Nga Dan GASHI, Njujork
Ideja për shkëmbim territoresh me Serbinë, e paketuar herë si “korrigjim kufijsh”, herë si “Veri për Preshevë”, e herë si “realizëm gjeopolitik”; ka qenë dhe mbetet një nga diversionet më të rrezikshme të pasluftës. Kjo ide nuk ishte kurrë projekt paqeruajtës, as përpjekje për konsolidim shtetëror, por një ndërmarrje diversive e Beogradit për të minuar shtetësinë e Kosovës, duke u shërbyer nga “patriotë” që në vend të mbrojtjes së vendit, firmosnin si noterë të planeve të huaja.
Ngjarjet e marsit 2004 shpalosën skenarin e orkestruar nga shërbimet serbe, të ndihmuar nga matrapazët e patriotizmit që kërkonin rrëmujë për t’u rilançuar si “faktorë argumentues” të idesë së ndarjes. Në thelb, marsi 2004 ishte projekt strategjik i Serbisë për t’i treguar botës se shqiptarët “nuk dinë të menaxhojnë vendin” dhe për t’ia hapur derën idesë së shkembimeve territoriale.
Koha dëshmoi se projekti i shkëmbimit të territoreve i iniciuar së fundmi nga lidershipi i Serbisë, Shqipërisë dhe Kosovës ishte i gabuar. Iniciativa kishte nisur shumë më herët nga kreu i “qeverisë së përkohshme” në shtatorin e largët të vitit 1999, kur Kosova ende digjej dhe kullonte gjak. Për ta bërë këtë diversion edhe më makabër, u përdorën madje edhe fonde nga Kosova për të promovuar këtë ide tek miqtë tradicionalë të Serbisë në Evropë.
Që atëherë, diskursi për ndarjen e Kosovës nuk u trajtua më si tabu, por si “opsion i diskutueshëm”.
Sot dihet qartë se si nisi kjo logjikë e rrezikshme dhe kush e ndali kur ajo erdhi në buzë të realizimit.
Por pasojat u reflektuan me intensitet dhe ambiguitet tē theksuar diplomatik me:
1. Ndërprerja e procesit të njohjeve
Shtetet që po shqyrtonin njohjen e Kosovës e pezulluan procesin. U krijua përshtypja se vetë elita jonë politike nuk ishte e sigurt për kufijtë e vendit. E dihet, në diplomaci paqartësia është destruktive dhe efektet u panë qartë.
2. Rreziku i legjitimimit ndërkombëtar të një teme të varrosur diplomatikisht
Nocioni i shkëmbimit hyri në fjalorin diplomatik të disa kancelarive si “opsion i mundshëm”, ”potencial diplomatik”. Serbia arriti ta zhvendosë fokusin nga agresioni i saj historik drejt një “zgjidhjeje kreative territoriale të pranueshme” nga dy palēt pēr të “mbyllë pergjithēmonē konfliktin shekullorē serbo- shqipētarē”
3. Hapja e derës për modele boshnjake
Diskutimi për ndarje e shtyen vendin kah kantonizimi dhe fragmentimi etnik, pikërisht modeli që e la Bosnjën në ngërç të përhershëm institucional.
4. Përçarja e brendshme politike
Ideja e shkëmbimit u përdor si luftē për pushtet të brendshëm, duke e zbehur nevojën për një front të përbashkët kundër rrezikut.
5. Shtimi i pretendimeve serbe
Serbia kuptoi se me pak turbullim dhe disa ndihmës të brendshëm, mund t’i rikthente pretendimet e vjetra për “territore serbe” në Kosovë.
Ndarja e Kosovës nuk e mbyll konfliktin; ajo e riprodhon atë në forma më të rrezikshme dhe më të paparashikueshme për shtetin, duke e dobësuar dhe zbehur pavarësinë.
Kosova u ngrit me gjak, luftē, sakrificë dhe vullnet kolektiv.
Kufijtë e saj nuk janë monedhë këmbimi dhe as pazare gjeopolitike.
Prandaj kjo ide duhet luftuar gjithmonë me mendje të kthjellët, me penë të fortë, me diplomaci të urtë dhe me vendosmëri shtetformuese.
