Nga Dr. Selim IBRAIMI
Kjo mund të tingëllojë sikur po flasim për perspektivën individuale, por në realitet, është perspektiva për të ardhmen e një shteti në politikën ndërkombëtare, shansi i mbijetesës ose perspektiva për ndryshimet e ardhshme.
Në kontekstin e gjeopolitikës, është paksa e ndryshme nga pikëpamja që një analist i zonës duhet të marrë në konsideratë të gjithë faktorët për të parë perspektivën strategjike, duke përfshirë të kaluarën, të tashmen dhe karakteristikat e mundshme të së ardhmes, bazuar në gjykime dhe parashikime. Në kohën tonë, perspektiva e një shteti është pasojë e faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm.
Dhe kjo është për arsye të rëndësisë së fuqive, në veçanti ekonomike, politike dhe ideologjike, të cilat kanë ndikim në rajon, p.sh., në Ballkan dhe në zonat tjera të botës, ku perspektiva indviduale mbetet jashtë analizës dhe vjen në shprehje ajo strategjike.
Në realitet, ngjarjet e fundit në rajon dhe në Evropë, tregojnë se determinizmi gjeografik i rajonit po e humb fuqinë për arsye të ndërhyrjeve teknologjike, dhe të përparaimit të metodave të inteligjencës (spiunazhit) dhe të inteligjencës artificiale nga jeta e përditshme e deri në qarqet më të larta shtetërore.
Le t’i hedhim një vështrim historik idesë sonë e cila lidhet me aktualitetin e sotëm.
Perspektiva strategjike është diçka tjetër nga një perspektivë që një palë tjetër indviduale e prezenton për një ngjarje të caktuar apo për një proces. Perspektiva strategjike këtu ka të bëjë me shtetin dhe ndonjëherë rolin e aktorëve të jashtëm në organet qeveritare të një shteti.
Duhet thënë se perspektiva strategjike u ngrit shekuj më parë, kryesisht me rritjen e rëndësisë së fesë në Evropë, ekspanzionit në Mesdhe, Evropë, në Ballkan pa përjashtuar pjesët tjera të botës.
Perspektiva në atë kohë bazohej kryesisht në gjykim, i cili mbështetej gjithashtu në inteligjencë ose në ndërtimiin e një rrjeti të bazuar në informatorë, siç ishin tregtarët etj.
Të gjitha këto zhvillime formuan perspektivën strategjike që ishte e domosdoshme për shtetarët e asaj kohe. Tani në kohët moderne, me zhvillimin e teknologjive dhe të inteligjencës artificiale, gjërat kanë ndryshuar dhe perspektiva strategjike për shtetet gjithashtu ka pësuar ndryshime në mënyrë dramatike.
Ditëve të fundit, mediat në Maqedoni të Veriut raportuan se në kabinentin e presidentes Gordana Silajnovska janë zbuluar informatorë në dobi të Serbisë dhe Turqisë.
Kjo mund të shihet si një perspektivë e inteligjencës strategjike me infiltrimin e spiunëve, që për Maqedoninë e Veriut dhe shtetet si Kosova, Mali i Zi, Shqipëria etj., mund të ketë efekte të drejpërdrjeta në jetën politike e shoqërore.
Ngjarjet e fundit na kujtojnë gjithnjë të kaluarën. Si shembull këtu mund të sjellim rolin e Raguzës (sot Dubrovniku) në Mesjetë në dobi të Perandorisë Osmane.
Raguza atëherë dërgonte spiunë në qytetet evropiane në shërbim të zyrtarëve osmanë për të marrë dhe fituar informata për veprimtarinë e ushtrive evropiane, ekonominë, tregtinë etj.
Të gjitha këto të dhëna ishin një perspektivë e re dhe rëndësishme për osmanët në ndërmarrjen e ofenzivave ushtarake në kufijtë e qytet-shteteve të atëhershme evropiane.
Në këtë kontekst siç shkruan historiani Emrah Safa Gürkan në veprën e tij “Spiunë për Sulltanin: Inteligjenca Osmane në Rivalitetin e Madh me Spanjën” (Georgetown University Press, 2024), në kohën e Rrethimit të Madh të Maltës, kur Perandoria Osmane humbi çdo kontakt me flotën e saj, një agjent i Habsburgëve raportoi me habinë e tij se si rrjeti raguzian i inteligjencës operonte me shpejtësi të jashtëzakonshme: “Çdo ditë e ditës, lajmet mbërrijnë në Raguzë nga Mesina, veçanërisht në lidhje me veprimtarinë e gjeneralit të Madhërisë së Tij, Senor Don Garcia de Toledo. Sa herë që ai lan fytyrën, ne dëgjojmë për këtë në Raguzë, dhe menjëherë një spiun turk niset për ta çuar këtë lajm në Stamboll.”
Nga dëshmitë që autori i sjell në libër mund të vërejmë se si Raguza dhe qytetet-shtetet e asaj kohe mbijetuan duke ju shitur informacione perandorive të kohës.
Nuk mund të konsiderohet si kurozitetet, por një traditë e cila do të mbetej si pasardhëse në politikën rajonale e ndërkombëtare.
Raguza atëherë shfrytëzonte pozitën e saj strategjike dhe rëndësinë që kishte në mes Venedikut dhe Perandorisë Osmane.
Në politikën moderne, Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali i Zi dhe vendet e tjera ballkanike ndodhen po në të njëjtën pozitë, disa kanë pozitë më të përshtatshme e disa shtete me të ndërlikuar.
Të “shtrydhur” midis fuqive të mëdha e rajonale si Rusia, Serbia, Turqia, BE dhe SHBA, në presion shtetet detyrohen të bëjnë veprime që shpesh shkojnë në dëm të interesave kombëtare, e ndonjëherë nga po të njëjtat shtete bëhen objekt të sulmeve dhe manipulimeve si rasti me Maqedoninë e Veriut.
Infiltrimi i spiunëve në kabinentin presidencial, siç raportuan mediat në Shkup, nuk është ngjarje e pazakontë.
Mund të shihet si vazhdim i së njëjtës logjikë të vjetër gjeopolitike, ku informacioni mbetet arma më e fuqishme strategjike.
Dallimet që nga Mesjeta e deri në ditët e sotit është se teknologjia dhe mjetet tjera e kanë ndryshuar mënyrën e shpejtësisë së informacionit, por jo natyrën e lojës se cila mbetet e njëjta.
Sipas trendeve aktuale, ky realitet do të shkojë në dëm të shteteve aktuale duke bërë që shtetet si Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali i Zi, Bosnja-Hercegovina apo qoftë dhe Shqipëria të bëhen më të cënueshme.
Krahasimi i mësipërm është një shembull se vazhdimisht duhet marrë mësime nga e kaluara për sfidat e kohës.
