Dr. Sadri RAMABAJA
[Instituti Shqiptar për Gjeopolitikë, Prishtinë]
Abstrakt
Kjo ese analizon Vidovdanin si një fenomen kompleks në ndërthurjen midis historisë, kujtesës kolektive dhe politikës bashkëkohore në Kosovë. Duke u mbështetur në teori të nacionalizmit, studimeve të kujtesës dhe teorisë së sigurisë diskursive, në ktë ese argumentohet fakti se Vidovdani nuk funksionon vetëm si përkujtim fetar apo historik, por si strukturë e politizuar e kujtesës që mund të aktivizohet në kontekste të tensioneve ndëretnike dhe diskurseve të sovranitetit.
Analiza përfshin gjithashtu rastin e transformimit të incidenteve lokale (si “rasti Martinoviq”) në narrativa simbolike, duke treguar mekanizmat përmes të cilëve ngjarjet empirike, mediat dhe mitet historike ndërveprojnë në prodhimin e konflikteve të perceptuara. Përfundimisht, eseja e vendos Vidovdanin në kuadrin e “kujtesës së siguruar” (securitized memory), duke argumentuar se ajo përfaqëson një nyje simbolike në të cilën historia dhe politika bashkëkohore ndërthuren në mënyrë të vazhdueshme.
1. Hyrje
Në historinë politike të Ballkanit ekzistojnë data dhe simbole që e tejkalojnë funksionin e tyre fillestar ritual, fetar apo historik, duke u shndërruar në struktura të kujtesës kolektive dhe instrumente të mobilizimit politik. Vidovdani, i lidhur me Betejën e Kosovës të vitit 1389, përbën një nga rastet më paradigmatike të këtij transformimi simbolik.
Fillimisht i vendosur në kuadrin e traditës fetare dhe përkujtimore serbe, Vidovdani gjatë modernitetit politik të Ballkanit është ripërpunuar si një nyje qendrore e nacionalizmit serb dhe si një element i rëndësishëm i narrativave historiko-politike mbi Kosovën. Në këtë proces, ai ka marrë funksione që tejkalojnë dimensionin e kujtesës historike, duke u bërë pjesë e diskurseve mbi identitetin, sovranitetin dhe legjitimitetin territorial.
Në këtë kuptim, çështja e Vidovdanit në Kosovë nuk mund të reduktohet në një debat mbi lirinë fetare apo shprehjen kulturore. Ai duhet kuptuar si një ndërthurje e kujtesës historike, mitologjisë politike dhe sovranitetit shtetëror në një hapësirë post-konfliktuale. Prandaj, instrumentalizimi i tij politik përbën jo vetëm çështje të diskursit publik, por edhe të stabilitetit institucional dhe sigurisë demokratike.
2. Metodologjia
Ky studim bazohet në një qasje cilësore interpretative, e cila kombinon:
- analizën diskursive të teksteve historiografike dhe politike;
- analizën e literaturës ndërkombëtare mbi nacionalizmin dhe kujtesën;
- qasjen krahasuese të interpretimeve historiografike shqiptare dhe ndërkombëtare;
- aplikimin e teorive të studimeve të sigurisë (securitization theory).
Metodologjia është e orientuar drejt analizës së konstruksioneve narrative dhe jo verifikimit empirik të ngjarjeve historike.
Analiza mbështetet në tri tradita kryesore teorike:
Komunitetet e imagjinuara: Sipas Benedict Anderson-it, kombet janë “komunitete të imagjinuara” të ndërtuara përmes narrativave historike dhe simboleve. Vidovdani funksionon si një mekanizëm i tillë simbolik në ndërtimin e imagjinatës kombëtare.
Kujtesa kulturore: Sipas Jan Assmann-it, kujtesa kulturore është e institucionalizuar dhe riprodhohet përmes ritualeve dhe diskurseve. Vidovdani i përket kësaj kategorie si një strukturë e qëndrueshme simbolike.
Securitization: Sipas Copenhagen School-it, çështjet politike mund të “sigurohen” (securitized) përmes diskursit. Simbolet historike, përfshirë Vidovdanin, mund të transformohen në çështje sigurie përmes ligjërimit politik.
3. Beteja e Kosovës dhe konstruksioni i mitit politik
Historiografia shqiptare ka theksuar se Beteja e Kosovës e vitit 1389 duhet të interpretohet në kuadër të dinamikave të gjera ballkanike të shekullit XIV dhe jo si një përballje homogjene etno-nacionale. Studiues si Aleks Buda, Kristo Frashëri dhe Skënder Rizaj kanë argumentuar se në këtë konflikt morën pjesë struktura të ndryshme feudale të rajonit, përfshirë elementin shqiptar, boshnjak dhe të tjerë, të cilët vepronin në logjikën politike të kohës dhe jo në kategori moderne kombëtare.
Nga kjo perspektivë, interpretimi i Betejës së Kosovës si burim i një të drejte historike ekskluzive mbi territorin e Kosovës konsiderohet produkt i nacionalizmave të mëvonshëm evropianë, veçanërisht të shekujve XIX dhe XX, të cilët kanë projektuar mbi Mesjetën kategori të modernitetit politik.
Në historiografinë shqiptare, Vidovdani trajtohet kryesisht në tri nivele analitike:
1. Si traditë fetare dhe kulturore serbe;
2. Si komponent i asaj që literatura kritike e quan “Miti i Kosovës”; dhe
3. Si instrument i përdorur në diskurset politike për legjitimim territorial dhe simbolik.
Kjo qasje është forcuar veçanërisht pas fjalimit të Slobodan Milošević në Gazimestan (1989), i cili shënon një moment të rëndësishëm të politizimit bashkëkohor të këtij simboli historik.
3.1 Vidovdani si instrument i legjitimimit territorial dhe simbolik në kontekstin e luftës hibride bashkëkohore
Në literaturën mbi nacionalizmin dhe konfliktet bashkëkohore, simbolet historike nuk konsiderohen vetëm elemente të kujtesës kolektive, por edhe burime të rëndësishme të fuqisë politike dhe të legjitimitetit simbolik. Në këtë kuptim, Vidovdani ka funksionuar për dekada si një instrument i përdorur në diskurset politike serbe për të prodhuar dhe riprodhuar narrativa mbi lidhjen historike të Serbisë me Kosovën.
Në kushtet e shekullit XXI, ky funksion nuk manifestohet më domosdoshmërisht përmes formave klasike të konfliktit, por shpesh përmes mekanizmave që literatura e sigurisë i përshkruan si komponentë të luftës hibride. Kjo nënkupton përdorimin e kombinuar të mjeteve politike, informative, mediatike, kulturore dhe simbolike për të ndikuar perceptimet publike dhe për të formësuar mjedisin politik pa përdorim të drejtpërdrejtë të forcës ushtarake.
Në këtë perspektivë, Vidovdani mund të analizohet si një instrument i asaj që studiuesit e quajnë “politikë e kujtesës” (memory politics), ku interpretimet e së kaluarës përdoren për të ndikuar debatet dhe qëndrimet politike të së tashmes. Përmes ceremonive, deklaratave politike, mediave tradicionale dhe rrjeteve sociale, simbolika e Vidovdanit vazhdon të riprodhojë narrativën e Kosovës si hapësirë qendrore e identitetit historik serb. Kjo nuk përbën domosdoshmërisht në vetvete një akt destabilizues, por bëhet politikisht e ndjeshme kur përdoret për të vënë në pikëpyetje legjitimitetin e institucioneve të Republikës së Kosovës ose për të ushqyer narrativa përjashtuese ndaj realitetit politik të krijuar pas vitit 2008.
Nga perspektiva e teorisë së securitization, problemi nuk qëndron te përkujtimi historik si i tillë, por te transformimi i simbolit në instrument të komunikimit politik. Pikërisht në këtë pikë Vidovdani fiton rëndësi si objekt studimi: ai shërben si urë lidhëse ndërmjet kujtesës historike, identitetit kombëtar dhe diskurseve bashkëkohore mbi sovranitetin.
Në kushtet e konkurrencës së narrativave që karakterizon Ballkanin sot, lufta hibride zhvillohet kryesisht në hapësirën e informacionit. Kjo do të thotë se beteja nuk zhvillohet vetëm për kontrollin e territorit, por edhe për kontrollin e kuptimit të historisë, të simbolikës dhe të legjitimitetit politik. Në këtë kuadër, Vidovdani mund të shihet si një nga mekanizmat përmes të cilëve prodhohen dhe qarkullojnë narrativa identitare me ndikim politik.
Për këtë arsye, analiza akademike mbi Vidovdanin nuk duhet të fokusohet vetëm në origjinën e tij historike, por edhe në funksionin e tij bashkëkohor si element i komunikimit strategjik dhe i politikës së kujtesës. Në epokën e luftës hibride, simbolet historike shpesh bëhen po aq të rëndësishme sa instrumentet tradicionale të pushtetit, sepse ato ndikojnë mënyrën se si shoqëritë e kuptojnë të kaluarën, interpretojnë të tashmen dhe projektojnë të ardhmen. Në këtë kuptim, Vidovdani mbetet një nga shembujt më domethënës të transformimit të një ngjarjeje historike në një instrument të vazhdueshëm të legjitimitetit simbolik dhe të konkurrencës politike në Ballkan.
4. Konsensusi i historiografisë ndërkombëtare
Një pjesë e rëndësishme e historiografisë ndërkombëtare dhe studimeve mbi nacionalizmin ka arritur në përfundime të afërta me analizën kritike të këtij fenomeni simbolik.
Noel Malcolm e interpreton “Mitin e Kosovës” si një konstruksion ideologjik të nacionalizmit serb modern, i cili ka transformuar një ngjarje mesjetare në një narrativë politike me funksione mobilizuese. Në këtë kuptim, rëndësia e Kosovës nuk qëndron vetëm në faktet historike, por në mënyrën e riprodhimit të tyre në diskursin politik.
Georges Castellan e përshkruan këtë mit si një formë të “fesë civile” të nacionalizmit serb, ndërsa Nathalie Clayer thekson se interpretimet moderne të Betejës së Kosovës janë produkt i nacionalizmit të shekujve XIX–XX më shumë sesa i realitetit historik të vitit 1389.
Holm Sundhaussen dhe Konrad Clewing e vendosin Vidovdanin në kuadër të formimit të miteve themeluese të identitetit politik serb, duke argumentuar se Kosova është shndërruar në një hapësirë simbolike ku historia dhe memoria kolektive ndërthuren me projektet politike moderne.
Në një qasje të ngjashme, Halil İnalcık e trajton Betejën e Kosovës si pjesë të zgjerimit osman në Ballkan, duke relativizuar interpretimet ekskluziviste kombëtare, ndërsa Maria Todorova e analizon Vidovdanin si pjesë të procesit më të gjerë të “balkanizimit të kujtesës historike”, ku mitet kombëtare shërbejnë si instrumente të legjitimimit politik.
5. Vidovdani dhe sfida e sovranitetit në Kosovë
Në kontekstin e Kosovës pas vitit 1999, Vidovdani nuk ka funksion vetëm ceremonial, por shpesh shfaqet si ngjarje me ngarkesë të lartë simbolike dhe politike. Për këtë arsye, ai është bërë pjesë e dinamikave të ndjeshme të menaxhimit të rendit publik dhe të interpretimit të sovranitetit shtetëror.
Fjalimi i Gazimestanit (1989) mbetet një pikë referimi në këtë debat, pasi shënon momentin kur një narrativë historike u artikulua në formë politike me pasoja të drejtpërdrejta për zhvillimet e mëvonshme në rajon. Në këtë kuadër, kufizimet institucionale të Kosovës ndaj përdorimit të simboleve të Vidovdanit nga aktorë politikë të jashtëm mund të interpretohen si pjesë e ushtrimit të sovranitetit shtetëror dhe jo si kufizim i lirisë fetare në vetvete.
Në shtetet demokratike, liria e kujtesës dhe e shprehjes kulturore është parim themelor. Megjithatë, kur simbolet historike instrumentalizohen për qëllime politike që mund të nxisin tensione ndëretnike ose të sfidojnë rendin kushtetues, ato hyjnë në fushën e sigurisë publike dhe të politikës së kujtesës (memory politics).
5.1 Vidovdani në kuadër të luftës hibride dhe politikës së informacionit
Në literaturën bashkëkohore mbi konfliktet moderne, koncepti i “luftës hibride” përshkruan ndërthurjen e instrumenteve ushtarake, informative, psikologjike dhe diplomatike në formësimin e perceptimeve politike. Në këtë kuadër, hapësira e Kosovës përbën një zonë ku përplasen narrativat historike dhe politike në mënyrë të vazhdueshme.
Vidovdani, si ngjarje simbolike, shpesh bëhet pjesë e kësaj dinamike, jo si faktor i vetëm, por si pikë konvergjence e diskurseve konkurruese. Incidentet gjatë manifestimeve publike, në shumë raste, interpretohen në mënyra të ndryshme nga aktorët politikë dhe mediatikë, duke prodhuar narrativa paralele dhe shpesh të papajtueshme.
Rreziku kryesor në këtë kontekst nuk qëndron vetëm në ngjarjet konkrete, por në procesin e përshpejtuar të interpretimit publik të tyre në mungesë të verifikimit të plotë, gjë që mund të kontribuojë në polarizim dhe tension social.
5.2 Vidovdani si nyje simbolike e konfliktit
Vidovdani mund të kuptohet si një nyje simbolike ku bashkohen tre shtresa kryesore:
- Kujtesa historike e Betejës së Kosovës (1389);
- Ndërtimi i identitetit kombëtar serb në modernitet;
- Interpretimet bashkëkohore politike në kontekstin e Kosovës.
Këto shtresa nuk janë të ndara në mënyrë lineare, por ndërveprojnë në mënyrë dinamike, duke prodhuar kuptime të shumëfishta dhe shpesh kontradiktore. Pikërisht kjo shumëkuptimësi e bën Vidovdanin një simbol të ndjeshëm në politikën rajonale.
5.3 Nga kujtesa e imagjinuar te siguria e politizuar
Analiza e Vidovdanit dhe e rasteve si “Martinoviq” mund të vendoset në ndërthurjen e tre qasjeve kryesore teorike në studimet bashkëkohore mbi nacionalizmin, kujtesën kolektive dhe sigurinë: (1) komunitetet e imagjinuara, (2) memoria kulturore, dhe (3) teoritë e securitization.
Së pari, sipas Benedict Anderson, kombet nuk janë entitete natyrore, por “komunitete të imagjinuara”, të ndërtuara përmes narrativave historike, simboleve dhe mekanizmave të komunikimit publik. Në këtë kuadër, Vidovdani mund të kuptohet si një nga mekanizmat simbolikë që kontribuon në prodhimin e një imagjinate kolektive kombëtare, ku historia mesjetare ripërkufizohet në funksion të identitetit modern politik.
Së dyti, Jan Assmann e zgjeron këtë perspektivë duke dalluar midis kujtesës komunikuese dhe kujtesës kulturore. Në këtë sens, Vidovdani i përket kujtesës kulturore të institucionalizuar, e cila nuk është thjesht kujtesë e së kaluarës, por një strukturë simbolike që riprodhohet në mënyrë të vazhdueshme përmes ritualeve, diskurseve dhe institucioneve. Kjo e bën atë të hapur ndaj ripërdorimit politik dhe riinterpretimit në kontekste të ndryshme historike.
Së treti, në kuadër të Copenhagen School, veçanërisht në teorinë e “securitization”, siguria nuk kuptohet vetëm si gjendje objektive, por si proces diskursiv përmes të cilit aktorët politikë e paraqesin një çështje si kërcënim ekzistencial që kërkon masa të jashtëzakonshme. Në këtë kuptim, simbolet historike dhe incidentet lokale mund të transformohen në çështje sigurie përmes aktit të ligjërimit politik dhe mediatik.
5.4 Nga incidenti lokal te miti politik: rasti “Martinoviq” në perspektivë teorike
Brenda kësaj kornize teorike, rasti “Martinoviq”, i analizuar nga Florian Bieber, mund të interpretohet si një shembull i mekanizmit të transformimit të ngjarjeve individuale në “ngjarje me ngarkesë të lartë simbolike”.
Në situata të polarizimit etnik, siç ishte Kosova në fund të viteve 1980, incidentet lokale nuk mbeten në nivelin e faktit empirik, por futen në një proces të trefishtë:
- Kornizimi mediatik – përmes seleksionimit dhe interpretimit të ngjarjeve;
- Narrativizimi politik – përmes integrimit të tyre në diskurse të viktimizimit kolektiv ose kërcënimit;
- Mitologjizimi shoqëror – përmes lidhjes së tyre me struktura më të gjera historike dhe simbolike.
Në këtë proces, ngjarjet individuale nuk janë më vetëm “fakte”, por bëhen “shenja” brenda një sistemi më të gjerë kuptimor. Ky është mekanizmi përmes të cilit një incident i izoluar mund të fitojë peshë politike disproporcionale në raport me përmasat e tij empirike.
Në literaturën akademike mbi nacionalizmin serb dhe krizën e Kosovës në vitet 1980, rasti i njohur si “Rasti Martinoviq” trajtohet shpesh si shembull i mënyrës se si një incident individual u transformua në simbol politik me pasoja të gjera publike.
Bëhet fjalë për rastin e bujkut serb Gjorgje Martinoviq [Đorđe Martinović] në vitin 1985 në Kosovë. Fillimisht, hetimet mjekësore dhe raportet zyrtare të strukturave të athershme të sigurisë vlerësuan se dëmtimi i tij ishite shkaktuar si pasojë e një aksidenti gjatë vetëkënaqësisë seksuale një arë ku ai po punonte. Megjithatë, shumë media, intelektualë dhe qarqe nacionaliste serbe e kundërshtuan këtë version dhe promovuan pretendimin se ai ishte sulmuar nga shqiptarë për motive etnike. Madje ky variant ju imponua edhe Komitetit Qendror të LKJ-së!
Sipas analizave të Florian Bieber-it, rëndësia e rastit nuk qëndronte aq te faktet e vetë incidentit, sa te mënyra se si ai u përdor në diskursin publik serb. Rasti u paraqit si provë e pretenduar e persekutimit të serbëve në Kosovë dhe u integrua në narrativën më të gjerë të viktimizimit kolektiv serb, e cila po fitonte forcë gjatë viteve të fundit të Jugosllavisë socialiste, e që do ët shërbej më pas për aplikimin e apart’hejdit serb mbi Kosovën në dekadën e fundit të shek XX-të.
Në këtë proces ndodhën disa transformime karakteristike:
- Një incident individual u paraqit si simptomë e një problemi kolektiv.
- Ngjarja u shkëput nga konteksti i saj fillestar dhe u interpretua në mënyrë etno-politike.
- Media dhe aktorë politikë e shndërruan rastin në simbol të pozitës së pretenduar të rrezikuar të serbëve në Kosovë.
- Rasti u përfshi në narrativën e gjerë që më vonë shërbeu për mobilizimin politik të nacionalizmit serb në fund të viteve 1980.
Nga perspektiva e studimeve mbi propagandën dhe nacionalizmin, rasti Martinoviq konsiderohet shembull klasik i asaj që quhet simbolizim politik i një incidenti individual. Një ngjarje me rëndësi të kufizuar empirike fitoi peshë të jashtëzakonshme publike sepse u integrua në një narrativë ekzistuese të viktimizimit dhe konfliktit etnik.
Pikërisht për këtë arsye, në analizat e Bieber-it dhe të studiuesve të tjerë të nacionalizmit ballkanik, rasti Martinoviq shihet si pararendës i mekanizmave të mëvonshëm të mobilizimit politik që kulmuan me ngritjen e Slobodan Milošević dhe me instrumentalizimin e simboleve si Vidovdani dhe Gazimestani. Ai demonstron se si narrativa të ndërtuara mbi raste individuale mund të luajnë rol disproporcional në formësimin e perceptimeve kolektive dhe të agjendave politike.
5.5 Vidovdani si strukturë e kujtesës së siguruar
Kur kjo logjikë analitike aplikohet në Vidovdan, bëhet e dukshme se ai funksionon si një strukturë e institucionalizuar e kujtesës së siguruar (securitized memory structure). Në këtë strukturë:
- historia e Betejës së Kosovës (1389) përbën bazën narrative;
- nacionalizmi modern i shekujve XIX–XX e transformon atë në mit themelues;
- diskursi politik bashkëkohor e aktivizon atë si simbol mobilizues.
Në këtë mënyrë, Vidovdani nuk është thjesht një përkujtim, por një mekanizëm i vazhdueshëm i riprodhimit të kuptimeve politike.
5.6 Kontinuiteti analitik: nga “Martinoviq” te Vidovdani
Kur vendosen në të njëjtën kornizë teorike, rasti “Martinoviq” dhe Vidovdani nuk përfaqësojnë fenomene të ndara, por dy nivele të të njëjtit proces:
- “Martinoviq” përfaqëson mikronivelin e prodhimit të konfliktit përmes incidentit;
- Vidovdani përfaqëson makronivelin e institucionalizimit të kujtesës politike.
Në mes të këtyre dy niveleve qëndron media dhe diskursi publik si mekanizëm ndërmjetësues që transformon ngjarjet në kuptime politike dhe kuptimet në struktura të stabilizuara të identitetit.
Kështu, mund të argumentohet se ekziston një vazhdimësi konceptuale ndërmjet incidentit lokal, narrativës mediatike, kujtesës kolektive dhe simbolit historiko-politik.
6. Përfundim
Analiza e historiografisë shqiptare dhe asaj ndërkombëtare tregon se Vidovdani nuk mund të reduktohet në një përkujtim neutral fetar apo historik. Ai përfaqëson një fenomen kompleks të ndërthurjes së historisë, kujtesës kolektive dhe nacionalizmit modern.
Në këtë kuadër, menaxhimi i tij në Kosovë duhet të kuptohet si pjesë e politikës së sovranitetit dhe të sigurisë demokratike, duke marrë parasysh edhe dimensionin e komunikimit ndërkombëtar dhe të perceptimeve rajonale. Në të njëjtën kohë, ai duhet trajtuar me kujdes që të shmanget shndërrimi i kujtesës historike në instrument të përshkallëzimit politik.
Në këtë perspektivë, Vidovdani nuk mund të kuptohet vetëm si një simbol historik, por si pjesë e një infrastrukture të kujtesës politike që operon në kushte të “sigurisë së diskursit” (discursive security). Në të njëjtën kohë, raste si “Martinoviq” tregojnë se edhe ngjarjet më të vogla empirike mund të integrohen në këtë infrastrukturë dhe të marrin funksione politike të zgjeruara.
Prandaj, analiza e këtyre fenomeneve kërkon një qasje të integruar që bashkon:
- teorinë e nacionalizmit (Anderson),
- studimet e kujtesës (Assmann),
- dhe teorinë e sigurisë diskursive (Copenhagen School),
duke e kuptuar Ballkanin jo thjesht si hapësirë historike konfliktesh, por si hapësirë të prodhimit të vazhdueshëm të narrativave që ndërtojnë realitetin politik bashkëkohor.
Në përfundim, Vidovdani ilustron në mënyrë paradigmatike se si mitet historike në Ballkan nuk janë vetëm relike të së kaluarës, por aktorë aktivë në politikën e së tashmes. Sfida kryesore për shoqëritë e rajonit mbetet ndërtimi i një ekuilibri midis lirisë së kujtesës dhe përgjegjësisë politike në interpretimin e saj.
Referenca
- Anderson, B. (1983). Imagined Communities.
- Assmann, J. (1992). Cultural Memory and Early Civilization.
- Buzan, B., Wæver, O., de Wilde, J. (1998). Security: A New Framework for Analysis.
- Bieber, F. (2000–2020). Studime mbi nacionalizmin në Ballkan.
- Castellan, G. (1992). Histoire des Balkans.
- Clayer, N. (2007). Studime mbi nacionalizmat ballkanikë.
- Clewing, K. (studime mbi Kosovën dhe kujtesën politike).
- Frashëri, K. (studime mbi historinë e Kosovës).
- İnalcık, H. (studime mbi Ballkanin osman).
- Malcolm, N. (1998). Kosovo: A Short History.
- Sundhaussen, H. (studime mbi mitet politike në Ballkan).
- Todorova, M. (1997). Imagining the Balkans.
- Mekuli, G. (2022). Fjalimet që përgjakën Ballknain.
