Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Miratimi në heshtje nga Dhoma e Deputetëve e Rumanisë i një projektligji që parasheh hapjen e negociatave për bashkimin me Moldavinë mund të interpretohet si një incident procedural parlamentar. Megjithatë, reduktimi i kësaj ngjarjeje në një çështje teknike do të nënkuptonte injorimin e domethënies së saj më të thellë politike. Në realitet, ajo shënon rikthimin e çështjes kombëtare në zemër të debatit evropian dhe vë në pikëpyetje një nga supozimet themelore mbi të cilat është ndërtuar projekti i integrimit evropian: se epoka e kombeve historike po i afrohet fundit dhe se identitetet politike do të zëvendësohen gradualisht nga struktura mbikombëtare.
Për dekada me radhë, establishmenti evropian ka promovuar idenë e një rendi postnacional, në të cilin kufijtë shtetërorë humbasin rëndësinë e tyre politike ndërsa sovraniteti transferohet drejt institucioneve supranacionale. Megjithatë, zhvillimet e viteve të fundit – nga Brexit-i e deri te ringjallja e lëvizjeve sovraniste në shumë vende të kontinentit – kanë dëshmuar se kombi mbetet njësia themelore e legjitimitetit demokratik. Rasti rumuno-moldav është vetëm manifestimi më i fundit i kësaj tendence. Ai tregon se, pavarësisht globalizimit dhe integrimit evropian, kombet vazhdojnë të jenë subjektet kryesore të historisë.
Në këtë kontekst, rasti shqiptar fiton një relevancë të veçantë. Nëse unionistët rumunë argumentojnë se ndarja e Moldavisë ishte produkt i imponimeve gjeopolitike dhe i marrëveshjeve të fuqive të mëdha, atëherë edhe në hapësirën shqiptare ekziston një narrativë historike e ngjashme. Kufiri që ndan sot Shqipërinë dhe Kosovën nuk është rezultat i një diferencimi kombëtar midis dy popujve të ndryshëm, por pasojë e një rendi ndërkombëtar të ndërtuar në fillimshekullin XX [Konferenca e Ambasadorëve në Londër – 1913], kur fuqitë e mëdha vendosën kufijtë e Ballkanit sipas interesave të tyre strategjike dhe jo sipas parimit të vetëvendosjes së popujve.
Pikërisht këtu bie në sy varfëria konceptuale që ka karakterizuar diskursin zyrtar shqiptar gjatë tri dekadave e gjysmë, që kur u shemb sistemi komunist dhe filloi epoka e iluzionizmit politik për “bashkim në BE”! Deklaratat tashmë të konsumuara të establishmentit politik në Tiranë, të shoqëruara nga qëndrimet po aq statike të një pjese të nomenklaturës së vjetër politike në Kosovë, sipas të cilave bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do të realizohej automatikisht brenda Bashkimit Evropian, rezultojnë sot të kenë qenë më shumë produkt i një injorance politike sesa i një vizioni strategjik. Ky formulim shërbeu për vite me radhë si alibi për të shmangur debatin serioz mbi të ardhmen politike të kombit shqiptar dhe mbi format konkrete të integrimit kombëtar.
Në fakt, vetë zhvillimet në Evropë po dëshmojnë të kundërtën. Nuk janë strukturat supranacionale ato që po e zëvendësojnë kombin, por kombet që po rikthehen si faktorë përcaktues të rendit politik evropian. Në këtë kuptim, integrimi evropian nuk e zgjidh automatikisht çështjen kombëtare shqiptare; ai vetëm krijon një mjedis më të favorshëm për trajtimin demokratik dhe paqësor të kësaj çështje.
Për këtë arsye, debati mbi marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës nuk mund të reduktohet më në retorikën e konsumuar të “bashkimit në BE”. Çështja shtrohet tashmë në terma shumë më konkretë: si mund të ndërtohen mekanizma të përbashkët politikë, ekonomikë, institucionalë dhe të sigurisë, që gradualisht do ta shndërrojnë hapësirën shqiptare në një organizëm të vetëm funksional? Në këtë prizëm, koncepti i një Federate Shqiptare nuk duhet parë si slogan romantik apo si formulë nacionaliste, por si një model i mundshëm institucional i integrimit kombëtar në kushtet e shekullit XXI.
Precedenti rumun e bën këtë debat jo vetëm legjitim, por edhe aktual. Nëse dy shtete sovrane mund të diskutojnë hapur dhe në mënyrë demokratike për perspektivën e bashkimit, atëherë edhe shqiptarët kanë të drejtë të mendojnë dhe të projektojnë format e ardhshme të organizimit të tyre politik. Në këtë kuptim, zhvillimet në Bukuresht mund të lexohen si sinjal se procesit të krijimit të një Federate Shqiptare po i hapet gradualisht rruga në planin teorik, politik dhe diplomatik. Jo si rezultat i ndonjë aventure revizioniste, por si pasojë e një realiteti të ri evropian, ku parimi i vetëvendosjes po rifiton terren përballë dogmave të ngurtësuara të rendit postnacional.
Në fund, pyetja që ngre precedenti rumun nuk ka të bëjë vetëm me Moldavinë apo me Rumaninë. Ajo ka të bëjë me vetë natyrën e rendit evropian: a është Evropa një bashkësi shtetesh të ngrira brenda kufijve ekzistues, apo një bashkësi kombesh të lira që gëzojnë të drejtën demokratike për të përcaktuar të ardhmen e tyre politike? Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje do të ndikojë jo vetëm në fatin e rumunëve dhe moldavëve, por edhe në perspektivën afatgjatë të çështjeve tjera kombëtare në kontinent. Për shqiptarët, kjo nënkupton se koha e shtyrjes së debatit strategjik po përfundon. Çështja e integrimit politik kombëtar po rikthehet gradualisht në agjendën e historisë dhe, bashkë me të, edhe nevoja për të menduar seriozisht arkitekturën institucionale të së ardhmes së kombit shqiptar.
