Në dy javë protestash, Shqipëria i shtoi emrit të vet diçka që nuk mund të blihej me asnjë kontratë marketingu. I shtoi respekt.
Nga Gazmend Demolli
Kur zgjedh ku të udhëtosh, zgjedh një peizazh. Zgjedh edhe njerëzit që jetojnë në të. Peshkatarin që shet peshkun e mëngjesit. Vajzën në kafenë e portit që kalon nga shqipja te italishtja në anglisht pa e ditur. Flet me ty sikur të ishe fqinj, shok klase. Kafeja që të zgjat ka erën e mëngjesit dhe asnjë çmim nuk të duket i tepërt. Merr edhe një gotë raki, nga të këqijat, se vetëm të këqijat janë të mira. Në tavolinën afër, një i moshuar ngre gotën për dolli. Sytë e tij, si deti që hyn thellë në shpellë, të mbajnë për një çast, pastaj fillon të tregojë historinë e gjirit me qetësinë e dikujt që e njeh prej gjithë jetës. Këta njerëz nuk janë sfondi i një vendi. Janë arsyeja pse ai vend mbahet mend.
Peizazhet mund të fotografohen. Kuzhinat mund edhe të imitohen. Rakija të importohet. Karakteri jo.
Shqipëria i njeh prej kohësh bukuritë e saj natyrore. Laguna e Nartës, Sazani, Riviera. Dhe jo vetëm. Gjithë Shqipëria. Ato mund të maten, të vlerësohen dhe të paraqiten në prospekte investimi. Më e vështirë për t’u llogaritur është një pasuri tjetër: kultura e shoqërisë që banon këtë vend.
Ndodhi diçka që asnjë broshurë nuk e kishte parashikuar. Një valë. Të rinjtë dolën. Jo dhjetëra, jo qindra, dhjetëra mijëra. Mbushën sheshet e Tiranës, bulevardet e Vlorës, rrugët e Shkodrës e të Korçës. Mbanin flamingo rozë, dhe në atë gjest absurd kishte një fuqi të pashpjegueshme. Ishin fytyra që ti i njeh, që mund të ishin fëmijët e lagjes tënde. Vajza me flokët që i valëvitej era e ngrohtë e pasdites dhe me sy që shkëlqenin nga vendosmëria, teksa ecte përpara radhëve të policisë pa i ulur sytë kurrë. Djali me këmishën e hapur, me zogun rozë si flamur lirie, muskujt e krahut të tendosur nga krenaria. Të qeshurat e tyre të mbushura me lot, këngët që këndonin a cappella derisa zëri u ngjirej, bënin që edhe gazetarët e huaj të ndalonin e të shikonin të habitur. Një çast, e gjithë ajo bukuri, bukuria e një shoqërie që zgjohet, bukuria e një populli që nuk e shet veten, u bë lajmi kryesor. Shqipëria e re.
Reuters, CNN … pamjet bënë xhiron e botës. Gjithë bota filloi të fliste me zili. Dhe për herë të parë pas shumë vitesh, imazhi i Shqipërisë që udhëtoi nëpër ekrane nuk ishte ai i një vendi të varfër ose të dhunshëm, por ai i një brezi të mrekullueshëm që di të mendojë publikisht për atë që e quan të vetën.
Asnjë buxhet marketingu, sado i pasur, nuk mund ta blejë këtë moment. Asnjë resort, sado luksoz, nuk mund ta prodhojë këtë imazh. Sepse nuk po flisnim më për tokë e gurë, por për shpirtin e një kombi.
Në ekonominë e turizmit ekziston një e vërtetë e thjeshtë, por shpesh e harruar: cilësia e një destinacioni nuk ndahet nga kultura qytetare e banorëve të tij. Njerëzit nuk udhëtojnë vetëm për të parë një vend. Udhëtojnë për të hyrë, qoftë edhe për pak ditë, në atmosferën njerëzore që ai vend ka prodhuar.
Modeli i propozuar i përket një forme zhvillimi që njihet mirë. Enklava. Një territor që importon kapitalin, materialet, menaxhimin dhe klientelën e vet. Një vend ku mund të jesh fizikisht në Shqipëri pa hyrë kurrë në marrëdhënie me shqiptarët. Historia e këtyre projekteve është e gjatë dhe përfundimi përsëritet me monotoni: enklava nuk zhvillon një territor; ajo e zë atë. Kankuni u shndërrua nga fshat peshkatarësh në një varg hotelesh zinxhir që dërgojnë 80% të të ardhurave jashtë Meksike, ndërsa vendasit jetojnë pas zonës turistike. E dini atë tregimin e peshkatarit meksikan dhe miliarderit. Miliarderi i shpjegonte peshkatarit se si mund të punojë gjithë jetën për të ndërtuar një perandori, që në fund të pensionohet dhe të shijojë pikërisht jetën që peshkatari tashmë e kishte. E që nuk e ka më. Edhe Porto Montenegro importoi jahte luksoze dhe vila milionëshe, pa lënë asnjë mekanizëm që banorët e Kotorrit të marrin pjesë në të ardhurat e gjeneruara mbi tokën e tyre. Modeli është i njëjti kudo: vlera nxirret nga bregu, njerëzit lihen jashtë gardhit.
Dëmi është mjedisor. Është njerëzor.
Një vend fillon të varfërohet në momentin kur banorët e tij trajtohen si elementë dytësorë në peizazhin ku kanë ndërtuar jetën. Kur të rinjtë që mund të ishin biologë detarë, sipërmarrës apo studiues reduktohen në rolin e punonjësve periferikë të një ekonomie që nuk e kontrollojnë. Kur vendasit mbeten jashtë standardeve që dikush tjetër ka projektuar pa ta. Kur lidhja midis njeriut dhe vendit ku jeton zëvendësohet nga marrëdhënia midis klientit dhe pronës private.
Në atë çast, humbja është edhe sociale, edhe ekonomike, edhe mjedisore.
Një shoqëri që prodhon qytetarë të aftë të bashkëjetojnë, të mbrojnë atë që vlerësojnë dhe të marrin pjesë në jetën publike prodhon një lloj kapitali që nuk shfaqet në asnjë raport. Karakteri është pasuri. Por nuk ka kolonë kontabël për karakterin. Nuk ka njësi matëse për dinjitetin qytetar. Nuk ka indeks financiar për ndjenjën e përkatësisë. Megjithatë, pikërisht këto karaktere përcaktojnë nëse një vend bëhet një komunitet i gjallë apo një hapësirë e shfrytëzuar. E kapur.
Në dy javë protestash, Shqipëria i shtoi emrit të vet diçka që nuk mund të blihej me asnjë kontratë marketingu. I shtoi respekt.
Respekti është kapital. Dhe, si çdo kapital, ndërtohet ngadalë dhe mund të humbet shpejt.
Kjo është arsyeja pse pyetja më e rëndësishme nuk është nëse Sazani duhet të zhvillohet. As nëse mund të ndërtohen hotele më luksoze apo marina më të mëdha. Pyetja është shumë më themelore: çfarë lloj marrëdhënieje dëshiron një vend të ndërtojë midis njerëzve të vet dhe vendit ku ata jetojnë.
Sepse peizazhi, sado i bukur, nuk mjafton.
Një bregdet mund të blihet. Një markë mund të krijohet. Një resort mund të ndërtohet.
Por karakteri i një populli nuk importohet.
Ai formohet ngadalë, nëpër breza, dhe shfaqet vetëm në çaste të rralla, kur njerëzit vendosin se ka gjëra që vlejnë më shumë se çmimi i tyre.
Dhe është, ndoshta, pasuria më e madhe që një vend mund të ketë.
