Nga Dr. Sadri RAMABJA
Hyrje: Drejtësia penale, gjeopolitika dhe projekti i ndarjes
Ekziston një mënyrë për ta lexuar historinë e Gjykatës Speciale të Kosovës vetëm përmes dimensionit juridik: si një mekanizëm i krijuar për të hetuar dhe gjykuar pretendimet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë dhe pas luftës së Kosovës. Kjo është, natyrisht, pjesë e padiskutueshme e mandatit të saj. Por një analizë politike dhe gjeopolitike nuk mund të ndalet vetëm këtu. Ajo duhet të shtrojë edhe pyetjen tjetër: në çfarë konteksti ndërkombëtar u krijua kjo gjykatë dhe çfarë raporti kishte krijimi i saj me betejën për të ardhmen politike e territoriale të Kosovës?
Pikërisht këtu fillon një dimension tjetër i problemit.
Gjykata Speciale nuk u krijua në një vakum politik. Ajo ishte produkt i një procesi që filloi pas raportit të Dick Marty-t të vitit 2011, i cili ngriti akuza serioze lidhur me trajtimin çnjerëzor të personave dhe pretendimet për trafikim organesh. Në shtator 2011, Bashkimi Evropian krijoi Task Forcën Speciale Hetimore për hetimin e këtyre pretendimeve. Në vitin 2014 u arrit marrëveshja për themelimin e mekanizmit gjyqësor, ndërsa në gusht 2015 Kuvendi i Kosovës, me gjithë kundërshtimin e rreptë të opozitës atëbotë, miratoi ndryshimet kushtetuese dhe ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Pra, në planin formal-juridik, origjina e Gjykatës është e dokumentuar qartë. Ajo nuk u krijua me një akt të fshehtë të ndonjë qeverie të huaj, por përmes një procesi ku institucionet e Kosovës, BE-ja dhe faktorë të tjerë ndërkombëtarë patën role të përcaktuara.
Por kjo nuk e mbyll pyetjen politike.
1. Nga drejtësia penale te gjeopolitika e kufijve
Në vitet 2017–2020, çështja e Kosovës hyri në një fazë të re. Dialogu Kosovë–Serbi nuk diskutohej më vetëm në termat e normalizimit të marrëdhënieve, por gjithnjë e më shumë edhe përmes idesë së ndryshimit të mundshëm territorial.
Presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, u bë një prej figurave kryesore që e artikuloi publikisht mundësinë e një marrëveshjeje Kosovë–Serbi që mund të përfshinte edhe korrigjime territoriale. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ishte po ashtu pjesë qendrore e këtij debati. Rol të ndjeshëm në këtë kuadër pati edhe vet kryeministri i Shqipërisë politike, Edi Rama!
Kjo periudhë duhet parë në kontekstin e një dileme më të gjerë strategjike: a do të mbyllej çështja e Kosovës përmes konsolidimit të kufijve ekzistues apo përmes rishikimit të tyre?
Nëse do të hapej parimi i ndryshimit të kufijve në Ballkan mbi baza etnike, pasojat potenciale nuk do të kufizoheshin vetëm te Kosova.
Do të hapej çështja e Bosnjë-Hercegovinës. Natyrisht se në këtë kuadër do të rikthehej çështja e pozitës së Republikës Srpska.
Bazuar në ëndrrat shekullore serbe për dalje në det, do të mund të nxiteshin pretendime të tjera territoriale në Mal të Zi. Dhe do të rihapej, në forma të ndryshme, çështja e ekuilibrit ndëretnik në Maqedoninë e Veriut.
Kështu, problemi i Kosovës mund të shndërrohej nga një mosmarrëveshje bilaterale në një problem sistemik të rendit territorial të Ballkanit.
Kjo është arsyeja pse kundërshtimi ndaj ndryshimit të kufijve nuk mund të kuptohet vetëm si mbështetje emocionale për Kosovën. Për një pjesë të fuqive evropiane, çështja lidhej me një parim më të gjerë: ruajtjen e rendit territorial të pasluftës dhe shmangien e krijimit të një precedenti që mund të prodhonte kërkesa zinxhir.
2. Çfarë do të ndryshonte një skenar i ndarjes?
Argumenti bëhet edhe më i qartë nëse e shohim nga perspektiva e efektit domino.
Kosova ka rreth 10,887 km². Në një skenar hipotetik të ndarjes, nëse një pjesë prej rreth 20 për qind do t’i bashkohej Serbisë, bëhet fjalë për rreth 2,177 km². Por problemi nuk do të ishte vetëm sipërfaqja e territorit.
Problemi do të ishte precedenti politik.
Një Serbi që do të fitonte territor nga Kosova do të mund ta interpretonte këtë si legjitimim të parimit të korrigjimit territorial mbi baza etnopolitike. Nëse ky parim do të bëhej normë e pranueshme, pyetja do të zhvendosej menjëherë te Republika Srpska, Bosnja dhe Hercegovina dhe hapësirat e tjera të kontestuara të rajonit.
Prandaj, kalkulimi territorial nuk është në vetvete argumenti kryesor. Argumenti kryesor është efekti gjeopolitik i precedentit.
Në këtë kuptim, edhe teza se Serbia do të dilte përfituese duhet kuptuar më shumë në planin strategjik sesa thjesht në atë matematikor, respektivisht gjeografik.
Një ndryshim kufijsh në Kosovë do t’i jepte Beogradit një fitore territoriale dhe politike. Por njëkohësisht do ta dobësonte parimin mbi të cilin është ndërtuar stabiliteti relativ i rendit evropian pas luftërave në ish Jugosllavi: kufijtë nuk ndryshohen lehtë përmes presionit etnopolitik.
3. Dimensioni rus
Në këtë pikë shfaqet edhe dimensioni rus.
Moska ka mbështetur në mënyrë konsekuente qëndrimin e Serbisë për Kosovën dhe e ka përdorur çështjen e Kosovës në argumentimin e saj më të gjerë mbi sovranitetin, precedentin dhe ndërhyrjen perëndimore. Kjo e bën të arsyeshme që çështja e Kosovës të analizohet edhe përmes rivalitetit më të gjerë ndërmjet rendit euroatlantik dhe projektit rus për një arkitekturë më të favorshme të sigurisë në Evropë.
Nga pikëpamja e gjeopolitikës kritike, është legjitime të shtrohet pyetja: kush do të përfitonte nga një dobësim i rendit territorial euroatlantik në Ballkan?
Nëse pranojmë si hipotezë se ndryshimi i kufijve të Kosovës do të mund të prodhonte një efekt domino në Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, atëherë pyetja e radhës bëhet edhe më interesante: a mund të ketë qenë projekti i ndryshimit territorial të Kosovës pjesë e një kalkulimi më të gjerë gjeopolitik, dhe cilët aktorë do të kishin interes që ky projekt të vihej në lëvizje?
Në këtë kontekst, një episod që meriton vëmendje të veçantë është takimi Putin–Thaçi. Vetë ekzistenca e një takimi të tillë nuk dëshmon automatikisht ekzistencën e një marrëveshjeje të fshehtë apo të një projekti të përbashkët ruso-shqiptar për ndryshimin e kufijve. Por, nga pikëpamja e analizës gjeopolitike, ai ngre një seri pyetjesh që nuk mund të anashkalohen: Pse u zhvillua takimi? Në çfarë rrethane politike ndodhi? Kush e mundësoi ose e organizoi? Çfarë interesash përfaqësonin palët? Dhe mbi të gjitha, si lidhej ky kontakt me debatin e atëhershëm mbi të ardhmen e Kosovës dhe idenë e korrigjimit territorial?
Këto pyetje bëhen veçanërisht të rëndësishme nëse vendosen përballë zhvillimeve të viteve 2018–2020, kur ideja e ndryshimit të kufijve të Kosovës ishte futur në mënyrë të hapur në diskursin diplomatik ndërkombëtar.
Prandaj, takimi Putin–Thaçi duhet trajtuar si një objekt i veçantë kërkimi, duke rindërtuar kronologjinë e tij, rrethanat e organizimit, ndërmjetësuesit dhe komunikimet që i paraprinë ose e pasuan. Vetëm mbi këtë bazë mund të përcaktohet nëse kemi të bëjmë me një kontakt diplomatik rutinë, me një përpjekje eksploruese të Moskës ndaj Prishtinës, apo me një episod që lidhej me kalkulime më të gjera rreth rikonfigurimit të rendit politik në Ballkan.
Këtu qëndron edhe rëndësia metodologjike e çështjes: nuk duhet të niset nga përfundimi se kush e organizoi takimin, por nga pyetja se çfarë provash ekzistojnë për organizimin e tij dhe cilat interesa mund të identifikohen në mënyrë të dokumentuar.
Nëse dokumentet dhe dëshmitë e disponueshme do të tregonin se takimi ishte pjesë e një serie kontaktesh që synonin të eksploronin ndryshimin e kufijve të Kosovës, atëherë ai do të merrte një peshë shumë më të madhe në analizën e periudhës. Në të kundërt, nëse dëshmitë tregojnë se bëhej fjalë për një kontakt diplomatik të kufizuar, duhet të shmanget mbingarkimi konspirativ i tij.
Në gjeopolitikë, pyetja mbi interesin është fillimi i analizës; prova mbi mekanizmin e veprimit është ajo që e bën analizën të besueshme.
Kjo është pikërisht arsyeja pse takimi Putin–Thaçi meriton të hetohet jo si një episod anësor, por si një nyje potenciale e rëndësishme në kronologjinë e përpjekjeve për rikonfigurimin territorial të Kosovës dhe të rendit të sigurisë në Ballkan.
Në këtë kuadër, një ndryshim i kufijve Kosovë–Serbi do të mund të krijonte një precedent me pasoja për sigurinë evropiane dhe për vetë rolin e NATO-s në rajon.
Kjo është edhe arsyeja pse çështja e Kosovës nuk mund të ndahet plotësisht nga çështja e sigurisë evropiane.
4. Gjykata Speciale si mekanizëm juridik dhe si faktor politik
Këtu rikthehemi te Gjykata Speciale.
Dokumentet zyrtare tregojnë se mandati i saj lidhet me pretendime konkrete për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në rastin Thaçi dhe të bashkëakuzuarve, aktakuza e konfirmuar përfshinte akuza për persekutim, burgosje, torturë, vrasje dhe zhdukje të detyruar, si dhe krime lufte për arrestim e ndalim të paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje. Gjykata e ka përkufizuar përgjegjësinë si përgjegjësi individuale penale.
Kjo është shumë e rëndësishme.
Gjykata nuk gjykon UÇK-në si subjekt historik. Ajo gjykon individë për përgjegjësi individuale penale.
Madje, pas aktgjykimit të 16 shtatorit 2026, qeveria britanike theksoi publikisht se vendimi kishte të bënte me individët dhe nuk ishte gjykim mbi shtetësinë, sovranitetin apo të drejtën e Kosovës për të përcaktuar të ardhmen e saj.
Megjithatë, politikisht, efektet e një gjykimi nuk mund të kufizohen vetëm në dimensionin juridik.
Çdo proces gjyqësor që prek figurat kryesore të një lufte çlirimtare prodhon pasoja në kujtesën kolektive, në legjitimitetin politik të elitave dhe në mënyrën se si një shoqëri e rrëfen historinë e vet.
Prandaj duhet bërë dallimi ndërmjet dy gjërave: përgjegjësisë individuale për krime të caktuara dhe legjitimitetit historik të luftës së UÇK-së kundër regjimit serb.
Këto dy çështje nuk janë juridikisht të njëjta.
5. A ishte Thaçi objektivi politik i Gjykatës?
Kjo është pjesa më e diskutueshme e tezës.
Është e dokumentuar se Hashim Thaçi ishte një nga të akuzuarit kryesorë dhe se aktakuza ndaj tij u konfirmua në vitin 2020. Po ashtu, është e dokumentuar se procesi gjyqësor u zhvillua mbi bazën e përgjegjësisë individuale dhe jo mbi ndonjë gjykim të vetë Kosovës si shtet.
Por nga këto fakte nuk mund të nxirret automatikisht përfundimi se “targeti i vetëm ishte Hashim Thaçi”. Një përfundim i tillë kërkon prova dokumentare mbi qëllimin politik të shteteve që mbështetën krijimin e mekanizmit.
Ky dallim është thelbësor për një analizë serioze.
Ajo që mund të thuhet në mënyrë më të mbrojtshme është tjetër: Procesi i Gjykatës Speciale u zhvillua paralelisht me një periudhë në të cilën Thaçi ishte ndër aktorët kryesorë të debatit mbi të ardhmen territoriale të Kosovës. Për këtë arsye, arrestimi dhe largimi i tij nga skena politike ndërkombëtare pati domosdoshmërisht një efekt politik, pavarësisht nëse ky efekt ishte synimi fillestar i krijimit të gjykatës apo jo.
6. Grenell, Bolton dhe normalizimi përmes rishikimit territorial
Në vitin 2020, Richard Grenell luajti një rol të rëndësishëm në diplomacinë amerikane rreth dialogut Kosovë–Serbi. Emërimi i tij si i dërguar i posaçëm i Presidentit Trump e zhvendosi një pjesë të rëndësishme të diplomacisë nga kanali tradicional evropian drejt një kanali të udhëhequr nga Washingtoni. Kjo ndodhi në një moment kur ideja e “korrigjimit”, “përshtatjes” apo shkëmbimit të territoreve ishte bërë tashmë pjesë qendrore e debatit për zgjidhjen e konfliktit. Në vitin 2018, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq e kishin futur publikisht këtë ide në diskursin politik, ndërsa dokumentet e Kongresit amerikan e përshkruajnë atë periudhë si një ndryshim të rëndësishëm nga qëndrimi tradicional amerikan dhe evropian kundër rishikimit të kufijve.1
Por Grenell nuk ishte i vetmi zyrtar i lartë amerikan që e konsideronte të hapur këtë opsion. John Bolton, atëherë Këshilltar i Sigurisë Kombëtare i Presidentit Donald Trump, deklaroi në vitin 2018 se, nëse Kosova dhe Serbia do të arrinin vetë një marrëveshje për përshtatjen territoriale si pjesë të një zgjidhjeje më të gjerë, Shtetet e Bashkuara nuk do të duhej ta pengonin atë. Bolton e mbrojti publikisht këtë qasje edhe më vonë, duke e përshkruar si politikë të administratës Trump.2
Kjo është një dëshmi e rëndësishme për të kuptuar klimën strategjike të asaj kohe. Nuk kemi të bëjmë vetëm me një ide të artikuluar nga Thaçi dhe Vuçiqi, por me një ide që kishte gjetur hapësirë në politikën zyrtare të administratës Trump. Kjo, megjithatë, nuk provon se Washingtoni kishte miratuar një plan të paracaktuar për ndarjen e Kosovës. Përkundrazi, Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi në mars 2020 se nuk kishte “plan sekret” për shkëmbim territoresh dhe se Grenell nuk kishte parë apo diskutuar një plan të tillë.
Ajo tregon se në vitet 2018–2020 kufijtë e Kosovës nuk ishin më një tabu absolute në diplomacinë ndërkombëtare. Ideja e rishikimit territorial ishte futur në agjendën e negociatave dhe ishte bërë objekt i një debati të drejtpërdrejtë ndërmjet Washingtonit, disa aktorëve evropianë dhe palëve në konflikt. Ndërkohë, Gjermania dhe një pjesë e rëndësishme e vendeve evropiane vazhdonin ta kundërshtonin ndryshimin e kufijve për shkak të frikës nga precedentët që mund të krijoheshin në Ballkan.
Kështu, periudha Grenell–Bolton duhet parë si një moment i veçantë i përplasjes ndërmjet dy logjikave strategjike: nga njëra anë, logjikës së “marrëveshjes përfundimtare”, ku palëve mund t’u lihej hapësirë edhe për rregullime territoriale; nga ana tjetër, logjikës evropiane të ruajtjes së rendit territorial dhe shmangies së precedentit të ndryshimit të kufijve etnikë.
Dhe pikërisht këtu lidhet kjo periudhë me pyetjen qendrore të kësaj eseje: a ishte beteja për Gjykatën Speciale, në një masë të caktuar, edhe pjesë e një beteje më të gjerë mbi atë se cili projekt gjeopolitik do ta përcaktonte të ardhmen territoriale të Kosovës?
Kjo mbetet një hipotezë që kërkon dëshmi të mëtejshme. Por ajo nuk mund të hidhet poshtë pa analizuar së bashku kronologjinë e Gjykatës Speciale, projektin e korrigjimit territorial, kontaktet Thaçi–Vuçiq-Putin, rolin e Boltonit dhe Grenellit, si dhe kundërshtimin e fortë gjermano-britanik ndaj rishikimit të kufijve.
Pikërisht këtu qëndron një nga paradokset e asaj periudhe.
Ndërsa një pjesë e diplomacisë amerikane ishte e gatshme të eksploronte një marrëveshje të gjerë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, fuqitë kryesore evropiane ishin shumë më të rezervuara ndaj ndryshimit territorial.
Kjo nuk ishte domosdoshmërisht një përplasje e thjeshtë “Amerikë kundër Evropës”. Ishte një mospërputhje e rëndësishme mbi mënyrën se si duhej zgjidhur konflikti dhe mbi rrezikun e krijimit të precedentëve të rinj territorialë.
Në këtë kontekst, arrestimi i Thaçit në nëntor 2020, vetëm disa muaj pas publikimit të aktakuzës fillestare, pati një efekt të jashtëzakonshëm politik: një nga figurat kryesore të dialogut nuk ishte më në gjendje të vazhdonte të luante të njëjtin rol në diplomacinë ndërkombëtare.
Në këtë kuptim, viti 2018–2020 mund të shihet si një nyje ku drejtësia, diplomacia dhe gjeopolitika e kufijve u kryqëzuan në mënyrë të pazakontë në rastin e Kosovës.
7. Çfarë humbte Kosova nga një ndryshim kufijsh?
Nga perspektiva shqiptare, problemi i ndarjes së Kosovës do të ishte më kompleks sesa humbja e një pjese të territorit.
Do të prekej struktura e fuqisë së shqiptarëve në rajon.
Një Kosovë territorialisht e cunguar do të kishte më pak peshë strategjike. Do të dobësohej lidhja territoriale me hapësirat shqiptare në perëndim [me Sanxhakun] dhe jug të rajonit [Maqedoninë e Veriut]. Do të ndryshonte ekuilibri politik ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan.
Por mbi të gjitha do të krijohej një paradoks historik: një projekt që mund të paraqitej si “bashkim kombëtar” në fakt mund të përfundonte duke e dobësuar hapësirën strategjike shqiptare.
Nëse Kosova do të humbte pjesën veriore, ndërsa Serbia do të fitonte territor, shqiptarët do të mund të përballeshin me një situatë ku një akt i paraqitur si zgjidhje e çështjes shqiptare do të prodhonte humbje të reja në Mal të Zi, Luginën e Preshevës dhe në ekuilibrat rajonalë.
Prandaj, bashkimi kombëtar nuk mund të reduktohet në një kalkulim simbolik të kufijve. Ai duhet menduar si projekt gjeopolitik, ekonomik, institucional dhe demografik.
8. Europa dhe frika nga efekti domino
Për Gjermaninë, Britaninë e Madhe dhe aktorët e tjerë kryesorë evropianë, stabiliteti territorial i Ballkanit ka një dimension të drejtpërdrejtë sigurie.
Britania e Madhe e ka shprehur në mënyrë të përsëritur mbështetjen për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Pas aktgjykimit të shkallës së parë më 16 shtator 2026 në Hagë, Londra e përsëriti këtë qëndrim duke deklaruar se e mbështet sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.
Në vitin 2018, diplomacia britanike gjithashtu e trajtonte normalizimin Kosovë–Serbi në kuadrin e sigurisë dhe stabilitetit të qëndrueshëm të rajonit.
Kjo na lejon të formulojmë një përfundim më të matur: kundërshtimi ndaj ndryshimit territorial të Kosovës mund të shpjegohet jo vetëm me solidaritet ndaj Kosovës, por edhe me interesin strategjik të fuqive evropiane për të mos hapur një cikël të ri të rishikimit të kufijve në Ballkan.
Ky është një argument gjeopolitik shumë më i fuqishëm sesa pretendimi i pambështetur se një shtet i caktuar “e krijoi Gjykatën” për një objektiv të vetëm politik.
9. Paradoksi i drejtësisë dhe politikës
Këtu qëndron paradoksi.
Nga njëra anë, Gjykata Speciale mund të shihet si mekanizëm i domosdoshëm për trajtimin e pretendimeve për krime të rënda dhe për përgjegjësi individuale.
Nga ana tjetër, çdo gjykatë që vepron mbi një konflikt të armatosur me karakter çlirimtar dhe mbi figurat e tij politike nuk mund të jetë politikisht neutrale në kuptimin e pasojave që prodhon. Edhe kur procedura juridike është e ndarë nga politika, efektet politike të drejtësisë, në rastin konkret me premisa ndërkombëtare, janë reale.
Kjo është një nga temat klasike të marrëdhënieve ndërkombëtare: drejtësia dhe gjeopolitika nuk janë domosdoshmërisht e njëjta gjë, por ato veprojnë në të njëjtin terren.
Prandaj, pyetja serioze nuk është vetëm: A duhej të hetoheshin krimet e mundshme?
Pyetja tjetër është: Çfarë efektesh politike prodhoi mekanizmi i drejtësisë në një periudhë kur vetë ekzistenca territoriale e Kosovës ishte objekt i rivalitetit ndërkombëtar?
Kjo pyetje meriton studim të veçantë.
10. Mësimi i madh politik
Nëse historia e viteve të fundit ka një mësim, ai nuk është se “të huajt na shpëtuan” dhe aq më pak se duhet të presim gjithmonë shpëtimin prej tyre.
Mësimi është më i ndërlikuar.
Shtetet veprojnë mbi bazën e interesave të tyre. Britania e Madhe, Gjermania, SHBA-ja, Rusia, dhe Serbia nuk kanë domosdoshmërisht të njëjtat interesa. Në momente të caktuara, interesat e tyre mund të përputhen me interesat e Kosovës; në momente të tjera mund të divergojnë. Kjo është vetë natyra e politikës ndërkombëtare.
Por interesat e Kosovës do të duhej përherë të përputhen me ato të Shqipërisë politike dhe e kundërta. Prandaj drejt të ardhmes europiane ato duhet të ecin bashkë…
Prandaj, një komb serioz nuk duhet të mbështetet vetëm në miqësinë e fuqive të mëdha. Ai duhet të ndërtojë kapacitetin e vet shtetëror, institucional dhe strategjik.
Në këtë kuptim, çështja e Gjykatës Speciale na çon te një përfundim më i gjerë: Kosova nuk duhet ta lexojë historinë vetëm përmes figurave individuale, por përmes strukturave të interesit që veprojnë mbi të.
Asnjë lider nuk është më i madh se shteti. Asnjë parti nuk është më e rëndësishme se interesi strategjik afatgjatë. Dhe asnjë projekt i paraqitur si “historik” nuk duhet pranuar pa u pyetur se çfarë pasoja prodhon për territorin, sovranitetin dhe pozitën ndërkombëtare të Kosovës.
11. “Prerja e sallamit”: gërryerja graduale e sovranitetit
Në analizën strategjike ekziston koncepti i njohur si “salami slicing” – “prerja e sallamit”, i cili përshkruan një strategji të veprimeve graduale, të kufizuara dhe të fragmentuara. Logjika e saj është e thjeshtë: kundërshtari nuk përballet me një akt të vetëm aq të madh sa të kërkojë një reagim vendimtar, por me një varg veprimesh të vogla, secili prej të cilëve, i marrë veçmas, duket i menaxhueshëm. Në akumulim, megjithatë, këto veprime ndryshojnë realitetin strategjik.
Pikërisht kjo kornizë mund të përdoret për të analizuar edhe presionin ndaj Kosovës.
Në vend të një sulmi frontal ndaj sovranitetit të Republikës së Kosovës, një strategji e tillë do të konsistonte në gërryerjen graduale të autoritetit shtetëror, përmes provokimeve, incidenteve, presionit politik, destabilizimit lokal, strukturave paralele dhe përpjekjeve për ta bërë sovranitetin efektiv të Kosovës gjithnjë e më të kushtëzuar.
Këtu qëndron edhe dallimi ndërmjet pushtimit klasik dhe erozionit strategjik. I pari krijon një moment të qartë agresioni, ndërsa i dyti synon të prodhojë një seri faktesh të reja në terren pa e kaluar domosdoshmërisht pragun që do të aktivizonte një reagim të madh ndërkombëtar.
Në rastin e Kosovës, kjo logjikë është veçanërisht e rëndësishme për shkak të pranisë së KFOR-it dhe të arkitekturës së sigurisë euroatlantike. Një sulm i drejtpërdrejtë ushtarak do të ishte politikisht dhe ushtarakisht shumë më i qartë. Ndërsa veprimet graduale, të kufizuara dhe të ambigta mund të synojnë të mbeten nën pragun e një përshkallëzimi të madh ushtarak.
Në këtë kuptim, formulimi “prerja e sallamit” është më shumë se një metaforë. Ai na ndihmon të kuptojmë një problem fundamental të sigurisë së Kosovës: sovraniteti nuk humbet domosdoshmërisht në një ditë; ai mund të gërryhet pak nga pak, derisa një ditë realiteti i ri territorial e politik të duket i pakthyeshëm.
Ky realitet në periudhën 2018-2020 kishte mbri pikën kulmore.
Megjithatë, duhet bërë një saktësim i rëndësishëm juridik dhe strategjik: Neni 5 i Traktatit të NATO-s nuk aktivizohet automatikisht nga çdo incident apo provokim ndaj Kosovës. Për më tepër, Kosova nuk është anëtare e NATO-s. Siguria e saj mbështetet në praninë e KFOR-it dhe në marrëveshjet e kuadrit ndërkombëtar të sigurisë. Prandaj, më saktë është të flasim për shmangien e një pragu që do të prodhonte një reagim të drejtpërdrejtë dhe të madh euroatlantik, sesa për një aktivizim automatik të Nenit 5.
Kjo e bën edhe më të rëndësishme ruajtjen e sovranitetit efektiv. Sepse strategjia e “prerjes së sallamit”, nëse aplikohet si kornizë analitike ndaj Kosovës, nuk synon domosdoshmërisht ta rrëzojë shtetin me një goditje. Ajo synon ta dobësojë gradualisht kapacitetin e tij për të ushtruar sovranitet, duke krijuar hapësirë për interpretime të reja politike, juridike dhe territoriale.
Dhe pikërisht këtu lidhet kjo çështje me tezën qendrore të këtij studimi: beteja për Kosovën nuk zhvillohet vetëm në gjykata, në dialogun e Brukselit apo në tavolinat diplomatike; ajo zhvillohet edhe në terren, në çdo përpjekje për të ndryshuar raportin ndërmjet sovranitetit formal dhe sovranitetit real.
Nëse ndarja territoriale e Kosovës do të ishte një përpjekje për ta ndryshuar hartën me një akt të madh, “prerja e sallamit” përfaqëson një logjikë tjetër: ta ndryshosh realitetin para se të ndryshosh hartën.
Dhe kjo, nga pikëpamja e sigurisë kombëtare, mund të jetë po aq e rrezikshme.
Përfundim: nga personalizimi te gjeopolitika
Gjykata Speciale nuk mund të reduktohet as në një “komplot kundër UÇK-së”, as në një mekanizëm që duhet parë jashtë çdo konteksti politik.
Dokumentet zyrtare dëshmojnë se ajo u themelua për të trajtuar pretendime të caktuara për krime të rënda, mbi bazën e një procesi të nisur nga raporti i Këshillit të Evropës dhe të institucionalizuar përmes marrëveshjeve Kosovë–BE dhe vendimeve të Kuvendit të Kosovës.
Por një analizë politike ka të drejtë të shtrojë një pyetje tjetër: çfarë raporti pati ky proces me luftën më të gjerë për të ardhmen territoriale të Kosovës?
Pikërisht këtu duhet të vazhdojë debati akademik. Sepse një gjë është përgjegjësia penale individuale dhe krejt tjetër është përgjegjësia historike e një shoqërie.
Krimet, nëse provohen, duhet të gjykohen individualisht. Por një gjykim ndaj individëve nuk duhet shndërruar në gjykim ndaj një lufte çlirimtare si tërësi. Në të njëjtën kohë, mbrojtja e karakterit çlirimtar të luftës nuk mund të shërbejë si mburojë për përgjegjësinë individuale.
Kjo është pikërisht ndarja që një demokraci e pjekur duhet të jetë në gjendje ta bëjë.
Në fund, dilema e Kosovës nuk është thjesht Thaçi kundër Gjykatës Speciale. Dilema e vërtetë është shumë më e madhe: a do të ndërtohet e ardhmja e Kosovës mbi personalizimin e historisë, apo mbi kuptimin e strukturave gjeopolitike që përcaktojnë fatin e shteteve të vogla?
Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje është më e rëndësishme se çdo individ.
__________________
Fusnotat
1. https://www.everycrsreport.com/files/20181017_R44955_20b638ccea32b3c1531eb1ae2cd45be6349247f8.html?utm_source=chatgpt.com
2. https://dosja.al/frika-nga-shkembimi-i-territoreve-eshte-e-ekzagjeruar-ish-keshilltari-i-trump-flet-per-dialogun-kosove-serbi-zyrtare-serioze-evropiane-e-kishin-ne-dore-por?utm_source=chatgpt.com
