Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Në një kohë kur partitë serioze përpiqen të ndërtojnë vizion, program e besim qytetar, duket se një pjesë e elitës së LDK-së ka zbuluar më në fund formulën revolucionare të ringjalljes politike: filtrat e Inteligjencës Artificiale.
Fundja, pse të merresh me elektoratin real kur mund ta prodhosh një elektorat virtual?
Për vite të tëra, LDK-ja pretendonte se trashëgimia rugoviane ndërtohej mbi seriozitet institucional, mbi maturinë politike dhe kulturën shtetformuese. Sot, në epokën e “hyperrealitetit” digjital, duket se kjo trashëgimi po modernizohet: tani stabiliteti institucional matet me rezolucionin e fotografisë, ndërsa mbështetja popullore me kapacitetin e softuerit për “crowd expansion”.
Shkodrani ynë Pjetër Marubi, themeluesi i studios së famshme “Marubi”, do të ndihej krenar. Ose i tmerruar.
Sepse kemi hyrë në fazën ku fotografia nuk dokumenton më tubimin politik; ajo e shpik atë. Në këtë univers të ri paralel, sallat mbushen më shpejt në server sesa në terren. Aktivistët shumëfishohen algoritmikisht. Entuziazmi renderohet me GPU. Ndërsa kriza politike kurohet me pak “shkëlqim”, pak “kontrast” dhe shumë “përmirësim/ndërhyrje me IA”.
Në këtë pikë, problemi i LDK-së nuk është më mungesa e votuesve. Problemi është se partia rrezikon të besojë vetë propagandën e vet digjitale. Dhe ky është niveli më i lartë i vetmashtrimit politik: momenti kur subjekti nuk manipulon më vetëm publikun, por fillon të manipulojë edhe vetveten.
Në fund të fundit, një parti që ndihet organikisht e lidhur me qytetarët nuk ka nevojë ta zgjerojë turmën me Inteligjencë Artificiale. Ajo mjaftohet me njerëzit realë. Vetëm partitë që kanë hyrë në krizë ekzistenciale kanë nevojë të mbushin boshllëkun politik me pikselë.
Dhe ironia është se brezi i ri e dallon këtë manipulim më shpejt sesa vetë strategët e propagandës. Të rinjtë sot mund të mos lexojnë Shekspirin a Kadarenë-in, por e njohin menjëherë erën e “fake-it”. Ata e kuptojnë instinktivisht kur fotografia është më e fryrë se vetë projekti politik.
Prandaj përdorimi obsesiv i IA-së nuk po e shpëton LDK-në nga kriza; përkundrazi, po e ekspozon atë. Sepse sa më shumë retushohet fotografia, aq më shumë bëhet e dukshme zbrazëtia që po përpiqet të fshehë.
Në planin e komunikimit politik ky veprim mund të lexohet si simptomë e një psikologjie defensive — madje edhe si formë e dorëzimit simbolik përpara betejës reale elektorale.
Kur një parti politike fillon të investojë më shumë energji në prodhimin artificial të perceptimit sesa në mobilizimin real shoqëror, ajo zakonisht de fakto dëshmon se po përballet me një krizë të thellë të vetëdijes politike. Në këtë kuptim, përdorimi i fotografive të manipuluara apo të “amplifikuara” nuk është vetëm propagandë estetike; ai mund të interpretohet si përpjekje për të kompensuar intuitën e brendshme të humbjes.
Në rastin e Lidhja Demokratike e Kosovës, problemi bëhet edhe më dramatik për shkak të peshës historike që pretendohet se kjo parti kishte në ndërtimin e pluralizmit shqiptar në Kosovë. Pikërisht për këtë arsye, çdo kalim nga realiteti politik drejt simulimit digjital perceptohet jo vetëm si krizë elektorale, por si shenjë e konsumimit historik të një modeli të tërë politik.
Ironia është se sa më shumë elita aktuale e LDK-së përpiqet të projektojë madhështi përmes inteligjencës artificiale, aq më shumë mund të krijojë përshtypjen e një partie që e ndien se energjia reale nuk i mjafton më. Në psikologjinë politike kjo quhet “kompensim simbolik”: kur subjekti politik fillon të ndërtojë versione estetike të forcës pikërisht sepse nuk ndihet më realisht i fortë.
Dhe këtu lind perceptimi i “dorëzimit”: jo dorëzim formal politik, por dorëzim psikologjik ndaj realitetit elektoral. Sepse partitë që besojnë në fitore zakonisht kërkojnë kontakt me realitetin. Kurse partitë që intuitivisht ndiejnë humbjen shpesh fillojnë të strehohen në realitete të kuruara vizualisht.
Në këtë kuadër, ajo që mund të thuhet me bukur tonacion racional në prag të 7 qershorit, kur qytetari do të thotë fjalën e tij, është se LDK-ja tashmë po bën hapin vendimtar të marshit drejt stivimit të saj në “sirtarët e historisë”.
Partitë masive, të shtrira në popull për një periudhë që për shumëçka cilësohet si historike, rrallë zhduken menjëherë. Rrjedhimisht ekziston një rrezik real që ajo të kalojë nga statusi i forcës që është cilësuar nga një pjesë e qytetarëve si formësuese e shtetit në statusin e një simboli nostalgjik të së kaluarës — një lloj muzeu politik i epokës rugoviane, pa kapacitet real për të prodhuar energji të re shoqërore.
Kjo tashmë po ndodhë në këtë krah të habitatit politik shqiptar. Historia politike nuk të falë talljen me popull – ajo din të jetë edhe mizore me subjektet që ngatërrojnë kujtesën historike me kapitalin aktual politik. Trashëgimia, qoftë ajo edhe krejtësisht pozitive, si ajo e ndërlidhur me emrin e Rugovës apo me kryevlerën tonë politike – UÇK-në, mund të ruajë respektin moral, megjithatë ajo nuk garanton më relevancën elektorale.
Në fund mbetet vetëm pyetja filozofike: a po përdor LDK-ja Inteligjencën Artificiale për të manipuluar elektoratin, apo për të mos e parë vetë realitetin?
Sepse një gjë është e sigurt: Inteligjenca Artificiale mund ta rrisë turmën në fotografi, por ende nuk ka arritur të gjenerojë autenticitet politik.
