Nga Gzim Rushiti / PhD
Në kohën kur shtetet e Ballkanit Perëndimor po avancojnë në procesin e integrimit evropian dhe kur anëtarësimi në Bashkimin Evropian përbën prioritetin më të rëndësishëm strategjik të politikës së tyre të jashtme, kundërshtimi i Rusisë ndaj zgjerimit të NATO-s dhe të BE-së në këtë rajon vazhdon pa ndërprerje. Kjo qasje e Moskës nuk përbën as risi dhe as ndonjë befasi.
Një vendim i Qeverisë së Malit të Zi për aplikimin e regjimit pa viza për shtetasit rusë, duke filluar nga nëntori i këtij viti, u bë shkak për një përplasje të re diplomatike ndërmjet Moskës dhe Podgoricës. Kjo përplasje vjen në vazhdën e një serie tensionesh që kanë karakterizuar marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve gjatë dekadës së fundit.
Fillimisht, vendimi i qeverisë malazeze u komentua nga Ambasada e Rusisë në Podgoricë, e cila e cilësoi atë si një «veprim armiqësor». Më pas, lidhur me të njëjtin vendim, reagoi edhe Ministria e Jashtme e Rusisë. Në mesin e tetorit të vitit 2026, zëdhënësja e kësaj ministrie, Maria Zakharova, paralajmëroi shtetet e Ballkanit Perëndimor se integrimi evropian nuk nënkupton më vetëm anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por, sipas saj, edhe pranimin e politikës së Brukselit ndaj Moskës.
Deklaratat e Zakharovës lidhur me procesin e integrimit evropian të shteteve të Ballkanit Perëndimor nxitën reagimin e Bashkimit Evropian, si ndaj vetë deklaratave, ashtu edhe ndaj qëndrimeve që Moska mban në përgjithësi kundrejt perspektivës evropiane të rajonit.
Sipas mesazheve dhe qëndrimeve të përcjella nga Bashkimi Evropian, e ardhmja e shteteve të Ballkanit Perëndimor është brenda Unionit. Përfaqësues të Komisionit Evropian kanë paraqitur gjithashtu masa dhe mekanizma për mbrojtjen e shteteve të rajonit që synojnë anëtarësimin në BE nga presioni dhe kërcënimet ruse. Sipas tyre, «lufta kundër manipulimit të informacionit nga jashtë, dezinformimit dhe kërcënimeve të tjera hibride është pjesë përbërëse e procesit të anëtarësimit». Në përgjigjen e dhënë për Radion Evropa e Lirë, përfaqësues të Komisionit Evropian theksuan gjithashtu se «mbrojtja e procesit të integrimit evropian dhe e integritetit të mediave nga dezinformimi dhe manipulimi i informacionit nga jashtë është me rëndësi thelbësore».
Megjithëse ndikimi rus mbetet veçanërisht i madh në Serbi dhe në Bosnjë e Hercegovinë, Bashkimi Evropian vazhdon të jetë partneri kryesor strategjik, politik dhe ekonomik i shteteve të Ballkanit Perëndimor. Njëkohësisht, ai përfaqëson organizatën ku të gjitha shtetet e rajonit synojnë të anëtarësohen në të ardhmen.
Pavarësisht përcaktimit të qartë të shteteve të Ballkanit Perëndimor për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe progresit të shënuar në këtë drejtim, qeveritë e rajonit duhet të tregojnë vigjilencë të shtuar. Ato duhet të koordinojnë përpjekjet dhe të forcojnë mekanizmat institucionalë për të parandaluar realizimin e objektivave destabilizuese të Rusisë, të cilat synojnë të pengojnë ose të ngadalësojnë procesin e anëtarësimit të tyre në Bashkimin Evropian.
