë në muaj. Forcat e Armatosura të Ukrainës janë forcat e armatosura më të forta në të gjithë Evropën tani”, tha Sekretari Mark Rubio në një intervistë me rrjetin televiziv Fox News.
Në Ballkan, SHBA-të do të vazhdojnë të jenë të fuqishëm në disa fusha si ajo energjetike, duke vazhduar të mbesin pas Kinës dhe Rusisë në investime dhe në ndikimin ideologjik.
Kina me nismat “Një Brez, Një Rrugë” (One Belt, One Road) dhe, (14+1) bashkëpunimi me shtetet e Evropës Qendrore dhe Lindore është bërë faktori kryesorë i investimeve, infrastrukturës, teknologjisë, narrativave, eksportit të mallrave etj.
Bazuar në raportin e FEPS-së (Fondacioni për Studime Progresive Evropiane), Kina, që nga viti 2009, në Ballkan ka investuar mbi 32 miliardë dollarë amerikanë.
SHBA-ja në fushën e sigurisë energjetike dhe mundësisht me vazhdimin e politikës së mbatjes së aleancave me shtetet e BE-së dhe të Ballkanit, ka gjasa të mëdha të mbeten aktor i rëndësishëm në rajon.
Këtë SHBA-të mund ta bëjnë gjithnjë me një strategji të qartë përballë avancimit kinez dhe rus.
Parandalimi i dominimit rajonal dhe vazhdimit të aleancave, është e vetmja strategji për SHBA-të për të qenë konkurrentë me Kinën jo vetëm në këtë pjesë të Evropës.
