Nga Dan GASHI / Njujork
Tradicionalisht, funeralet e liderëve politikë dhe shtetërorë nuk përfaqësojnë vetëm një rit mortor apo një praktikë protokollare dhe ceremoniale. Ato bartin edhe një ngarkesë të konsiderueshme simbolike, përmes së cilës artikulohen mesazhe politike, diplomatike dhe gjeostrategjike. Në këtë kontekst, udhëheqja shtetërore e Iranit u kujdes që ceremonia mortore e liderit shpirtëror Khamenei të interpretohej si një manifestim i rezistencës, i qëndrueshmërisë, ngadhnimit dhe i dinjitetit kombëtar, duke përcjellë njëkohësisht sinjale politike për komunitetin ndërkombëtar dhe për delegacionet e shumta të pranishme. Megjithatë, elementi më domethënës i ceremonisë ishte simbolika e artikuluar përmes citimit të ajeteve kuranore. Përzgjedhja e citateve nga Kurani nuk ishte rastësore; përkundrazi, ajo përcillte një komunikim politik të koduar, në të cilin referencat kuranore shërbejnë si instrument për transmetimin e mesazheve me domethënie të shumëfishtë.
Kur delegacioni saudit shprehu ngushëllimet dhe nderimet e tij në funeralin e Khameneit, u recitua ajeti kuranor 3:13, i cili meriton shumë më tepër vëmendje sesa i është kushtuar deri më tani. Në këtë kontekst, zgjedhja e këtij ajeti nuk ishte rastësore. I lexuar si pjesë e liturgjisë fetare, ai nuk paraqet asgjë të pazakontë. Megjithatë, i interpretuar si një mesazh i drejtuar delegacionit saudit, ai merr një dimension krejtësisht tjetër.
Ky ajet rikujton Betejën e Bedrit, kur një forcë shumë më e vogël besimtarësh doli fitimtare jo falë epërsisë ushtarake, burimeve apo numrit, por sepse mbronte atë që konsiderohej një kauzë e drejtë përballë një armiku “dyfish më të madh në numër”por jo me besim.
Në këtë lexim, nënteksti është i qartë dhe sfidues për palët të cilave u drejtohet. Ai sugjeron se mbështetja në epërsinë numerike dhe materiale, e garantuar nga aleatë të jashtëm, nuk përbën në vetvete një burim sigurie afatgjatë. Ajo që mbetet e qëndrueshme nuk është fuqia e zhveshur ushtarake, por ndërtimi i marrëdhënieve mbi baza të forta me ata që ndajnë të njëjtin rajon, një histori të ndërthurur, fe të njëjtë dhe interesa strategjike afatgjata.
Për Rijadin, nënkuptimi është i drejtpërdrejtë, ndonëse jo armiqësor, por më tepër sugjestiv. Garancia amerikane e sigurisë përfaqëson një mekanizëm të përkohshëm, jo një themel të qëndrueshëm të arkitekturës së sigurisë rajonale. Një Gji Persik i ndërtuar mbi një ekuilibër ndërmjet Teheranit dhe Rijadit, sado i vështirë, i pakëndshëm dhe i arritur me kompromis, mund të përbëjë një alternativë më të qëndrueshme sesa varësia nga një superfuqi, angazhimet e së cilës ndryshojnë në varësi të dinamikave të politikës së saj të brendshme dhe prioriteteve strategjike të momentit.
Ky lloj mesazhi, i koduar përmes simbolikës fetare, nuk është i panjohur në traditat e mëdha fetare. Në librin e shenjtë të hinduizmit, Bhagavad Gita, këshilla që i jepet Arjunës mbështetet mbi të njëjtën logjikë: luftoje betejën që të takon sipas drejtësisë, pavarësisht epërsisë së armikut, sepse drejtësia e kauzës mbijeton më gjatë sesa betejat ushtarake. Po kështu, rrëfimi biblik për Gideonin dhe 300 luftëtarët e tij përcjell të njëjtin mesazh, fitorja nuk buron domosdoshmërisht nga superioriteti numerik, por nga legjitimiteti moral dhe qëndrueshmëria e kauzës.
Në tradita të ndryshme fetare dhe kulturore përsëritet i njëjti model; ata që mbijetojnë nuk janë domosdoshmërisht ata që disponojnë fuqinë më të madhe materiale dhe ushtarake, por ata që qëndrojnë mbi themelet e besimit, legjitimitetit dhe të një kauze që e konsiderojnë të drejtë. Mbetet për t’u parë nëse Rijadi dhe monarkitë e Gjirit e kanë interpretuar këtë mesazh ashtu siç synohej. Megjithatë, zgjedhja e këtij ajeti, në atë moment dhe përballë atij delegacioni, vështirë se mund të konsiderohet rastësore.
Zëvendësministri i Jashtëm saudit, Waleed Al-Khuraiji, kryeson delegacionin e Mbretërisë për të marrë pjesë në funeralin e ish-udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei, në Teheran.
