Nga Liron KRASNIQI
HYRJE
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), partia më e vjetër institucionale e legale në vend, po kalon
një nga fazat më përcaktuese të historisë së saj bashkëkohore.
Pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2026, partia është gjetur sërish përpara një paradoksi të madh strategjik. Projekti ‘’Rruga e Re’’, i ideuar nga kryetari Lumir Abdixhiku si një përpjekje për të modernizuar partinë dhe për ta shkëputur atë nga inertësia e humbjeve të kaluara, po përballet me provën e zjarrit: ballafaqimin me rezultatin elektoral dhe presionin e menjëhershëm të strukturave tradicionale bazë.
Zhvillimet aktuale tregojnë se brenda LDK-së ka rinisur një betejë e ashpër për identitet, legjitimitet dhe mbi të gjitha, për drejtimin strategjik të asaj që konsiderohet si ‘’shtylla e krahut të djathtë’’ në Kosovë.
Presioni i degëve dhe ‘’Revolta’’ e tradicionalistëve
Menjëherë pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve, ku LDK siguroi rreth 18 deputetë,
brenda partisë shpërtheu ajo që shumë analistë po e quajnë revoluta e lëkundjes së themeleve.
Degët kryesore dhe historikisht më të fuqishme të LDK-së – si ajo e Pejës (nën udhëheqjen e
Gazmend Muhaxherit) dhe e Lipjanit (nën udhëheqjen e Imri Ahmetit), por edhe dega e II-të e Prishitnës, Rahovecit etj. kanë shfaqur pakënaqësi të hapura, duke kërkuar llogaridhënie dhe përgjegjësi politike direkte nga kryetari Abdixhiku.
Kjo përplasje shpërfaq një problem kronik të LDK-së: hendekun mes Prishtinës teknokratike dhe terrenit
elektoral. Ndërsa lidershpi në Prishtinë u fokusua në debate televizive, platforma digjitale dhe
diskurs të moderuar perëndimor, kryetarët e komunave në terren u përballën me realitetin e vështirë
të votës së pastër, ku elektorati tradicional kërkonte një qasje më ndryshe ndaj pushtetit të Albin
Kurtit.
Dilema opozitare dhe nyja e presidentit
Përtej luftës së brendshme për pushtet, LDK mban në dorë çelësin e stabilitetit institucional
të Kosovës. Me rezultatet e certifikuara, pyetja kryesore që rëndon mbi zyrat e partisë është: A do
të bëhet LDK pjesë e ndërtimit të institucioneve, apo do të izolohet në opozitë?
Nënkryetari i partisë, Lutfi Haziri, ka hedhur në tryezë idenë e një ‘’konsensusi të gjerë’’, duke deklaruar se vota qytetare kërkon bashkëpunim. LDK ka bërë të qartë se nëse kërkohen votat e saj për formimin e
qeverisë ose për kuorumin e Presidentit, çmimi duhet të jetë i lartë – postet kryesore shtetërore
(përfshirë vetë Presidencën, ku u përfolen emrat e Hazirit ose vetë Abdixhikun).
Rreziku strategjik: Nëse LDK pranon të hyjë në lojë me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) pa kushte
të qarta, rrezikon të absorbohet dhe të ndëshkohet sërish nga votuesit si ‘’parti e dëgjueshme’’.
Nëse refuzon plotësisht dhe bllokon kuorumin, rrezikon të etiketohet si fajtore për dërgimin e
vendit sërish në zgjedhje të parakohshme, një skenar që asnjë parti nuk e dëshiron.
‘’Rruga e re’’ apo Ndarja e re?
Analiza e diskursit të brendshëm tregon se projekti i Abdixhikut po kalon nëpër një krizë
legjitimiteti brenda llojit. Kur mori timonin e partisë pas debaklit të vitit 2021 (atëherë kur LDK ra në 12%), Abdixhiku solli fytyra të reja, akademike dhe profesionistë (si Përparim Rama në Prishtinë, statusi
i të cilit së fundmi ka ngritur po ashtu pikëpyetje nëse është anëtar i mirëfilltë apo vetëm projekt
elektoral). Megjithatë, mënjanimi i figurave të vjetra dhe ndryshimi i shpejtë i elitës partiake krijoi
një ushtri të heshtur të pakënaqurish. Sot, këto figura po shfrytëzojnë mosarritjen e objektivit
kryesor – fitores së zgjedhjeve – për të dëshmuar se reforma e Abdixhikut ishte thjesht një
‘’kozmetikë elitare’’ që nuk rezonoi me fshatrat dhe qytetet e Kosovës.
Përfundime
Çfarë e pret LDK-në?
Lidhja Demokratike e Kosovës po përjeton një moment të vështirë ku duhet të zgjedhë mes dy rrugëve:
- Konsolidimi i reformës: Mbajtja e vijës së Abdixhikut, duke pranuar koston e opozitës në periudha afatgjata, me shpresën e reformimit të plotë gjatë viteve në vijim dhe largimit përfundimtar të
mendësisë së vjetër përfituese. - Rikthimi te kompromisi pragmatik: Pranimi i kërkesave të ‘’gardës së vjetër’’ për të
negociuar me partitë tjera për poste, duke u kthye në rolin tradicional të një partie partnere, që
synon pushtetin me çdo kusht për të ruajtur rehatinë e strukturave të saj nëpër komuna.
Mënyra se si LDK do ta zgjidhë këtë krizë të brendshme gjatë ditëve në vijim nuk do të
përcaktojë vetëm fatin e Lumir Abdixhikut si lider, por do të diktojë nëse Kosova do të ketë një
qeveri stabile apo do të zhytet sërish në një ngërç të gjatë institucional.
