Nga Pietro Guastamacchia [EurActiv]
Pikat kryesore:
- Në Grupin e Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, nënsekretari amerikan i Mbrojtjes, Elbridge Colby, tha se aleatët duhet të përgatiten për një luftë më të gjatë: Rusia po shton trupat dhe po rrit kapacitetet e prodhimit; “nuk mund të parashikojmë se kur do të përfundojë kjo luftë tragjike”. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, paralajmëroi se vonesat kushtojnë jetë njerëzish dhe u bëri thirrje aleatëve të “thellojnë përpjekjet”.
- Mbretëria e Bashkuar: 100 milionë paund (116 milionë euro) përmes mekanizmit të NATO-s PURL për pajisje urgjente, përfshirë sistemet Patriot, përpara dimrit. Londra synon ende të dërgojë mbi 120.000 dronë këtë vit (rreth 25.000 janë dërguar tashmë). Gjermania: do të ofrojë sisteme Patriot PAC-2 dhe raketa AIM-9 nga rezervat e Bundeswehr-it, më shumë sisteme IRIS-T, si dhe do të financojë dhjetëra mijëra predha artilerie me rreze të gjatë veprimi përmes Mbretërisë së Bashkuar. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, tha se Rusia po godet infrastrukturën ndërsa fronti po lëviz shumë ngadalë dhe ndërsa afrohen sulmet ajrore dimërore.
- Ukraina: Evgeniy Khmara tha se Kievit i nevojiten rreth 300 raketa interceptuese Patriot për dimrin; mijëra të tjera janë kontraktuar, por nuk do të mbërrijnë para vitit të ardhshëm. Kërkesa është që aleatët t’i huazojnë sistemet Patriot nga rezervat e tyre tani, ndërsa Ukraina do t’i zëvendësojë ato sapo të mbërrijnë porositë e kontraktuara.
EurActiv — Aleatët duhet të përgatiten për një luftë të zgjatur në Ukrainë, paralajmëruan të martën Shtetet e Bashkuara, ndërsa sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u bëri thirrje vendeve të “thellojnë përpjekjet” dhe të rrisin mbështetjen ushtarake për Kievin.
“Nuk mund të parashikojmë se kur do të përfundojë kjo luftë tragjike”, deklaroi nënsekretari amerikan i Mbrojtjes, Elbridge Colby, në Grupin e Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës (UDCG). Rusia po forcon forcat e saj dhe po rrit prodhimin ushtarak, tha ai, duke u bërë thirrje aleatëve “të përgatiten për një konflikt më të gjatë”.
Rutte iu bashkua thirrjeve për mbështetje më të madhe, duke paralajmëruar se “vonesat thjesht kushtojnë jetë njerëzish”.
Ai u bëri thirrje aleatëve ta shtojnë mbështetjen. “Shtetet duhet të thellojnë përpjekjet. Nuk kemi zgjedhje tjetër, besoj.”
Këto paralajmërime erdhën në një kohë kur Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania njoftuan mbështetje të re ushtarake për Ukrainën, duke e vendosur të dyja mbrojtjen ajrore në qendër të kontributeve të tyre përpara dimrit.
Mbretëria e Bashkuar do të kontribuojë me 100 milionë paund (116 milionë euro) për nevojat urgjente ushtarake të Ukrainës, përfshirë raketa Patriot dhe pajisje të tjera të mbrojtjes ajrore. Financimi do të kanalizohet përmes Listës së Kërkesave të Prioritizuara të Ukrainës (PURL) të NATO-s, ndërsa dërgesat pritet të realizohen përpara dimrit.
Ministri britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting, tha se Britania e Madhe “nuk do të lëkundet” në mbështetjen e saj për Ukrainën. Mbretëria e Bashkuar po vazhdon gjithashtu angazhimin për të dërguar më shumë se 120.000 dronë këtë vit, përfshirë dronë interceptues, zbulues dhe sulmues; rreth 25.000 prej tyre tashmë janë dorëzuar.
Gjermania do të ofrojë raketa Patriot PAC-2, për të cilat ka nevojë urgjente Ukraina, si dhe raketa ajër-ajër AIM-9 nga rezervat e Bundeswehr-it, deklaroi ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius. Në të njëjtën kohë, ai u bëri thirrje edhe anëtarëve të tjerë të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës (UDCG) të ndërmarrin hapa të ngjashëm.
Berlini do të vazhdojë gjithashtu dërgesat e sistemeve të mbrojtjes ajrore IRIS-T dhe të raketave të drejtuara, si dhe do të financojë disa dhjetëra mijëra predha artilerie me rreze të gjatë veprimi, të cilat do të furnizohen përmes Mbretërisë së Bashkuar.
Pistorius paralajmëroi se Rusia po i drejton gjithnjë e më shumë goditjet e saj kundër infrastrukturës ukrainase dhe objektivave civile, ndërsa përparimet e saj në fushëbetejë mbeten të ngadalta. Ndërkohë, pritet që sulmet ajrore ruse të intensifikohen me rënien e temperaturave.
Ukraina ka vlerësuar se i nevojiten rreth 300 raketa interceptuese Patriot për t’i bërë ballë fushatës së pritshme ushtarake gjatë dimrit.
Duke folur në takim, ministri ukrainas i Mbrojtjes, Evgeniy Khmara, tha se Kievi ka kontraktuar mijëra raketa Patriot, por ato nuk do të mbërrijnë deri vitin e ardhshëm.
Khmara u kërkoi aleatëve që të vënë në dispozicion tani sistemet Patriot nga arsenalet e tyre ekzistuese, duke theksuar se Kievi është i gatshëm t’i zëvendësojë ose t’i rimbushë këto sisteme sapo raketat e kontraktuara të mbërrijnë. [Përktheu: ISHGJ]
