]Foto: Ish-Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Michael Flynn, në Departamentin e Drejtësisë në mars 2025. Andrew Harnik/Getty Images/File]
David McAfee [Raw Story Media]
2 qershor 2026
Disa nga mbështetësit më besnikë online të Donald Trump po kundërshtojnë gjenerallejtënantin në pension Michael Flynn, këshilltarin e parë të sigurisë kombëtare të Trump, pasi një raport zbuloi se ai është regjistruar si agjent i huaj për një entitet serb të Bosnjës të udhëhequr nga një prej aleatëve më të ngushtë evropianë të Vladimir Putinit.
Scott McMahan, një gazetar konservator që shkruan nën pseudonimin BiggerTruth dhe që e raportoi për herë të parë historinë afërsisht një muaj më parë, konfirmoi të hënën se Flynn ka paraqitur dokumente në bazën e të dhënave të Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj të Departamentit të Drejtësisë në emër të Republikës Srpska, entitetit të dominuar nga serbët brenda Bosnjës dhe Hercegovinës. Entiteti drejtohet nga Milorad Dodik, një politikan serb boshnjak i përshkruar gjerësisht si aleati më i zëshëm i Putinit në Ballkan. Sipas raportimit të McMahan, Flynn paguhet 100,000 dollarë në muaj.
Catturd, personaliteti anonim konservator i mediave sociale me miliona ndjekës dhe një nga zërat më të njohur të lëvizjes MAGA, reagoi me dy fjalë: “100,000 dollarë në muaj?”
Sebastian Gorka, hungarezo-amerikani i cili shërben si Drejtor i Lartë i Trump për Kundërterrorizmin në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ndoqi një qasje më të mprehtë. “Kur u bashkova me Administratën e parë të Trump , më kërkuan të nënshkruaja dy dokumente,” shkroi ai. “Në njërin premtova të mos punoja si lobist për një dekadë. Në të dytin, premtova të mos punoja kurrë për një qeveri tjetër. Isha i lumtur t’i nënshkruaja të dyja. Supozoj se edhe Gjenerali Flynn nënshkroi dokumente të ngjashme.”
Brenden Dilley, një personalitet konservator i medias dhe influencues i MAGA-s, tha se kishte nevojë për konfirmim të pavarur dhe e etiketoi drejtpërdrejt komentatoren e ekstremit të djathtë Laura Loomer. “Prit, çfarë dreqin është kjo? A mund ta konfirmosh këtë për mua?” i shkroi ai Loomer.
Historia u bë më e ndërlikuar kur Ryan Mauro, një analist i sigurisë kombëtare dhe gazetar investigativ, raportoi se Glenn Diesen, një shkencëtar politik norvegjez i përshkruar si një bashkëpunëtor i ngushtë i Alexander Dugin, filozofit ultranacionalist rus që ndonjëherë quhet “truri i Putinit”, foli në një aktivitet të udhëhequr nga Flynn javën e kaluar. Komentuesja konservatore dhe ish-gazetarja e CBS, Lara Logan, gjithashtu mori pjesë në aktivitet, raportoi Mauro.
Flynn, i cili u deklarua fajtor për gënjeshtër ndaj FBI-së në lidhje me kontaktet e tij me zyrtarët rusë përpara se të falej nga Trump, nuk i është përgjigjur publikisht dosjes së FARA-s apo kritikave nga brenda botës së MAGA-s. [Përktheu: Dan GASHI]
