Nga Dr. Jorgji Kote
Gjatë këtij katërmujori spikatën dy fjalime të rëndësishme nga liderë perendimorë lidhur me realitetet e reja gjeopolitike të krijuara vitet e fundit dhe veçanërisht përparësinë që duhet t’i kushtojë Perëndimi dhe më konkretisht BE-ja shtimit të ndjeshëm të fuqisë politike, ushtarake dhe vendimmarrëse. Që të mos vazhdojë të jetë më, ashtu siç e përshkruante qysh në vitin 1991 ish Kryeministri belg Mark Ejkens “gjigand ekonomik, xhuxhmaxhuxh politik dhe krimb ushtarak”.
Nëse deri tani ka bërë si ka bërë falë aleancës shekullore me SHBA-të, kjo nuk mund të vazhdojë më kështu; ndryshe do të vihet në rrezik serioz mbijetesa e saj.
Fjalimi i parë i përket Kryeministrit të ri kanadez Mark Carney më 20 Janar në Davos të Zvicrës, kur ai paralajmëroi se “të vazhdosh kështu në një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla është iluzion; tash e tutje na duhet të veprojmë në një gjeopolitikë të mbizotëruar nga fuqitë mëdha, SHBA, Kina, Rusia, etj.”
Në po këtë linjë, më 9 Mars, në Bruksel, Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen në Konferencën e Ambasadorëve në Bruksel vuri gishtin mbi plagën e BE-së kur theksoi se ‘sot Europës i kërkohet një politikë e jashtme e fortë, e orientuar shumë më tepër nga Interesat. Europa nuk mund të jete më gardiane e rendit botëror të mbështetur në rregulla; ajo tani ka nevojë mbi të gjitha për fuqi ushtarake, se vetëm kështu do jetë në gjendje të mbrojë vlerat për të cilat u krijua”.
Vetëm se kjo nuk bëhet me retorikë, dëshira dhe samite pa fund; sidomos tani që po kërkohen vendime dhe veprime të shpejta dhe megjithatë BE-ja vazhdon të lëngojë nga burokracia e rënduar dhe me faza te pambarim bisedimesh.
Ashtu siç e thotë edhe gazetarja gjermane e çështjeve ndërkombëtare, Anja Wehler – Schöck tani është koha që Europa të bëhet shumë më e integruar politikisht dhe më e vendosur strategjikisht. Duke u ndërgjegjësuar më në fund se Morali, Vlerat dhe Paqja nuk mund të mbrohen dot më pa patur edhe fuqinë e duhur ushtarake.
Në fakt, forca strategjike materializohet institucionalisht, duke u mbështetur në politika efektive dhe të përbashkëta mbrojtëse. Më konkretisht, sipas ekspertëve dhe përvojës së deritanishme, me qëllim që së shpejti ajo të kthehet në një Bashkim dhe fuqi të madhe Mbrojtëse, BE-ja duhet të përballojë këto pesë sfida kryesore.
Së pari, të heqë dorë sa më shpejt nga parimi i unanimitetit në politikën e jashtme, duke e zëvendësuar me shumicën e cilësuar, çka është bërë ulëritëse. Kësisoj, do të zbatohen më shpejt sanksionet dhe masat e tjera të fuqisë europiane si në rastin e Ukrainës.
Një Union që nuk bën dot një hap më tej se nuk do njeri apo tjetri nuk mund të shpalosë dhe as të imponohet me fuqinë e tij shtrënguese dhe detyruese.
Së dyti, krijimi dhe forcimi i Këshillit të Sigurisë Europiane, si organ i përhershëm, ku të jenë shtetet e mëdha, ndërsa më të voglat të përfaqësohen sipas sistemit të rotacionit; kjo do të përmirësonte dhe përshpejtonte aftësitë reaguese të BE-së.
Së treti, Europa ka nevojë urgjente për një industri të përbashkët ushtarake dhe jo të fragmentarizuar si deri tani, kur ajo ka standarde dhe objektiva të ndryshme; për pasojë, këto linja të dyfishta i dobësojnë kapacitetet ushtarake të BE-në.
Së katërti, rritja e ndjeshme e fuqisë së BE-së kërkon që ajo të realizojë sa më shpejt pavarësinë dhe sovranitetin strategjik në fusha të tilla kyçe si energjitika, lëndët e para kritike, metalet e rralla, teknologjinë dixhitale dhe infrastrukturën.
Dhe sfida e fundit por jo më pak e rëndësishmja, Europa duhet të ndërmarrë shumë lëvizje dhe demarshe diplomatike për të përzgjedhur dhe shtuar koalicionet e të vullnetshmëve. Fjala është për aleanca të pjesshme, të përkohshme, për tematika dhe interesa të ndryshme, si klima, tregtia e lirë, IA-ja, terrorizmi dhe migracioni.
Në fakt shumë nga këto propozime kanë vite që diskutohen, mirëpo interesat kombëtare të vendeve anëtare e kanë frenuar vazhdimisht përparimin në këto fusha jetike. Politikat e vogla e të ndara industriale të vendeve më të vogla rrezikojnë të ardhmen e përbashkët lidhur me projektet e armatimit; një dështim i tillë, megjithë premtimet dhe demarshet e panumurta është sistemi gjermano-francez- spanjoll i avionave luftarakë modernë FCAS që ka ngecur në vend.
Sa i takon fuqisë politike të BE-së, kjo është në varësi të disa aktorëve dhe faktorëve me peshë. Këtu vlen të theksohet se pas zgjedhjeve të kërtij muaji në Hungari dhe në Bullgari që për BE-në përfuduan në barazim 1:1, në vitin 2027 do të zhvillohen zgjedhjet e reja parlamentare në Poloni dhe ato presidenciale në Francë, dy vende të mëdha dhe tejet të rëndësishme gjeopolitisht. Dihet se e djathta ekstreme po synon të rikthehet në Varshavë dhe të fitojë edhe në Francë.
Kjo do të ishte fatale për BE-në në terma politikë. Sidomos Franca, e cila është e vetmja fuqi bërthamore me rol jetik për mbrojtjen e BE-së. Pa Parisin, përgjegjësinë dhe rolit e tij drejtues, politika e përbashkët europiane e sigurisë nuk do të ishte as a mundur dhe as e imagjinueshme.
Edhe në Spanjë djathtistët e‘Vox’ po fuqizohen dhe fitorja e tij në zgjedhjet e ardhëshme parlamentare nuk duket më e pamundur. Për pasojë, meqenëse ekstremi i djathtë është në pushtet në Itali, Suedi, Hungari dhe Sllovaki, fitorja e homologëve të tyre do të zmadhonte ndjeshëm grupin bllokues ekstremist edhe në Bruksel, në dëm të forcave të moderuara.
Edhe jashtë BE-së, gjendja nuk paraqitet fort premtuese as në Britani, fuqia tjetër bërthamore në Europë dhe bashkë me Francën Anëtare e Përhershme e KS të OKB-së. Sipas sondazheve, ‘Reform UK’ është përpara laburistëve dhe konservatorëve.
Këto dhe të tjera zhvillime jo të favorshme po ndodhin në momente kur Europa do të duhet t’i mbrojë edhe e vetme vlerat me interesat e saj, nga brenda dhe nga jashtë. Sepse një BE e përçarë nga brenda nuk mund të projektojë dhe të tregojë forcë dhe pushtet as jashtë vendit.
Ja pse çështja nëse Europa mund të kthehet në një fuqi të vërtetë politike dhe ushtarake është ekzistenciale për të ardhmen e saj.Këtu Europa nuk ka pse të vendosë vija ndarëse midis Moralit dhe Fuqisë, sepse të dyja tani duhet të shkojnë bashkë, të pandara dhe në mbështetje të njera tjetrës.
Ndërkohë, një sfidë dhe objektiv tjetër i domosdoshëm për BE-në dhe jashtë saj është nxitja dhe përshpejtimi i partneriteteve me vendet e tjera; këtu me shumë rëndësi ishte nënshkrimi i tregtisë së lirë me vendet e MERCOSURI-t, edhe pse për të u deshën plot 25 vite e megjithatë ende nuk është ratifikuar. Europa duhet të ndërgjegjësohet akoma më tepër se kundërshtarët dhe konkurentët e saj shfrytëzojnë çdo mosmarrëveshje brenda saj, duke i shtuar ato në interes të tyre.
Në këto kushte, si nga BE-ja ashtu dhe nga vendet e tjera liberale që konsiderohen Fuqi të Mesme kërkohet që të diversifikojnë marrëdhëniet e tyre ekonomike, të ndërtojnë dhe forcojnë kapacitetet ushtarake dhe partneritetet edhe me vendet e Jugut Global. Vetëm se në bashkëpunimin me ta do mbajtur parasysh se vendet perendimore nuk duhet të mbështeten më shumë te vlerat dhe parimet se sa te interesat dhe bashkëpunimi në projekte në fushën ekonomike, infrastrukturë, etj.
Lajmi jo i mirë është se këto vende, përfshirë dhe ato me pluralizëm politik, si Brazili, Argjentina, India dhe Afrika e Jugut nuk e kanë më në “ menunë” e tyre politike demokracinë, shtetin e të drejtës dhe në përgjithësi standardet perendimore. Dhe nuk pranojnë mësime apo receta nga askush.
Ideja e Kryeministrit kanadez Carney për Fuqitë e Mesme dhe pârtneritetet e tyre me vende të tjera jashtë fuqive të mëdha është e drejtë në parim, mirëpo, zbatimi i saj në prak tikë ndeshet me sfida dhe pengesa serioze, sepse krijimi, siç po kërkohet i autonomisë strategjike të Fuqive të Mesme do të kushtojë shumë shtrenjt sidomos në këndvështrimin politik dhe demokratik.
Themi kështu sepse këtu bëhet fjalë për marrëdhënie apo edhe aleanca, qoftë edhe të pjesshme e të përkohshme me rregjime jo liberale dhe autoritare ose me “demokraci me bishta”.
Natyrisht, këto aleanca do të bëhen nga “ halli dhe jo nga malli”. Kështu, Kanadaja do të forcojë marrëdhëniet me Pekinin, si reagim ndaj kërcënimeve tarifore të SHBA-ve dhe Presidentit Trump të cilat prekin shumë Kanadanë.
Mirëpo, duke lidhur marrëveshje të tilla me fuqi të mëdha joliberale, si me Kinën, Turqinë, etj do të jetë e vështirë që t’u bëjnë kritika apo ca më pak t’i qortojnë ato si deri dje lidhur me shkeljen e të drejtave të njeriut apo qëndrimet ndaj Tajvanit.
Pra, nga njera anë lajmi i mirë është se një autonomi më e madhe strategjike nëpërmjet diversifikimit të lidhjeve ekonomike me vendet e tjera i shmang deri në një farë mase kërcënimet amerikane dhe e shton hapësirën manovruese tregtare kundrejt SHBA-ve;nga ana tjetër, me partnerë joliberalë ajo do të jetë e kufizuar.
Të njëjtat pasoja do të kenë vendet e BE-së, Kanadasë dhe Britanisë së Madhe edhe me shtete të tjera që bëjnë pjesë të G-20, si Indonezia, Egjipti, Arabia Saudite, etj. Sepse rregjimet e atjeshme autoritare jane tejet të ndjeshëm dhe refraktarë ndaj kritikave, si nga brenda ashtu edhe nga jashtë.
Ca më tepër kur BE-ja dhe vende të tjera liberale në disa raste krizash janë të varur prej tyre në terma gjeopolitikë, si në rastin me Turqinë e cila krahas kapaciteteve të mëdha ushtarake, ka strehuar 4 milionë refugjatë nga Libia pas dështimit të Pranverës Arabe.
Në të tilla raste, Fuqitë e Mesme dhe BE-ja do detyrohen “ të bëjnë njerin sy qorr dhe njerin vesh shurdh” ose ndryshe “ t’i thonë derrit dajë”! Kjo është realpolitika e pamëshirshme!
Ndaj, sipas Lars Brozus, zv.Drejtor i Grupit Kërkimor për Çështjet Globale në Fondacionin Politik dhe Shkencor në Berlin, ashtu si rendi ndërkombëtar i mbështetur në rregulla, edhe aftësitë manovruese të “ fuqive të mesme” në “ një orkestër” me rregjime liberale dhe autoritare mund të rezultojnë në një iluzion.
Sepse regjimet joliberale parapëlqejnë një politikë nacionaliste dhe shoviniste, e cila bazohet vetëm në shprehjen e interesave ose sugjerimeve të ndryshme dhe të përfshira në luftën e brendshme partiake. Ndërsa rregjimet liberale e zhvillojnë tregtinë mbi bazën e standardeve kombëtare dhe sipas rregullave ndërkombëtare.
Atëhere natyrshëm lind pyetja nëse është dhe a mund të kthehet në alternativë ky ‘ Koncert i fuqive të mesme? Ca më tepër se numri i tyre është i kufizuar, madje edhe vetë katakteri i tyre i lirë dhe liberal po kufizohet dhe kërcënohet sidomos nga brenda nga ekstremi i djathtë që propagandon nacionalizmin dhe shovinizmin.
Ndaj, nisur nga sa sipër, ideja e “ koncertit të fuqive të mesme “ mund të rezultojë edhe kundraproduktive sepse regjimet joliberale mund të bëhen kundërshtues.
Ja pse në të tilla kushte, parimi udhëheqës duhet të jetë: Normalizim dhe Kujdes.
Çka do të thotë se demokracitë liberale duhet të tregojnë shumë kujdes në bashkëpunimin e tyre me vendet e tjera autoritare dhe joliberale, në mënyrë që të kenë sa më pak pasoja negative nga fuqitë e mëdha. [DITA]
