Përpjekja e Trump-it për të marrë Grenlandën dhe për të nisur një luftë tregtare me vendet evropiane ka shkaktuar krizën më të madhe transatlantike në breza.
Përditësuar: 19 janar 2026,
The Washington Post
Nga Ellen Francis dhe Steve Hendrix
BRUKSEL — Në një mesazh drejtuar kryeministrit të Norvegjisë, Presidenti Donald Trump e lidhi këmbënguljen e tij për të marrë Grenlandën me ankesën e tij për mosmarrjen e Çmimit Nobel për Paqen — duke i shtuar një kthesë të re nxitjes së një lufte tregtare që po trondit aleancën transatlantike.
Në mesazhin e fundjavës drejtuar kryeministrit norvegjez, Jonas Gahr Støre, Trump shkroi se nuk kishte më nevojë të “mendonte vetëm për Paqen”, pasi nuk fitoi çmimin e paqes vitin e kaluar — një çmim që presidenti e ka lakmuar hapur dhe që jepet nga Komiteti i Nobelit në Norvegji.
Trump më pas vuri në pikëpyetje “pronësinë” e Grenlandës nga Danimarka, një aleate e NATO-s, dhe përsëriti ambicien e tij që SHBA-ja të marrë “kontroll të plotë dhe total” të territorit autonom danez. Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.
Støre konfirmoi mesazhin e publikuar të Trump-it në një deklaratë të hënën. Ai tha se Trump po i përgjigjej një mesazhi që Støre kishte dërguar në emër të Norvegjisë dhe Finlandës, duke përcjellë kundërshtimin ndaj tarifave të SHBA-së kundër vendeve evropiane që refuzojnë marrjen e Grenlandës. “Ne theksuam nevojën për të ulur tensionet dhe propozuam një bisedë telefonike”, tha Støre.
Përpjekja për të ulur tensionet duket se nuk ka funksionuar. Përgjigja e Trump-it erdhi pak më vonë:
“Duke marrë parasysh që vendi juaj vendosi të mos më japë Çmimin Nobel për Paqen për ndalimin e 8 luftërave PLUS, nuk ndiej më detyrimin të mendoj thjesht për Paqen, megjithëse ajo do të jetë gjithmonë mbizotëruese; por tani mund të mendoj për atë që është e mirë dhe e përshtatshme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkroi Trump në tekstin e raportuar fillimisht nga PBS.
Støre tha se e bëri të qartë mbështetjen e tij për Grenlandën dhe Danimarkën, dhe se ia ka shpjeguar vazhdimisht Trump-it se i takon Komitetit të Nobelit, jo qeverisë norvegjeze, të japë çmimin vjetor.
Të hënën, Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, u përpoq ta riformulonte rrëfimin: “Është një gënjeshtër e plotë të mendosh se veprimi i Presidentit Trump në Grenlandë është për shkak të mosmarrjes së Çmimit Nobel”, u tha ai gazetarëve në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos. Hakmarrja evropiane, shtoi ai, do të ishte “shumë e pamatur”.
Përpjekja e Trump-it për të blerë ose pushtuar Grenlandën — në fakt një kërkesë për të pushtuar territorin e një aleati të NATO-s kundër vullnetit të tij — ka shkaktuar krizën më të madhe transatlantike në histori. Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, tha se do të ishte “krejtësisht e gabuar” që Trump të vendoste tarifa mbi vendet evropiane për këtë çështje.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, e ka krahasuar deklaratën e Trump-it me një formë “frikësimi”, ndërsa kryeministri suedez, Ulf Kristersson, e përshkroi si shantazh. Edhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, një aleate e Trump-it, e quajti atë një “gabim”.
Trump këmbëngul se kontrolli i Grenlandës është i nevojshëm për arsye të sigurisë kombëtare, për shkak të rreziqeve nga Rusia dhe Kina në Arktik. Megjithatë, udhëheqësit e Danimarkës dhe Grenlandës kanë deklaruar vazhdimisht se territori nuk është në shitje.
Hendrix raportoi nga Londra. Beatriz Ríos në Bruksel, Kate Brady në Berlin, Stefano Pitrelli në Romë, Natalia Abakumova në Riga, Letoni, Emily Davies në Davos, Zvicër, dhe Ellen Nakashima në Uashington kontribuan në këtë raport [Përktheu: Dan Gashi]
