Liberalizmi i ka prodhuar vetë kundërshtarët e tij më të mëdhenj. Tani, debati mbi postliberalizmin shtron pyetje të pakëndshme.
Nga Dr. Leander Scholz*[IPG, Berlin]
Mbi 30 vjet më parë, Armin Mohler, ish-sekretari Ernst Jynger [Ernst Jüngeri] dhe një nga ideologët pararendës të së Djathtës së Re, botoi një studim me titullin Kundër liberalëve (Gegen die Liberalen). Në të, ai parashikonte se e Djathta do të mund të shndërrohej në një forcë politike që duhej marrë seriozisht vetëm atëherë kur, në vend të së Majtës, do t’i konsideronte liberalët si kundërshtarët e saj kryesor. Një i djathtë që vazhdonte ta shihte veten në luftë kundër komunizmit, sipas tij, ishte i parrezikshëm. Ndërsa një i djathtë që luftonte liberalizmin mund të bëhej vërtet i rrezikshëm për partitë e establishmentit.
Nuk është rastësi që ky studim u botua në një kohë kur antikomunizmi i Luftës së Ftohtë tashmë ishte zbehur ndjeshëm dhe liberalizmi po shndërrohej në paradigmën mbizotëruese, si në politikën partiake, ashtu edhe në politikën ndërkombëtare. Ndër gabimet më të mëdha të dekadave që pasuan nuk ishte vetëm besimi se tashmë po niste një epokë pa ideologji, por edhe paaftësia për të kuptuar se një liberalizëm hegjemonik i prodhon vetë kundërshtarët e tij.
Sot, liberalizmi ndodhet në krizën më të rëndë që nga triumfi i tij në vitet 1990.
Sot, liberalizmi ndodhet në krizën më të rëndë që nga triumfi i tij në vitet 1990, dhe kjo në të gjitha nivelet. Më së voni që nga fillimi i luftës agresore të Rusisë kundër Ukrainës, rendi liberal botëror është përballur me një proces erozioni që duket i pandalshëm. Shpresat për një liberalizim në shkallë botërore, të cilat u përforcuan edhe më shumë me anëtarësimin e Republikës Popullore të Kinës në Organizatën Botërore të Tregtisë, nuk u realizuan. Në vend të rendit unipolar që u krijua pas rënies së Bashkimit Sovjetik, sot po shfaqen shenjat e fundit të Pax Americana-s (Paqia Amerikane).
Perëndimi është zgjuar në një botë krejtësisht tjetër nga ajo që kishte ëndërruar në fillim të globalizimit, më shumë se 30 vjet më parë. Aktualisht, gjeopolitika dhe gjeoekonomia po përcaktojnë perspektivat e një rendi botëror multipolar. Në pothuajse të gjitha vendet perëndimore janë konsoliduar partitë e orientuara djathtas, dinamika e të cilave lidhet me transformimet e thella të sistemit botëror. Dhe papritmas, përfaqësuesit e qendrës liberale shfaqen si ithtarë të një ideologjie të vjetruar.
Përballë dyshimeve nëse liberalizmi i modelit perëndimor është ende në gjendje t’u përgjigjet sfidave aktuale, prej disa vitesh, veçanërisht në SHBA, po zhvillohet një debat nën emërtimin postliberalizëm, i udhëhequr kryesisht nga mendimtarë konservatorë. Në qendër të tij qëndron bilanci i tri dekadave të fundit, gjatë të cilave liberalizmi arriti të vendosë epërsinë e vet jo vetëm në marrëdhëniet ndërkombëtare, por edhe në politikat shoqërore dhe ekonomike. Sot, shumë shoqëri paraqiten të polarizuara politikisht dhe të përçara nga një luftë kulturore.
Ndërkohë, liberalizimi shoqëror që nga vitet 1990 ose kremtohet si sukses i vetëvendosjes individuale, ose kritikohet si rrezik i shpërbërjes shoqërore. Në aspektin ekonomik, shumë ekonomi kombëtare ndodhen në një spirale rënëse, të karakterizuar nga rritja e vazhdueshme e borxhit dhe zvogëlimi i normave të rritjes ekonomike. Besimin te privatizimi dhe derregullimi tashmë e kanë zëvendësuar sërish kërkesat për një politikë industriale aktive dhe për përmirësimin e shërbimeve publike bazë.
Deri më tani, ky debat pothuajse nuk ka depërtuar në Republikën Federale të Gjermanisë, e cila që nga themelimi i saj është identifikuar me traditën e liberalizmit perëndimor dhe, në politikën ekonomike, i është përkushtuar ordoliberalizmit. Tani, me përmbledhjen studimore Postliberalizmi? Një debat transatlantik (Postliberalismus? Eine transatlantische Debatte), të botuar nën redaktimin e politologëve Veith Selk dhe Julian Nicolai Hofmann, kemi botimin e parë në gjuhën gjermane që ofron një pasqyrë të këtij debati. Vetë termi postliberalizëm dëshmon se nuk kemi të bëjmë me një rrymë të re dhe koherente të teorisë politike, por me një proces kërkimi dhe orientimi intelektual. Megjithatë, bëhet fjalë për një vënie radikale në pikëpyetje të shoqërisë liberale dhe të themeleve të saj. Kjo lidhet, jo më pak, me një zhgënjim të thellë, i cili aktualisht po shprehet aspak vetëm në skajet e spektrit politik. Ndërsa në debatet e orientuara majtas për deformimet e shoqërisë bashkëkohore fajësohet kryesisht neoliberalizmi, debati postliberal shkon shumë përtej kritikës ndaj ekonomizimit të shoqërisë.
Siç shpjegojnë redaktorët në parathënie, debati mbi postliberalizmin mbështetet në një diagnozë thelbësisht të ndryshme nga vlerësimi mbizotërues në kuadër të asaj që njihet si „lufta kundër së djathtës“. Sipas këtij këndvështrimi, demokracia liberale nuk ndodhet në krizë sepse po sulmohet me sukses nga forcat reaksionare, kundër të cilave ajo duhet të mbrohet me të gjitha mjetet. Përkundrazi, kriza e saj qëndron në faktin se vetë ajo i prodhon ato forca, të cilat vetëm në shikim të parë duken të jashtme ndaj saj. Në të vërtetë, kemi të bëjmë me një krizë të fitores. Sepse pikërisht në çastin kur liberalizmi arrin epërsinë, ai fillon të prodhojë gjithnjë e më shumë shpërbërje shoqërore dhe, kështu, lind të kundërtën e vet. Për rrjedhojë, shoqëritë liberale, në parim, nuk mund të jenë të qëndrueshme në afat të gjatë. Ato e shkatërrojnë kohezionin shoqëror dhe kanë pak mundësi për t’i integruar në mënyrë të qëndrueshme e kolektive ata që humbasin nga liberalizimi ekonomik dhe kulturor. Kur antagonizmi ndërmjet këtyre humbësve dhe fituesve të liberalizimit bëhet tepër i madh, krijohen kushtet për lindjen e antiliberalizmit.
Përmbledhja studimore përfshin si analiza të debatit, ashtu edhe kontribute të protagonistëve të tij. Ndër përfaqësuesit më të njohur është Patrick Deneen, politolog dhe profesor universitar në një universitet katolik në SHBA. Deneen vlerëson se shoqëria sot përballet me dy rryma iliberale: një të majtë dhe një të djathtë. Varianti progresist, sipas tij, shfaqet në të ashtuquajturën Cancel Culture (kultura e anulimit) dhe në politikën identitare të së Majtës. Në këtë rast, synohet t’u vështirësohet qasja në hapësirën publike qëndrimeve të padëshiruara, ndërkohë që qëndrimeve të grupeve të margjinalizuara synohet t’u sigurohet më shumë dukshmëri. Përmes këtij varianti progresist të iliberalizmit, Deneen shtron çështjen se si nga lufta për emancipim burojnë gjithnjë e më shumë praktika aktiviste, të cilat vështirë se mund të pajtohen me idealet e një shoqërie liberale. Ndryshe nga kritikët e tjerë të këtyre praktikave, përgjigjja e tij është se bindja politike sipas së cilës liria e shprehjes duhet kufizuar në emër të vetë lirisë, është e pranishme që në vetë liberalizmin klasik.
Nëse qendra liberale dëshiron t’i mbijetojë krizës së themeleve të saj intelektuale, ajo do të duhet të përballet me kritikën postliberale.
Ndërsa në debatin amerikan është e zakonshme që aktivistët e majtë të cilësohen si „marksistë kulturorë“ dhe t’u atribuohen, në përputhje me këtë, motive antiliberale, Deneen në praktikat e tyre diagnostikon shndërrimin e liberalizmit në iliberalizëm: „Larg të qenit në kundërshtim me parimet e liberalizmit klasik, një iliberalizëm i tillë është pasojë logjike e angazhimit qendror për të eliminuar të gjitha mbetjet e fundit të elementeve joliberale brenda shoqërisë.“
Sipas këtij interpretimi, përdorimi i mjeteve iliberale për ta realizuar plotësisht shoqërinë liberale është pasojë e ekzistencës së forcave konservatore të qëndrueshmërisë dhe rezistencës brenda shoqërisë, me të cilat liberalizmi nuk di të përballet ndryshe veçse duke i përjashtuar ato. Sipas Deneenit, kjo ka çuar në një tjetërsim gjithnjë e më të madh ndërmjet elitave liberale dhe segmenteve të caktuara të popullsisë, të cilat më pas janë orientuar drejt rrymave populiste. Meqenëse liberalizmi nuk është në gjendje t’i zgjidhë vetë këto probleme, sipas Deneenit nevojiten alternativa themelore, të orientuara në mënyrë të detyrueshme drejt së mirës së përbashkët.
Burimet e variantit të djathtë të iliberalizmit në Amerikë, Deneen i sheh te i ashtuquajturi Intellectual Dark Web (Rrjeti i Errët Intelektual). Aty janë mbledhur kryesisht burra të rinj, të cilët rebelohen kundër shoqërisë liberale, sepse në të shohin një formë jetese të zhveshur nga të gjitha pasionet heroike. Edhe këtu, sipas Deneenit, liberalizmi klasik luan një rol vendimtar. Shumica e këtyre aktivistëve të djathtë i referohen Friedrich Nietzsche-s, i cili liberalizmin e kohës së vet e çoi drejt një forme radikale të lirisë, e cila mund të realizohet vetëm përtej kufijve të shoqërisë. Me këtë përputhen edhe vizionet e skenës bashkëkohore teknologjike për shtete-ishuj lundrues dhe koloni në Mars. Në të dyja variantet, Deneen sheh forma të dekadencës liberale, të cilat, megjithatë, paralajmërojnë shfaqjen e një politike të re të përkatësisë komunitare.
Një meritë e madhe e redaktorëve është se e kanë bërë këtë debat të qasshëm edhe në gjuhën gjermane. Nëse qendra liberale dëshiron t’i mbijetojë krizës së themeleve të saj intelektuale, ajo do të duhet të përballet me kritikën postliberale dhe nuk mund të kufizohet vetëm në përsëritjen e vazhdueshme të të njëjtave përgjigje.
* Dr. Leander Scholz është filozof dhe shkrimtar. Ndër botimet e tij më të fundit janë: Qeverisja e natyrës. Ekologjia dhe rendi politik (Matthes & Seitz, 2022) dhe Kohezioni në diversitet. Mbi politikën e dukshmërisë shoqërore (Fondacioni Friedrich Ebert, 2023).
