INTERVISTË ME MARK PALNIKAJN, STUDIUESIN DHE HULUMTUESIN E ARKIVAVE TË VATIKANIT E DISA TË TJERAVE
Historiografia shqiptare, me gjithë arritjet e deritashme, ka një rënie në fushat me rëndësi, si: Historia e Lashtë dhe ajo e Mesjetës, gjuha dhe arkeologjia
Lexuesve të librit “Shqiptarët në luftë me islamin global” ua rikujtoj se Mark Palnikaj ka bërë e bën hulumtime dhe zbulime të vazhdueshme në arkiva të ndryshme në Itali, si në Arkivin e Shtetit në Venecia (Archivio di Stato di Venezia); në Arkivin e librave dhe dokumentave antike në Padova (Biblioteca Antica del Seminario Vescovile di Padova); në Arkivin ASSC (Arkivi Historik dhe Biblioteka Shtëpia e Shenjtë) në Loreto; në Bibliotekën Komunale (Biblioteca Civica “Romolo Spezioli “) në qytetin e Fermos; në APF (Archivio Storico di Propaganda Fide) në Romë; në ARSI (Archivum Romanum Societatis Iesu) në Vatikan; ASV (Archivio Segreto Vaticano); në Bibliotekën Apostolike (Biblioteca Apostolica Vaticana); në Arkivi i Manastirit të Grotaferratës (Archivio monastico dell’Abbazia territoriale di Santa Maria di Grottaferrata); në Arkivin e Shtetit në qytetin e Napolit (Archivio di Stato di Napoli); në BNL, arkivin e Bibliotekës Kombëtare në Napoli (Biblioteca Nazionale di Napoli ). Palnikaj ka kryer kërkime edhe në AQSH (Arkivi Qëndror i Shtetit Shqiptar); në arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendëshme të Shqipërisë dhe në disa arkiva kishtare dioqezane. Ka marrë nga Arkivi Sekret i Vatikanit dhe nga Arkivi i Propagandës Fide në Vatikan disa mijëra faqe dokumente arkivore me rëndësi të madhe për historinë e Kosovës dhe aktualisht po punon për publikimin e tyre në gjuhën shqipe.
I nderuar Mark Palnikaj, ka kohë që jeni mjaft aktiv në studimet historike, zbulimet e dokumenteve në arkiva të ndryshme. Prej nga ju lindi ideja që me kaq këmbëngulje të vazhdonit me hulumtimet dhe studimet e tilla?
Mark Palnikaj: Kam vënë re një indiferentizëm të pa lejueshëm të studiuesve të angazhuar në administratën kishtare shqiptare dhe të studiuesve të institucioneve shtetërore si akademitë, institutet kërkimore dhe shkencore në Shqipëri e Kosovë për publikimin e dokumenteve me rëndësi fondamentale për historinë e kombit tonë. Studiuesit tanë janë kthyer në “studiues bibliotekash” ku punimet e tyre i bazojnë mbi referenca nga botimet e studiuesve kryesisht të huaj dhe jo mbi dokumente autentike arkivore. Sipas mendimit tim, heroi i studimeve të dokumenteve për historinë tonë është studiuesi Injac Zamputi, i cili në kushte shumë të vështira dhe presion politik të vazhdueshëm ka publikuar në dyzet vite aq dokumenta sa kanë publikuar të gjithë studiuesit e tjerë të kombit shqiptar gjatë gjithë historisë sonë.
Megjithë punën kolosale që kreu në katër dekada, ai nuk u vlerësue me grada dhe tituj shkencorë, etj, as me tituj nderi nga qeveria dhe presidentët e shtetit shqiptar.
Pa u lodhur shumë, unë zbulova se kishin mbetur pa u publikuar dokumente me rëndësi të jashtëzakonshme për historinë tonë që ruheshin nëpër arkivat perëndimore por edhe ato osmane që ishin tërësisht shkrime dore, mjaft të vështira për t’u lexuar nga publiku i gjërë.
Prandaj ia fillova të publikoj disa dokumente të pa publikuara që mua më dukeshin me rëndësi të madhe. Deri tani kam publikuar rreth tre mijë faqe dokumente dorëshkrime, kryesisht nga arkivat italiane.
Keni shkruar shumë libra të fushës së historiografisë shqiptare, megjithëse përgatitja juaj shkollore ishte inxhinieria…? Çka ndikoi që të merreshit me studimet historike?
Mark Palnikaj: Deri tani kam botuar rreth gjashtëdhjetë tituj librash. Pjesa më e madhe e tyre i përket profesionit tim si inxhinier dhe aty kam qenë i suksesshëm, mbasi kam shitur mbi tetëdhjetë mijë kopje të botimeve të mia. Shitjet e librave kanë qenë burimi kryesor i të ardhurave për të mbajtur familjen time.
Unë tani jam shtatëdhjetë e dy vjeç dhe kam një bibliotekë personale me më shumë se gjashtë mijë tituj. Krijimin e bibliotekës sime e kam filluar në vitin 1964, në moshën dhjetë vjeçare. Në bibliotekë kam shumë libra që nuk i kanë as bibliotekat kombëtare në Tiranë dhe në Prishtinë.
Ka qenë fati im që qysh nga mbarimi i shkollës së lartë në vitin 1978 dhe deri sot, pa shkëputje kam qenë mësimdhënës në të gjitha nivelet arsimore, që nga kurset e kualifikimit deri në universitetet e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Ky fakt, më ka mbajtur tërë jetën në kontakt me librin dhe kam lexuar mijëra libra nga lami të ndryshme të dijes.
Duke vënë re se studiues të ndryshëm po shkruajnë histori me legjenda urbane, pa u mbështetur në dokumente dhe po bëjnë gabime të palejueshme, mbas moshës dyzet e pesë vjeçare fillova të shkruaj libra me karakter historik, të mbështetura mbi dokumente arkivore. Është kjo arsyeja që kam një numër të madh ndjekësish dhe admiruesish të punës sime.
Arkivat e thonë të vërtetën ashtu siç ishte, e jo siç duan të tjerët që ajo të jetë…Si studiues e hulumtues i arkivave të përmendura, çka zbuluat?
Mark Palnikaj: Gjatë studimeve të mia, kam vënë re gabime trashanike të bëra nga studiues shqiptarë dhe të huaj ku bëhet fjalë për veriun e Shqipërisë ku bën pjesë edhe zona ime Nikaj Mërtur. Ka qenë ky shkaku kryesor që u jam futur studimeve, duke u mbështeur në burime arkivore për të hedhur poshtë këto trillime dhe gabime trashanike të studiuesve para meje. Edhe indiferenca e institucioneve shtetërore shqiptare për studimin e historisë së Shqipërisë Verore, ku unë përfshij edhe Kosovën, më ka nxitur të merrem me këtë punë. Kjo indiferencë e institucioneve ka ardhur si rezultat i “pushtimit” të instutucioneve zyrtare me personel nga zonat jugore të vendit dhe marrja në punë në këto institucine e një numri të papërfillshëm të studiuesve nga veriu.
Mbasi fillova të merrem me arkivat, vura re se dokumentet arkivore për vendin tonë vetëm sa ishin cekur. Shikohej vetëm maja e aisbergut, kurse pjesa kryesore ndodhej nën ujë. Nga arkivat italiane ishin publikuar një numër dokumentesh nga arkivat e Vatikanit dhe të Venecias dhe fare pak nga arkivat e tjera si: të Milanos, Padovës, Trentos etj. Por gjatë kërkimeve këmbëngulëse, miqtë e mi nga Italia më orientuan se arkivat komunale të komunave dhe qyteteve italiane dhe arkivat dioqezane të ndryshme fshehin thesare që presin të publikohen nga studiuesit shqiptarë. Kjo gjë kërkon punë këmbëngulëse dhe të organizuar nga institucionet shtetërore në Shqipëri dhe Kosovë, mbasi studiuesit privatë e kanë të pamundur të mbulojnë shpenzimet për ekspeditat kërkimore në këto arkiva. Rreth një mijë faqe të publikimeve të mia i kam kryer në arkivat komunale të qyteteve si: Fermo, Maçerata, Todi, Grotaferrata etj.
Ti tashmë ke një pranim të madh në opinionin publik dhe shkencor shqiptar për hir të hulumtimeve dhe fakteve historike që i keni bërë publike, fakte e dëshmi që nuk njiheshin deri tash. Cilat dëshmi historike keni dëshirë që të njihen ma shumë nga opinioni publik?
Mark Palnikaj: Mbas intervistave televizive në podkaste dhe televizione të ndryshme që kam dhënë, numri i ndjekësve dhe dashamirëve të punimeve të mia është shtuar shumë. Për një periudhë të caktuar kohe kam qenë i fokusuar mbi çdo fakt historik të pa publikuar për historinë e kombit tonë, ku bëhet fjalë për të gjitha trojet, ku flitet shqip në Ballkan.
Tani jam fokusuar në publikimin e dokumenteve që në arkivat italiane mbulojnë Dioqezën Shkup- Prizren ose e thënë në mënyrë më të kuptueshme për lexuesit tanë, për historinë e popullit shqiptar në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovën Lindore.
Arsyeja kryesore që e kam zgjedhur këtë prioritet është fallsifikimi i paskrupullt dhe shpifjet e turpshme të studiuesve nga Serbia në dëm të shqiptarëve dhe për përballimin e një ekspansioni fetar turko-islamik që po vihet re, në mënyrë të theksuar, mbas vitit 1999, kur Kosova u çlirua nga pushtimi njëqindvjeçar serbosllav.
Historiografia shqiptare përgjithësisht dhe ajo e Kosovës në këtë vështrim, ku janë, çka kanë bërë në shkrimin e historisë shqiptare, ku kanë arritur?
Mark Palnikaj: Historiografia shqiptare megjithë arritjet që ka patur, mbas vitit 1990 është e çorganizuar dhe ka një rënie të palejueshme të studimeve zyrtare në fusha me rëndësi si: historia e lashtë dhe ajo e mesjetës, gjuha, arkeologjia dhe disa sektorë me rëndësi. Institucionet tona shtetërore në Shqipëri dhe në Kosovë nuk janë përqëndruar sa duhet në kërkimet nga disiplinat arkeologjike. Kjo gjë sjell një parregullsi që i shkakton dëm çështjes kombëtare. Historiani dhe studiuesi nuk duhet të ndikohet as nga politika e as nga feja, por vetëm studiues i të vërtetave që dalin nga dokumente arkivore autentike. Studiuesit e ndryshëm kanë lirinë akademike në zhvillimin e studimeve të tyre, por institucionet zyrtare duhet të kenë orientime të qarta drejt politikave kombëtare dhe duhet t’i orientojnë studiuesit e tyre që paguhen me bujari nga buxheti i shtetit, për të sjellë për botim vepra dinjitoze në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaj.
Ti nuk je historian me përgatitje profesionale, por vepra jote i tejkalon arritjet shkencore të shumë historianëve, pasi ndërlidhet me hulumtimin për të vërtetën e zbulimin e saj, duke hulumtuar nëpër arkiva për periudha të ndryshme historike. Si hulumtues dhe zbulues i të vërtetave të fshehura, çka ta merr mendja se nuk kemi ditur si komb për vetvetën?
Mark Palnikaj: Nga mesjeta deri në vitin 1960, veprat e shkruara nga studiues shqiptar për historinë tonë kanë qenë minimale dhe të një rëndësie të vogël. Nga ky pohim bëjnë përjashtim veprat e Barletit, Buzukut, Budit, Bardhit, Bogdanit, Fan Nolit, Faik Konicës dhe një numër i paktë punimesh të tjera.
Burim kryesor për historinë dhe historianët tanë kanë qenë studimet e studiuesve të huaj, me kombësi kryesisht kroate, austriake, hungareze, gjermane, franceze, angleze, italiane etj.
Studiuesit tanë padrejtësisht i kanë vlerësuar në maksimum këta studiues dhe studimet e tyre edhe pse ato kanë qenë të mbushura plot me gabime, të cilat po dalin në dritë përditë nga sudiuesit e vemendshëm shqiptarë.
Sipas gjykimit tim, punimet e studiuesve të huaj, përveçse si kronika për ato që ata kanë parë dhe kanë shkruar konkretisht, në më të shumtën e rasteve kanë të meta serioze.
Nuk ka asnjë kuptim që një studiues serioz nga Tropoja për shembull, ti referohet Franc Nopçës, Edit Durhamit dhe disa studiuesve të tjerë që kanë shkruar për zonën tonë dhe të mos thellohemi në studime arkivore për të shkruar për të kaluarën tonë.
Po sjell një shembull nga shumë të tillë që kam hasur: Një studiues italian ka shkruar se fisi im Nikaj, ka ardhur aty ku është sot në vitin 1200, duke gabuar jo me një e dy por me 350 vjet. Ky është një gabim i pafalshëm që tani duhet ilustruar me shumë dokumente arkivore për t’u hedhur poshtë. Shto këtu edhe fallsifikimet serbe dhe të tjerëve për historinë tonë që Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastriotin në shkrimet e tyre e bëjnë serb, grek, kroat etj.
Tani që arkivat janë të hapura pothuajse në të gjithë botën, institucionet tona duhet të zgjohen nga gjumi dhe shtetet tona duhet të japin me bujari fondet e mjaftueshme që studiuesit të mund t’i kryejnë studimet e tyre me rregullsi dhe saktësinë e nevojshme.
Disa islamistë mundohen ta paraqesin islamin si “depërtim paqësor” në kohën e Perandorisë Osmane, duke mos dashur t’i shohin gjenocidet e mëdha të asaj perandorie, sidomos ato të udhëhequra nga Sulltan Mehmeti II Fatihu, pushtuesi i Shkodrës, Tivarit, Novo Brdes (Artanës), Prishtinës etj. Sipas shumë dëshmive historike, ky sulltan gjakatar me “askerët” (ushtarët) e tij ka bërë gjenocid të tmerrshëm ndaj arbnorëve. Megjithatë Xhamia e Shkodrës e udhëhequr nga Muhamed Sytari, ajo e Prishtinës etj, e mbajnë emrin e këtij njeriu të gjenocideve të shumta ndaj paraardhësve tanë. Si shpjegohet kjo? Si harresë historike, apo si dyzim për shkak të propagandave islamike?
Mark Palnikaj: Kjo që thoni ju është e vërtetë. Për islamizimin e dhunshëm të popullsisë autoktone shqiptare kanë shkruar kronikanët turq, kronika të cilat po publikohen edhe në gjuhën shqipe këto vitet e fundit. Kanë shkruar edhe autorë europianë. Kam botuar disa libra me të dhëna autentike për islamizimin e dhunshëm të shqiptarëve, duke i ngulur në hu dhe masakruar në forma të tjera të përbindëshme. Ka edhe qindra mijë relacione të ruajtura në dorëshkrim që sjellin mijëra fakte për islamizimin e dhunshëm. Islamizimi i popullsisë i ka sjellur këto të këqija kombit tonë:
Bashkë me ndërrimin e fesë, që për mendimin tim nuk është e keqja kryesore, duhej ndërruar gjuha dhe kombësia. Shqiptari i islamizuar nuk quhej më shqiptar por turk. Gjuha shqipe ishte ndaluar të flitej nga ata që ndërronin fenë. Për pesqind vjet pushtuesi turk nuk hapi as nuk lejoi të hapeshin shkolla shqipe, që mendoj se është dëmi më i madh që Perandoria Osmane i ka shkaktuar kombit tonë. E keqja thellohet me lejimin, pa asnjë pengesë në vendet me popullsi shqiptare, e hapjes së shkollave serbe, greke dhe bullgare. Identitetin shqiptar e ruajtën me sakrifica mbinjerzore popullsia katolike e Shqipërisë së Veriut. Gjuha shqipe mbijetoi si rezultat i ndihmës së madhe që dhanë Vatikani dhe Perandoria Austro-Hungareze, të cilat gjatë gjithë kohës së pushtimit turk sponsorizuan shkollimin e shqiptarëve në vendet e tyre, botimin e veprave në gjuhën shqipe jashtë Shqipërisë dhe hapjen e shkollave në gjuhën shqipe në popullsinë katolike shqiptare. Mjafton të përmend këtu botimin në vitin 1555 të Mesharit në gjuhën shqipe, në vitin 1574 të Doktrinës së Krishterë në gjuhën shqipe, në vitin 1592 të librit të Lek Matrengës në gjuhë shqipe, në vitin 1618 të botimit të Doktrinës në gjuhën shqipe nga Pjetër Budi, të hartimit të gramatikës shqipe nga Ndre Bogdani në vitin 1650, të botimit, në vitin 1635, të Fjalorit latinisht – shqip të Frang Bardhit, të botimit në vitin 1685 të librit të Pjetër Bogdanit “Çeta e Profetëve” dhe disa veprave të tjera. Mbas vitit 1690, shkrimet në gjuhën shqipe dhe botimet shqip janë shtuar. Me ndihmën e Papa Klementit XI, në vitin 1711 është hapur në San Pietro di Montorio në Romë Katedra e Gjuhës Shqipe, e cila ka qëndruar e hapur për 160 vjet, duke i sjellë dobi të madhe ruajtjes dhe përhapjes së gjuhës shqipe.
Tani, megjithëse kemi rreth 115 vjet që e kemi shpallur pavarsinë nga Turqia, vazhdon një pushtim i heshtur me mjete propogandistike, me anë të fesë, me sponsorizimin e mijëra xhamive në Shqipëri dhe Kosovë, me botimin e librave me mashtrime për historinë tonë, me publikimin pa ndërprerje të serialeve televizive me propagandë proturke, me përhapjen e veshjeve fetare si burka për femrat shqiptare, duke paguar shuma të mëdha parashë, për t’i mbajtur dhe forma të tjera të pushtimit ideologjik. Në Shqipëri dhe Kosovë veprojnë në mënyrë legale organizata fetare që bëjnë politikë antikombëtare në dëm të kombit tonë dhe qeveritë e të dy vendeve tona janë të paafta t’u tregojnë vendin për mbylljen e aktivitetit të tyre dhe përzënien nga dy shtetet shqiptare.
Thjeshtë, Mark Palnikaj, sipas të dhënave arkivore që ia ke bërë të njohura publikut e lexuesit shqiptar, a e morën me dëshirë apo me dhunë një pjesë e shqiptarëve islamin?
Mark Palnikaj: Pa asnjë diskutim islamizimi i shqiptarëve u bë me disa forma të dhunës. Mbas pushtimit, ata që mundën u larguan nga Shqipëria për në vende të tjera duke krijuar komunitete me banorë, që sot quhen arbëresh. Ata që kapeshin vriteshin me prerje koke, kurse gratë, vajzat dhe fëmijët merreshin si skllevër dhe trajtoheshin në mënyrat më mizore. Këto që them unë provohen edhe nga kronikat e kronistëve turq.
Ata që pranuan islamizimin “vullnetarisht”, konsideroheshin turq dhe kishin privilegje të shumta. Kjo ka sjellë që gjatë pesqind vjetëve 36 kryeministra dhe shumë oficerë e zyrtarë shtetërorë, qeveritarë provincash në Perandorinë Osmane kanë qenë me origjinë shqiptare. Ky veprim ka qenë një mënyrë djallëzore e përdorur nga pushtuesi turk për islamizimin e shqiptarëve, pasi ata për qëllimet e tyre karrieriste ishin të interesuar që të bënin turqizimin e vendeve që sundonin.
Ju jeni nga krahina e Nikaj – Merturit, andaj kisha pasur dëshirë të jepnit një shpjegim të hollësishëm të islamizimit dhe të shpërnguljeve të shqiptarëve nga ajo anë, pasi edhe të parët e familjes sime, me gjasë para afro 300 vitesh janë shpërngulur nga rrethinat e Pukës apo të Nikaj-Merturit, duke u vendosur në Tomoc të Istogut.
Mark Palnikaj: Fiset Nikaj dhe Mërtur e kanë patur të sanksionuar në kanunin e hartuar prej tyre që askush nuk mund të islamizohej dhe të banonte brenda fisit. Zakonisht popullsitë kudo në Shqipëri përdorin betime të ndryshme, për të qenë të besueshëm në ato që thonë. Në këto dy fise, deri në vitin 1970, mund të dëgjoje burra duke u betuar me fjalën “Ham dre fenë si paça (ma marrtë dreqi fenë që kam)” ose “Sha fenë (pasha fenë)”. Pra beja për fenë ishte be që konsiderohej shumë e madhe.
Për katër shekuj, në zonën Nikaj Mërtur nuk u ndërtuan zyra komune, posta policie ose xhandarmarie, si dhe asnjë xhami. Për këtë, banorët e Nikaj-Mërturit kanë paguar kosto mjaft të madhe. Sipas relacioneve të dërguara nga priftërinjtë në Vatikan, “këta banorë jetojnë të lirë dhe nuk bëjnë asnjë lloj negociatë që cënon fenë e tyre”.
Duhet pranuar se një pjesë e konsiderueshme e popullsisë së shpërngulur nga Nikaj dhe Mërturi në vende të tjera janë asimiluar duke u kthyer në muhamedanë, por shumica e kanë ruajtur kujtimin e origjinës së tyre.
Serbët pikërisht këto lëvizje të “pikës së ujit” nga liqeni i madh i një populli, janë munduar t’i shpjegojnë si “zënie të tokave të serbëve”, pasi pikërisht në atë kohë ka ndodhur “Velika Seoba Srba” apo siç quhet “Shpërngulja e Madhe Serbe”. Edhe në atë “shpërngulje të madhe serbe”, të shpërngulurit ishin shqiptarë sipas shumë të dhënave historiografike…Si e sheh ti në bazë të hulumtimeve arkivore gjithë këtë “lojë me historinë” nga ana e serbëve?
Mark Palnikaj: Historianët serbë janë të njohur botërisht si nacionalistë dhe fallsifikatorë të historisë. Ata kanë akademitë dhe institutet e tyre, që financohen me shumë bujari nga shteti dhe nga kisha ortodokse serbe. Ata shkruajnë pa pushim libra në gjuhën e tyre dhe në gjuhë të huaj, për të bindur botën se shqiptarët ua kanë zënë “djepin”. Ata Kosovën e konsiderojnë “djepin e Serbisë” dhe sipas atyre, “kur kanë ardhur ata në shekullin e shtatë në Ballkan, Kosova ka qenë një xhungël e pabanuar, pa qytete, pa fshatra, pa miniera dhe ata i kanë ngritur të gjitha nga e para. Absurditeti i studiuesve serbë arrin deri aty sa Skenërbeun dhe Kostandinin e Madh i quajnë serb. Si mund të quhet serb Kostandini i Madh që ka jetuar në shek. IV dhe serbët këtu kanë ardhur në shek. VII. Këtë gjë vetëm mendja e sëmurë e akademikëve serbë mund ta spjegojë.
Si studiues i arkivave, madje nga një krahinë historike me nam në histori, si e sheh ti islamizimin e kombit pas vitit 1999, meqenëse une si gazetar mjaft i pranishëm përpara luftës, nuk e kam vërejtur fare islamizimin e tillë dhe askush në atë kohë nuk përmendte përkatësi religjioze, por vetëm kombëtare…?
Mark Palnikaj: Mbas vitit 1999 unë nuk shoh islamizim, por ekspansion të dhunshëm politik, financiar, shoqëror, duke shfrytëzuar gjendjen e mjerueshme të shumë familjeve në Shqipëri dhe në Kosovë. Qeveritë e dy shteteve shqiptare janë treguar të pa afta për t’i treguar vendin këtij ekspansioni. Më vjen keq ta pohoj, segmente të caktuara në të dyja qeveritë bëhen bashkëfajtore me këto politika regressive dhe antikombëtare. Qeveritë po e dëmtojnë çështjen kombëtare edhe me qëndrimin indiferent të tyre.
Disa nga librat tuaj i kam lexuar, sidomos më kanë bërë përshtypje monografia për Bajram Currin dhe libri “Skënderbeu, letërkëmbimi me sulltanët”. Bajram Curri, sipas kësaj monografie të bazuar në fakte e dëshmi historike, del një person tjetër, një atdhetar i pastër e me preokupime shqiptare në kohën e vet. Letërkëmbimi i Gjergj Kastiotit me sulltanët e Perandorisë Osmane e paraqet para të gjithash si një burrë të ditur e jo vetëm një luftëtar të madh ndaj pushtimit osman. Po ashtu, me monografinë për Bajram Currin, e bëni publike “jetën e fshehur” të një tribuni të madh të atdhedashurisë. A ia keni arritur qëllimit që shqiptarët ta njohin edhe me shumë veten përmes këtyre figurave të mëdha të historisë, apo duhet edhe më shumë punë për të dhënë shembuj të tjerë?
Mark Palnikaj: Faleminderit për këtë pyetje. Gjergj Kastrioti që është Heroi ynë Kombëtar nuk po vlerësohet siç duhet nga qeveritë në Kosovë e Shqipëri.
Në Kosovë disa buste të Gjergj Kastriotit, si dhe të disa personaliteteve të tjerë janë dhunuar dhe askush nuk është vënë para përgjegjësisë për këto akte. Në televizionet e Kosovës shahen publikisht flamuri kombëtar, Gjergj Kastrioti dhe Shën Tereza dhe askush nuk dërgohet para drejtësisë për të dhënë llogari për këto qëndrime.
Në Tiranë ka ndodhur që gjatë vizitës së një udhëheqësi turk, busti i Gjergj Kastriotit është hequr nga punonjësit e Gardës së Republikës, për të mos i mbetur hatri “mikut” nga Turqia.
Sa për Bajram Currin, ai dhe Hasan Prishtina janë atdhetarët prijësa të luftës për çlirim kombëtar më të pa njollë në gjithë veprimtarinë e tyre politike. Tani është liria e fjalës dhe dëgjojmë shpesh zëra që i shajnë. Më ka shqetësuar fakti që me rastin e 100 vjetorit të vrasjes së Luigj Gurakuqit dhe të Bajram Currit as në Tiranë dhe as në Prishtinë nuk u organizua asnjë aktivitet përkujtimor. As Universiteti “Luigj Gurakuqi” në Shkodër nuk pati mirësinë të organizojë një takim përkujtimor për Luigj Gurakuqin, pa le më Bashkia Shkodër. Qeveria jo e jo. Bashkia e qytetit të Barit, me datën 2 mars 2025 organizoi një takim zyrtar përkujtimor për Luigj Gurakuqin në vendin ku ai u vra njëqind vjet më parë.
Për Bajram Currin kam organizuar me mjetet e mia një takim dinjitoz në Akademinë e Shkencave në Tiranë dhe një në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë, por në të dyja rastet, zyrtarë shtetërorë nuk kanë qenë as të pranishëm. Në vendin ku është vrarë Bajram Curri, në Dragobi, shoqatat atdhetare, pa pjesëmarrjen e asnjë organizmi shtetëror, kanë organizuar me 29 mars 2025 një takim përkujtimor.
Në fshatin Krushë e Madhe afër Prizrenit, me fondet e komunës është ndërtuar një muze dinjitoz në vendin ku ka lindur Bajram Curri. Gjej rastin t’i falënderoj donatorët e vendit ku u ndërtua ky muze dhe personelin e komunës për seriozitetin, me të cilin u ndërtue ky objekt historik.
Më në fund, në tetor të vitit 2025, Akademia e Shkencave e Kosovës, ka organizuar një simpozium për jetën dhe veprimtarinë e Bajram Currit. I përshëndes me përzemërsi për këtë angazhim.
Nga përcjellja e veprimtarisë tënde shkencore – hulumtuese, del se ti Mark Palnikaj je vullnetar në punën tënde shkencore nëpër arkiva, punë që, sipas teje, nuk është përkrahur nga Akademia e Shkencave e Tiranës e as nga ajo e Prishtinës? Pse ndodhë kjo, kur dihet se ka historianë që “u ka shkue jeta” nëpër institucione akademike – shkencore, duke mos bërë ndonjë vepër të vlerësuar shkencore…?
Mark Palnikaj: Unë kërkimet historike nëpër arkivat europiane i kam kryer me shpenzimet e mia dhe me dëshirën time.
Institucionet që ju përmendni nuk më kanë asnjë borxh. Qeveritë në Tiranë dhe Prishtinë kanë organizmat dhe rregullat e veta se si duhen organizuar kërkimet, si duhen bërë pagesat, nga duhet të vijnë fondet dhe unë nuk u jam ofruar për t’u bërë pjesë e tyre.
Ajo që mund të them unë në këtë përgjigje është: Disa herë më kanë pyetur në arkivat italiane se përse institucionet shqiptare, ndryshe nga ato të të gjithë botës, nuk dërgojnë studiues për të tërhequr dokumente historike.
Kjo pyetje akoma nuk e ka një përgjigje.
Faleminderit, Mark Palnikaj !
Tiranë më 2 prill 2026
Intervistoi: Gjergj – Bajram Kabashi
