Nga Dr. Elez ELEZI
Prej kohësh po dëgjojmë nga opozita të njëjtën thirrje: Albin Kurti duhet të rrëzohet. Disa shkojnë edhe më larg dhe thonë se duhet luftuar me çdo mjet politik, madje të shkohet nga zgjedhjet në zgjedhje derisa Kurti të mos jetë më në pushtet.
E kuptoj këtë qëndrim.
Opozita është për ta kundërshtuar qeverinë dhe, nëse mendon se ajo po qeveris keq, ka të drejtë ta thotë. Ka edhe detyrë ta bëjë këtë. Shpesh dëgjojmë se Kurti po e çon shtetin drejt amullisë, se po e dëmton Kosovën dhe se kjo nuk duhet të vazhdojë.
Por mua më lind një pyetje e thjeshtë: a mjafton vetëm kjo për ta bindur qytetarin?
Sepse nëse vazhdimisht i thua qytetarit “duhet ta rrëzojmë Kurtin”, në një moment ai mund të të pyesë: “Mirë, po ju, pse duhet t’ju votoj?”
Dhe këtu, sipas meje, është problemi.
Nuk mjafton të jesh kundër dikujt. Duhet të tregosh edhe se për çfarë je ti.
Nëse opozita shkon nga zgjedhjet në zgjedhje me të njëjtën thirrje, “ta rrëzojmë Kurtin”, pa krijuar një kauzë të fortë të sajën, mund të ndodhë edhe e kundërta e asaj që kërkon.
Sa më shumë që sulmohet Kurti, aq më shumë mund të mblidhet rreth tij elektorati që e mbështet. Pra, mund të ndodhë që duke e goditur derën gjithnjë e më fort, të mos e hapësh fare.
Ndonjëherë, në këtë përballje politike, dëgjohen edhe akuza që shkojnë shumë larg. Dëgjojmë se Kurti po shkon në të njëjtën linjë me Vuçiqin, se po i ndihmon Vuçiqit dhe se, në një farë mënyre, po i ndihmojnë njëri-tjetrit.
Ka edhe deklarata që shkojnë deri aty sa Kurti të quhet “agjent i Serbisë” e të tjera të ngjashme.
Mua këto më duken vërtet absurde dhe të huaja për një debat serioz politik. Mund të kritikosh Kurtin për politikat e tij. Por kur kritika kalon në akuza të tilla, rrezikon të humbë pikërisht efektin që kërkon të arrijë. Sepse edhe qytetari që nuk është i kënaqur me Kurtin mund ta pyesë veten: a janë këto akuza të besueshme apo janë thjesht pjesë e një beteje politike?
Dhe kur opozita e tepron me akuza, mund t’i japë Kurtit mundësinë të paraqitet si viktimë e një sulmi politik dhe të mbledhë edhe më shumë mbështetje rreth vetes. Prandaj mendoj se opozita duhet ta kritikojë Kurtin aty ku ka argumente, por duhet të ruajë masën dhe seriozitetin e kritikës. Edhe një tjetër kauzë po dëgjohet shpesh nga opozita: se në Vetëvendosje nuk ka demokraci të mjaftueshme të brendshme, se deputetët nuk guxojnë të flasin lirshëm dhe se vendimmarrja është e përqendruar te Albin Kurti dhe Dejona Mihajli e njerëzit rreth tij.
Mund të jetë një çështje për t’u diskutuar. Por a mjafton kjo për t’i fituar zgjedhjet?
Nuk jam i bindur.
Qytetari mund të dëgjojë për këto probleme, por në fund të ditës ai pyet: “Çfarë do të ndryshojë kjo për mua dhe për familjen time?”
Ai do të dijë çfarë do të bëhet me ekonominë, me vendet e punës, me shëndetësinë, me arsimin, me drejtësinë dhe me të ardhmen e fëmijëve të tij.
Edhe çështja e marrëdhënieve me ndërkombëtarët është një tjetër argument që opozita e përdor shpesh. Dëgjojmë se “Kurti na ka prishur me ndërkombëtarët” dhe se marrëdhëniet me SHBA-në kanë qenë më keq se kurrë.
Por edhe këtu më duket se mungon një pyetje: pse u prishën këto marrëdhënie?
Kur flitet për këtë çështje, shpesh lihet anash veriu i Kosovës. Pikërisht aty kanë ndodhur një pjesë e përplasjeve më të mëdha me SHBA-në dhe BE-në. Por një gjë tjetër është e vështirë të mohohet: në veri ka ndodhur një shtrirje e dukshme e institucioneve të Kosovës dhe e autoritetit të shtetit. Prandaj, kur dëgjojmë se “Kurti nuk ka bërë kurgjë në veri”, mendoj se kjo nuk është mënyra më bindëse për t’iu drejtuar qytetarit. Sepse qytetari e sheh vetë se gjërat kanë ndryshuar. Dhe nuk është vetëm përshtypja e qytetarit. Edhe nga strukturat ndërkombëtare të sigurisë kemi vlerësime se gjendja është përmirësuar. NATO dhe KFOR-i kanë folur për përmirësim të situatës së sigurisë në Kosovë, ndërsa EULEX-i, si mision i Bashkimit Evropian me komponent policor, e ka përshkruar situatën e sigurisë si të qetë.
Kjo nuk do të thotë se në veri janë zgjidhur të gjitha problemet. Por nuk mund të mohohet një realitet vetëm pse e ka krijuar kundërshtari politik. Nëse edhe strukturat ndërkombëtare të sigurisë flasin për përmirësim të gjendjes, atëherë edhe ky fakt duhet të hyjë në një debat serioz për veriun. Për këtë arsye, opozita, për mendimin tim, do të ishte shumë më bindëse sikur të thoshte: Ajo që është arritur në veri duhet të ruhet, por tutje duhet bërë me koordinim më të mirë me SHBA-në dhe BE-në.”
Kjo do të ishte një qasje tjetër. Do të tregonte se opozita nuk është aty vetëm për të mohuar gjithçka që ka bërë qeveria, por di të dallojë çfarë është mirë dhe çfarë duhet bërë më tutje.
Në fund të fundit, opozita nuk duhet të jetë vetëm kundër Kurtit. Duhet të ketë një “pse” të vetin. Pse duhet ta votojë qytetari?
Çfarë do të bëjë ndryshe?
Si do ta qeverisë Kosovën?
Si do t’i mbajë të forta marrëdhëniet me SHBA-në dhe Evropën?
Si do ta zhvillojë ekonomin?
Si do ta përmirësojë shëndetësinë dhe arsimin?
Si do ta luftojë korrupsionin?
E tjera, e tjera. Këto janë pyetjet që kërkojnë përgjigje. Sepse votuesi nuk është gjithmonë i interesuar vetëm të dijë se kush duhet të largohet. Ai do të dijë edhe kush duhet të vijë dhe çfarë do të bëjë kur të vijë. Prandaj më vjen në mendje një krahasim i thjeshtë. Opozita po përpiqet ta hapë derën duke e goditur fort. Po, dera mund të thyhet me goditje të forta. Por pasi të thyhet, mund të mos vlejë më si derë. Më mirë është të gjesh çelësin. Dhe në politikë, çelësi nuk është vetëm “ta rrëzojmë Kurtin”. Çelësi është kauza. Është një program që kuptohet nga qytetari. Është një alternativë që i jep atij arsye për të votuar. Nëse opozita vazhdon vetëm me goditje, mund të lodhet vetë duke pritur që dera të hapet.
Ndoshta pyetja që duhet t’ia bëjë vetes nuk është vetëm: Si ta rrëzojmë Kurtin?” Por: Çfarë duhet t’u ofrojmë qytetarëve që ata vetë të na japin çelësin e derës së qeverisjes?” Sepse pushteti nuk fitohet vetëm duke e rrëzuar kundërshtarin. Fitohet kur qytetari bindet se ti mund të bësh më mirë. Dhe ndoshta këtu qëndron problemi kryesor i opozitës sot: e di shumë mirë kë dëshiron ta largojë, por ende nuk po arrin ti tregojë qytetarit me të njejtën forcë pse duhet të zgjedhë atë.
