Nga Dr. Gurakuç KUÇI
Stratcom (strategjia e komunikimit) të Serbisë kundër Kosovës ka ndërhyrë edhe tek subkultura të ndryshme online, përfshirë edhe forume mizogjene, komunitete “redpill” dhe dhoma bisede në 4chan, Discord, Telegram etj. Këto rrjete lidhin tema të dukshme si të drejtat e burrave, anti-feminizmi dhe kultura e lojërave me etnonacionalizmin ekstrem, duke ndërtuar një rrjet ku retorika anti-Kosovë “mbështjellët” në paketën anti-globaliste të këtyre qasjeve.
1. Memet naziste anti-Islam – Memja “Remove Kebab” (“Serbia Strong”) ka ndikuar në kulturën e ekstremit të djathtë, duke rikthyer motivet nacionaliste serbe në 4chan dhe 8chan dhe më gjerë, si një ikonë raciste anti-muslimanësh që frymëzon profile të dhunshme raciste.
2. Përdorimi i simboleve paramilitare – Në forumet e ekstremit të djathtë (/pol/, Telegram), përdoruesit shpesh lavdërojnë figurat e luftës si Ratko Mladiç ose Tigrat e Arkanit, shpërndajnë imazhe nga lufta në Kosovë me mbishkrime si “Serbët duke bërë punën e Zotit”, duke bërë përhapjen e narativës serbe në një mjedis të “zhargonit transgresiv”.
3. Zbatimi i teorisë “Clash of Civilizations” – Sipas ECFR, ekstremistët e djathtë globalë e kanë integruar mënyrën hungtingtoniane për konfliktin në Kosovë, duke e parë si shpatë e ndarjes mes krishterimit dhe islamit.
4. Rrjetet neo-naziste transnacionale – Supremacisti i bardhë amerikan Robert Rundo, themelues i grupit “Rise Above Movement”, ka ndërtuar lidhje me ekstremistë serbë dhe ka qëndruar në Serbi, duke udhëhequr kanale Telegram me mbi 10,000 ndjekës dhe marrë pjesë në ngjarje me grupe ultra-djathtiste serbe. Kjo lidhje demonstron “tubacionin subkulturor” që përçon retorikën nacionaliste serbe në skena ekstremiste transnacionale.
5. Platforma lojërash dhe Discord – Aktivistë nacionalistë serbë kanë hyrë në serverë ndërkombëtarë të lojërave, duke përdorur emra si “KosovoIsSerbia88” dhe duke shpërndarë këngë patriotike në biseda zanore, për të targetuar të rinj që absorbojnë propagandën pa vetëdije.
6. Platforma margjinale dhe teori konspirative – Në hapësira si 8kun dhe Matrix, tema e Kosovës është futur në teori të ndryshme konspirative si anti-vaksina, kundër masave të pandemisë apo si “projekt i Rothschild”, duke mbushur narrativën serbe brenda ambientit të reagimeve ndaj elitave globale.
Ky lloj ekosistemi propagande nga Serbia që shfrytëzon subjkulturat online për të importuar legjitimitet ekstremist dhe ndërkombëtarizuar narrativën serbe, synon radikalizimin e audiencës duke krijuar një ndryshim të kornizës mendore nga “çështje rajonale” në “luftë identitare globale”.
Serbia synon radikalizim kundër Kosovës dhe shqiptarëve edhe të grupeve që nuk duan të ia dijnë për politikën e që në gjuhën shkencore quhen “parukelë”.
