Nga kriza e regjimit unitarist te mundësia e transformimit demokratik të shtetit serb – implikimet për Kosovën dhe rendin gjeopolitik në Ballkanin Perëndimor
Nga Dr. Sadri Ramabaja
Hyrje: Kur ndryshimi i pushtetit nuk nënkupton domosdoshmërisht ndryshimin e shtetit
Serbia po hyn në një fazë të rëndësishme të zhvillimit të saj politik. Kriza e modelit të qeverisjes së Aleksandar Vuçiqit, mobilizimi i jashtëzakonshëm studentor dhe shfaqja e një alternative të re politike kanë hapur një debat që shkon përtej çështjes së ndërrimit të qeverisë: a është Serbia në prag të një transformimi të mirëfilltë demokratik, apo kemi të bëjmë vetëm me zëvendësimin e një elite politike me një tjetër?
Kjo pyetje ka rëndësi jo vetëm për të ardhmen e brendshme të Serbisë, por edhe për arkitekturën politike dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Për gati një dekadë e gjysmë, Aleksandar Vuçiq ka ndërtuar një sistem politik ku pushteti formal institucional është ndërthurur me kontrollin e mekanizmave partiakë, ndikimin mbi mediat, administratën publike dhe një pjesë të konsiderueshme të ekonomisë. Ky model nuk mund të kuptohet vetëm si qeverisje e një partie politike. Ai përfaqëson një formë të personalizimit të pushtetit, në të cilën institucionet shpesh kanë funksionuar më shumë si zgjatime të autoritetit ekzekutiv sesa si mekanizma të pavarur të kontrollit demokratik.
Prandaj, largimi i Vuçiqit nga qendra e pushtetit, nuk do të mjaftonte për të shpallur fillimin e një republike të re. Një republikë e re lind vetëm atëherë kur ndryshojnë jo vetëm njerëzit që qeverisin, por edhe rregullat, raportet e pushtetit, kultura institucionale dhe vetë mënyra se si shteti e koncepton marrëdhënien me qytetarin.
Serbia de fakto ndodhet përballë një dileme historike: të kalojë nga një demokraci e personalizuar dhe e kontrolluar drejt një republike kushtetuese, ose të riprodhojë të njëjtin sistem përmes një elite të re, me gjuhë dhe legjitimitet të ri politik.
I. Autoritarizmi ala Vuçiq si sistem politik: më shumë se një parti në pushtet
Për ta kuptuar sfidën që e pret Serbinë, duhet fillimisht të kuptohet natyra e sistemit politik të ndërtuar nga Vuçiqi.
SNS-ja (Srpska Napredna Stranka), Partia Popullore Serbe, nuk ka qenë thjesht një parti që fitonte zgjedhjet. Gjatë qeverisjes së saj, ajo ka krijuar një rrjet të gjerë ndikimi mbi institucionet shtetërore, ndërmarrjet publike, administratën, mediat dhe proceset ekonomike.
Në këtë kuptim, mund të flasim për një formë të kapjes së shtetit (state capture).
Koncepti nuk nënkupton vetëm korrupsionin e individëve apo përvetësimin e burimeve publike. Ai përshkruan një gjendje në të cilën interesat e një rrjeti politik dhe ekonomik depërtojnë në mekanizmat e vendimmarrjes shtetërore, duke dobësuar autonominë e institucioneve.
Në rastin serb, ky model është karakterizuar nga disa mekanizma:
1. Personalizimi i pushtetit. Presidenti është shndërruar në qendrën kryesore të vendimmarrjes politike, shpesh duke tejkaluar rolin kushtetues të institucionit presidencial.
2. Dominimi partiak mbi institucionet. Kufiri ndërmjet administratës shtetërore dhe strukturave partiake është bërë gjithnjë e më i paqartë.
3. Kontrolli i hapësirës mediatike. Pabarazia në qasjen mediatike ka kufizuar konkurrencën reale politike dhe pluralizmin e debatit publik.
4. Ekonomia e lidhjeve politike. Kontratat publike, projektet infrastrukturore dhe marrëdhëniet me kapitalin e huaj janë bërë pjesë e një sistemi ku transparenca dhe përgjegjësia institucionale kanë qenë vazhdimisht objekt kritikash.
5. Nacionalizmi si instrument legjitimimi. Çështjet kombëtare dhe raportet me Kosovën janë përdorur shpesh për mobilizimin e elektoratit dhe ruajtjen e një gjendjeje të përhershme tensioni politik.
Këto karakteristika e kanë bërë autoritarizmin ala Vuçiq një model të veçantë të autoritarizmit elektoral: institucionet demokratike vazhdojnë të ekzistojnë, por funksionimi i tyre kushtëzohet nga një raport thellësisht i pabarabartë i pushtetit.
Raporti i Dhomës së Komunave të Britanisë së Madhe mbi Serbinë dhe zgjedhjet e vitit 2026 dokumenton shqetësimet ndërkombëtare për lirinë e mediave, korrupsionin, presionin mbi opozitën dhe pavarësinë e institucioneve.[1]
Prandaj, problemi që trashëgon shumica e re nuk është vetëm qeverisja e dobët. Është vetë struktura e marrëdhënieve ndërmjet shtetit, partisë, ekonomisë dhe shoqërisë.
II. Revolta studentore: nga protesta kundër korrupsionit te projekti për ndryshimin e shtetit
Lëvizja studentore serbe është një nga zhvillimet më domethënëse politike në Evropën Juglindore gjatë viteve të fundit. Ajo nuk lindi nga një program klasik partiak, as nga një konflikt tradicional ndërmjet pozitës dhe opozitës. Shkëndija ishte tragjedia e Novi Sadit, më 1 nëntor 2024, ku do të vdisnin 16 persona pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor.
Por revolta nuk mbeti e kufizuar te kërkesa për përgjegjësi për këtë tragjedi. Ajo u shndërrua gradualisht në një kundërshtim të përgjithshëm ndaj mënyrës së qeverisjes, korrupsionit sistemik dhe mungesës së llogaridhënies.
Këtu qëndron rëndësia sociologjike e lëvizjes: studentët nuk kërkuan thjesht zëvendësimin e një qeverie, por rikthimin e shtetit në funksionin e tij publik.
Në këtë proces ndodhën tri zhvendosje të rëndësishme:
- Nga protesta studentore te mobilizimi qytetar ndërbrezash.
- Nga kërkesat për përgjegjësi individuale te kritika ndaj strukturës së pushtetit.
- Nga rezistenca jashtë institucioneve te përfaqësimi politik brenda tyre.
Zgjedhjet e 25 tetorit 2026 e institucionalizuan këtë proces. Lista studentore fitoi shumicën parlamentare, duke siguruar 140 mandate sipas raportimeve për përbërjen e re të Kuvendit. Kjo shënoi fundin e dominimit 14-vjeçar të SNS-së në qeverisjen qendrore.[2]
Megjithatë, këtu shfaqet edhe paradoksi i parë i lëvizjes.
Një lëvizje që e kishte ndërtuar legjitimitetin mbi refuzimin e hierarkive tradicionale politike, mbi vendimmarrjen kolektive dhe autonominë e asambleve studentore, tani duhet të ndërtojë një strukturë qeverisëse me përgjegjësi të përcaktuara.
Në protestë, decentralizimi është përparësi.
Në qeverisje, decentralizimi pa mekanizma koordinimi mund të shndërrohet në paralizë.
Këtë dilemë e kanë identifikuar edhe analizat e Atlantic Council dhe RFE/RL: fitorja elektorale është vetëm fillimi i betejës për transformimin institucional.[3]
III. A është Lista Studentore një subjekt politik apo një koalicion i përkohshëm kundër Vuçiqit?
Kjo është një nga pyetjet më të rëndësishme për të ardhmen e Serbisë.
Lista studentore ka arritur të bashkojë njerëz me prejardhje të ndryshme profesionale, ideologjike dhe politike. Në të gjenden akademikë, ekspertë, intelektualë, aktivistë dhe qytetarë që deri dje nuk kishin ndonjë përvojë të rëndësishme në politikën parlamentare.
Ky heterogjenitet ishte përparësi gjatë mobilizimit kundër regjimit. Por në qeverisje mund të bëhet burim përplasjesh.
Në fakt, ekzistojnë të paktën tri orientime që duhet të bashkëjetojnë brenda shumicës së re:
Rryma e reformimit institucional: kërkon sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit, transparencën, luftën kundër korrupsionit dhe depolitizimin e administratës.
Rryma e nacionlizmit modern: e sheh Serbinë si shtet që duhet të ruajë pozicionin tradicional në çështjet kombëtare, veçanërisht në raport me Kosovën, Republikën Serbe në Bosnjë dhe marrëdhëniet me Rusinë.
Rryma e orientimit evropian: e konsideron integrimin në BE si objektiv strategjik dhe reformimin demokratik si parakusht të modernizimit të shtetit.
Këto orientime nuk janë domosdoshmërisht të papajtueshme në çdo pikë. Por dallimet bëhen vendimtare kur duhet të merren vendime konkrete për politikën e jashtme dhe të sigurisë.
Një shembull është raporti me Rusinë. Lëvizja studentore nuk ka paraqitur një platformë të qartë për vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës dhe ka ruajtur një qëndrim rezervues ndaj kësaj çështjeje.
Edhe më domethënës është qëndrimi ndaj Kosovës: lista nuk e ka vënë në diskutim njohjen e pavarësisë së saj dhe ka mbrojtur pozicionin kushtetues tradicional të Serbisë.[4]
Pra, fitorja e lëvizjes studentore nuk duhet interpretuar automatikisht si fitore e një orientimi të ri liberal-demokratik në të gjitha dimensionet e politikës serbe.
Mund të kemi një demokratizim të procedurave të brendshme pa pasur ende një demokratizim të doktrinës shtetërore serbe ndaj fqinjëve.
Ky dallim është thelbësor për Kosovën.
IV. Prova e parë: A do të çmontohet shteti i kapur?
Këtu fillon prova e vërtetë e shumicës së re.
Ndërrimi i kryetarit të Kuvendit, i ministrave apo i drejtuesve të institucioneve nuk përbën vetvetiu reformë demokratike. Përkundrazi, nëse ndryshimi kufizohet në zëvendësimin e personave, pa ndryshuar mekanizmat që prodhojnë varësinë politike, sistemi mund të mbijetojë edhe pas largimit të themeluesit të tij.
Prandaj, shumica e re duhet të ndërmarrë një reformë të thellë institucionale në pesë fusha.
1. Drejtësia dhe prokuroria
Pavarësia e gjyqësorit është kusht themelor për çmontimin e rrjeteve të korrupsionit. Hetimet për abuzimet me fondet publike duhet të zhvillohen mbi bazën e provave dhe jo të përkatësisë politike.
Ekziston rreziku që lufta kundër korrupsionit të shndërrohet në një proces ndëshkimi selektiv të kundërshtarëve politikë. Një demokraci e re nuk mund të ndërtohet përmes drejtësisë hakmarrëse.
2. Shërbimet e sigurisë
Shërbimet informative duhet të çlirohen nga ndikimi partiak. Ato duhet t’i shërbejnë sigurisë kushtetuese të shtetit dhe jo mbijetesës së një elite politike.
3. Mediat publike
RTS-i dhe institucionet e tjera mediatike publike duhet të fitojnë autonomi editoriale. Ndryshimi i drejtuesve nuk mjafton nëse nuk ndërtohen mekanizma të qëndrueshëm të pavarësisë dhe llogaridhënies.
4. Administrata dhe ndërmarrjet publike
Punësimi duhet të bazohet në meritë dhe profesionalizëm. Administrata nuk mund të mbetet instrument i partisë që fiton zgjedhjet.
5. Prokurimi publik dhe marrëdhëniet me kapitalin e huaj
Kontratat infrastrukturore, investimet strategjike dhe partneritetet publiko-private duhet t’i nënshtrohen transparencës, konkurrencës dhe kontrollit parlamentar.
Këto janë edhe fushat ku do të matet serioziteti i shumicës së re.
Një analizë e Euronews e 29 tetorit 2026 vëren se tranzicioni ka nisur të prekë edhe institucionet mediatike dhe të sigurisë, por paralajmëron për rrezikun që ndryshimi i një forme të presionit politik të pasohet nga një formë tjetër.[5]
Këtu duhet vendosur një parim themelor: Shteti demokratik nuk ndërtohet duke i zëvendësuar njerëzit e Vuçiqit me njerëzit e kundërshtarëve të tij, por duke krijuar institucione që nuk varen nga asnjëri prej tyre.
V. Aleksandar Çupiq dhe simbolika e një kulture të re politike
Zgjedhja e Aleksandar Çupiqit [Aleksandar Čupić] në krye të Kuvendit ka një domethënie që tejkalon funksionin formal të këtij institucioni.
Ai nuk vjen nga aparati tradicional partiak. Është pedagog universitar, me përvojë profesionale në një fushë teknike, dhe u bë figurë publike përmes solidaritetit me studentët.
Në këtë kuptim, kandidatura e tij mishëron një përpjekje për ta ndërlidhur autoritetin profesional me legjitimitetin qytetar.
Por simbolika nuk duhet ngatërruar me transformimin.
Çupiqi do të vlerësohet jo nga prejardhja e tij shoqërore, gjeneza e tij, por as nga simpatia që ka fituar gjatë protestave, por nga mënyra se si do ta ushtrojë funksionin kushtetues.
Tri çështje do të jenë veçanërisht të rëndësishme:
- A do të garantojë të drejtat e pakicës parlamentare, përfshirë deputetët e SNS-së?
- A do ta çlirojë Kuvendin nga kultura e nënshtrimit ndaj ekzekutivit?
- A do të sigurojë transparencë dhe kontroll real parlamentar mbi qeverinë?
Nëse ai arrin ta shndërrojë Kuvendin në një institucion ku pushteti kontrollohet, debati zhvillohet dhe opozita respektohet, atëherë simbolika e zgjedhjes së tij do të fitojë përmbajtje institucionale.
Në të kundërtën, rrezikohet që edhe kjo shumicë të ndërtojë një kulturë të re dominimi.
Kjo është prova e parë për dallimin ndërmjet një elite të re dhe një republike të re.
VI. Serbia ndërmjet Brukselit, Moskës, Pekinit dhe Uashingtonit
Ndryshimi i pushtetit në Beograd ka edhe një dimension të rëndësishëm gjeopolitik.
Vuçiqi e kishte ndërtuar politikën e jashtme serbe mbi një model të balancimit ndërmjet fuqive të mëdha. Serbia synonte të ruante perspektivën evropiane, ndërkohë që mbante marrëdhënie të afërta me Rusinë dhe Kinën, si dhe bashkëpunim strategjik me Shtetet e Bashkuara.
Ky model i siguronte Beogradit hapësirë manovrimi, por njëkohësisht prodhonte kontradikta të vazhdueshme.
Për shumicën e re, problemi është se nuk mjafton të ndryshohet retorika diplomatike. Duhet të përcaktohet pozicioni real i Serbisë në rendin ndërkombëtar që po riformësohet.
1. Bashkimi Evropian: mundësi për një kthesë institucionale
BE-ja ka interes të drejtpërdrejtë që Serbia të kalojë në një sistem më funksional demokratik.
Një qeveri që garanton pavarësinë e gjyqësorit, lufton korrupsionin dhe siguron lirinë e mediave mund të ringjallë procesin e integrimit evropian.
Por Brukseli duhet të shmangë gabimin e vjetër: vlerësimin e stabilitetit politik mbi bazën e gatishmërisë së një lideri për të bashkëpunuar, pa kërkuar reforma të matshme.
Serbia nuk mund të integrohet në BE vetëm përmes marrëveshjeve ekonomike dhe diplomatike. Ajo duhet të përmbushë standardet politike dhe juridike të anëtarësimit.
2. Rusia: vazhdimësia e ndikimit strategjik
Moska ka interes që Serbia të mos shkëputet nga hapësira e saj e ndikimit politik dhe energjetik në Evropën Juglindore. Por shumica e re do të përballet me një zgjedhje: të vazhdojë politikën e balancimit apo të ndërtojë një orientim më koherent me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së.
Deri tani, qëndrimi i rezervuar i lëvizjes studentore ndaj sanksioneve kundër Rusisë tregon se një kthesë e tillë nuk është e garantuar.
3. Kina: vazhdimësia e interesave ekonomike
Investimet kineze në infrastrukturë, industri dhe energjetikë janë pjesë e rëndësishme e modelit ekonomik serb.
Qeveria e re nuk do të ketë interes t’i ndërpresë këto marrëdhënie. Por mund të kërkojë transparencë më të madhe kontraktuale dhe kontroll parlamentar mbi projektet strategjike.
4. Shtetet e Bashkuara: testi i marrëdhënieve strategjike
Uashingtoni do të duhej ta vlerësonte qeverinë e re përmes disa çështjeve: stabilitetit rajonal, sigurisë energjetike, marrëdhënieve me Rusinë dhe normalizimit të raporteve me Kosovën, që nënkupton pranim të realitetit të ri politik të krijuar me shpalljen e pavarësisë së saj më 17 shkurt 2008 dhe njohjen e saj si shtet sovran.
Një ndryshim demokratik në Serbi mund të krijojë hapësirë të re për bashkëpunim amerikan, por nuk nënkupton automatikisht përputhje të interesave në të gjitha çështjet.
Atlantic Council ka tërhequr vëmendjen se qeveria e re do të trashëgojë një mjedis të vështirë ndërkombëtar dhe se çështjet e politikës së jashtme, sidomos raportet me Rusinë dhe Kosovën, mbeten të pazgjidhura.[6]
Në këtë kuptim, Serbia mund të ndryshojë modelin e saj të qeverisjes pa ndryshuar menjëherë orientimin e saj gjeopolitik.
VII. Kosova: a do të ndryshojë politika serbe ndaj Republikës së Kosovës?
Për Kosovën, ky është dimensioni më i rëndësishëm i zhvillimeve të reja në Serbi.
Një Serbi më demokratike do të ishte në interes të drejtpërdrejtë të Kosovës dhe të shqiptarëve në tërësi. Por demokratizimi i brendshëm serb nuk është sinonim i njohjes së shtetësisë së Kosovës.
Këtu duhet të bëhet një dallim analitik ndërmjet dy proceseve:
- Demokratizimi i sistemit politik serb.
- Transformimi i doktrinës shtetërore serbe ndaj Kosovës.
Procesi i parë mund të ndodhë pa e përmbushur të dytin.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme sepse Lista Studentore, gjatë fushatës së saj, nuk e ka vënë në diskutim qëndrimin tradicional serb për Kosovën. Ajo është distancuar nga ideja e njohjes së pavarësisë dhe ka mbështetur ruajtjen e pozitës kushtetuese të Serbisë lidhur me Kosovën, duke e trajtuar atë si pjeës integrale e shtetit.[7]
Prandaj, Prishtina duhet të shmangë dy gabime strategjike.
Gabimi i parë: të konsiderojë çdo ndryshim në Beograd si mundësi automatike për zgjidhjen e konfliktit.
Gabimi i dytë: të vazhdojë ta trajtojë Serbinë vetëm përmes logjikës së konfliktit të mëparshëm, pa analizuar ndryshimet e mundshme brenda shoqërisë dhe institucioneve të saj.
Kosova duhet të mbajë një qasje parimore dhe pragmatike njëkohësisht.
Në planin parimor, nuk mund të ketë kthim prapa nga subjektiviteti ndërkombëtar dhe shtetësia e Republikës së Kosovës.
Në planin pragmatik, një Serbi që funksionon mbi bazën e shtetit të së drejtës, konkurrencës demokratike dhe përgjegjësisë institucionale do të krijonte kushte më të favorshme për normalizimin e marrëdhënieve.
Pesë tregues për të matur ndryshimin e vërtetë
| Fusha | Treguesi që duhet vëzhguar |
|---|---|
| Dialogu | Zbatimi i marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, duke ecë pashmangshëm drejt njohjes së realitetit politik. |
| Siguria | Ndërprerja e ndërhyrjes në strukturat ilegale dhe grupet e armatosura. |
| Sovraniteti | Respektimi i subjektivitetit shtetëror të Kosovës. |
| Pakicat | Trajtimi i serbëve të Kosovës si qytetarë dhe jo si instrument politik. |
| Gjeopolitika | Distancimi nga politikat destabilizuese dhe koncepti i Botës Serbe |
Për Kosovën, treguesi vendimtar nuk do të jetë nëse qeveria e re serbe përdor një gjuhë më të moderuar, por nëse ndryshon sjelljen e shtetit serb ndaj realitetit politik dhe juridik të Republikës së Kosovës.
Një demokraci që nuk arrin të çlirohet nga pretendimet hegjemoniste ndaj fqinjëve mbetet një demokraci e papërfunduar në dimensionin e saj ndërkombëtar.
VIII. Tre skenarë për Serbinë pas Vuçiqit
Në perspektivën e zhvillimeve të ardhshme, mund të identifikojmë tri skenarë kryesorë.
Skenari I – Transformimi demokratik
Mundësi strategjike
Serbia fillon çmontimin e shtetit të kapur, ndërton institucione të pavarura, rikthen pluralizmin politik dhe hap një kapitull të ri në marrëdhëniet me BE-në dhe fqinjët.
Rezultati: një republikë kushtetuese me demokraci funksionale.
Skenari II – Riprodhimi i sistemit
Rrezik strukturor
Elita e re zëvendëson strukturat e vjetra, por ruan mekanizmat e centralizimit, kontrollit politik dhe nacionalizmit shtetëror.
Rezultati: ndryshim i personave, por jo i natyrës së pushtetit.
Skenari III – Fragmentimi dhe kriza e tranzicionit
Rrezik politik
Kontradiktat brenda shumicës së re, rezistenca e strukturave të vjetra dhe mungesa e një udhëheqjeje të konsoliduar prodhojnë bllokim institucional dhe destabilizim politik.
Rezultati: dobësim i legjitimitetit të ndryshimit dhe mundësi për rikthimin e forcave të vjetra.
Cili prej këtyre skenarëve do të mbizotërojë, do të varet nga aftësia e shumicës së re për ta shndërruar kapitalin moral të protestës në kapacitet institucional.
Një element që nuk duhet nënvlerësuar është rezistenca e rrjeteve të vjetra ekonomike, administrative dhe të sigurisë. Ato nuk zhduken me humbjen e zgjedhjeve. Përkundrazi, pikërisht gjatë tranzicionit mund të bëhen pengesa kryesore për reformimin e shtetit.
RFE/RL dhe Instituti i Bashkimit Evropian për Studime të Sigurisë kanë paralajmëruar se sfida më e madhe e lëvizjes së re do të jetë pikërisht përballja me strukturat e konsoliduara të pushtetit. [8]
IX. Serbia dhe çështja e republikës së re: një krahasim historik
Për ta kuptuar më thellë këtë proces, është me interes ta vendosim Serbinë në një kontekst krahasues historik.
Rënia e Slobodan Miloševićit në tetor të vitit 2000 nuk prodhoi menjëherë një shtet të konsoliduar demokratik. Ajo krijoi një mundësi historike për ndryshim, por elitat e vjetra, rrjetet e sigurisë dhe strukturat ekonomike vazhduan të ushtronin ndikim.
Vrasja e kryeministrit Zoran Gjingjiq [Zoran Đinđić], më 12 mars 2003, ishte një dëshmi dramatike e fuqisë së strukturave që i rezistonin reformimit të shtetit.
Ky precedent historik duhet të shërbejë si paralajmërim.
Serbia ka përvojën e një tranzicioni që rrëzoi një lider, por nuk arriti ta transformonte plotësisht strukturën e pushtetit. Prandaj, pas Vuçiqit, sfida është më e madhe se ajo e vitit 2000.
Në vitin 2000, çështja kryesore ishte largimi i Milosheviqit [Milošević]. Në vitin 2026, çështja është çmontimi i një sistemi të konsoliduar të personalizimit dhe kapjes së shtetit.
Këtu qëndron dallimi ndërmjet ndryshimit të regjimit dhe transformimit të republikës.
Një republikë e re nuk ka nevojë domosdoshmërisht për një kushtetutë të re. Ajo ka nevojë për një marrëdhënie të re ndërmjet pushtetit dhe qytetarit, ndërmjet institucioneve dhe partive, ndërmjet shtetit dhe shoqërisë.
Në këtë kuptim, mund të flasim për mundësinë e një Republike të Re Serbe, jo si projekt etnik apo nacionalist, por si projekt i shtetit kushtetues, të çliruar nga dominimi personalist.
X. Përfundime: A po përfundon epoka e Vuçiqit apo vetëm forma e saj politike?
Zhvillimet e tetorit dhe nëntorit 2026 kanë hapur një kapitull të ri në historinë politike të Serbisë.
Fitorja e Listës Studentore, përfundimi i dominimit 14-vjeçar të SNS-së, hyrja e një brezi të ri në Kuvend dhe zgjedhja e Aleksandar Çupiqit në krye të tij janë ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme.
Por historia politike na mëson se triumfi elektoral nuk është i barabartë me transformimin demokratik.
Serbia ka hyrë në një tranzicion që duhet vlerësuar në disa nivele njëkohësisht:
- Në nivelin institucional: a do të çlirohen institucionet nga kontrolli partiak?
- Në nivelin politik: a do të ndërtohet një kulturë e re e konkurrencës demokratike?
- Në nivelin ekonomik: a do të ndërpritet lidhja klienteliste ndërmjet pushtetit dhe kapitalit?
- Në nivelin shoqëror: a do të krijohet një kontratë e re ndërmjet shtetit dhe qytetarit?
- Në nivelin gjeopolitik: a do të largohet Serbia nga politika e instrumentalizimit të konflikteve rajonale?
Përgjigjet nuk janë ende të qarta. Megjithatë, një gjë mund të thuhet: lëvizja studentore ka arritur ta thyejë mitin e pathyeshmërisë së pushtetit të Vuçiqit. Ajo ka dëshmuar se edhe një sistem i konsoliduar i dominimit politik mund të sfidohet nga mobilizimi qytetar, kur ky mobilizim arrin të kapërcejë ndarjet tradicionale partiake.
Por tani fillon sprova e vërtetë.
Studentët dhe përfaqësuesit e tyre duhet të dëshmojnë se janë të aftë të qeverisin ndryshe nga ata që i rrëzuan. Përndryshe, energjia e jashtëzakonshme e protestës mund të shndërrohet në një tjetër zhgënjim historik.
Një vërejtje strategjike për Kosovën
Nga perspektiva e Prishtinës, ndryshimi në Serbi duhet parë si një mundësi, por jo si arsye për të ulur vigjilencën strategjike.
Kosova ka interes për një Serbi demokratike, evropiane dhe të parashikueshme, por jo për një Serbi që, nën një elitë të re, vazhdon të ruajë të njëjtën doktrinë hegjemoniste ndaj fqinjëve.
Një Serbi demokratike duhet ta pranojë realitetin e shtetësisë së Kosovës. Përndryshe, demokratizimi i saj do të mbetet i cunguar në dimensionin rajonal.
Po ashtu, përfundimi i autoritarizmit ala Vuçiq nuk duhet të nënkuptojë thjesht kalimin nga një formë e nacionalizmit autoritar në një formë tjetër të nacionalizmit, këtë herë me legjitimitet qytetar dhe studentor.
Ballkani Perëndimor nuk ka nevojë vetëm për një Serbi pa Vuçiqin. Ka nevojë për një Serbi që heq dorë nga politika e dominimit rajonal dhe pranon parimin e barazisë sovrane të shteteve.
Kjo do të ishte kthesa e vërtetë historike.
Fusnotat
1. https://commonslibrary.parliament.uk/research-briefings/cbp-12267/
2. https://www.usnews.com/news/world/articles/2026-11-17/serbias-student-list-deputies-take-seats-in-parliament-after-landmark-election-win
3. https://www.atlanticcouncil.org/dispatches/experts-react-serbias-vucic-is-out-and-the-student-led-movement-is-in-what-comes-next/
4.https://www.rferl.org/a/serbia-student-list-what-comes-next/33884630.html
5. https://www.euronews.com/2026/10/29/after-the-victory-the-foreign-policy-and-governing-challenges-facing-serbias-student-movem
6.https://www.atlanticcouncil.org/dispatches/experts-react-serbias-vucic-is-out-and-the-student-led-movement-is-in-what-comes-next/
7. https://www.rferl.org/a/serbia-student-list-what-comes-next/33884630.html
8. https://www.rferl.org/a/serbia-student-list-what-comes-next/33884630.html
