Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari ka marr pjesë në punimet e konferencës së Kartës së Adriatikut A5, gjersa adresoi vizionin e Kosovës për të ardhmen e sigurisë rajonale, duke shtruar kërkesën zyrtare që Kosova të pranohet me të drejta të plota në Kartën e Adriatiku
Konferenca e Kartës së Adriatikut këtë vit është mbajtur në Zadër të Kroacisë nën drejtimin e Komandantit të komandës Amerikane për Evropë (EUCOM), Gjeneral Alexus G. Grynkewich dhe në mikpritje me partnerët nga Forcat e Armatosura Kroate, dhe me pjesëmarrjen e shefave të mbrojtjes nga Ballkani Perëndimor.
“Gjatë kësaj konference të nivelit të lartë, fokus i veçantë iu kushtua sfidave aktuale gjeopolitike dhe domosdoshmërisë për rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkan, si një garanci për stabilitet afatgjatë dhe paqe të qëndrueshme”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Në margjinat e konferencës, Komandanti i FSK-së zhvilloi takime të rëndësishme dypalëshe me liderë të lartë ushtarakë ndërkombëtarë, përfshirë Komandantin e EUCOM-it Gjeneral Alexus G. Grynkewich, dhe Zëvendëskomandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli (JFC Naples) Gjeneral Peter K. Scot.

Në këto takime u diskutua për thellimin e ndërveprueshmërisë mes forcave, koordinimin e përbashkët operacional dhe mbështetjen e vazhdueshme strategjike që aleatët euroatlantik ofrojnë për zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes.

Gjithashtu gjatë kësaj konference, Komandanti FSK-së u takua edhe me komandantin e Gardës kombëtare të Ajovas, Gjeneral Majorin Stephen Osborn ku u diskutua rritja e bashkëpunimit dhe forcimi i partneritetit mes dy forcave.

Gjatë fjalës së tij në konferencë, Gjenerallejtënant Jashari adresoi vizionin e Kosovës për të ardhmen e sigurisë rajonale, duke shtruar kërkesën zyrtare që Kosova të pranohet me të drejta të plota në Kartën e Adriatikut.
Ai ritheksoi se tranzicioni i suksesshëm i FSK-së dhe gatishmëria e saj për të kontribuar në misione ndërkombëtare e bëjnë vendin një partner të besueshëm dhe të natyrshëm, i cili meriton të jetë pjesë e plotë e të gjitha strukturave dhe iniciativave të sigurisë euroatlantike. [Rruga Press]
