Nga Dr. Selim IBRAIMI
Meqenëse SHBA-të kanë qenë në ballë të demokracisë për më shumë se gjysmë shekulli, ardhja e presidentit Donald Tramp në janar të vitit 2025 ka çuar në ndryshime të rëndësishme. Vende të tjera në qytetërimin perëndimor, veçanërisht vendet e BE-së, kanë marrë udhëheqjen në demokraci duke promovuar nisma të reja në fushën e demokracisë dhe qëndrueshmërisë. Përpjekjet e BE-së në këtë drejtim nuk janë vetëm veprime boshe. Evropa është vendlindja e demokracisë, të cilën vendet e tjera mund ta marrin si shembull.
Rënia e SHBA-së në udhëheqjen e demokracive të tjera e ka shtyrë BE-në të ndërmarrë më shumë nisma për të mbrojtur demokracitë e vjetra dhe të reja, veçanërisht në Ballkan, Evropën Lindore dhe, natyrisht, në vendet e BE-së, të cilat janë një model bazë për vendet e tjera. Nismat e fundit të BE-së do ta bëjnë Evropën më të fortë dhe më të aftë për të mbrojtur vlerat dhe normat e saj.
Projekti i BE-së pas Luftës së Ftohtë, siç e dimë të gjithë, ishte anëtarësimi i ish-bllokut komunist lindor, anëtarësimi i Ballkanit në BE, një monedhë e vetme, një treg i përbashkët ekonomik, politika të përbashkëta në diplomaci dhe mbrojtje dhe shumë më tepër. Detyra e BE-së për të ikuadruar ish-bllokun komunist nuk ka qenë e lehtë.
Vendet e BE-së i kanë ndihmuar demokracitë e reja, me qartësi dhe mbështetje politike, të qëndrojnë dhe të luftojnë deri më tani, në një epokë kur Rusia ka përmbysur normat në dekadën e fundit, dhe SHBA-të kanë treguar shenja rënieje dhe mungesë interesi për të udhëhequr demokracinë globale. Por në këto kohë të vështira, BE-ja e ka treguar veten si një lidere e padiskutueshme në qëndrueshmërinë demokratike. Së fundmi, Komisioni Evropian (KE), ka paraqitur nismën “Mburoja e Demokracisë Evropiane”, duke përcaktuar një sërë masash konkrete për të fuqizuar, mbrojtur dhe promovuar demokraci të forta dhe elastike në të gjithë BE-në dhe jashtë.
“Mburoja e Demokracisë Evropiane” dhe “Strategjia e BE-së për Shoqërinë Civile”, paraqesin masa për të mbrojtur shtyllat kryesore të sistemeve demokratike, duke filluar nga zgjedhje të lira, media të lira dhe të pavarura, shoqëri civile, dhe institucione të forta demokratike. Presidentja e Komisionit Evropian Ursla von der Leyen pas promovimit të idesë tha: “Demokracia është themeli i lirisë, prosperitetit dhe sigurisë.
Nisma “Mburoja e Demokracisë Evropiane” do të përforcojë elementët kryesorë që u lejojnë qytetarëve të jetojnë vlerat tona të përbashkëta demokratike çdo ditë duke filluar nga liria e fjalës, media e pavarur, institucione elastike. Kjo është forca e Evropës dhe ne duhet të rrisim kapacitetin tonë kolektiv për ta mbrojtur atë në çdo kohë.” Por çfarë në të vërtetë është “Mburoja e Demokracisë Evropiane”? “Mburoja e Demokracisë Evropiane”, ka për qëllim të rrisë kapacitetin e përgjithshëm të shteteve për të luftuar manipulimin e informacionit dhe dezinformimin, dhe për të forcuar rezistencën demokratike përmes një qasje aktive.
Sipas njoftimit të KE-së, “Mburoja e Demokracisë Evropiane” mbështetet në tre shtylla bazë si: mbrojtja e integritetit të hapësirës së informacionit; forcimi i institucioneve, (zgjedhje të drejta dhe të lira, media të lirë dhe të pavarur); dhe rritje të rezistencës shoqërore. Në këtë drejtim, është parashikuar që të ndërtohet një institucion për këtë qëllim i quajtur si “Qendra për Rezistencë Demokratike”, ku së bashku me “Qendrën kundër Manipulimit dhe Ndërhyrjes së Informacionit të Huaj” (FIMI), do të bashkojë përvojat dhe burimet e BE-së dhe shteteve anëtare për të rritur kapacitetin e përgjithshëm të shteteve anëtare për të parashikuar, zbuluar dhe reaguar në kohë ndaj kërcënimeve.
Paralelisht shtetet duhet të fillojnë të fokusohen në forcimin e rezistencës demokratike ndaj faktorëve të jashtëm me synim keqdashës. Sipas KE-së, qendra do të veprojë si një kornizë për të lehtësuar ndarjen e informacionit, dhe për të mbështetur ndërtimin e kapaciteteve për t’u bërë ballë kërcënimeve në zhvillim. FIMI, sipas KE-së do të jetë në koordinim me “Sistemin e Alarmit të Shpejtë” të drejtuar nga “Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm” (EEAS).
Pra siç shihet BE-ja është aktive në fushën e forcimit demokratik, dhe me siguri se do t’ia dalë pavarësisht largimit amerikan nga mbrojtja e demokracisë. BE- ja me veprimet e fundit përfundimisht ka plotësuar vakumin amerikan, ka marrë hapa për të mbrojtur hapësirën e informacionit nga aktorë të jashtëm që kanë për qëllim dezinformimin, dhe prishjen e ambientit të brendshëm demokratik në shtetet anëtare të BE-së, dhe ato aspirante.
SHBA-të në këtë fushë kanë çmontuar disa qendra kundër dezinformimit në kuadër të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, dhe gjithashtu kanë pezulluar aktivitetin e disa mediave të financuara nga Kongresi, siç është Zëri i Amerikës (VOA), etj. BE-ja në këtë drejtim ka potenciale të shumta për t’i përmbushur objektivat e vëna qysh moti. Përveç rrjeteve të forta të krijuara në BE për të luftuar keqinformimin, BE-ja është zotuar që së shpejti të nisë me “Observatorin Evropian të Medias Digjitale” që do të ketë për qëllim monitorimin e situatave në kohë krizash.
Më tej, forcimi i institucioneve, mediave dhe shoqërisë civile mbetet përparësia kryesore e BE-së. Të gjitha këta nisma të BE-së kanë për objektiv ruatjen e besimit të qytetarëve të Evropës ndaj institucioneve, duke i bërë të dallueshme informatat që vijnë nga anë të tjera si rezultat i tekonologjive të reja. Për sa i përket Ballkanit, në këtë fushë, Brukseli po bën shumë me “Planin e Rritjes”, “Procesin e Berlinit”, “Planin e Zgjerimit” me anëtarë të rinj, ndihmat financiare, programet e destinuara për një sistem ekologjik të shëndoshë, median, forcimin e shoqërisë civile etj etj.
Por, zhvillimi demokratik si duket po pengohet nga vetë disa shtete të rajonit të Ballkanit, që nuk dëshirojnë t’i plotësojnë kushtet e BE-së të bëhen demokraci të qëndrusheme. Në këtë grup shihen si të veçanta Serbia, Maqedonia e Veriut, Srpska Republika që gjejnë arsyetime të reja për të mos bërë asgjë, dhe këkruar më shuma financa nga BE. Në një gjendje të tillë, demokracia do të jetë vetëm në fjalimet e udhëheqësve, e kuptuar ndryshe në BE dhe në shtetet kandidate.
Në fund BE-ja për periudhën (2021-27) ka ndarë për zhvillimin demokratik një buxhet prej 10-12 miliardë eurosh, një shumë e cila shpërndahet nga “NDICI-Global Europe” në bashkëpunim me “IPA-III” për shtetet kandidate. Edhe pse kritikët kanë shfaqur mospajtim me politikën e zgjerimit të BE-së dhe dialogun Kosovë-Serbi, BE-ja është ende lider në aspektin gjeopolitik, ekonomik, dhe sigurisht, në demokraci. Siç tha Kaja Kallas, kryediplomatja e BE-së, dikush duhet të marrë përsipër udhëheqjen dhe BE-ja është gati të marrë përsipër misionin e zhvillimit të një demokracie të qëndrueshme dhe shumë më tepër.
