Nga Kevin Ryan*
“Masat e frenimit strategjik merren vazhdimisht nga njëra palë, në kohë paqeje dhe lufte, dhe jo vetëm për të parandaluar aktet e forcës që shkaktojnë ose janë në gjendje të shkaktojnë dëme në nivel strategjik ndaj njërës palë, por edhe për të kufizuar palën tjetër brenda kufijve të caktuar, si dhe për të qetësuar një konflikt ushtarak.”
— Enciklopedia Ushtarake Ruse
“De-eskalimi i agresionit [do të thotë] detyrimi i armikut për të ndaluar veprimet ushtarake me anë të një kërcënimi për të kryer, ose me kryerjen aktuale të sulmeve me intensitet të ndryshëm, duke u mbështetur në armë konvencionale dhe (ose) bërthamore.”
— Detyrat Prioritare të Zhvillimit të Forcave të Armatosura të Federatës Ruse (2003)
Hyrje
Shprehja “përshkallëzim për të çtensionuar” është futur në fjalorin amerikan të sigurisë dhe në faqet e dokumenteve tona strategjike. Ajo përshkruan një plan të supozuar të ri rus për të përdorur sulme të kufizuara bërthamore në një konflikt lokal/rajonal, me bindjen se një përshkallëzim i tillë nga konflikti konvencional në konflikt bërthamor do ta shokonte një kundërshtar aq sa ai të kërkonte paqe. Në reagim ndaj kësaj doktrine të supozuar, politikëbërësit amerikanë kanë urdhëruar tashmë zhvillimin e sistemeve dhe aftësive të reja të armëve për të siguruar që plani i Rusisë të mos funksionojë kundër Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, udhëheqësit politikë të Rusisë thonë se nuk kanë një plan të tillë dhe se “përshkallëzimi për të çtensionuar” nuk ekziston fare në doktrinën e tyre.
A i kanë keqkuptuar Shtetet e Bashkuara qëllimet dhe planet ruse?
Për t’iu përgjigjur pyetjes, le të shqyrtojmë origjinën e frazës dhe atë që thonë vetë rusët në lidhje me përshkallëzimin për të çtensionuar situatën.
Fatkeqësisht, nuk mund t’i lexojmë planet e klasifikuara të luftës të qeverisë ruse. Do të na duhet të mbështetemi në dokumente të paklasifikuara, artikuj profesionalë dhe deklarata publike, të cilat kanë kufizimet e tyre, por megjithatë, mund të na afrojnë me të vërtetën.
Paralajmërim (spoiler): Rusia planifikon të përdorë sulme bërthamore për të çtensionuar (domethënë, për t’i dhënë fund) dhe për të fituar konfliktet.
Edhe Shtetet e Bashkuara planifikojnë të njëjtën gjë. Çfarë nënkuptojnë SHBA-të kur akuzojnë Rusinë për një politikë ‘përshkallëzimi për uljen e tensionit’?
Fraza “përshkallëzim për të çtensionuar” u shfaq për herë të parë në informimet dhe dokumentet amerikanë në vend të atyre rusë. Formulimi u shfaq për herë të parë në tekstin zyrtar në qershor 2015, kur Zëvendës-sekretari i Mbrojtjes i atëhershëm, Robert Work, dhe nënkryetari i Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë, Admirali James Winnefeld, e përdorën atë në dëshminë e tyre para Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Shërbimet e Armatosura: “Doktrina ushtarake ruse përfshin atë që disa e kanë quajtur një strategji ‘përshkallëzim për të çtensionuar’ — një strategji që supozohet se kërkon të çtensionojë një konflikt konvencional përmes kërcënimeve shtrënguese, duke përfshirë përdorimin e kufizuar bërthamor.
Ne mendojmë se ky etiketim është rrezikshmërisht mashtrues. Kushdo që mendon se mund të kontrollojë përshkallëzimin përmes përdorimit të armëve bërthamore, po luan fjalë për fjalë me zjarrin. Përshkallëzimi është përshkallëzim dhe përdorimi bërthamor do të ishte përshkallëzimi përfundimtar.”
Deri në vitin 2018, kjo frazë kishte hyrë në manualet zyrtare të SHBA-së kur flitej për doktrinën bërthamore ruse. Rishikimi i Pozicionit Bërthamor i Departamentit të Mbrojtjes për vitin 2018 thotë: “Moska kërcënon dhe ushtron përdorimin e kufizuar të parë bërthamor, duke sugjeruar një pritje të gabuar se kërcënimet bërthamore shtrënguese ose përdorimi i kufizuar i parë mund të paralizojnë Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n dhe kështu t’i japin fund një konflikti me kushte të favorshme për Rusinë. Disa në Shtetet e Bashkuara i referohen kësaj si doktrina e Rusisë ‘nga përshkallëzimi në de-përshkallëzim’.”
Ideja që qëndron pas “përshkallëzimit për të çtensionuar” nuk është aspak e re apo unike për Rusinë. Siç na kujton Jay Ross, një oficer i armëve bërthamore të Rezervës së Ushtrisë Amerikane, në një artikull të prillit 2018, bazat konceptuale të strategjisë rrjedhin nga librat themelorë të strategut bërthamor të Luftës së Ftohtë dhe profesorit të Harvardit, Thomas Schelling, “Strategjia e Konfliktit” dhe “Armët dhe ndikimi”.
Ross shkruan se “qasja e Rusisë ndaj konfliktit përshkruhet më mirë si ‘kontroll i përshkallëzimit’, një koncept që ishte pjesë e leksikut të strategjisë amerikane deri në fund të Luftës së Ftohtë”.
Shqyrtimi i provave për ‘Përshkallëzim drejt uljes së tensionit’
Ashtu si shumica e vendeve, Rusia i klasifikon planet e saj për operacione ushtarake, veçanërisht operacionet bërthamore, duke e bërë të vështirë të dihet nëse koncepti i “përshkallëzimit për të çtensionuar” pasqyrohet në planet ruse. Por ne mund të kuptojmë përmbajtjen e tyre përmes artikujve dhe punimeve profesionale mbi këtë temë. Këto shkrime mbështesin shumë pohimin se mendimi bërthamor rus përfshin përdorimin e sulmeve të kufizuara bërthamore për të çtensionuar një konflikt, edhe në rastet kur mbijetesa e shtetit rus nuk është në rrezik.
Nikolai Sokov, një ish-oficer i Ministrisë së Jashtme ruse që u bë shtetas amerikan, ishte një nga të parët që ekspozoi debatin mbi përshkallëzimin bërthamor në një raport të mirëdokumentuar të vitit 1998.
Sokov përmblodhi debatin e fuqishëm të viteve 1990 mbi mënyrën e përdorimit të arsenalit bërthamor të Rusisë për të garantuar sigurinë e vendit në një kohë kur ai ishte në rënie të lirë ekonomike dhe ushtarake.
Gjeneral Major Viktor Levshin — një oficer i lartë i trupave raketore dhe artilerisë — shkroi gjithashtu një artikull ku rekomandonte një mënyrë se si armët bërthamore strategjike dhe jostrategjike (taktike) mund të përdoren së bashku për të ulur tensionin në një konflikt.
Përfundim
Në fund të fundit, megjithëse fraza “përshkallëzim për të çtensionuar” nuk përdoret në doktrinën ruse të publikuar hapur; rtikujt profesionistë rusë dhe të tjerë e bëjnë të qartë se përdorimi i armëve bërthamore për të çtensionuar një konflikt është padyshim pjesë e arsenalit bërthamor të Rusisë. Megjithatë, jemi më pak të sigurt nëse kuptimi i Rusisë për “përshkallëzimin për të çtensionuar” përfshin sulme bërthamore parandaluese.
Patrushev sugjeroi po; Putini sugjeroi jo.
Fraza shërben për një qëllim të mirë: ajo tërheq vëmendjen te një opsion për përdorimin e armëve bërthamore që mbetet në dispozicion si për Rusinë, ashtu edhe për Shtetet e Bashkuara. Ajo i ka përqendruar ekspertët ushtarakë, udhëheqësit politikë dhe publikun e gjerë në një problem të rrezikshëm që na shoqëron që nga ditët e Luftës së Ftohtë — rreziku i një konflikti konvencional që përshkallëzohet në një luftë bërthamore. [Përkthimi: Dan GASHI]
* Shëmim për autorin: Kevin Ryan Gjenerali i brigadës Kevin Ryan (ushtria amerikane në pension) është bashkëpunëtor në Qendrën Belfer për Shkencë dhe Çështje Ndërkombëtare të Shkollës Kennedy të Harvardit.
