Nga Dr. Gurakuç KUÇI
Ballkani Perëndimor përballet me një rrezik në rritje të përshkallëzimit asimetrik, ku fuqia parandaluese e NATO-s ndaj një lufte konvencionale, në mënyrë paradoksale, krijon hapësirë për aktivitete të “zonës gri”. Demonstrimi i forcës ushtarake nga Serbia, nga dislokimi i kapaciteteve të avancuara të mbrojtjes ajrore dhe stërvitjet “Pobednik 2026”, deri te paketat e reja të prokurimit për mbrojtjen, lidhet më pak me një konfrontim të drejtpërdrejtë me NATO-n dhe më shumë me krijimin e një “ombrelle strategjike”. Kjo mund të krijojë perceptimin te aktorët lokalë të linjës së ashpër se ekziston hapësirë më e madhe për veprim nën pragun e reagimit ndërkombëtar. Ngjashëm me dinamikën e Banjskës, demonstrimi i kapaciteteve ushtarake mund të interpretohet nga struktura të lidhura me shtetin si sinjal mbështetjeje për përplasje lokale nën pragun e luftës konvencionale.
Këto prirje ndërthuren me disa faktorë të tjerë destabilizues. Zhvillimet gjyqësore në Hagë lidhur me ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mund të ushqejnë narrativat e skajshme dhe revizionizmin historik. Zgjedhjet në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe më pas në Serbi krijojnë stimuj për mobilizim nacionalist, instrumentalizim të çështjeve të sigurisë dhe potencialisht manipulim të proceseve zgjedhore. Paralelisht, operacionet ruse të ndikimit, të mbështetura në varësinë energjetike, rrjetet mediatike e politike dhe format e financimit të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, mund të amplifikojnë pakënaqësitë lokale dhe narrativat anti-perëndimore.
Pika e cenueshme e NATO-s në këtë mjedis nuk është fuqia ushtarake, por potenciali për vonesë në koordinim dhe reagim. Aktivitetet e zonës gri, nga spiunazhi kibernetik ndaj infrastrukturës kritike deri te inkursionet e lokalizuara paraushtarake, mund të zhvillohen brenda pak orësh, ndërsa atribuimi dhe koordinimi politik kërkojnë më shumë kohë. Në rastin e KFOR-it duhet bërë dallim ndërmjet vendimmarrjes strategjike të NATO-s dhe kompetencave operative të misionit, por çdo paqartësi në interpretimin e situatës ose pragun e reagimit mund të krijojë hapësirë për provokime graduale.
Përshkallëzimi në veri të Kosovës ose në Bosnjë dhe Hercegovinë ka më shumë gjasa të prodhojë dobësim gradual të arkitekturës rajonale të sigurisë sesa luftë të hapur. Parandalimi kërkon vija të kuqe të qarta, procedura të përcaktuara për reagimin e KFOR-it, monitorim të transfertave të paligjshme dhe sanksione ndaj subjekteve që financojnë destabilizimin. Periudha deri në zhvillimin e zgjedhjeve mbetet dritarja vendimtare për t’i bërë të qarta kostot dhe pasojat përpara se të ndodhin hapa të gabuar.
