Nga Dr. Gurakuç KUÇI
𝐋𝐮ç𝐢𝐪 𝐭𝐡𝐨𝐭ë 𝐬𝐞: “𝐃𝐨 𝐭ë 𝐬𝐡𝐭𝐫𝐢𝐡𝐞𝐦𝐢 𝐧ë 𝐭ë𝐫ë 𝐊𝐨𝐬𝐨𝐯ë𝐧 𝐩𝐨𝐫 𝐩𝐨 𝐧𝐚 𝐩𝐞𝐧𝐠𝐨𝐧 𝐪𝐞𝐯𝐞𝐫𝐢𝐚 𝐚𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞 𝐞 𝐬𝐚𝐣”.
𝘋𝘪𝘨𝘫𝘪𝘵𝘢𝘭𝘪𝘻𝘪𝘮𝘪 𝘯ë 𝘦𝘱𝘰𝘬ë𝘯 𝘮𝘰𝘥𝘦𝘳𝘯𝘦 𝘴𝘪 “𝘬𝘢𝘭𝘪 𝘪 𝘵𝘳𝘰𝘫ë𝘴” 𝘱ë𝘳 𝘭𝘶𝘧𝘵ë𝘯 𝘩𝘪𝘣𝘳𝘪𝘥𝘦
Në Kosovë pritet rritja e infiltrimit të Serbisë në jetën politike dhe institucionale. Kjo veprimtari në kuadër të luftës hibride thuhet qartazi nga drejtori i Telekom Srbija, Vladimir Luçiq, i cili, në një intervistë për mediat serbe pasi u kthye nga SHBA, deklaroi se ekspansioni i tyre në gjithë Kosovën do të realizohet pasi të rrëzohet qeveria aktuale. Synimi i tyre i hapur është të bëhen telefonia kryesore në Kosovë, duke marrë edhe klientelën shqiptare.
Pikërisht (edhe me datë) një vit më parë paralajmërova se Telekom Srbija është një strukturë shtetërore që përdoret për kontroll, manipulim, frikësim dhe ndërhyrje të thellë në jetën institucionale të Kosovës dhe të rajonit. Sot nuk është më vetëm një vlerësim analitik. Vetë drejtori i Telekom Srbija-s po deklaron publikisht synimin për t’u shtrirë në gjithë Kosovën, duke e lidhur realizimin e këtij ekspansioni edhe me ndryshimet politike në Prishtinë.
Kjo strategji është pjesë e pashkëputur e shtrirjes së “Botës Serbe”, ku përmes sektorit të telekomunikacionit synohet kapja e rajonit ku Serbia tashmë ka ose kërkon të ndërtojë prani. Në Mal të Zi, Telekom Srbija hyri menjëherë pas pavarësisë, më 2007, dhe sot zotëron drejtpërdrejt 51% të aksioneve përmes MTEL Podgorica, ndërsa 49% të tjera mbahen nga MTEL Banja Luka, kompani e kontrolluar po nga Telekom Srbija. Në Bosnjë e Hercegovinë, ajo kontrollon rreth 65% të Telekom Srpske/MTEL Banja Luka, ndërsa në Maqedoninë e Veriut mori licencën në korrik 2021 përmes MTEL-it, duke nisur me shërbime televizive për t’u zgjeruar në telefoninë mobile në vitin 2022. Edhe tentativat e dështuara tregojnë të njëjtën agjendë ekspansioniste: në vitin 2018, oferta e saj prej rreth 60 milionë eurosh për blerjen e Telekom Albania u bllokua nga qeveria shqiptare për shkak të shqetësimeve të sigurisë kombëtare, ndërsa në Kosovë oferta prej 155 milionë eurosh për blerjen e IPKO-s më 2020 dështoi të realizohej.
Brenda Kosovës, përmes MTS d.o.o., 100% në pronësi të Telekom Srbija, janë blerë operatorë kabllorë si VGN Net dhe HERC International, duke konsoliduar praninë e saj në zonat me shumicë serbe. Në rrafshin më të gjerë rajonal, kjo hegjemoni u përforcua përmes marrëveshjes prej 652 milionë eurosh për blerjen nga United Group të NetTV Plus, biznesit satelitor EON Sat/Total TV në Serbi e Maqedoninë e Veriut, si dhe disa aseteve të Sport Klub në rajon. Vetë Telekom Srbija e ka deklaruar këtë si pjesë të strategjisë për t’u bërë kompania kryesore në Ballkanin Perëndimor, me synim 3 miliardë euro të ardhura deri në vitin 2030. Paralelisht, e njëjta strukturë është shtrirë në Gjermani, Austri dhe Zvicër, duke shënjestruar fillimisht diasporën për ta përdorur më pas si bazë për penetrim më të gjerë.
Kjo kompani në Kosovë ka shkelur drejtpërdrejt Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2015, duke zgjeruar rrjetin ilegalisht, duke punësuar personel pa dokumente të Kosovës dhe duke sabotuar institucionet e sigurisë. MTS d.o.o. ka funksionuar si mjet i inteligjencës serbe: ka fshirë nga databazat e saj të gjitha provat që lidhen me vrasjen e Oliver Ivanoviqit, ka fshehur të gjitha të dhënat për sulmin terrorist në Banjskë dhe ka ndihmuar në fshehjen e gjurmëve të sulmit tjetër terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit. Natyra e saj subversive u rikonfirmua në vitin 2025, kur kërcënimi me bombë kundër Kuvendit të Kosovës erdhi nga një numër i MTS-it. Po ashtu, në mars të vitit 2025, gazetarët e BIRN Serbia u goditën me softuerin spiun Pegasus përmes numrave të MTS-it, ndërsa BIA dhe policia serbe përdorën pajisje Cellebrite për të instaluar NoviSpy në telefonat e gazetarëve të ndaluar.
Mutacioni më i rrezikshëm i Telekom Srbija është prezantimi i tij si një “investitor perëndimor”. Luçiq ka ndërtuar një mburojë diplomatike të sofistikuar përmes bisedimeve në Uashington mbi rrjetin 5G, inteligjencën artificiale dhe financimin nga Exim Bank. Synimi është realizimi i “Botës Serbe”, duke shfrytëzuar mburojën amerikane për avancimin e interesave të Serbisë. Çdo ndalesë apo masë rregullative që Prishtina do t’i bënte kësaj strategjie, kornizohet menjëherë nga Beogradi si pengim i investimeve amerikane dhe përçarje ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.
Pra, Telekom Srbija është një “Kali i Trojës” digjital për realizimin e “Botës Serbe” në Ballkanin Perëndimor. Për të realizuar këtë projekt në Kosovë, siç e thotë edhe vetë Luçiq, atyre u nevojiten hapa të koordinuar politikë për t’u infiltruar në jetën politike dhe institucionale të Kosovës.
Në epokën digjitale, çdo lloj investimi duhet shikuar me kornizën e sigurisë dhe kjo shërben si një mësim për reagim kundër luftës hibride.
