Ushtarakisht superiorë – dhe megjithatë pa fitore. Ngjarjet në Ukrainë dhe Iran tregojnë se fillimi i një lufte është më i lehtë sesa përfundimi i saj.
Nga Profesor Dr. Herbert Wulf
Ushtria ruse po lufton në Ukrainë prej më shumë kohësh sesa Ushtria e Kuqe e Stalinit luftoi kundër Wehrmacht-it të Hitlerit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Vladimir Putini dhe strategët e tij ushtarakë u gabuan rëndë në vlerësimin e kohëzgjatjes së konfliktit, të cilin fillimisht synonin ta përfundonin si një luftë rrufeje (Blitzkrieg). Një situatë e ngjashme vërehet edhe në konfliktin aktual midis SHBA-së dhe Iranit. Në fillim të luftës, presidenti Donald Trump deklaronte se operacioni do të zgjaste «katër deri në pesë javë». Këto parashikime ndryshuan disa herë, duke kaluar nga «dy deri në tri javë» dhe «gjashtë deri në tetë javë», deri te formulime të paqarta si «aq gjatë sa të jetë e nevojshme». Në të dyja rastet mungon një strategji e qartë për daljen nga konflikti.
Këta shembuj nuk janë aspak përjashtim. Vetëm rreth 30 për qind e të gjitha luftërave përfundojnë me fitore ushtarake. Pavarësisht këtij fakti, luftërat nisin sepse të paktën njëra nga palët në konflikt është e bindur për fitoren e vet ushtarake. Në themel të këtij qëndrimi qëndron supozimi se kundërshtari mund të detyrohet të tërhiqet ose të lëshojë pe përmes përshkallëzimit të konfliktit.
Planifikuesit ushtarakë zakonisht hartojnë plane të hollësishme për fillimin e luftës. Megjithatë, shpesh u mungon aftësia për t’i dhënë fund asaj. Palët kundërshtare përfundojnë jo rrallë në situata që duken pa rrugëdalje, me fronte të bllokuara dhe të palëvizshme. Në konfliktet e armatosura, në këto rrethana mbështetja te përshkallëzimi bëhet strategji, e shoqëruar me bindjen se ky përshkallëzim mund të mbahet nën kontroll. Por, zakonisht, kjo shkakton një spirale të pakontrollueshme reagimesh dhe kundërreagimesh.
Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, ashtu si edhe konflikti i SHBA-së me Iranin, ndjekin këtë model. Të dyja palët sulmuese besuan se mund ta kontrollonin përshkallëzimin — koncept i njohur në gjuhën e strategjisë ushtarake si dominimi i përshkallëzimit (Eskalationsdominanz). Por, në të dyja rastet, kjo shpresë deri më tani nuk është përmbushur.
Ish-zëvendësministri amerikan i Mbrojtjes, Fred Iklé, shprehej që në vitin 1971: «Ata që kanë fuqinë për ta nisur një luftë, shpesh detyrohen të pranojnë se nuk e kanë fuqinë për t’i dhënë fund asaj». Shtimi i forcës ushtarake pritet të sjellë fitoren, ndërsa fitorja, në fund, paqen. Por shumica e luftërave nuk zhvillohen sipas planit.
Modelet e përshkallëzimit janë rrënjosur thellë në mendimin strategjik. Shkallëzimin më të njohur të përshkallëzimit e zhvilloi Hermann Kahn në vitet 1960, në kuadër të studimeve për konfliktet bërthamore. Ai dhe strategë të tjerë niseshin nga supozimi se, në çdo shkallë të përshkallëzimit, ekzistojnë alternativa vendimmarrjeje që mundësojnë kontrollimin ose kufizimin e tij.
Pala ushtarakisht më e fuqishme supozon se mund t’i imponojë kundërshtarit kosto më të larta sesa ato që ky mund t’i shkaktojë asaj. Se sa e rrezikshme është kjo bindje, e dëshmojnë dy ngjarje historike me rezultate krejt të kundërta.
Kriza e Kubës e vitit 1962 përbën ndoshta shembullin më të njohur se rreziku i përshkallëzimit mund të kufizohet përmes demonstrimit të vendosmërisë dhe vetëpërmbajtjes, si dhe duke i ofruar kundërshtarit një rrugëdalje.
Krejt ndryshe ndodhi me Luftën e Vietnamit: përshkallëzimi gradual, por i pandërprerë, përfundoi në një luftë me humbje të mëdha, e cila u zvarrit për më shumë se dy dekada.
Përshkallëzimi, pra, mbështetet në disa supozime, dobia praktike e të cilave duhet vënë në pikëpyetje. Një prej tyre është supozimi se përshkallëzimi mund të mbahet nën kontroll. Në të vërtetë, ai shpesh zhvillon një dinamikë të vetën, e cila mund të çojë në rezultate të padëshiruara për të dyja palët. Një tjetër supozim është se pala ushtarakisht më e fuqishme mund t’i arrijë objektivat e saj përmes përshkallëzimit ose ta detyrojë kundërshtarin të lëshojë pe duke kërcënuar me përshkallëzim të mëtejshëm. Por përshkallëzimi mund t’i thellojë perceptimet e gabuara dhe të shkaktojë kundërreagime, në vend që t’i japë fund konfliktit. Megjithatë, edhe në situata të dëshpëruara, ai shpesh konsiderohet si një mjet për të arritur fitoren ushtarake.
As në luftën në Ukrainë, as në konfliktin me Iranin nuk është përmbushur shpresa për fitore ushtarake përmes përshkallëzimit. Dominimi i përshkallëzimit presupozon aftësinë për t’ia imponuar kundërshtarit vullnetin e vet. Por epërsia ushtarake e Rusisë dhe e SHBA-së, përkatësisht, nuk është shndërruar në fitore. Në aspektin thjesht sasior, Rusia është më e fuqishme se Ukraina. Megjithatë, Ukraina ka arritur t’u përgjigjet hapave të përshkallëzimit të ndërmarrë nga Rusia, ndonëse me një kosto të lartë. Lufta në llogore është përshkallëzuar në një luftë ajrore, në të cilën shkatërrohen jo vetëm objektiva ushtarake, por edhe infrastruktura civile, qendrat logjistike, linjat hekurudhore, rafineritë dhe ndërtesat e banimit në të dyja anët.
SHBA-ja ka një epërsi të jashtëzakonshme ushtarake ndaj Iranit. Megjithatë, në kundërshtim me pritshmëritë e administratës në Uashington, ajo nuk ka arritur ta gjunjëzojë ushtarakisht Iranin. Irani ia ka dalë të krijojë një shkallë të caktuar simetrie: nga njëra anë, përmes aftësisë për të sulmuar bazat ushtarake amerikane dhe aleatët e SHBA-së në rajonin e Gjirit; nga ana tjetër, përmes ushtrimit të presionit ekonomik nëpërmjet Ngushticës së Hormuzit.
Megjithatë, nga të dyja luftërat mund të nxirret një përfundim: edhe fuqitë me epërsi të theksuar ushtarake nuk mund t’i detyrojnë lehtësisht vendet më të vogla të kapitullojnë. Për uljen e përshkallëzimit nuk përbëjnë pengesë vetëm gjendja ushtarake, mjedisi ekonomik dhe ai politik, por edhe rrethanat subjektive dhe kushtet politike në të cilat veprojnë udhëheqësit.
Si në konfliktin në Ukrainë, ashtu edhe në atë me Iranin, të dyja palët përpiqen ta mposhtin kundërshtarin sipas parimit «sy për sy». Deri më tani, megjithatë, nuk ka shenja se një përshkallëzim i mëtejshëm do ta dobësojë në mënyrë vendimtare vullnetin luftarak të palës kundërshtare.
Përshkallëzimi, megjithatë, nuk ndodh vetëm në fushën e betejës. Siç dëshmohet si nga lufta në Ukrainë, ashtu edhe nga konflikti me Iranin, propaganda dhe dezinformimi prodhojnë narrativa shumë të ndryshme për shkaqet dhe rrjedhën e luftërave. Kështu, ndërsa qeveria ruse e justifikon luftën me synimin për të vënë vendin nën kontrollin e saj, qeveria në Kiev e cilëson të njëjtën luftë agresioni si shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Ndërkaq, në SHBA, vëmendja përqendrohet kryesisht te programi bërthamor i Iranit, te terrorizimi i Lindjes së Mesme nga ana e tij dhe te regjimi autoritar që shtyp popullsinë e vet. Qeveria iraniane, nga ana tjetër, ndjek një mision ideologjik, në kuadër të të cilit Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara prej dekadash konsiderohen armiq të betuar.
Përshkallëzimi ndodh edhe në rrafshin verbal. Në fazën përfundimtare të një procesi përshkallëzimi, argumenton Friedrich Glasl në modelin e tij të përshkallëzimit, palët ndërluftuese mund t’ia mohojnë njëra-tjetrës «cilësinë njerëzore» dhe, në këtë mënyrë, t’i justifikojnë moralisht masat gjithnjë e më të ashpra.
Donald Trump ka kërcënuar vazhdimisht — në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare — se do ta zhdukë qytetërimin iranian. Madje, me një gjuhë vulgare, ai kërcënoi: «Hapeni atë ngushticë të mallkuar, ju bastardë të çmendur, përndryshe do të jetoni në ferr — vetëm prisni e shihni.» Në mënyrë të ngjashme, presidenti rus Vladimir Putin e ka cilësuar qeverinë ukrainase si «neonaziste» dhe e ka shpallur «denazifikimin e Ukrainës» si një nga objektivat e operacionit të tij ushtarak.
Prandaj, problemi thelbësor nuk qëndron vetëm në gjendjen ushtarake, por edhe në mënyrën se si ajo perceptohet.
Meqenëse si qeveria ruse, ashtu edhe ajo amerikane vazhdojnë të besojnë te mundësia e fitores ushtarake, deri më tani ato nuk janë të gatshme të pranojnë se e kanë futur veten në një situatë ngërçi strategjik, në të cilën asnjëra palë nuk mund ta mposhtë tjetrën.
Si mund të dilet nga kjo vështirësi? Përvojat e studimeve për paqen dhe konfliktet, si dhe të ndërmjetësimit, sugjerojnë se për zhvillimin me sukses të negociatave është e dobishme të kërkohet ndihma e një ndërmjetësi ose e një pale të tretë. Megjithatë, deri më tani, të gjitha përpjekjet për të zhvilluar negociata në këto luftëra kanë dështuar. Raundi i parë i bisedimeve ndërmjet SHBA-së dhe Iranit, i ndërmjetësuar nga qeveria pakistaneze, përfundoi me një deklaratë dypalëshe të qëllimit, e cila, megjithatë, u shkel vetëm pak ditë më vonë.
Në luftën në Ukrainë janë paraqitur propozime të shumta për negociimin e një armëpushimi ose të një traktati paqeje, por deri më tani pa sukses. Ecuria e të dyja luftërave çon drejt një vlerësimi tejet pesimist.
Çdo luftë duhet të përfundojë një ditë, idealisht përmes një marrëveshjeje të negociuar. Por si mund të krijohen kushtet që do të parandalonin një përshkallëzim të mëtejshëm?
Lodhja nga lufta është tashmë e dukshme në të dyja konfliktet. Megjithatë, ajo nuk ka bërë që të zbehet besimi te mundësia e një fitoreje ushtarake. Studimet për paqen dhe konfliktet tregojnë se gjasat për negociata serioze rriten atëherë kur të dyja palët arrijnë në përfundimin se nuk mund të fitojnë ushtarakisht dhe se vazhdimi i konfliktit po u imponon kosto gjithnjë e më të larta.
Një situatë e tillë e bllokuar, e dhimbshme për të dyja palët, mund ta bëjë konfliktin «të pjekur» për negociata. Megjithatë, aktualisht nuk ka shenja se kjo pikë është afër.
Përkundrazi, palët në konflikt duket se janë të vendosura të pranojnë kosto të jashtëzakonshme njerëzore dhe ekonomike, me shpresën se përmes përshkallëzimit të radhës do të arrijnë atë që përshkallëzimet e mëparshme nuk e kanë mundësuar. [ISHGJ]
Shënim për autorin: Profesor Dr. Herbert Wulf është ish-drejtor i Qendrës Ndërkombëtare për Studime të Konflikteve në Bon (BICC). Ai është aktualisht një Bashkëpunëtor i Lartë në BICC dhe në Institutin për Zhvillim dhe Paqe (INEF) në Universitetin e Duisburg-Essen. Gjatë viteve 1990 dhe 2000, Wulf punoi disa herë për Programin e Zhvillimit të OKB-së në Korenë e Veriut.
