6 maj 2026
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se Kosova dhe Turqia kanë nënshkruar Marrëveshjen e Bashkëpunimit Financiar Ushtarak, në një hap që synon forcimin e mëtejmë të kapaciteteve të sigurisë.
Sipas tij, marrëveshja është arritur gjatë një takimi me ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Yaşar Güler.
“Sot, së bashku me Ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Republikës së Turqisë, z. Yaşar Güler, nënshkruam Marrëveshjen e Bashkëpunimit Financiar Ushtarak ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë”, ka deklaruar Maqedonci.
Ai theksoi se kjo marrëveshje dëshmon nivelin e lartë të partneritetit ndërmjet dy vendeve.
“Marrëveshja përfaqëson një dëshmi të qartë të partneritetit tonë strategjik dhe të gatishmërisë së përbashkët për ta forcuar më tej bashkëpunimin në mënyrë konkrete dhe afatgjate”, u shpreh ai. [Mekuli Press]
