Një polemikë mbi Ballkaninë, Serbinë dhe përpjekjen për ta përmbysur orientimin gjeopolitik të shqiptarëve
Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Ekziston një kufi i hollë, por thelbësor, ndërmjet analizës kritike të zhvillimeve gjeopolitike dhe riprodhimit të narrativave të cilat, me vetëdije ose pa të, i shërbejnë një agjende të caktuar strategjike. Ky kufi bëhet veçanërisht i rëndësishëm kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor, një hapësirë ku historia e konflikteve, rivalitetet e fuqive të mëdha dhe projektet e papërfunduara shtetformuese vazhdojnë të ndërthuren.
Pikërisht në këtë kontekst duhen shqyrtuar disa teza që po qarkullojnë së fundmi në diskursin publik shqiptar: ideja e një Unionit Ballkanik, e paraqitur si projekt me prapavijë ruse; parashikimi për dobësimin dhe copëzimin e Serbisë si parakusht për këtë projekt; si dhe pretendimi se Albin Kurti qenka njeriu i Rusisë, ndërsa Edi Rama përfaqësuesi i orientimit properëndimor në rajon.
Këto nuk janë pohime të zakonshme politike. Ato ndërtojnë një skemë interpretimi, brenda së cilës përmbysen pozicionet, relativizohen përgjegjësitë historike dhe riformatohet kuptimi i orientimeve strategjike të aktorëve rajonalë.
Problemi nuk është vetëm në atë që thuhet, por edhe në funksionin politik që mund të kryejnë këto teza.
1. Kur viktima historike paraqitet si kërcënim dhe agresori potencial si viktimë
Njëra prej tezave më problematike është ajo sipas së cilës dobësimi, decentralizimi apo copëzimi i Serbisë qenka një projekt që do t’i shërbente krijimit të një Unioni Ballkanik nën ndikimin rus.
Këtu kemi një përmbysje të rëndësishme të perspektivës gjeopolitike.
Serbia nuk mund të analizohet jashtë historisë së politikës së saj rajonale, veçanërisht jashtë projekteve hegjemoniste që kanë prodhuar konflikte të rënda në hapësirën e ish-Jugosllavisë. As nuk mund të injorohet fakti se koncepti i të ashtuquajturës „Botë Serbe“ vazhdon të jetë një element i rëndësishëm i diskursit nacionalist serb.
Prandaj, kur flitet për dobësimin e Serbisë si parakusht për një rend të ri rajonal, duhet shtruar një pyetje themelore: për çfarë dobësimi bëhet fjalë dhe në raport me cilin kërcënim?
Një Serbi demokratike, e decentralizuar, e çliruar nga ambiciet hegjemoniste dhe e integruar në rendin evropian është një çështje krejt tjetër nga një Serbi e copëzuar sipas projeksioneve ezoterike të ndonjë filozofi futurist.
Të parën mund ta diskutojmë si proces transformimi politik dhe institucional. Të dytën nuk kemi arsye ta pranojmë si projekt strategjik pa dëshmi konkrete.
Për më tepër, paraqitja e Serbisë si viktimë e një komploti ndërkombëtar për copëtimin e saj, ndërkohë që anashkalohet historia e politikave të saj ekspansioniste, krijon një zhvendosje të rrezikshme të përgjegjësisë historike.
2. Albin Kurti si „njeri i Rusisë“ – një akuzë që kërkon prova, jo përsëritje
Ndoshta pohimi më absurd dhe njëkohësisht më politikisht i ngarkuar është ai që e identifikon Albin Kurtin si njeri të Rusisë.
Nëse ekzistojnë dëshmi për lidhje operative, financiare, politike apo institucionale të një aktori politik me Kremlinin, ato duhen paraqitur, verifikuar dhe analizuar. Por etiketime të tilla nuk mund të shndërrohen në të vërteta vetëm përmes përsëritjes.
Në këtë rast, kemi të bëjmë me një përpjekje për ta zhvendosur debatin nga analiza e politikave konkrete të Qeverisë së Kosovës drejt një akuze gjeopolitike që, për nga pesha e saj, kërkon një standard shumë më të lartë provues.
Mund të kritikohet Kurti për vendime të caktuara, për raportet me aleatët, për mënyrën e menaxhimit të dialogut me Serbinë apo për qasjen ndaj proceseve integruese. Kjo është pjesë e debatit demokratik. Por një gjë është kritika politike, ndërsa krejt tjetër është etiketimi si instrument i një fuqie të huaj.
Nëse një tezë e tillë nuk mbështetet me prova, ajo nuk përbën analizë gjeopolitike, por prodhim të një perceptimi politik.
Dhe këtu qëndron thelbi i problemit: duke e paraqitur Kurtin si instrument rus, krijohet një narrativë e cila, në mënyrë të tërthortë, e zhvendos vëmendjen nga ndikimi real rus në rajon dhe e orienton atë drejt një figure politike në Kosovë.1
3. Edi Rama si përfaqësues i Perëndimit – një dualizëm i sajuar
Në anën tjetër, Edi Rama paraqitet si përfaqësues i orientimit properëndimor, madje si kundërpeshë ndaj ndikimit rus që pretendohet se po e ushtron Kurti.
Kjo është një ndarje artificiale, e ndërtuar mbi një dualizëm tepër të thjeshtuar: Rama – Perëndimi; Kurti – Rusia.
Në marrëdhëniet ndërkombëtare, orientimi strategjik i një shteti nuk përcaktohet nga afërsia personale e një kryeministri me ndonjë lider perëndimor, nga fotografitë diplomatike apo nga deklaratat publike për integrimin evropian. Ai vlerësohet përmes politikave të jashtme, angazhimeve institucionale, marrëdhënieve të sigurisë dhe sjelljes konkrete në raport me aleancat strategjike.
Asnjë lider nuk duhet të identifikohet automatikisht me interesat e Perëndimit vetëm pse pretendon se i përfaqëson ato. Njësoj, asnjë lider nuk mund të etiketohet si instrument rus pa dëshmi.
Për më tepër, përpjekja për ta paraqitur Ramën dhe Kurtin si dy pole të kundërta të një rivaliteti gjeopolitik ndërkombëtar e redukton politikën shqiptare në një arenë ku aktorët vendorë shihen vetëm si instrumente të fuqive të jashtme.
Ky është një interpretim që e dobëson vetë subjektivitetin politik shqiptar.
4. Ballkania dhe rreziku i përvetësimit të një ideje
Edhe ideja e Ballkanisë duhet trajtuar me kujdes të veçantë.
Bashkëpunimi rajonal, integrimi ekonomik, lëvizja e lirë dhe ndërtimi i mekanizmave të përbashkët institucionalë nuk janë vetvetiu projekte ruse. Ato mund të jenë pjesë e një vizioni evropian për rajonin, nëse mbështeten në parimet e barazisë sovrane, demokracisë, reciprocitetit dhe orientimit euroatlantik.
Por një Union Ballkanik i ndërtuar mbi relativizimin e shtetësisë së Kosovës, mbi rikthimin e hierarkive të vjetra politike apo mbi një rend të ri ku Serbia do të ruante rolin e qendrës së gravitetit rajonal, do të ishte çështje krejt tjetër.
Prandaj, nuk duhet lejuar që çdo ide për bashkëpunim rajonal të identifikohet automatikisht me ndonjë projekt rus. Por, po aq e rëndësishme është që emërtimi „Ballkani i bashkuar“ të mos përdoret si mbulesë për projekte që cenojnë subjektivitetin shtetëror të Kosovës.
Ballkania duhet të jetë projekt i barazisë ndërmjet subjekteve politike, jo mekanizëm për rikthimin e hegjemonive të vjetra.
5. Logjika e përmbysjes dhe mekanizmat e luftës hibride
Këtu arrijmë te çështja themelore e kësaj polemike.
Lufta hibride nuk zhvillohet vetëm përmes ndërhyrjeve kibernetike, operacioneve të inteligjencës, presionit ekonomik apo propagandës së drejtpërdrejtë. Një dimension gjithnjë e më i rëndësishëm i saj është manipulimi i perceptimit publik, prodhimi i konfuzionit dhe relativizimi i dallimit ndërmjet agresorit dhe viktimës, aleatit dhe kundërshtarit, interesit kombëtar dhe interesit të një fuqie të jashtme.
Në këtë kuptim, raportet e Shërbimit Evropian për Veprimin e Jashtëm mbi manipulimin dhe ndërhyrjen e huaj informative (FIMI) evidentojnë se Rusia e përdor manipulimin informativ si pjesë të instrumenteve të saj strategjike, me synimin për të thelluar ndarjet shoqërore, për të dobësuar besimin në institucionet demokratike dhe për të minuar pozitën e Bashkimit Evropian. Edhe Ballkani Perëndimor është identifikuar si hapësirë e ekspozuar ndaj këtyre operacioneve.2
Kjo nuk provon se tezat e cituara më sipër janë prodhuar apo koordinuar drejtpërdrejt nga Moska. Por na jep një kornizë analitike për të vlerësuar funksionin dhe efektet e tyre.
Një strategji e tillë mund të funksionojë edhe përmes aktorëve vendorë, të cilët nuk kanë domosdoshmërisht lidhje operative me ndonjë qendër të huaj ndikimi. Mjafton që ata, duke i përvetësuar dhe përsëritur pa një verifikim kritik, të bëhen bartës të narrativave që prodhojnë efekte të favorshme për interesat e jashtme.
Riprodhimi i narrativave që përputhen me ato të Beogradit dhe Moskës, merr kontekst të veçantë në kuadër të luftës hibride veçmas pas nënshkrimit të planit t konsultimeve për politikën e jashtme mes Serbisë dhe Rusisë në shtator të vitit 2022. Kjo është arsyeja pse duhet të bëjmë dallimin ndërmjet qëllimit të një aktori dhe pasojave të diskursit të tij.
Jo secili që përsërit një narrativë ruse është domosdoshmërisht agjent rus. Por secili që e riprodhon atë pa e analizuar përmbajtjen, burimin dhe funksionin e saj rrezikon të bëhet bartës i një operacioni ndikimi, edhe pa qenë i vetëdijshëm për këtë.
Ky dallim është thelbësor.
6. Përgjegjësia e intelektualit në kohën e luftës informative
Intelektuali nuk mund të mbetet indiferent ndaj mënyrës se si prodhohen dhe shpërndahen narrativat politike. Ai ka përgjegjësinë të dallojë ndërmjet hipotezës dhe faktit, ndërmjet interpretimit dhe manipulimit, ndërmjet analizës së interesave gjeopolitike dhe konspiracionit që i redukton të gjitha proceset historike në marrëveshje të fshehta të fuqive të mëdha.
Prandaj, kur një tezë e tillë paraqitet me pretendime të mëdha, ajo duhet t’u nënshtrohet disa pyetjeve elementare:
- Cilat janë provat për pretendimin se Albin Kurti është instrument i Rusisë?
- Mbi çfarë të dhënash mbështetet identifikimi i Edi Ramës si përfaqësues i interesave perëndimore?
- Kush përfiton nga paraqitja e Serbisë si viktimë e një projekti të jashtëm për copëtimin e saj?
- Çfarë raporti ka ideja e një Unioni Ballkanik me sovranitetin e Kosovës dhe me rendin euroatlantik?
- A po analizojmë realitetin politik, apo po riprodhojmë një narrativë të ndërtuar për ta deformuar atë?
Këto pyetje nuk janë retorike. Ato përbëjnë minimumin metodologjik të një analize serioze.
6.1 Kur dezinformimi gjeopolitik vishet me petkun e analizës strategjike
Ajo që bie në sy në trajtimin e tezave të filozofit serb Velimir Abramoviq nuk është thjesht paraqitja e projeksioneve të tij futuriste për të ardhmen e Ballkanit. Më shqetësuese është mënyra se si këto projeksione, ndonëse shoqërohen me rezerva të caktuara kritike, në disa raste marrin edhe njëfarë legjitimiteti përmes mënyrës së interpretimit dhe përcjelljes së tyre në diskursin publik shqiptar.
Këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me një debat rreth një ideje të diskutueshme për Unionin Ballkanik. Kemi të bëjmë me një konstruksion narrativ që përmbys realitetet gjeopolitike: Serbia paraqitet si viktimë e një projekti për dobësimin e saj; Albin Kurti etiketohet si njeri i Rusisë; Edi Rama pozicionohet si përfaqësues i Perëndimit; ndërsa faktori shqiptar projektohet si instrument i një strategjie të supozuar ruse për riformatimin e Ballkanit.
Kjo skemë interpretimi meriton të shqyrtohet jo vetëm si produkt i një filozofie individuale, por edhe në raport me mekanizmat e luftës hibride ruse.
Raporti i katërt i EEAS-së për kërcënimet FIMI, i publikuar në mars 2026, evidenton pikërisht përdorimin e teknikave të shtrembërimit të informacionit dhe thellimit të ndarjeve shoqërore nga aktorët rusë. Edhe dokumentet e Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor paralajmërojnë për ndikimin e dezinformimit të mediave të lidhura me Rusinë në opinionin publik rajonal.3
Prandaj, nuk është e domosdoshme të provohet një lidhje operative ndërmjet autorit të një teze dhe qendrave ruse të ndikimit për të analizuar funksionin e saj në luftën informative. Mjafton të shqyrtohet se çfarë realiteti synon të ndërtojë ajo, cilat perceptime deformon dhe cilat interesa objektivisht favorizon.
Këtu qëndron edhe përgjegjësia e intelektualit: të mos bëhet ndërmjetës i pavetëdijshëm i narrativave që, duke u paraqitur si analiza gjeopolitike, mund të funksionojnë si instrumente të luftës hibride.
Përfundim: Mos u bëni altoparlantë të narrativave që nuk i keni verifikuar!
Pandehma ime është se një pjesë e këtyre tezave, pavarësisht se nga kush artikulohen dhe çfarë motivimi mund të kenë autorët e tyre, prodhojnë një përmbysje të rrezikshme të realiteteve gjeopolitike.
Ato e paraqesin Serbinë si viktimë të një projekti për dobësimin e saj, Kurtin si instrument të Rusisë, Ramën si përfaqësues të Perëndimit dhe një Union Ballkanik të paqartë si projekt të një rendi të ri rajonal. Në këtë mënyrë, vëmendja zhvendoset nga çështjet reale të sigurisë dhe të sovranitetit drejt një skeme interpretimi që mjegullon përgjegjësitë historike dhe interesat strategjike.
Nuk kemi ende bazë të mjaftueshme për të pohuar se kemi të bëjmë me një operacion të drejtpërdrejtë të orkestruar nga Rusia. Por kemi arsye të mjaftueshme për të shqyrtuar me seriozitet nëse këto narrativa janë në përputhje me objektivat e njohura të luftës informative ruse në rajon.
Dhe pikërisht këtu qëndron përgjegjësia e secilit që merr përsipër të flasë për gjeopolitikën e Ballkanit.
Kushdo që i shndërron këto teza në bindje të pakontestueshme dhe pastaj në mesazhe publike, pa i nënshtruar ato një analize kritike, rrezikon të rrëshqasë në terrenin e luftës hibride ruse. Edhe pa e ditur. Edhe pa e dëshiruar.
Në gjeopolitikë, nuk mjafton të pyesim se kush e ka thënë një tezë. Duhet të pyesim edhe çfarë realiteti synon të prodhojë ajo, cilave interesa ju shërben dhe çfarë pasojash sjell për subjektivitetin politik të shqiptarëve.
Sepse, në fund të fundit, beteja për të vërtetën është edhe betejë për sovranitetin e mendimit politik.
Dhe shqiptarët, pas gjithë përvojës së tyre historike, nuk kanë luksin të bëhen përcjellës të pavetëdijshëm të projekteve gjeopolitike të të tjerëve.
Fusnotat
1. Pikërisht ky është edhe qëllimi i tezës së lansuar nga Velimir Abramović, një filozof serb, profesor universitarprofesorit nga Beogradi.
Shih: https://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN-SL/TXT/?from=EN&uri=CELEX:52022DC0528&utm_source=chatgpt.com
2. Raporti i 4-t Vjetor i EEAS-së mbi Kërcënimet nga Manipulimi dhe Ndërhyrja e Huaj në Informacion
3. Po aty: Raporti i 4-t Vjetor i EEAS-së mbi Kërcënimet nga Manipulimi dhe Ndërhyrja e Huaj në Informacion
