Nga Dr. Steven A. Cook [COUNCIL on FOREIGN RELATIONS]
Ekspert i Lartë për Studimet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës pran CFR-së
Rendi pas Luftës së Dytë Botërore ka marrë fund – dhe arkitektura e re globale që po merr formë do të pasqyrojë rezultatet e konflikteve, iniciativave diplomatike dhe politikave ekonomike që janë ende në zhvillim e sipër. Në Lindjen e Mesme, ndryshimi i theksuar në shpërndarjen e pushtetit me siguri do të kontribuojë në një rend të ri global. Kjo dinamikë filloi shumë kohë para sulmeve të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, megjithatë lufta që pasoi në Gaza i ka përshpejtuar këto trende dhe ka krijuar shtysë për ndryshime të mëtejshme.
Gjatë dekadës së fundit, qendra rajonale e gravitetit është zhvendosur nga Egjipti, Iraku dhe Siria, në fuqitë e Gjirit: Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA). Kombinimi i pasurisë së tyre të madhe, vendndodhjes strategjike dhe planeve të zhvillimit ekonomik, së bashku me vitet e trazirave që kanë përfshirë Bagdadin, Kajron dhe Damaskun, i kanë bërë Dohën, Riadin dhe Abu Dhabin qendra pushteti në rajon. Çdo president amerikan që hyn në Zyrën Ovale që nga viti 2017 do të kishte arritur në përfundimin se partnerët më me ndikim dhe të aftë të Shteteve të Bashkuara janë në Gjirin. Në përgjithësi, kjo ka të ngjarë të mbetet kështu edhe pas luftës që Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën kundër Iranit në shkurt të vitit 2026 – kryesisht sepse vendet e tjera në rajon janë relativisht të dobëta, duke u përballur me sfidat e tyre politike dhe ekonomike.
Fuqia në rritje e shteteve të Gjirit ka më pak të bëjë me fuqinë ushtarake dhe më shumë me një model specifik të zhvillimit ekonomik që i integron këto vende më ngushtë në ekonominë globale. Edhe pse ato mbeten lojtarë kritikë në hidrokarbure, ato kanë kërkuar gjithashtu të bëhen qendra të teknologjisë së përparuar, logjistikës, argëtimit dhe turizmit. Investimet nga dhe në Perëndim kanë qenë një element i rëndësishëm në zhvillimin e këtyre sektorëve. Duke u bërë partnerë, për shembull, të Google, Anthropic dhe Microsoft, shtetet e Gjirit po e përmirësojnë prestigjin e tyre dhe po përforcojnë rëndësinë e tyre për Uashingtonin. Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, në veçanti, llogaritën se nuk kishin nevojë për një garanci sigurie nëse ishin pjesë e ekosistemit amerikan të zhvillimit të teknologjisë së lartë. Tani që Irani ka synuar posaçërisht infrastrukturën teknologjike në Bahrein dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, kjo pikëpamje duket se po ndryshon. Tashmë, emiratasit kanë sinjalizuar se kanë ndërmend të forcojnë marrëdhënien e tyre të sigurisë me Shtetet e Bashkuara.
Marrëveshjet e Abrahamit të vitit 2020 pasqyrojnë gjithashtu dinamikën në ndryshim të fuqisë në rajon. Duke normalizuar lidhjet me Izraelin, nënshkruesit – Bahreini, Maroku dhe Emiratet e Bashkuara Arabe – e lanë domosdoshmërisht çështjen palestineze në status dytësor. Duke hequr dorë nga ideja se normalizimi mund të ndodhë pa përparim në problemin palestinez, udhëheqësit e Bahreinit, Emirateve dhe Marokut llogaritën se do të përfitonin diplomatikisht dhe ekonomikisht, si dhe do të forconin sigurinë e tyre kombëtare. Normalizimi në të vërtetë ka sjellë përfitime për të gjithë nënshkruesit e Marrëveshjeve të Abrahamit, të cilat kanë mbetur të qëndrueshme edhe gjatë luftimeve më të ashpra në Rripin e Gazës. Duke ecur përpara me Izraelin – një lojtar i rëndësishëm globalisht në teknologjinë kibernetike, inteligjencën artificiale, shëndetin dhe teknologjinë e sigurisë – Bahreini, Maroku dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë avancuar qëllimet e tyre të zhvillimit. Ky përparim zgjeron integrimin rajonal dhe kontribuon në zhvendosjen rajonale të fuqisë drejt Gjirit që tashmë është duke u zhvilluar mirë.
Pastaj erdhën sulmet e 7 tetorit. Disa ditë pas Operacionit Al Aqsa të Hamasit, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u zotua të ndryshonte Lindjen e Mesme. Një nga një, Izraeli shënjestroi Hamasin, Hezbollahun dhe Iranin. Dobësimi i përgjithshëm i të ashtuquajturit Bosht i Rezistencës e ka bërë Izraelin më të sigurt, por ndoshta vetëm përkohësisht. Këto arritje taktike ende nuk janë shndërruar në përfitime strategjike. Hamasi mbetet i armatosur në Gaza, edhe pse territori që kontrollon është më shumë se përgjysmuar; qeveria libaneze nuk e ka çarmatosur Hezbollahun, edhe pse ka ndërmarrë hapa për të minuar shtetin e tij brenda një shteti; dhe Irani mbeti një kundërshtar i fuqishëm dhe i aftë, edhe pas sulmeve të Izraelit gjatë Luftës Dymbëdhjetë-ditore të qershorit 2025.
Mungesa e plotë e arritjeve ushtarake të Izraelit gjatë pothuajse tre viteve të luftimeve të vazhdueshme në të paktën katër fronte ishte e dukshme në luftën e vitit 2026. Edhe pse rezultati i konfliktit mbetet i paqartë, ekzistojnë disa skenarë që do të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në shpërndarjen e pushtetit në rajon: nëse regjimi iranian bie ose dobësohet aq shumë sa nuk mund të projektojë pushtet, ndryshimi i pushtetit që po ndodh në Lindjen e Mesme do të vazhdojë dhe madje do të përshpejtohet. Nëse regjimi mbijeton dhe ruan kontroll edhe të kufizuar mbi Ngushticën e Hormuzit, kjo do të përbëjë një disfatë strategjike për Shtetet e Bashkuara, Izraelin dhe, në lidhje me të, shtetet e Gjirit. Ata do të detyrohen të jetojnë me një Teheran ushtarakisht më të dobët, por megjithatë të inkurajuar, që do të mbetet një kërcënim për sigurinë dhe prosperitetin e tyre fizik.
Pa dyshim, Lindja e Mesme po kalon ndryshime të konsiderueshme. Zhvendosja nga qendrat e vjetra të fuqisë rajonale ka të ngjarë të jetë e qëndrueshme, por natyra e pasigurt e luftës nuk do të thotë domosdoshmërisht se fuqia dhe prestigji i Katarit, Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe do të mbeten të pakontestueshme. Një nga pasojat e padëshiruara të luftës së vitit 2026 është se ajo mund t’i japë Teheranit ndikim më të madh mbi tregtinë dhe sigurinë në Lindjen e Mesme. Kjo do të binte ndesh me interesat thelbësore të Shteteve të Bashkuara në rrjedhën e lirë të burimeve të energjisë, duke ndihmuar në sigurimin e sigurisë izraelite dhe duke ruajtur mbizotërimin amerikan në rajon. Presidenti Donald Trump ka lënë të kuptohet se këto interesa nuk janë aq të rëndësishme sa dikur, duke sugjeruar se më shumë ndryshime në shpërndarjen rajonale të fuqisë mund të jenë në horizont. Siç e bën të qartë lufta e Iranit, amerikanët janë të ndarë nëse mbrojtja e këtyre interesave ia vlen kostot. Në planin afatgjatë, pra, Uashingtoni mund ta zvogëlojë pozicionin e tij në Lindjen e Mesme.[Përktheu: Dan GASHI]
