Takimi i radhës i NATO-s, ku u grumbulluan krerët e të gjitha shteteve anëtare, u dominua nga dy figura madhore: Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe nikoqiri, Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan.
Nga Dan GASHI / Njujork
Avioni “Air Force One” i Presidentit Trump, posa u ul në bazën ajrore Etimesgut të Ankarasë, gjeti Rexhep Tajip Erdoganin duke e pritur në pistë. Të dy presidentët shtrënguan duart para kamerave si miq të vjetër që takohen sërish me plot gazmend. Pamja e takimit të përzemërt në pistën e aeroportit ishte vetëm fillimi i befasisë. Disa orë më vonë, brenda Pallatit Presidencial Beştepe, Trump lëshoi “bombën” që tronditi botën diplomatike: deklaroi se Shtetet e Bashkuara do t’i heqin sanksionet ndaj Turqisë, dhe potencialisht do të japin lejen për avionët F-35.
Për të kuptuar tërë dimensionin dhe rëndësinë e kësaj deklarate, duhet të kthehemi pas, në vitin 1999. Ky është viti kur Turqia iu bashkëngjit si një nga partnerët themelues atij që do të bëhej Programi i Avionëve Luftarakë të Përbashkët F-35 (Joint Strike Fighter). Jo si klient, por si partner në zhvillimin e këtij projekti. Duhet të kihet parasysh një fakt i rëndësishëm; F-35 nuk u projektua për t’u ndërtuar thjesht në Fort Worth të Teksasit apo diku tjeter ne SHBA dhe për t’u dërguar anembanë botës si një makinë që del nga linja e montimit. Ai u projektua që në fillim si një projekt i përbashkët shumëkombësh, ku shtete të ndryshme prodhonin pjesë të ndryshme të avionit për t’i futur ato në një zinxhir të vetëm global furnizimi.
Turqia fillimisht nisi me fabrikimin e 937 pjesëve të veçanta për F-35, si komponentë të rrotave të aterimit, ekranet e kabinës së pilotit dhe pjesë strukturore për trupin e avionit. Industria Turke e Aviacionit dhe Hapësirës (TUSAŞ/TAI) u bë thellësisht e integruar në prodhimin aktual të avionit, e jo thjesht një blerës që pret në radhë. Kjo është e rëndësishme sepse tregon se Turqia nuk ishte ndonjë aktor margjinal që kërkonte favor, por ishte pjesë e projektit, brenda programit më të shtrenjtë dhe më të ruajtur të armatimit në historinë e Amerikës.
Turqia që në fillim porositi 100 avionë. Pilotët nisën stërvitjen me një ceremoni publike në vitin 2018, ku u prezantua një F-35 turk i gatshëm. Mirëpo, gjithçka u bllokua për shkak të një vendimi të marrë në Ankara, nga i cili duket pothuajse e pamundur të tërhiqesh.
Turqia vendosi befas të blejë sistemin e mbrojtjes kundërajrore S-400 nga Rusia, dhe jo sistemin amerikan Patriot, të cilin Uashingtoni e kishte ofruar me kushte të ngjashme. Vlen të ndalemi te arsyeja pse Turqia mori këtë vendim me pasoja, e cila tregon se si Erdogan e ka udhëhequr politikën e jashtme turke për 20 vjet. Ai nuk po e blinte sistemin S-400 sepse ishte domosdoshmërisht sistemi më i mirë se ai amerikan. Ai e bleu këtë sistem kontravers qëllimisht, edhe pse e dinte se kishte kosto të lartë politike. Erdogan donte t’i tregonte botës se Turqia nuk ishte një shtet vasal. Se Ankaraja mund të zgjidhte sipas dëshirës midis Uashingtonit, Moskës dhe Pekinit, dhe se askush, madje as NATO, as Pentagoni, as Kongresi nuk mund t’i diktonte zgjedhjet e Turqisë. Ky është një mesazh për sovranitetin, politikën dhe strategjinë e mbrojtjes. Brenda këtij koncepti politik të Erdoganit qëndron gjithashtu qëllimi i kamufluar për një sigurim të brendshëm politik. Erdogan mbijetoi një tentativë grushtshteti në vitin 2016. Lideri që ka përjetuar një tmerr të tillë, ku për pak minuta gati sa nuk u rrëzua, nuk i merr vendimet për blerjen e armatimeve siç bën një kryetar i zakonshëm shteti. Ai mendonte se si të siguronte regjimin e tij nga një grusht shteti tjetër i mundshëm, përmes blerjeve konfliktuoze dhe me kosto politike, por me mesazh të fuqishem.
Kështu, në korrik të vitit 2019, Turqia mori në dorëzim bateritë e para të S-400. Dhe Uashingtoni bëri diçka që nuk e kishte bërë kurrë më parë me një aleat të NATO-s në atë përmasë; e përjashtoi Turqinë plotësisht nga programi F-35. Jo një tërheqje vërejtjeje, por një largim të plotë nga konsorciumi i prodhimit, përfundim të kontratave të furnizimit dhe ngrirje të rreth 1.4 miliardë dollarëve që Turqia kishte paguar tashmë për avionët. Gjashtë avionë F-35 plotësisht të ndërtuar që ishin destinuar për Turqinë, përfunduan të mbyllur në hangar në Arizona; të përfunduar, të paguar dhe të padërguar kurrë.
Pastaj, një vit e gjysmë më pas, në dhjetor të vitit 2020, Kongresi shkoi edhe më tej dhe aplikoi sanksionet CAATSA (Ligji për Kundërvënien ndaj Kundërshtarëve të Amerikës Përmes Sanksioneve), një ligj që në fakt u shkrua për të ndëshkuar vendet që bëjnë biznes me industritë e mbrojtjes të Rusisë, Iranit ose Koresë së Veriut. Turqia u bë aleati i parë i NATO-s që sanksionohej ndonjëherë sipas këtij ligji.
Dhe tani jemi në vitin 2026 për të konfirmuar se sanksionet nuk funksionuan kurrë në sensin e ndryshimit të sjelljes turke. Erdogani nuk e ktheu mbrapsht S-400-ën. Ai nuk kërkoi falje. Përkundrazi, në muajt pas përjashtimit, ai hodhi idenë e blerjes së më shumë S-400-ave dhe potencialisht të avionëve rusë Su-35 si zëvendësues për F-35 që sapo kishte humbur. Kërcënimi i ndëshkimit amerikan dhe sanksionet e vendosura thjesht dështuan.
Kështu, të dyja palët u mbërthyen në një ngërç gjashtëvjeçar. Uashingtoni mbrojti qëndrimin e tij, duke këmbëngulur se asnjë F-35 nuk dorëzohet Turqisë derisa S-400 të largohet. Ankaraja këmbënguli në të sajën, duke refuzuar ta dorëzonte, ndërsa në heshtje ndërtonte industrinë dhe programin e saj të avionëve luftarakë vendas të quajtur “Kaan”, si një lloj politike sigurimi për rastin kur Uashingtoni nuk do të lëshonte pe kurrë.
Kjo është historia 20-vjeçare që çoi në shtrëngimin e duarve në Takimin e Ankarasë mes dy liderëve. Pse ky samit i NATO-s është i veçantë, ndryshe nga herët e tjera?
Brenda samitit u vërejt dinamika e tri forcave të ndryshme që po harmonizoheshin në një kahje.
Për të kuptuar më mirë qëllimin dhe cakun e këtij samiti, duhet parë të tri forcat në harmoni të përbashkët.
Forca e parë që shtynte dinamikën në drejtimin e dëshiruar është thjesht pesha dhe realiteti i kohës karshi presionit dhe përplasjeve rajonale. Deri në vitin 2025, harta strategjike rreth Turqisë nuk ngjante aspak me atë të vitit 2019. Rusia është e bllokuar dhe e dobësuar nga vitet e luftës në Ukrainë; Irani, që nga fundi i shkurtit, është ekspozuar goditjeve të drejtpërdrejta nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli. Udhëheqësi i tij suprem, me një pjesë të konsiderueshme të elitës politike dhe ushtarake, është vrarë; regjimi i tij është i tronditur dukshëm. Siria kishte kaluar përmes një kolapsi të plotë, luftërave të përgjakshme mes fraksioneve dhe një tranzicioni kaotik. Në këtë realitet të ri rajonal, Turqia rriti praninë e vet politike dhe ushtarake, duke imponuar status tjetër brenda strukturës së NATO-s.
Strategjebërësit në Bruksel apo Uashington nuk përpunojnë më strategji si ajo e mëhershmja: “si ta ndëshkojmë Turqinë”, por “a mund NATO t’ia lejojë vetes realisht një Turqi të pavarur, që funksionon jashtë perimetrit politik dhe ushtarak të Aleancës, e që tani ndodhet në terrenin më të rëndësishëm strategjik?”.
Turqia kontrollon Bosforin dhe Dardanelet, të vetmen rrugë detare për të hyrë dhe dalë nga Deti i Zi. Ajo kufizohet me Sirinë, Irakun, Iranin dhe Kaukazin. Ajo mban bazën ajrore të Inxhirlikut, të cilën Erdogani e ka kërcënuar më parë se do ta mbyllë për operacionet amerikane.
Forca e dytë është më personale dhe shpesh nënvlerësohet nga ata që lexojnë vetëm dokumentet e politikave. Trumpi dhe Erdogani kanë një marrëdhënie reale diplomatike që daton nga mandati i parë i Trumpit. Ky respekt i dyanshëm kordial është menaxhuar nga Trumpi, duke fajësuar publikisht administratën Obama për keqmenaxhimin e negociatave fillestare për raketat Patriot, gjë që e shtyu Turqinë drejt Rusisë në radhë të parë. Ai e ka quajtur Erdoganin vazhdimisht një udhëheqës që e respekton. Raportimet e vitit të kaluar bëjnë të kuptohet se konturet e një zgjidhjeje alternative po hartohen posaçërisht për t’i mundësuar Erdoganit një rrugë kthimi në programin F-35, duke ruajtur qëndrimin zyrtar dhe pa shkelur teknikisht ligjin e Kongresit.
Dinamika e forcës së tretë është problemi teknik. Manovrimet dhe interpretimet ligjore mund të përmblidhen në një përkufizim, por karakteristikat teknike të F-35 janë fizikë e pastër. F-35 është në thelb një avion “stealth” (i pakapshëm nga radarët). E gjithë vlera e tij, arsyeja pse kushton aq sa kushton dhe pse forcat ajrore në mbarë botën e dëshirojnë, është se prerja e tij tërthore e radarit është aq e vogël sa mund të operojë brenda hapësirës ajrore të kontestuar pa u diktuar. S-400 është në thelb një sistem radari dhe diktimi i ndërtuar nga Rusia posaçërisht për të “gjuajtur” pikërisht këtë lloj avioni te “padukeshem”.
Problemi evident është se këto dy sisteme në të njëjtin vend shfaqin karakteristika elektronike që mund të përvetësohen nga sistemi tjetër. Çdo herë që një F-35 lëviz ose fluturon pranë një instalimi të S-400, ai sistem rus ka mundësi të mbledhë telemetri, reflektime radari dhe emetime elektronike; të dhëna që inxhinierët mund t’i zbërthejnë për të kuptuar se sa “stealth” është avioni dhe në çfarë frekuencash bëhet ai i dukshëm. Kjo është arsyeja pse zyrtarët amerikanë kanë insistuar se çështja nuk ka qenë kurrë nëse Turqia do të lëshojë raketa ndaj dikujt brenda Aleancës, por friga e kopjimit të telemetrisë elektronike.
Sinjali i parë se kjo çështje mund të merrte drejtimin e dëshiruar u vërejt kur ambasadori Tom Barrett deklaroi në një konferencë në Abu Dabi se çështja e S-400 po shkonte drejt zgjidhjes dhe se bateritë nuk janë në përdorim. Jo largim i plotë, jo raketa të kthyera në Rusi, thjesht një sigurim që ato janë të fikura. Për këtë administratë, kjo ishte hapësirë mjaftueshëm e madhe për të manovruar.
Përtej kësaj barriere teknike, është një aleancë opozitare që vjen nga të paktën tri drejtime të ndryshme e që është më e forte së ato të lartpërmendurat.
Fillimisht, Izraeli gjegjsishtë Kryeministri Netanyahu ka qenë jashtëzakonisht i ashpër, duke e quajtur Turqinë një regjim të infektuar nga Vëllazëria Myslimane dhe duke akuzuar Erdoganin se strehon Hamasin dhe kërcënon Izraelin. Kritika e tij nuk është thjesht retorikë, por mbrojtje e një interesi strategjik konkret. E gjithë mbrojtja rajonale e Izraelit, aftësia për të goditur autokolonat iraniane apo Hezbollahun pa u kërcënuar nga mbrojtja ajrore e fqinjëve, bazohet në superioritetin e avionëve F-35I. Nëse edhe Turqia blen avionë F-35, Izraeli humbet avantazhin e tij cilësor në rajon. Për më tepër, duke qenë se kompanitë izraelite prodhojnë pjesë për çdo F-35 në botë, ekziston shqetësimi real se teknologjia izraelite mund të përfundojë brenda avionëve që fluturojnë nga një qeveri që ata e konsiderojnë armiqësore.
Zëri tjetër po aqë kundershtues është Greqia. Problemi këtu nuk lidhet me Hamasin, por me Detin Egje, kufijtë detarë të kontestuar dhe Qipron. Greqia i është përgjigjur ambicieve ushtarake të Turqisë me plane modernizimi, blerjen e F-35 dhe zhvillimin e rrjetit të mbrojtjes “Mburoja e Akilit” me përfshirjen e Izraelit. Stërvitjet e përbashkëta greko-izraelite janë një mesazh i qartë për Ankaranë, diplomacia e fluturimeve manovruese në vend të komunikatave.
Së fundi, rezistenca e tretë është e brendshme, amerikane. Kongresi, përmes Seksionit 1245 të Ligjit të Autorizimit të Mbrojtjes (2020), kërkon certifikim të plotë se Turqia nuk posedon S-400 dhe nuk do të marrë sisteme ruse. Turqia nuk i ka përmbushur këto kushte, prandaj çdo përpjekje e ekzekutivit për të gjetur një “zgjidhje anësore” ndeshet me një Kongres dypartiak. Ka një luftë të vërtetë brenda Uashingtonit, midis një dege ekzekutive që dëshiron marrëveshjen dhe një legjislature që shkroi ligjin posaçërisht për ta parandaluar atë.
Pamja e Trumpit dhe Erdoganit duke shtrënguar duart në Etimesgut është vetëm fillimi i nje marveshje. Nëse Turqia ia del që me një premtim apo çkyçje të sistemit S-400 t’i kthehet programit F-35, atëherë mësimi për të gjitha qeveritë e tjera do të jetë se vijat e kuqe amerikane janë të negociueshme, mjafton të jesh mjaftueshëm i durueshëm dhe i rëndësishëm strategjikisht. Ky është një leksion që ndryshon gjithë arkitekturën e kontrollit të armëve të Amerikës në të ardhmen.
Në çdo version, pesha gjeostrategjike e Turqisë e bën atë një aktor të paanashkaluar brenda NATO-s. Nga raketa “Tayfun Block 4” te “Kupola e Çeliktë”, Ankaraja po ndërton një infrastrukturë sigurie që e bën atë gjithnjë e më pak të varur nga të tjerët.
Në fund, shtrohet pyetja: çfarë lloj aleance do të jetë NATO në këtë dekadë? Për vite me radhë, Aleanca funksionoi mbi supozimin e vlerave të përbashkëta kundër Moskës. Ajo që po shohim në Ankara është një test, kur teknologjia më e avancuar e Aleancës kthehet në monedhë këmbimi në një marrëdhënie personale midis liderëve, ndërsa kundërshtimet më të forta nuk vijnë nga armiqtë e jashtëm Moska, Pekini apo Teherani, por nga Athina dhe Jerusalemi. Çfarëdo që të vendoset në takimet me dyer të mbyllura, kjo do të na tregojë se si lëviz pushteti realisht në një botë ku aleancat e vjetra po rinegociohen: jo më rreth vlerave, por rreth asaj se kush kontrollon Bosforin, kush fluturon me avionin më “stealth” dhe me kë përputhen interesat vetjake ndërshtetërore.
