Ng Dn GSHI / Njujork
Prania e figurave të larta politike serbe në ceremoninë kushtuar Ratko Mlladiçit nuk ishte një incident i rastësishëm dhe as një shfaqje folklorike që mund të harrohet pas disa reagimeve formale. Ishte një veprim i menduar mirë, i kryer me bindjen se nuk do të ketë pasoja.
Beogradi e njeh prej kohësh mënyrën si reagon Bashkimi Evropian. Fillimisht vijnë deklaratat e shqetësimit, më pas thirrjet për pajtim dhe, brenda pak ditësh, gjithçka kthehet në normalitet. Bisedimet vazhdojnë, fondet nuk preken dhe zyrtarët që marrin pjesë në ngjarje të tilla morbide, rikthehen pa pengesa në tryezat ku diskutohet integrimi evropian dhe stabiliteti rajonal.
Pikërisht mbi këtë përvojë është ngritur siguria politike e elitës serbe. Ajo e di se mund të shkojë gjithnjë e më larg, sepse kufiri i durimit evropian vazhdimisht shtyhet. Sa herë që Brukseli zgjedh një deklaratë në vend të një mase konkrete, në Beograd kjo lexohet si shenjë dobësie, në mos si miratim i heshtur.
Ceremonia për Mlladiçin mori përmasa edhe më shqetësuese për shkak të pranisë së përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, ushtarake dhe fetare nga hapësira që propagandohet si “bota serbe”. Liturgjia e drejtuar nga Patriarku Porfirije i dha ngjarjes vulën e autoritetit kishtar. Kështu, nderimi i një të dënuari për gjenocid nuk mbeti akt i një grupi të skajshëm, por u paraqit si diçka e pranueshme dhe e denjë për respekt publik.
Nuk është hera e parë që feja, politika dhe nacionalizmi bëhen bashkë për ta rishkruar të kaluarën serbe. Në këtë rrëfim, Serbia shfaqet gjithmonë si viktimë, ndërsa krimet e kryera në emër të saj relativizohen, mohohen ose shpallen akte heroike. Agresioni quhet mbrojtje, krimineli paraqitet si hero dhe viktimës i kërkohet të heshtë në emër të pajtimit.
Ky mekanizëm funksionon sepse mbështetet nga institucione që kanë ndikim të madh në shoqëri. Narrativa e “viktimizimit kolektiv” dhe e “popullit qiellor”, të rrethuar nga armiq të jashtëm, vazhdon të përdoret për t’iu shmangur përgjegjësisë. Në vend të përballjes me të kaluarën, prodhohet një version i saj tradicional ku kriminelet shndërrohen në martirë.
Përballja e serbeve me të kaluarën, nuk bëhet me ceremoni përkujtimore dhe glorifikime për autorët e krimeve, por me pranimin e fakteve, respektimin e viktimave dhe shkëputjen nga ideologjitë që i sollën ato tragjedi.
Bashkimi Evropian e ka përsëritur shpesh se glorifikimi i kriminelëve të luftës nuk përputhet me vlerat evropiane dhe as me synimin për anëtarësim. Mirëpo, kjo fjali është konsumuar nga përdorimi. Nëse edhe pas keti demonstrimi monstruoz te “botes serbe” nuk vjen asnjë veprim, ajo mbetet vetëm një retorikë burokratike pa peshë politike.
Nëse nderimi institucional i një të dënuari për gjenocid nuk mjafton për të rishikuar marrëdhëniet me Beogradin, atëherë çfarë duhet të ndodhë?
Pse fondet evropiane vazhdojnë të rrjedhin pa kushte të qarta? Pse zyrtarët që marrin pjesë në këto ceremoni nuk përballen me izolim diplomatik? Pse bashkëpunimi vazhdon sikur të mos ketë ndodhur asgjë?
Përgjigjja lidhet me politikën evropiane të “stabilitetit me çdo kusht”. Për vite me radhë, Serbia është trajtuar si një partnere që duhet mbajtur afër, edhe kur veprimet e saj bien ndesh me parimet që BE-ja pretendon se mbron. Në emër të stabilitetit janë toleruar provokimet, gjuha nacionaliste dhe mohimi i krimeve madje edhe aktet teroriste si ai i Banskjes. Bashkesia nderkombetare duhet te vetdijesohet se një stabilitet i ngritur mbi heshtjen dhe frikën nga përballja nuk është paqe, por vetëm shtyrje e problemit.
Evropa e njeh çmimin e kësaj qasjeje fatalistike. Në vitet ’90, bashkësia ndërkombëtare reagoi me vonesë ndërsa në Bosnjë-Hercegovinë po zhvillohej një tragjedi para syve të saj. Srebrenica mbetet dëshmia më e rëndë e atij dështimi. Edhe në Kosovë u desh që dhuna, krimi dhe gjenocidi të merrte përmasa të rënda përpara se diplomacia ndërkombëtare të kuptonte se deklaratat nuk mjaftonin.
Prandaj, sinjalet që vijnë sot nga Serbia dhe Republika Srpska nuk duhen trajtuar si zhurmë politike për konsum të brendshëm. Ato janë fyerje ndaj viktimave, por edhe paralajmërim për rajonin. Kur kriminelët shpallen heronj dhe kur institucionet marrin pjesë në këtë glorifikim, krijohet terren për urrejtje të reja dhe konflikte të ardhshme qe Evropa i din dhe i ka perjetuar ne historine e sai moderne.
Nuk mund të kërkohet pajtim nga viktimat, ndërsa shteti qe shkaktoi ato dhe që nderojnë autorët e krimeve shpërblehen me fonde, takime dhe legjitimitet ndërkombëtar.
Në fund, çështja nuk është vetëm çfarë bën Serbia. Çështja është edhe çfarë pranon Evropa. Sa herë që Brukseli mjaftohet me një deklaratë, Beogradi merr mesazhin se mund të vazhdojë. Dhe në këtë pikë, heshtja nuk është më thjesht mungesë reagimi. Ajo bëhet pjesë e problemit.
