[Günther Fehlinger-Jahn dhe Edi Rama]
Propozimi nga Austria: Të tërhiqet në Vjenë, të mos kthehet më në politikë
Günther Fehlinger-Jahn i propozon kryeministrit Edi Rama një marrëveshje për largimin nga pushteti dhe vendosjen në Austri. Ai kërkon dorëheqjen e menjëhershme, largimin përfundimtar nga Shqipëria dhe negocimin e mbrojtjes ligjore brenda kufijve që lejon legjislacioni.
Günther Fehlinger-Jahn, kryetar i Komitetit Austriak për Zgjerimin e NATO-s dhe kandidat i deklaruar për president të Austrisë në vitin 2028, i ka bërë një propozim publik kryeministrit Edi Rama, duke i kërkuar të japë dorëheqjen, të largohet përgjithmonë nga Shqipëria dhe të tërhiqet nga jeta politike.
Përmes një postimi në platformën X, Fehlinger-Jahn i drejtohet Ramës me një ofertë që e quan “marrëveshja e Vjenës”, duke sugjeruar që Austria t’i ofrojë mundësinë e një largimi të negociuar nga pushteti dhe të një qëndrimi të sigurt në kryeqytetin austriak.
“Pas 13 vitesh në pushtet, është koha që Edi Rama të largohet nga detyra”, shkruan ai, duke iu drejtuar publikisht edhe kancelarit austriak Christian Stocker.
Propozimi i Fehlinger-Jahn përmban disa kushte të qarta: Rama të japë menjëherë dorëheqjen nga posti i kryeministrit, të largohet përgjithmonë nga Shqipëria, të vendoset në Vjenë sipas legjislacionit austriak dhe të heqë dorë përfundimisht nga politika, pa u rikthyer apo ndërhyrë në jetën politike shqiptare.
Një tjetër pikë e propozimit lidhet me mundësinë e negocimit të mbrojtjes nga ndjekja penale dhe dënimi. Sipas Fehlinger-Jahn, një marrëveshje e tillë mund të synojë mbrojtjen më të gjerë që lejon ligji, por nuk duhet të përfshijë imunitet për vepra penale që nuk mund të mbulohen ligjërisht nga amnistia.
Ai i kërkon Austrisë të shqyrtojë një zgjidhje të negociuar për largimin politik të Ramës, duke e krahasuar me marrëveshje që, sipas tij, u janë ofruar drejtuesve autoritarë për të lehtësuar tranzicione paqësore.
“Vjena mund t’i ofrojë Edi Ramës një tërheqje paqësore. Shqipëria duhet të jetë e lirë të zgjedhë të ardhmen e saj demokratike”, shkruan Fehlinger-Jahn.
Autori i reagimit sqaron se bëhet fjalë për nismën e tij personale politike dhe jo për një marrëveshje të arritur me autoritetet austriake apo për një garanci imuniteti.
Postimi vjen ndërsa Shqipëria po përjeton ditën e gjashtë të protestave kundër qeverisë Rama, me përplasje të forta mes demonstruesve dhe policisë në Tiranë.
Propozimi merr vëmendje edhe në kontekstin e anulimit të vizitës zyrtare që Rama kishte planifikuar të zhvillonte të hënën në Austri, ku pritej të takohej me kancelarin Christian Stocker. Sipas njoftimit të publikuar për vizitën, anulimi u kërkua nga pala shqiptare.
Në fund të reagimit, Fehlinger-Jahn i drejtohet drejtpërdrejt kryeministrit shqiptar: “Edi Rama, prano marrëveshjen e Vjenës! Jep dorëheqjen, tërhiqu dhe lëre Shqipërinë të ecë përpara!”

