Nga Dr. Agim A. Krasniqi
Kosova ndodhet sot në momentet më të ndjeshme të historisë së saj të pasluftës. Kriza politike që ka shpërfaqur pamundësinë për të formuar qeverinë në raundin e parë të votimit, ka krijuar situatë të pazakontë, ku vendimet duhet të merren jo mbi baza partiake, por mbi baza kombëtare. Presidentja e Republikës, duke ushtruar kompetencat kushtetuese, i ka besuar Glauk Konjufcës mandatin për formimin e qeverisë, pas situatës ku Albin Kurti nuk arriti sigurimin e votave të mjaftueshme. Ndërsa Kuvendi, po hyn në një fazë të re politike, Kosova përballet me detyrimin historik për të zgjedhur drejtimin e saj të ardhshëm.
Nuk është thjesht proces parlamentar ai që po zhvillohet: është përballja mes asaj që është Kosova sot dhe asaj që duhet të bëhet nesër. Në këtë moment kritik, si studiues dhe publicist, e shoh të domosdoshme të parashtroj idenë që deri tani është nënkuptuar, por jo artikuluar: mundësinë e krijimit të koalicioni mes Vetëvendosjes dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Koalicioni i tillë, i parë nga jashtë, mund të duket i pazakontë, por i analizuar në kontekstin e interesit shtetëror, shfaqet si opsioni më funksional dhe më i dobishëm për stabilitetin dhe orientimin kombëtar të vendit.
Kjo ide, nuk është thjesht konfigurim numerik brenda Kuvendit, në fakt është bashkim i tri dimensioneve politike dhe intelektuale që sot përfaqësojnë shtyllat më të forta të orientimit shtetformues në Kosovë: moralit politik të Albin Kurtit, guximit të provuar të Ramush Haradinajt dhe thellësisë filozofike ta zëmë të akademik Rexhep Qosjes. Këto tri përmasa, të marra së bashku, krijojnë formulën e pazakontë, por të domosdoshme, të qeverisjes së arsyes.
Vetëvendosja, nën drejtimin e Kurtit, ka përfaqësuar moralin politik në mënyrë të paprecedentë. Me qasje anti-korrupsion, me insistim mbi transparencën, me vendosmëri në dialogun me Serbinë dhe me refuzim të strukturave të cilat e cenojnë sovranitetin e Kosovës, Kurti e ka rikthyer dinjitetin shtetëror në diskursin politik. Megjithatë, morali, sado i pastër të jetë, ka nevojë për forcë dhe guxim në momente kur vendimet janë të rënda dhe presionet diplomatikë janë të mëdha.
Kjo e sjell në skenë Ramush Haradinajn, liderin që ka dëshmuar guxim të papërkulur në mbrojtjen e interesave shtetërore. Qasja e tij për ushtrinë, sigurinë dhe veriun e vendit ka qenë e qartë dhe e pandryshuar. Haradinaj ka treguar se kur është fjala për shtetin e Kosovës, ai nuk njeh lëkundje. Ky lloj guximi është i nevojshëm në rrethana të jashtëzakonshme kur shteti duhet të ruajë stabilitetin dhe të mos bie në kurthe diplomatike.
Por morali dhe guximi nuk mjaftojnë pa dimensione tretë: mendimin e thellë historik dhe filozofik. Akademik Rexhep Qosja përfaqëson këtë dimension. Ai ka qenë gjithmonë zëri që ka këmbëngulur se politika nuk mund të shkëputet nga historia; se Kosova nuk mund të ndërtojë të ardhmen pa e parë në sy të kaluarën e padrejtë që ka kaluar; se vendimet e mëdha politike duhet të gjejnë rrënjë te identiteti dhe përvoja kombëtare. Në kohën kur Kosova është e ekspozuar ndaj presioneve për Asociacione me fuqi të zgjeruara, për autonomi funksionale apo për lëshime të rrezikshme territoriale, përmasa e mendimit të Qosjes është më e rëndësishme se kurrë.
Qeveria e cila do t’i bashkonte këto tri dimensione, moralin e Kurtit, guximin e Haradinajt dhe mendjen e Qosjes, do të ishte qeveri e identitetit kombëtar, e qëndrueshmërisë dhe e interesit të pastër shtetëror. Qeveri që nuk do të trembej nga presioni, që nuk do të anonte drejt kompromisit të dëmshëm, që nuk do të luante me sovranitetin e vendit si monedhë shkëmbimi. Kjo është arsyeja pse ideja e koalicionit VV–AAK duhet të merret seriozisht, jo si zgjidhje teknike e krizës të përkohshme, por si strategji kombëtare për stabilitet dhe vizion.
Në këtë moment, kur Serbia vazhdon të punojë me instrumentet e saj të destabilizimit në veri; kur presionet ndërkombëtare rriten; kur tensionet e brendshme politike nuk ofrojnë siguri; kur Kuvendi dhe qeveria rrezikojnë të hyjnë në spiralen e bllokadës, Kosova ka nevojë për qeveri të fortë, të qartë dhe të përbërë prej njerëzve që e vendosin shtetin para partisë.
Koalicioni Vetëvendosje–AAK nuk është bashkim i pamundur. Ai është bashkim i vështirë, por kritik. Në historinë politike të popujve të vegjël, aleancat që shpëtojnë shtetet nuk janë ato që lindin natyrshëm, por ato që ndërtohen me vetëdije kombëtare. Sot, Kosova gjendet pikërisht në këtë fazë.
Kosova ka hyrë në epokën ku historia nuk toleron gabime dhe ku politika duhet të ngrihet mbi interesat e ngushta. Koha e improvizimeve ka përfunduar. Vendi ka nevojë për qeveri që e sheh shtetin si amanet, jo si pasuri; si përgjegjësi, jo si karrierë. Qeveria e cila bashkon moralin, guximin dhe mendjen, janë tri armët më të fuqishme me të cilat ka mbijetuar ky popull.
Nëse Kurtit i besohet integriteti, Haradinajt guximi, e Qosjes mendja, atëherë bashkimi i këtyre tri energjive do të ishte akti më i madh shtetëror i dekadës. Dhe pikërisht tani, kur Glauk Konjufca mban mandatin e së ardhmes në dorë, ai nuk duhet të mendojë si politikan, por si burrë shteti. Kosova nuk ka nevojë për zgjidhjen më të lehtë, por për zgjidhjen më të drejtën.
Shtetet shpëtohen nga ata që dinë të bashkohen në momente të vështira. Koha për këtë bashkim ka ardhur. Ky është çasti i arsyes së re. Dhe nëse Kosova e kap këtë moment, atëherë tri ditët e ardhshme nuk do të jenë thjesht procedurë, por do të shënojnë fillimin e epokës së re, më të mençur dhe më kombëtare për vendin tonë.
