Nga Bedri HALIMI/ Shkrimtar
I. Daullja politike dhe pragmatizmi shtetëror
Paraqitja e fundit e Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së riktheu në sipërfaqe një dilemë të vjetër të politikës sonë: A duhet ta mbrojmë shtetësinë dhe historinë tonë me zhurmë akustike apo me diplomaci strategjike? Ndërsa brenda vendit pati zëra opozitarë që kërkuan nga kryediplomati Glauk Konjufca një gjuhë më të ashpër dhe emocionale përballë sulmeve ndaj krerëve të UÇK-së, realiteti gjeopolitik dëshmon të kundërtën. Beteja për pastërtinë e luftës sonë çlirimtare nuk është një garë populiste për të fituar duartrokitje dhe pikë politike në Prishtinë, por një proces jetik për të fituar të drejtën dhe të vërtetën në Gjykatën e Apelit në Hagë. Çdo devijim nga kjo rrugë, çdo tentim për të marrë një “daulle me vete” për të bërë zhurmë nëpër korridoret ndërkombëtare, thjesht do të ndoste ambientin diplomatik të miqve tanë strategjikë dhe vendeve neutrale.
II. Injorimi i UNMIK-ut dhe shmangia e “Kurthit të barazisë”
Një nga elementet më të goditura të kësaj paraqitjeje ishte injorimi i kalkuluar i raportit të UNMIK-ut. Historikisht, përmbajtja e prezantimeve të këtij misioni të stërzgjatur shpesh përputhet dhe sinkronizohet me narrativën e Serbisë, duke u përpjekur të mbajë gjallë një realitet të tejkaluar. Në diplomaci, sulmi frontal ndaj një misioni të OKB-së shpesh i jep atij peshë dhe legjitimitet të padëshiruar. Duke e injoruar me të drejtë këtë raport, Kosova refuzoi të bëhet pjesë e një “përleshje ballkanike” ku dy palë të barabarta në faj bërtasin para botës. Ky injorim strategjik e zhvlerësoi rolin e UNMIK-ut dhe e privoi Serbinë nga mundësia për të viktimizuar veten, duke e shfaqur Kosovën si një shtet të pjekur sovran që flet vetëm me gjuhën e institucioneve të pavarura.
III. Parolla e “mburojës së krishterimit” dhe Islamofobia si mjet gjenocidal
Në sallën e OKB-së, ministri serb Marko Gjuriq përdori një nga parollat më të moçme të propagandës së Beogradit: rrezikimin e krishterimit dhe manastireve nga një “ekstremizëm” imagjinar shqiptar. Kjo nuk është një gjetje e re. Që nga vitet ’90, si në Bosnje ashtu edhe në Kosovë, makineria e Millosheviqit e kreu gjenocidin pikërisht mbi bazën e të ashtuquajturës “mbrojtje të Evropës nga islamizimi”. Përballë kësaj gënjeshtre historike, Konjufca nuk iu përgjigj me retorikë boshe, por me një fakt historik që e shkatërroi këtë narrativë: Masakrën e Mejës. Duke kujtuar se në këtë masakër forcat serbe vranë qindra shqiptarë të besimit katolik, Kosova i dëshmoi botës se terrori i Serbisë nuk kishte natyrë fetare, por ishte një spastrim i pastër etnik kundër një populli të tërë, pa dallim feje.
Se sa e rrezikuar është Evropa mbi baza fetare nga shqiptaret, më së miri flet fakti se në një vend ku mbi 90% e popullsisë i përkasin fesë myslimane, në krye të shtetit qytetarët zgjodhën pa asnjë hezitim një presidente me fe kristiane. Siç është theksuar me të drejtë edhe nga disa analistë kroatë: a mund të imagjinohet sot që në Serbi të zgjidhej president një individ që i përket fesë myslimane? Kjo pyetje retorike jo vetëm që dëshmon tolerancën dhe sekularizmin e palëkundur të shoqërisë kosovare, por edhe zhvesh hipokrizinë e një Beogradi që përpiqet të shesë paragjykime mesjetare në shekullin XXI.
IV. Nga “shishja e Martinoviqit” te provokimet e sotme
Taktika e sotme e Serbisë në OKB është një vazhdimësi e drejtpërdrejtë e metodave të shërbimeve sekrete serbe të shekullit të kaluar. Simboli perfekt i këtij fabrikimi mbetet rasti i Gjorgje Martinoviqit i vitit 1985 – një incident i vetëlinduar dhe i inskenuar që u përdor si karrem emocional për të ndezur nacionalizmin serb dhe për të suprimuar autonominë e Kosovës. Edhe sot, kur Beogradi flet për “terror ndaj serbëve” apo inskenon tensione, ai përdor të njëjtën metodë të “shishes së Martinoviqit”: fabrikimin e një gënjeshtre të moçme për qëllime të sotme politike. Përballë kësaj makinerie të fabrikimit, një gjuhë e ashpër dhe emocionale nga ana e Kosovës vetëm sa do t’i shkonte përshtat lojës serbe. Përkundrazi, goditja e ftohtë me urdhër-arrestin e INTERPOL-it për Milan Radoiçiqin dhe sulmin në Banjskë ishte përgjigja më e saktë që e nxori Serbinë zbuluar para botës.
V. Beteja e vërtetë bëhet në heshtje dhe me fakte
Në këtë rast, nuk mund të mos themi se, suksesi politik dhe diplomatik i Kosovës nuk matet me nivelin e decibelëve të zhurmës që shkaktojmë në sallat e OKB-së. Shtetet e fuqishme perëndimore dhe vendet neutrale janë të lodhura nga kakofonia dhe zhurma akustike. Ata respektojnë shtetin e së drejtës, maturinë institucionale dhe argumentet e ftohta juridike. Kosova nuk fiton asgjë duke u rënë daulleve të populizmit të brendshëm në skenën ndërkombëtare. Beteja për mbrojtjen e luftës sonë dhe krerëve të saj në Hagë duhet të zhvendoset tërësisht tek puna e heshtur, profesionale dhe e palodhshme juridike për të rrëzuar akuzat në Gjykatën e Apelit. Kjo është mënyra e vetme se si fitohet e drejta, ruhen aleancat dhe garantohet dinjiteti i Republikës së Kosovës.
P.S
Ministri Konjufca nuk do të duhej ta përmend në fjalimin e tij termin “paramilitarë”, sepse gjatë luftës në Kosovë, çdo gjë ka qenë nën kontrollin e shtetit serb, sipas kierarkisë së vijës komanduese. Pra në Kosovë gjatë luftës nga ana e forcave serbe nuk ka pasur “paramilitarë”, por çdo gjë ka qenë militare. Termi “paramilitarë” shpesh përdoret qëllimisht (e lansuar) nga Beogradi, për të shmangur përgjegjësinë direkte të aparatit shtetëror serb dhe komandës zyrtare të ushtrisë dhe policisë serbe.
