Nga Dr. Elez ELEZI
Kohëve të fundit, në disa debate televizive, e sidomos në emisionin “Kojshia Show”, kemi parë shpesh përballë njëri-tjetrit personalitete të besimeve të ndryshme, hoxhallarë e klerikë katolikë, njerëz me bindje e pikëpamje të ndryshme. Debati, për sa kohë zhvillohet me argumente dhe me respekt, nuk është diçka e keqe. Përkundrazi, një shoqëri e shëndoshë ka nevojë për debat, sepse vetëm përmes fjalës, dëgjimit dhe kundërshtimit të arsyeshëm mund të kuptojmë më mirë njëri-tjetrin.
Por kur debati kalon në një pikë ku njëri ndihet i detyruar të largohet nga emisioni, atëherë mendoj se kemi humbur diçka të rëndësishme: mundësinë për të dëgjuar tjetrin deri në fund. Largimi nga dialogu nuk e zgjidh çështjen. Përkundrazi, ndonjëherë e thellon hendekun.
Nuk jam historian dhe as teolog. Jam thjesht një qytetar [nj jetë të tërë mjek/pulmolog], që e sheh këtë çështje nga këndvështrimi i humanistit dhe pikërisht kjo më shtyu të shkruaj disa rreshta.
Sepse kur flasim për shqiptarët, nuk mund ta ndajmë historinë tonë në copa, sipas fesë.
Kemi një vend. Kemi një nënë. Kemi një gjak. Kemi një gjuhë. Kemi një flamur.
Kjo nuk është vetëm një fjali e bukur. Është një pjesë e historisë sonë.
Mjafton të shohim figurat që kanë dalë nga ky truall dhe që, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare, kanë kontribuar në të njëjtën çështje kombëtare.
Mendojmë për Hoxhë Tasimin, Mulla Idriz Gjilanin, Naim Frashërin, Mihal Gramenon, Pjetër Bogdanin, Gjergj Fishtën, Pashko Vasën, Nënë Terezën dhe për shumë e shumë të tjerë që u bënë pjesë e historisë sonë.
Disa ishin mysliman, disa katolikë, disa ortodoksë, disa njerëz të letrave e të pushkës, por mbi dallimet e tyre qëndronte diçka më e madhe: dashuria për kombin, gjuhën, tokën dhe lirinë.
Duke rezonuar në këtë pikë, më erdhi në mendje një video që kam parë së fundmi, ku Prof. Mehmet Halimi e shpjegonte këtë bashkim përmes një metafore jashtëzakonisht të bukur.
Ai e krahasonte kombin me një qilim të qëndisur me shumë ngjyra.
Në një qilim ka të kuqe, të zezë e ngjyra të tjera. Secila ngjyrë është e ndryshme nga tjetra, por të gjitha së bashku e krijojnë bukurinë e qilimit. Sipas kësaj metafore, substanca me të cilën është bërë qilimi është kombi, ndërsa ngjyrat e ndryshme janë fetë, përkatësisht konfesionet fetare.
Mendoj se kjo është një mënyrë shumë e bukur për ta kuptuar shoqërinë shqiptare.
A duhet ta shqyejmë qilimin vetëm pse ngjyrat e tij janë të ndryshme?
Jo.
Pikërisht larmia e ngjyrave e bën qilimin të bukur. Nëse do të ishte vetëm një ngjyrë, ndoshta do të ishte i thjeshtë dhe i varfër. Bukuria qëndron në harmoninë e të ndryshmeve.
Edhe Shqipëria dheshqiptaria jonë është një qilim i tillë.
Katoliku është një ngjyrë, Myslimani është një tjetër. Ortodoksi një tjetër. Por qilimi është një.
Dhe ajo që i mban të gjitha bashkë është substanca e përbashkët: kombi, gjuha, historia dhe vendi ynë.
Pikërisht për këtë arsye, më duket e dhimbshme kur shohim që dallimet fetare ndonjëherë përdoren si arsye për të ngritur mure mes njerëzve.
Pjetër Bogdani, një korife i mendimit, ishte prift katolik. Naim Frashëri vinte nga një traditë tjetër fetare – ajo e sufizmit. Gjergj Fishta ishte françeskan e poet i madh i kombit shqiptar. Pashko Vasa, katolik nga Shkodra, që na i la vargjet e famshme që u bënë thirrje për bashkim mbi dallimet fetare.
Në anën tjetër kemi figura si Hoxhë Tasimi, Zmer Prizreni [një tejeëtr sufistë i urtë] e Mulla Idriz Gjilani, të cilët gjithashtu e lidhën jetën dhe veprimtarinë e tyre me fatin e popullit shqiptar.
A nuk është kjo një dëshmi e fuqishme se shqiptarinë nuk e ka përcaktuar përkatësia fetare?
Feja është besim. Kombi është përkatësi. Njeriu mund t’i ketë të dyja dhe nuk ka pse t’i vërë në konflikt.
Edhe Nënë Tereza, një prej figurave shqiptare më të njohura në botë, e bëri humanizmin gjuhë të përbashkët për njerëzit. Ajo nuk e ndërtoi veprën e saj mbi ndarjen, por mbi dashurinë dhe shërbimin ndaj njeriut.
Edhe Gjergj Fishta, të cilin regjimi komunist në Shqipëri e ndaloi dhe e la për dekada jashtë kujtesës sonë historike [zyrtare], sot është rikthyer në vendin që i takon në kulturën shqiptare.
Historia shqiptare është shumë më e madhe se çdo ideologji që ka tentuar ta ndajë, ta censurojë apo ta fshijë një pjesë të saj.
Prandaj, kur shohim sot debate mes klerikëve të besimeve të ndryshme, nuk duhet t’i shohim përballje mes dy botëve që nuk kanë asgjë të përbashkët.
Le të debatojnë.
Le të kundërshtojnë njëri-tjetrin.
Le t’i mbrojnë bindjet e tyre.
Por le ta bëjnë këtë duke respektuar njeriun përballë.
Dialogu nuk kërkon që të mendojmë njësoj. Dialogu kërkon të dimë të dëgjojmë edhe atë që mendon ndryshe.
Dhe nëse dikush largohet nga tavolina e debatit, sepse nuk mund të vazhdojë të dëgjojë tjetrin, atëherë ndoshta nuk kemi fituar asgjë. Sepse vendi ynë nuk ka nevojë për më shumë mure. Ka nevojë për më shumë ura.
Nuk po them se duhet t’i mbyllim sytë para dallimeve. Jo. Dallimet ekzistojnë dhe duhet të respektohen. Por duhet të mësojmë t’i mbajmë dallimet tona pa i kthyer ato në armiqësi.
Katoliku nuk humb asgjë duke e respektuar myslimanin. Myslimani nuk humb asgjë duke e respektuar katolikun. Përkundrazi, të dy fitojnë diçka shumë më të madhe: dinjitetin e bashkëjetesës.
Sepse kur vjen e keqja, ajo nuk pyet nëse je mysliman apo katolik.
Kur një nënë qan, dhimbja e saj nuk ka fe.
Kur një familje gëzohet, gëzimi nuk ka fe.
Dhe kur ngrihet flamuri ynë, ai nuk ngrihet vetëm për njërin.
Ai është flamuri i të gjithëve.
Prandaj, le të debatojmë, por të mos përçahemi. Le të kundërshtojmë, por të mos urrehemi. Le të mbrojmë besimet tona, por pa ia mohuar tjetrit të drejtën e tij.
Sepse historia na ka lënë një amanet shumë më të madh se dallimet tona.
Një vend.
Një nënë – Shqipërinë.
Një gjuhë – Shqipen.
Një histori.
Një gjak.
Dhe një flamur.
Dhe ndoshta metafora e Prof. Mehmet Halimit e përmbledh më së miri këtë të vërtetë:
Ne jemi një qilim me shumë ngjyra. Ngjyrat janë të ndryshme, por qilimi është një.
Mos ta shqyejmë qilimin.
Ta ruajmë.
Ta bëjmë edhe më të bukur.
Sepse në fund të fundit, katolikë e myslimanë, kemi një vend, një nënë, një gjak dhe një flamur!
