Nga Dr. Selim IBRAIMI
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç lëshoi kritika të ashpra kundër Turqisë, pasi ajo vendosi të dërgojë dronë specialë në Kosovë. Turqia dorëzoi mijëra dronë “Skydagger” në Kosovë tre muaj përpara afatit. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç akuzoi Turqinë për shkelje të Kartës së OKB-së dhe Rezolutës 1244, duke pretenduar se ajo kërkon të ringjallë ambiciet osmane dhe të minojë stabilitetin e Ballkanit. “Serbia është një vend i vogël, por ne e kemi kuptuar qartë mesazhin!”- shkroi presidenti serb Vuçiç në rrjetin X. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani e vlerësuan lartë dërgesën ushtarake për forcimin e vetëmbrojtjes së Kosovës, ndërsa Vuçiçi më vonë i zbuti kritikat ndaj Turqisë.
Raportet në mes Turqisë dhe Serbisë historikisht kanë qenë të zhvilluara në mes interesave ekonomike dhe ushtarake. Para vitit 2000 raportet në mes dy shteteve ishin në një nivel të ultë përshkak të luftërave në ish- hapësirën jugosllave e për tu ngritur më vonë pas rrëzimit nga pushteti të Sllobodan Millosheviqit. Presidenti turk Rexhep T. Erdogan gjatë një vizite zyrtare në Serbi (2024), theksoi potencialin që ekziston për bashkëpunim në industrinë e mbrojtjes. “Turqia dhe Serbia duhet të punojnë së bashku për të rritur bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes, duke siguruar paqen dhe stabilitetin në rajon.”- tha presidenti Erdogan.
Po ashtu para mbritjes së dronëve, presidenti Vuçiç e ka vlerësuar Turqinë si “fuqinë më të madhe në Ballkan” me optimizëm për thellimin e lidhjeve me Turqinë në fushën e mbrojtjes dhe në ekonomi. Turqia dhe Serbia kanë nënshkruar dhjetra marrëveshje bashkëpunimi që kanë për qëllim forcimin e lidhjeve në fusha të ndryshme, duke përfshirë energjinë, tregtinë, teknologjinë, mbrojtjen etj. Në këtë drejtim, Këshilli i Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë të Turqisë dhe Serbisë i krijuar në vitin 2017 ka për qëllim të forcojë më tej këtë bashkëpunim. Gjatë vitit 2022, Mevlut Çavusoglu, ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, e vizitoi Serbinë dy herë. Vizitat e zyrtarëve të lartë turk, tregojnë për marrëdhënie stabile në mes dy shteteve e jo përkeqësim të raporteve.
Tregtia dypalëshe arriti në 1.73 miliardë euro në vitin 2021, me investimet turke në Serbi që arritën në total mbi 220 milionë euro deri në vitin 2021, kryesisht në energji, ndërtim dhe prodhim. Sipas bazës së të dhënave “Comtrade” të OKB-së, eksportet e Turqisë të armëve, municioneve dhe pjesëve në Serbi ishin 13.84 milionë dollarë gjatë vitit 2024. Gjatë vizitës së fundit të presidentit turk Erdogan në Serbi, (2024), portali serb NIN në Beograd, raportoi se Turqia është partneri i katërt më i madh i importit të Serbisë dhe partneri i 14 më i madh i eksportit në gjysmën e parë të vitit 2024, me një tregti të jashtme totale midis dy vendeve që arrin në rreth 1.4 miliardë euro. Eksportet serbe arritën në total 416.9 milionë euro, ndërsa importet arritën në 974.9 milionë euro.
Marrëdhëniet serbo-turke pavarësisht reagimeve serbe janë në nivel të lartë si asnjëherë më parë. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, Turqia ka luajtur një rol vendimtar në rajonin e Ballkanit me mbështetje financiare dhe ushtarake, duke përfshirë Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Kosovën etj. Turqia ka qenë pjesë aktive e sulmit ushtarak të NATO-s në vitin 1999 kundër Serbisë, dhe ka marrë pjesë në misionet paqeruajtëse në Kosovë dhe në rajon. Për rastin e fundit, Turqia nuk reaguar zyrtarisht, por qeveria e Kosovës e mbrojti blerjen e dronëve nga Turqia. Dronët nuk janë të destinuara për forcat e KFOR-it por për të rritur aftësinë mbrojtëse të Forcavë të Sigurisë të Kosovës (FSK) përballë rreziqeve që vijnë jo vetëm nga Serbia.
Turqia është kryesuesja në rotacion e komandës së KFOR-it në Kosovë që nga tetori i viti 2023 duke vendosur trupa ushtarake paqëruajtëse në brezin kufitarë në mes Kosovës dhe Serbisë. Edhe pse presidenti serb Vuçiç dhe ai i punëve të jashtme, Gjuriç, kanë akuzuar Turqinë dhe Kosovën; Serbia, të paktën në dekadën e fundit, ka ndjekur një blerje të avancuar armësh nga Perëndimi, Kina, Rusia, Izraeli dhe vende të tjera, gjë që e bën Serbinë blerësin më të madh të armëve dhe gjithashtu furnizuesin në rajon. Kështu reagimet serbe nuk janë konsideruar si të vëmendshme nga KFOR-i dhe BE-ja, pasi Serbia ka thelluar paktet ushtarake me shtetet mike duke pranuar armë. Analistë në rajon thonë se reagimi serb duhet parë në dritën e boshtit ushtarak Shqipëri-Kosovë-Kroaci e cila alarmoi Serbinë në verë. Analistët thonë se Serbia i sheh gjërat nga këndi i armiqësive të vjetra. Reagimi serb duhet parë më shumë edhe si rrjedhojë e zhvillimeve të brendshme politike se sa një tensionim i vërtetë i raporteve me Turqinë.
Vëzhgues të tjerë thonë se deklaratat e fundit të zyrtarëve serb, pikërisht dëshmojnë përpjekjet serbe për të njëllosur Kosovën si keqdashëse e cila sipas Beogradit “rrezikon stabilitetin rajonal dhe pakicën serbe në Kosovë”. Turqia dhe Serbia kanë pasur një histori të ngatëruar gjatë sundimit të Perandorisë Osmane. Pas Betejës së Maricës (1371), pushtimi osman ishte i pandalëshëm. Serbia nga një mbretëri u detyrua të kaonte në pozitën e një shteti vasal e deri në një pushtim të plotë nga Perandoria Osmane. Gjendja kulmoi me dobësimin e osmanëve në Evropë dhe në Ballkan ku krynegritjet kundër osmanëve kishin shpërthyer nga të gjitha anët. Kryengritjet serbe (1804–1817) dhe më pas ato ballkanike, mbyllën një etapë të varësisë së shteteve ballkanike nga Perandoria Osmane e cila shkonte drejt shpërbërjes. Deri në shekullin e 14, Serbia u shfaq si një fuqi rajonale nën Dinastinë e Nemanjëve, duke arritur kulmin e saj nën mbretërinë e Stefan Dushan
it. Para vitit 1370, lidhjet osmano-serbe ishin të dobëta. Morën një hov të madh gjatë shekullit 20 me uljet dhe ngritjet e veta. Pakënaqësitë historike në mes shteteve fqinjë në Ballkan dhe faktorë të tjerë kanë ndikuar në sjelljen e Serbisë ndaj Kosovës, dhe mund të themi dhe për rolin e Turqisë në Ballkan. Pavarësisht reagimeve serbe, në raportet serbo-turke ka dominuar pragmatizmi e shumë më pak lidhjet tjera. Nga ky këndvështrim duhet parë ngjarjet e fundit në raportet serbo-turke. Ndryshe lufta serbe ndaj Kosovës, pavarësisht qëllimit të dronëve, do të vazhdojë brenda dhe jashtë rajonit. Në fund, uebsajti i kompanisë “Baykartech” ofron detaje mbi kapacitetin e dronëve “Skydagger” me ngarkesë (2–5 kg), rreze veprimi (10 km), kohë fluturimi (36 minuta) dhe me shpejtësi (130 km/orë).