Nga Dr.Selim IBRAIMI
Komisioni Evropian (KE) ka debatuar kreditë e programit të mbrojtjes “SAFE”. Nisma e KE-së lidhet me forcimin e mbrojtjes së shteteve anëtare për shkak të frikës nga sulmet ruse dhe dyshimeve në rritje për tërheqjen e SHBA-së nga siguria evropiane. BE-ja dhe shtetet jo anëtare janë bërë më të vetëdijshme vitet e fundit se pa një modernizim të ushtrive kombëtare dhe më shumë ndarje buxhetore për këtë modernizim, është e vështirë të përballohen kërcënimet e huaja. Disa zyrtarë të lartë të BE-së, nismëm e dytë të KE-së për më shumë mjete financiare, e kanë cilësuar si ngarkesë të madhe financiare për unionin.
Kështu Ursula von der Leyen, presidente e KE-së tha të enjten në Bruksel se “skema origjinale prej 150 miliardë eurosh është e mbingarkuar aq shumë sa disa anëtarë të BE-së tani po kërkojnë një të dytë”. Mirëpo, Kaja Kallas, diplomatja e lartë e BE-së dha një vlerësim tjetër. Ajo në rrjetin X tha se ne duhet të ndërtojmë shpejt kapacitetet ushtarake evropiane. “Forcimi i mbrojtjes evropiane dhe mbështetja e Ukrainës nuk janë rrugë të ndara.
Ato janë prioritete që përforcojnë njëra tjetrën. Telefonata me kolegët e mbrojtjes nga Franca, Gjermania, Italia, Polonia dhe Britania e Madhe tregoi për vendosmërinë tonë të përbashkët për të ecur përpara në të dyja drejtimet”. Gjithashtu, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në Berlin tha se shtetet evropiane janë cak i ardhshëm i Rusisë. “Ne jemi objektivi i radhës i Rusisë. Duhet të kalojmë në një mentalitet lufte.
Ukraina duhet të ketë atë që i nevojitet për të mbrojtur veten”. “Rusia po humb 1.200 ushtarë në ditë. Nëse Putini është i gatshëm të sakrifikojë rusët e zakonshëm në këtë mënyrë, atëherë çfarë mund të na bëjë neve”. “Tetëdhjetë përqind e komponentëve kritikë në dronët dhe raketat ruse prodhohen në Kinë. Kina është një litar shpëtimi për luftën e Rusisë. Rusia mund të jetë gati të përdorë forcën ushtarake kundër NATO-s brenda pesë vjetësh.
Konflikti është në derën tonë. Duhet të jemi të përgatitur për shkallën e luftës që duruan gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”. – tha Rutte në Berlin. Përdersia shtetet evropiane me shpejtësi po i ndryshojnë planet për një konflikt të mundshëm qoftë nga frika apo nga pasiguria, militarizimi i Ballkanit në dekadën e fundit ka qenë një shqetësim për pacifistët, gjithnjë duke marrë parasysh të kaluarën e rajonit në shekujt 19-20.
Por, prapëseprap, qeveritë kanë ndjekur politika të tilla duke filluar nga Kroacia, Serbia, Kosova, Maqedonia e Veriut, etj., për të forcuar mbrojtjen me qëllime të shumëfishta. Nga lajmet e fundit shihet qartë se të gjithë po përgatiten për luftë, dhe shumë më pak për paqe. Kur Gjermania njoftoi forcimin e ushtrisë, dhe qeveria në Berlin theksoi se planifikon të shpenzojë në mbrojtje deri në 377 bilion euro në pesë vitet e ardhshme, për vendet e Ballkanit njoftimi ishte i mirëseardhur, sepse shkon në favor të diskursit të tyre kombëtar për blerje të armatimit nga të gjitha shtetet pa përjashtim.
Nevoja për më shumë armë dhe pajisje moderne synon të pengojë Rusinë dhe të përgatisë vendet për kohë më të vështira. Një dilemë mbetet e pasqarur e ajo është mbikëqyrja e përdorimit të armëve të reja. Shtetet e BE-së dhe Britania e Madhe kanë njëfarë mbikëqyrjeje mbi mënyrën e përdorimit të armëve, ndërsa qeveritë e Ballkanit, kryesisht për shkak të oreksit të tyre për territor sesa për mbrojtje, e kanë të vështirë të mbajnë një kurs paqësor, duke lënë hapësirë për një kthim në idetë e shekujve 19-20.
Dhe pikërisht në kohën kur disa thirrje amerikane duan dobësimin e BE-së, i gjithë ky militarizim rrezikon të shkojë në funksion të përçarjeve dhe tensioneve të kufizuara në Ballkan. Forcimi në mbrojtje ka shkuar paralel me thirrjet për pavarësi ushtarake nga SHBA. Vendet evropiane dhe Britania e Madhe, pas të gjitha këtyre thirrjeve për një ushtri evropiane dhe mbrojtje të pavarur në SHBA, duhet të bëjnë më shumë, dhe jo vetëm të flasin.
Siç dihet deri më sot, të gjitha batalionet e ushtrive evropiane janë të lidhura ngushtë me ushtrinë amerikane dhe asnjë vend evropian që synon të shkëputet nga SHBA-të nuk mund të veprojë plotësisht në mënyrë të pavarur nëse vazhdon të mbajë inteligjencën dhe asetet e tjera në sistemin amerikan të mbrojtjes. Thirrjet për një zgjim ushtarak u injoruan pothuajse lehtësisht nga qeveritë evropiane derisa, me ardhjen e presidentit të SHBA-së Donald Tramp në vitin 2025, Evropa u detyrua të mendonte për ushtrinë evropiane, rritjen e PBB-së për NATO-n dhe programet ushtarake për forcim.
Alarmi nga sjellja e paparashikueshme të administratës së presidentit Tramp sidomos pas publikimit të NSS (National Security Strategy), sipas mendimit të disa ish- zyrtarëve të lartë amerikanë shkon në favor të vetë evropianëve. David Petraeus, ish-drejtori i CIA-s dhe gjenerali me katër yje i ushtrisë amerikane, i tha CNBC-së se nuk ishte gjë e keqe që shtetet evropiane të merrnin një thirrje zgjimi për t’u kujdesur për mbrojtjen dhe sigurinë e tyre. Ky mendim pozitiv për Evropën nuk mund të thuhet se do të ketë efekte pozitive për qeveritë e Ballkanit, që e shohin blerjen e armëve dhe sigurinë si mjet për të sulmuar vendet fqinje.
Reagimet evropiane për ushtri evropiane, siguri dhe armatim duhet të jenë thelbësore e jo teatrale për të treguar muskuj para Rusisë dhe Kinës. Disa kritikë thonë se BE-ja është vonë në këtë drejtim, por në fund të fundit debati dhe nismat evropiane në fushën e mbrojtjes duhet parë në funksion të politikave të parandalimit të sulmeve. Në këtë drejtim, së fundi Kroacia nënshkroi një marrëveshje prej 1.48 miliardë eurosh për të blerë 44 tanke Leopard 2A8 nga Gjermania.
Kosova kohë më parë bëri një blerje të rëndësishme të dronëve ushtarakë. Ndërsa Serbia tashmë njihet si lidere në blerjen e pajisjeve të përparuara ushtarake nga Kina, Franca, Izraeli dhe vendet evropiane, pa lënë pas dore industrinë e vet, e cila ka kapacitet për të prodhuar armë krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit. Në kontekstin e shqetësimeve nëse e gjithë gara e armatimeve do të jetë e dobishme apo do të shndërrohet në një mentalitet që do të sjellë më shumë dëm, ndonjëherë riarmatimi i madh shihet edhe si një kthim në tiparet e vjetra të para vitit 1939 ose të një mentaliteti të Luftës së Ftohtë.
Pas vitit 1941, asnjë nga fuqitë ushtarake të kohës nuk i dinin rregullat; të gjitha kundër njëra-tjetrës me të gjitha llojet e armëve. Gjatë Luftës së Ftohtë, SHBA-të dhe BRSS-ja i dinin rregullat dhe vijat e kuqe. Krahasuar me dy etapat e mëparshme historike, pas vitit 2022 dhe duke ju afruar fillim vitit 2030, mentaliteti i luftës do të bëhet më i paparashikueshëm, i shoqëruar me panik nga vendet që nuk kanë kapacitete ushtarake.
Situata mund të jetë e dobishme për industrinë e prodhimit të armëve, e cila ka shumë të ngjarë të prodhojë gjithçka për vendet me orekse luftënxitëse. Për të ruajtur ekuilibrin dhe një paqe të caktuar të brishtë, riarmatimi do të ishte i mirë të kishte kontroll për të parandaluar konflikte të reja në krahun lindor të NATO-s, në Ballkan dhë në pjesë të tjera të botës.
