Nga Korab BLAKAJ
Moska paralajmëron Estoninë për rrezikun e një konflikti të hapur
Moska ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Estonisë për mbylljen e të gjitha pikave kufitare me Rusinë, duke e akuzuar vendin baltik se po e çon situatën drejt pragut të një përplasjeje të drejtpërdrejtë ushtarake.
Ministria e Jashtme ruse e ka cilësuar politikën e Talinit si një varg veprimesh provokuese. Ndër akuzat e saj përfshihen lejimi i përdorimit të hapësirës ajrore estoneze nga Ukraina për sulme ndaj objektivave ruse, si dhe përpjekjet për të penguar qarkullimin e anijeve tregtare ruse në Detin Baltik.
Të hënën, Moska thirri të ngarkuarin me punë të Estonisë për t’i dorëzuar një protestë zyrtare lidhur me vendimin e autoriteteve estoneze për mbylljen e kufirit.
Në reagimin e saj, diplomacia ruse paralajmëroi se veprime të tilla përbëjnë rrezik serioz për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe mund ta çojnë situatën drejt një konflikti të hapur. Ajo gjithashtu bëri të ditur se Rusia rezervon të drejtën të ndërmarrë një sërë masash politike dhe diplomatike për mbrojtjen e interesave të saj kombëtare dhe të drejtave të qytetarëve rusë.
Përveç këtyre akuzave, Moska pretendon se Estonia po pengon tranzitin e drithërave ruse dhe bjelloruse përmes Detit Baltik, po ndërmerr masa kundër përdorimit të gjuhës ruse dhe po kërcënon me mbylljen e Kishës Ortodokse Ruse.
Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme estoneze i ka hedhur poshtë këto narrativa, duke deklaruar se Talini nuk ka lejuar dhe nuk do të lejojë që territori i tij të shfrytëzohet nga ndonjë shtet tjetër për operacione ushtarake.
Edhe ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna, reagoi përmes një postimi në rrjetin X, ku akuzoi Rusinë se po shpërndan pretendime të pabaza kundër Estonisë, me synimin për të larguar vëmendjen nga veprimet e veta që, sipas tij, cenojnë sigurinë evropiane.
Vendimi për mbylljen e pikave kufitare u bë publik javën e kaluar. Masat pritet të hyjnë në fuqi në fillim të dhjetorit dhe të zgjasin së paku gjashtë muaj. Talini e lidhi këtë vendim me një tentativë për zjarrvënie ndaj një kompanie estoneze që merret me prodhimin e dronëve, për të cilën autoritetet vendase fajësuan shërbimin rus të inteligjencës ushtarake, GRU.
Ministri Tsahkna deklaroi se autoritetet disponojnë prova të qarta se GRU-ja kishte urdhëruar një akt sabotimi kundër një kompanie të industrisë estoneze të mbrojtjes.
Në të njëjtën kohë, raportimet e muajit të kaluar flisnin për zhvendosjen e përhershme të trupave estoneze në pozicione më pranë kufirit me Rusinë. Ky zhvillim lidhet me përgatitjet e vendit për t’u përballur me mundësinë e një agresioni të ardhshëm rus.
Zyrtarët estonezë vlerësojnë se Moska po përgatitet për një konflikt të mundshëm në të ardhmen, ndonëse nuk besojnë se Rusia synon një përballje të gjithanshme me NATO-n në vitet e ardhshme.
Megjithatë, përshkallëzimi i retorikës dhe shtimi i masave ushtarake në këtë pjesë të Evropës po rrisin shqetësimet për një konflikt të mundshëm. Një raport i inteligjencës amerikane, i publikuar në gusht, paralajmëronte se Rusia mund të ndërmerrte një sulm ndaj NATO-s brenda disa javësh, duke e shtrirë periudhën e rrezikut deri në vitin 2029.
Kjo ngre një pyetje thelbësore për sigurinë evropiane: në çfarë forme mund të shfaqet një përballje e tillë dhe cilat do të ishin pasojat për krahun lindor të NATO-s?
MINUTA E PARË E SULMIT
Rusia mund të shpenzojë muaj të tërë duke përgatitur terrenin për një operacion ushtarak, përmes misioneve të vëzhgimit dhe zbulimit, infiltrimit të forcave speciale në zonat e synuara apo krijimit të një situate politike dhe diplomatike që do t’i shërbente si arsyetim për ndërhyrje ushtarake. Megjithatë, sapo të merrej vendimi për veprim, ofensiva mund të zhvillohej me shpejtësi të madhe.
Një nga skenarët e mundshëm do të ishte përdorimi i Flotës Veriore ruse për marrjen e shpejtë nën kontroll të ishujve Svalbard, ose dërgimi i trupave ajrore drejt këtij arkipelagu nga veriu i Rusisë. Pavarësisht rëndësisë së tyre strategjike, ishujt kanë kapacitete të kufizuara mbrojtëse dhe në ta ekziston edhe një prani minerare ruse.
Tensionet rreth Svalbardit janë shtuar gjatë viteve të fundit, ndërsa Moska e ka akuzuar Norvegjinë për militarizimin e ishujve. Vetëm disa javë para pushtimit të Ukrainës, një kabllo e rëndësishme e telekomunikacionit që lidhte kontinentin me Svalbardin u dëmtua dhe u këput, në një incident ku dyshimet u drejtuan nga aktiviteti i anijeve ruse.
Një tjetër objektiv i mundshëm në Detin Baltik janë Ishujt Aland, të cilët ndodhen në një pozitë strategjike ndërmjet Finlandës, Suedisë dhe Estonisë. Edhe ky territor konsiderohet relativisht i pambrojtur. Ai gëzon status të veçantë autonom dhe është i demilitarizuar, ndërsa historikisht ka qenë pjesë e Perandorisë Ruse.
Sipas Richard Hooker-it të Këshillit Atlantik, në një raport të publikuar më herët gjatë këtij viti, Vladimir Putini mund të angazhonte në një operacion të tillë Brigadën e 336-të të Këmbësorisë Detare, me bazë në Kaliningrad, ose Divizionin e 76-të të Sulmit Ajror, të stacionuar në Pskov. Një ndërhyrje e tillë mund të realizohej me pak ose aspak paralajmërim, duke shfrytëzuar edhe mbështetjen e anijeve apo avionëve komercialë, si dhe të elementeve të Flotës Baltike ruse.
Në listën e objektivave të mundshëm përfshihet edhe ishulli suedez Gotland, në Detin Baltik. Marrja e tij nën kontroll do t’i siguronte Rusisë një pozicion strategjik në një hapësirë detare ku pjesa më e madhe e vijës bregdetare u përket vendeve të NATO-s. Njëkohësisht, ky ishull do të mund të shërbente si pikëmbështetje për zgjerimin e pranisë ushtarake ruse dhe për forcimin e mbrojtjes së Shën Petersburgut.
Një alternativë tjetër do të ishte hapja e një fronti të ri tokësor në Evropën Lindore. Estonia, Letonia, Lituania dhe Polonia, për shkak të pozitës së tyre gjeografike dhe kufijve me Rusinë ose Bjellorusinë, përbëjnë skenarë të mundshëm në analizat e rrezikut strategjik.
Në një rast të tillë, Putini mund të përdorte fillimisht një kontingjent të kufizuar ushtarak, madje edhe të maskuar me veshje civile, për të krijuar një enklavë separatiste brenda territorit të një vendi anëtar të NATO-s. Ndërhyrja mund të paraqitej si një operacion në mbrojtje të një pakice ruse, e cila pretendohet se po diskriminohet ose shtypet nga autoritetet vendase.
Një tjetër skenar, me pasoja potencialisht shumë më të rënda për sigurinë evropiane, do të ishte krijimi i një korridori tokësor që do të lidhte territorin rus të Kaliningradit me pjesën tjetër të Rusisë, përmes territorit të Lituanisë.
Sipas Hooker-it, Moska mund t’i kamuflonte përgatitjet për një operacion të tillë nën petkun e një stërvitjeje të zakonshme ushtarake. Pas kësaj, forcat tokësore ruse ose bjelloruse mund të niseshin drejt objektivave të tyre, të mbështetura nga sulme masive me raketa balistike.
MINUTA 30 E LUFTËS- ALARMOHEN ALEATËT
Në momentin kur nis operacioni ushtarak, Moska mund të publikojë një deklaratë zyrtare përmes së cilës do të përpiqej ta justifikonte politikisht ndërhyrjen në territorin e synuar, duke përdorur si pretekst pretendimin për shtypjen e popullsisë ruse. Një praktikë të tillë Rusia e ndoqi edhe më 24 shkurt 2022, kur Vladimir Putin, përmes një paraqitjeje televizive, shpalli fillimin e asaj që e quajti “operacion special ushtarak” në Ukrainë.
Megjithatë, zbulimi i parë i një ndërhyrjeje të mundshme në territorin e NATO-s pritet të bëhej nga strukturat e inteligjencës, analistët e të cilave punojnë pa ndërprerje për të identifikuar dhe monitoruar kërcënimet ndaj sigurisë.
Në Mbretërinë e Bashkuar, ky proces mbështetet në strukturat e specializuara të inteligjencës ushtarake në Cambridgeshire, si dhe në shërbimin e jashtëm të inteligjencës MI6 në Londër. Përmes analizimit të të dhënave satelitore, publikimeve në rrjetet sociale dhe informacioneve të siguruara nga burimet njerëzore, analistët do të përpiqeshin të ndërtonin një pamje sa më të plotë të zhvillimeve në terren.
Të dhënat do të përpunoheshin në raporte urgjente dhe të klasifikuara, të cilat do t’u përcilleshin me përparësi strukturave drejtuese dhe vendimmarrësve politikë e ushtarakë.
Lajmi për sulmin do të mbërrinte me shpejtësi edhe te udhëheqësit evropianë, të cilët do të duhej të ndërprisnin angazhimet e tyre të zakonshme për t’u përqendruar në koordinimin e reagimit ndaj krizës.
Për Mbretërinë e Bashkuar, një sulm ndaj cilitdo prej 32 vendeve anëtare të NATO-s do të përbënte gjithashtu një çështje të drejtpërdrejtë të sigurisë kombëtare, pavarësisht se ku do të ndodhte ai.
Kjo mbështetet në parimin themelor të Nenit 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, sipas të cilit një sulm i armatosur kundër njërit prej anëtarëve konsiderohet sulm kundër të gjithë aleancës dhe aktivizon detyrimin e përbashkët për t’i ardhur në ndihmë shtetit të sulmuar.
MINUTA 60 E LUFTËS- KORDINIMI POLITIK
Në Mbretërinë e Bashkuar do të aktivizohej mekanizmi i reagimit emergjent COBRA, duke thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme ku do të merrnin pjesë kryeministri, sekretari i Mbrojtjes, Wes Streeting, si dhe drejtuesit më të lartë të strukturave ushtarake.
Edhe NATO-ja do të thërriste një takim urgjent të përfaqësuesve të të gjitha vendeve anëtare, me qëllim shqyrtimin e situatës dhe koordinimin e një përgjigjeje të përbashkët. Një mbledhje e tillë ka shumë gjasa të kërkohej nga shteti i sulmuar, duke u mbështetur në Nenin 4 të Traktatit të NATO-s, i cili parasheh konsultime të menjëhershme mes aleatëve sa herë që kërcënohet integriteti territorial, pavarësia politike apo siguria e njërit prej anëtarëve.
Që nga themelimi i aleancës më 1949, Neni 4 është aktivizuar vetëm nëntë herë, katër prej tyre në rrethana të lidhura me agresionin rus në Evropën Lindore. Në një takim të tillë, Mbretëria e Bashkuar do të përfaqësohej me shumë gjasë nga ambasadori i saj në NATO, Angus Lapsley.
Pas konsultimeve, aleatët do të publikonin një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës do të dënonin sulmin rus dhe do të kërkonin tërheqjen e forcave të Moskës nga territori i sulmuar.
Përshkallëzimi i konfliktit do të kishte pasoja edhe për ekonominë ndërkombëtare. Pasiguria në tregjet globale mund të shkaktonte tronditje të menjëhershme, veçanërisht në sektorin energjetik, duke nxitur rritje të ndjeshme të çmimeve të naftës.
MINUTA 120 E LUFTËS- KUNDËR REAGIMI
Në këtë fazë, planifikuesit ushtarakë të NATO-s, në bashkëpunim të ngushtë me komandat kombëtare të vendeve anëtare, do të fillonin hartimin e kundërpërgjigjes ushtarake. Përmasat dhe karakteri i operacionit do të përcaktoheshin nga natyra, shkalla dhe vendndodhja e sulmit. Megjithatë, aleanca disponon plane të ndryshme operative, të cilat mbeten kryesisht të klasifikuara.
Në vitin 2023, NATO miratoi plane të reja të mbrojtjes, përmes të cilave territori i aleancës u organizua në tri zona kryesore operative: Veriu i Largët dhe Atlantiku, nën komandën e një baze në Virxhinia të SHBA-së; zona qendrore, që përfshin edhe shtetet baltike dhe komandohet nga Holanda; si dhe krahu juglindor, i cili mbulon kërcënimet përgjatë Detit të Zi dhe komandohet nga Italia.
Në kuadër të këtyre planeve, Mbretëria e Bashkuar do të duhej të angazhonte trupa dhe kapacitete ushtarake në përputhje me nevojat operative të aleancës. Koordinimi i kontributit britanik do të bëhej nga Shefi i Operacioneve të Përbashkëta në Shtabin e Përhershëm të Përbashkët të ushtrisë, në Northwood, në veriperëndim të Londrës. Kjo strukturë do të kishte për detyrë t’i kthente kërkesat e NATO-s në plane konkrete veprimi për të gjitha degët e forcave të armatosura britanike.
Mbretëria e Bashkuar mban një prani të përhershme ushtarake prej rreth 800–900 trupash në Estoni, si dhe disa qindra ushtarë në Poloni, në kuadër të Operacionit Cabrit. Ky angazhim, i nisur në vitin 2016, synon forcimin e mbrojtjes së krahut lindor të NATO-s.
Sipas burimeve që më herët kishin folur për gazetën The i Paper, në rast të një sulmi rus në Evropën Lindore, Londra pritet fillimisht të përforcojë praninë e saj ekzistuese në Estoni, në vend që të dërgojë menjëherë trupa në territorin e sulmuar. Një qasje e tillë do të synonte të shmangte dobësimin e pozicioneve mbrojtëse estoneze në një moment kur vëmendja dhe kapacitetet ushtarake të aleancës mund të përqendroheshin në një tjetër pikë të frontit. Një nga rreziqet që merret në konsideratë është edhe mundësia që Rusia të përdorë një sulm të kufizuar si karrem, për të shpërqendruar aleatët nga objektiva të tjerë strategjikë.
Përveç forcave të dislokuara në terren, Mbretëria e Bashkuar disponon edhe një gamë njësish elitare me gatishmëri të lartë operacionale. Forcat Speciale, njësitë komando dhe trupat e parashutistëve mund të angazhoheshin për të mbështetur mbrojtjen kolektive të NATO-s, me mundësinë e dislokimit në teatrin e operacioneve brenda vetëm disa orësh.
ORA 48 E LUFTËS- ARRITJA E PËRFORCIMEVE
Menjëherë pas sulmit, forca ushtarake nga vende të ndryshme evropiane mund të mobilizoheshin dhe të nisnin dislokimin drejt zonës së prekur nga agresioni.
Një nga njësitë që do të kishte rol të rëndësishëm në këtë reagim është Brigada e 4-t e Lehtë e Ushtrisë Britanike, e njohur me emrin “Minjtë e Zinj”. Kjo brigadë është e integruar në bashkëpunimin ushtarak me forcat estoneze dhe është e përgatitur të ofrojë mbështetje në situata emergjente. Ajo përbëhet nga njësi të specializuara për operacione në terrene dhe kushte të ndryshme luftarake. Sipas një zyrtari, pikërisht kjo brigadë do të ishte ndër njësitë më të mundshme për t’u dislokuar në rast të një sulmi rus.
Në muajin maj, rreth 3.000 ushtarë britanikë, nën drejtimin e kësaj brigade, morën pjesë në një stërvitje ushtarake në Estoni. Forcat arritën të dislokoheshin brenda më pak se 48 orësh, duke përdorur njëkohësisht transportin tokësor, hekurudhor, detar dhe ajror.
Në këtë reagim mund të përfshihej edhe Brigada e 16-të e Sulmit Ajror, e cila përbën forcën e reagimit të shpejtë global të Ushtrisë Britanike. Kjo njësi ka kapacitetin të dërgojë një kontingjent fillestar në teatrin e operacioneve brenda dy ditësh.
Edhe Marina Mbretërore mund të vihej në lëvizje menjëherë pas sulmit, pasi ajo udhëheq Forcën Detare të Reagimit Aleat të NATO-s. Megjithatë, gatishmëria e saj operative ka qenë objekt shqetësimi. Një rast i tillë ishte vonesa prej një jave në nisjen e anijes luftarake HMS Dragon drejt Qipros, pas sulmeve me dronë iranianë.
Mbretëria e Bashkuar është gjithashtu njëra prej tri fuqive bërthamore brenda NATO-s. Në rast të një përshkallëzimi serioz të konfliktit, ajo mund të ndryshonte pozicionimin e nëndetëseve të saj të pajisura me armë bërthamore, si pjesë e qëndrimit të saj strategjik të parandalimit.
Ruben Stewart, bashkëpunëtor i lartë në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike, ka tërhequr vëmendjen te vështirësitë e mëdha logjistike me të cilat do të përballej NATO-ja në rast të një konflikti në disa fronte njëkohësisht. Koordinimi i lëvizjes së trupave, kalimi i kufijve kombëtarë dhe sigurimi i linjave të furnizimit do të përbënin sfida të rëndësishme për aleancën.
Këto vështirësi do të shtoheshin edhe më shumë nga kufizimet në buxhetet e mbrojtjes, rezervat e pamjaftueshme të municioneve dhe dronëve, problemet me rekrutimin e personelit ushtarak dhe boshllëqet në kapacitetet mbrojtëse të vendeve evropiane. E gjithë kjo do të ndodhte në një kohë kur mbështetja amerikane për sigurinë evropiane nuk do të ishte më e garantuar në të njëjtën masë, për shkak të orientimit të administratës së Donald Trumpit drejt një qasjeje më të distancuar ndaj aleatëve evropianë.
Duke iu referuar këtij problemi, Stewart thekson se hapja e disa fronteve njëkohësisht do t’i detyronte komandantët e NATO-s të bënin zgjedhje të vështira në shpërndarjen e forcave dhe kapaciteteve të kufizuara ushtarake. Sipas tij, një tërheqje e konsiderueshme e mbështetjes amerikane do t’i rëndonte edhe më shumë këto kufizime për Evropën.
Nëse konflikti do të shndërrohej në një luftë të gjerë dhe afatgjatë, Mbretëria e Bashkuar dhe shtetet e tjera evropiane mund të detyroheshin të aktivizonin edhe forcat rezervë. Kjo do të shërbente për të rritur numrin e trupave në dispozicion dhe për të krijuar kapacitetet e nevojshme për përballimin e një konflikti që mund të zgjaste për një periudhë të gjatë.
