Nga Ahmet OSMANI
28 nëntori – Dita e flamurit, lirisë dhe gjysmës së fitores së madhe
Ka data që nuk shkruhen vetëm në kalendar, por nguliten në kujtesën e një kombi si gjurmë të përjetshme drite. 28 Nëntori është dita kur shqiptarët i treguan botës se liria nuk mund të mbahet peng përgjithmonë. Është dita kur u ngrit flamuri ynë i shenjtë, kur u shpall Pavarësia, edhe pse e cunguar nga padrejtësia e kohës që na ndau më shumë se gjysmën e trojeve.
Kjo fitore e madhe, por jo e plotë, na la amanetin që brezat e ardhshëm të ndërtonin shtete të forta, institucione të drejta dhe vetëdije të pastër kombëtare, sepse liria kërkon jo vetëm gjak, por edhe mençuri, përkushtim dhe moral të lartë.
Pikërisht kjo datë është shenja e rrugëtimit tonë të përjetshëm: një kujtesë e dhimbjes dhe një bekim i forcës sonë. Pa 28 Nëntorin, nuk do të kishte rrugëtim demokratik, as shtet modern, as ëndërr për bashkim. Ajo është themeli, rrënja dhe burimi i forcës që na mban gjallë deri sot përballë çdo sfide.

28 dhjetori – Dita që mund të shënojë epokën e re të Kosovës
Nëse 28 Nëntori është historia, ndërkaq 28 Dhjetori mund të jetë e ardhmja.
Kjo datë mund të shënojë momentin kur populli i Kosovës zgjedh një mandat që e forcon shtetin në çdo aspekt, me mbi 51 për qind të votës qytetare, duke hapur një periudhë të re në të cilën institucionet qëndrojnë mbi drejtësi, sovranitet të vërtetë dhe vullnet të pastër popullor.
Një periudhë në të cilën pakicat jetojnë të mbrojtura e të respektuara, dhe jo të përdorura nga ndikime të jashtme; ku gjykatat çlirohen nga ndikimet politike; ku mediat janë të lira, por trillimet ndëshkohen me ligj, sepse liria kërkon përgjegjësi dhe etikë.
Rëndësi të veçantë në këtë periudhë të re ka edhe zhvillimi i ekonomisë si shtylla e tretë e shtetit. Pastrimi i institucioneve nga interesat e ngushta, nxitja e prodhimit vendor, përkrahja e bujqësisë, investimet në energji, teknologji dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme do ta kthejnë ekonominë në motor të fuqishëm të zhvillimit.
Rritja e punësimit, krijimi i kushteve që të rinjtë të mos largohen dhe mbështetja e familjeve punëtore janë themeli i një shoqërie të qëndrueshme dhe të drejtë. Në këtë drejtim, qeveria do të hapë hapësirën për kontributin e Akademisë Shqiptare, duke e bërë dijen dhe shkencën udhërrëfyes të politikëbërjes.
Nga zhvillimi i shtetit deri te këshillimet për proceset integruese dhe diskutimet ndërkombëtare, një ekip akademikësh – si pararojë e mendimit të urtë kombëtar – do t’i japë shtetit argument, maturi dhe vizion afatgjatë. Do të dyfishohet edhe forca mbrojtëse dhe pajisja e ushtrisë, jo për të nxitur luftë, por për të garantuar paqe, siguri dhe respekt ndërkombëtar. Sepse pa ushtri të fortë, asnjë vend nuk mund të qëndrojë i lirë.
Tri shtyllat – drejtësia, ekonomia dhe siguria – janë themeli i një shteti që qëndron i pathyeshëm.
Por asgjë nga këto nuk ka kuptim pa nderimin ndaj atyre që e fituan lirinë me gjak. Dëshmorët e kombit, familjet e tyre, invalidët e luftës dhe të gjithë luftëtarët që mbetën për 25 vjet me pensione minimale, ndërsa shumë të tjerë u pasuruan në emër të luftës – janë dëshmia më e pastër e sakrificës.
Kjo qeveri dhe kjo datë duhet të mbeten në histori si momenti kur shteti vendos t’u kthejë dinjitetin atyre që nuk e përdorën luftën për përfitime, por e jetuan atë me nder si bij të tokës. Sepse liria e sotme ka emra, ka fytyra, ka varre dhe ka amanete. Dhe një shtet që nuk i nderon ata, nuk e meriton lirinë që ka.
Kështu, 28 Nëntori simbolizon të kaluarën e lavdishme, ndërsa 28 Dhjetori mund të simbolizojë të ardhmen e fortë e sovrane.
Dy data që, si dy shtylla, mbajnë mbi vete gjithë rrugëtimin shqiptar drejt dinjitetit, bashkimit dhe një epoke që nuk e harron historinë, por e ndërton të ardhmen mbi themelet e saj të shenjta.
