Një traktat i vitit 1951 midis SHBA-së dhe Danimarkës tashmë mbulon pjesën më të madhe të asaj që do të përfshinte një marrëveshje e mundshme për ishullin.
Nga Paul McLeary dhe Jack Detsch
22/01/2026 – POLITICO
Negociatat mbi të ardhmen e Groenlandës përqendrohen rreth ndërtimit të një pranie më të madhe të NATO-s, pengimit të kundërshtarëve dhe dhënies së pretendimeve sovrane të Shteteve të Bashkuara mbi pjesë të ishullit, një marrëveshje jashtëzakonisht e ngjashme me një marrëveshje që tashmë ekziston.
Plani fillestar i nxituar i diskutuar këtë javë midis Presidentit Donald Trump dhe zyrtarëve të NATO-s në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës e ka ndihmuar Trumpin të tërhiqet nga kërcënimi i tij për të blerë territorin danez ose për ta marrë atë me forcë. Ndërsa as Danimarka dhe as Groenlanda nuk kanë nënshkruar ndonjë propozim, ai mund të përfaqësojë konturet e hershme të një marrëveshjeje, sipas dy zyrtarëve evropianë të cilëve iu dha anonimiteti për të diskutuar diskutimet e brendshme.
Por zyrtarët dhe aleatët vënë në pikëpyetje se çfarë ka ndryshuar. SHBA-të dhe Danimarka tashmë kanë një kornizë për Groenlandën: një traktat i vitit 1951 që lejon disa nga ato që marrëveshja e re ka të ngjarë të përfshijë. Kjo marrëveshje mbrojtëse i lejon Pentagonit të krijojë baza dhe të dërgojë aq trupa sa i nevojiten në ishull pasi Kopenhageni ta miratojë – gjë që e ka bërë pothuajse gjithmonë.
“Traktati u jep një sasi të madhe fleksibiliteti Shteteve të Bashkuara për të identifikuar interesat e sigurisë që i konsideron të nevojshme dhe për të pasur një dritë jeshile për t’i zbatuar ato”, tha Iris Ferguson, e cila shërbeu si zëvendësndihmës sekretare e Pentagonit për Arktikun dhe qëndrueshmërinë globale nën administratën Biden. “Pra, në letër, autoritetet janë aty.”
Ushtria amerikane kishte vendosur më shumë se 10,000 trupa në Groenlandë në kulmin e Luftës së Ftohtë. Ishulli më i madh në botë shërbeu si një qendër kritike radari në atë kohë, duke ndjekur raketat sovjetike që vinin përmes Atlantikut. Ai gjithashtu funksiononte si një vend për të testuar postet ushtarake që mund t’i mbijetonin një sulmi bërthamor.
Ndërsa SHBA-të mbajnë një instalim të Forcës Hapësinore dhe sisteme të fuqishme radarësh në Grenlandë, çdo prani e zgjeruar e trupave do të kërkonte përmirësime të kushtueshme të objekteve të vjetra, si dhe objekte të reja banimi dhe logjistike që do të duhej të ndërtoheshin gjatë disa muajve të shkurtër me mot më të ngrohtë.
Korpusi i Inxhinierëve të Ushtrisë Amerikane njoftoi këtë muaj se po ndërmerrte një modernizim të pistës në Bazën Hapësinore Pituffik që mund të kushtojë deri në 25 milionë dollarë, një tregues i kostos së ndërtimit të objekteve të reja në klimën e ashpër të Arktikut.
Dhe nuk është e qartë se si do të ndryshojë realisht roli i NATO-s. Shefi ushtarak i aleancës tha se mësoi për bisedimet vetëm nga raportimet e lajmeve .
Ambiciet e Trump dukeshin se po shtriheshin edhe më tej. Ai bëri thirrje që SHBA-të të kenë “akses të plotë” në ishullin më të madh në botë të enjten në Davos – pa një datë përfundimi.
Megjithatë, statusi ligjor i trupave amerikane në Bazën Hapësinore Pittufik në bregdetin veriperëndimor të ishullit është tashmë i mirëvendosur sipas një traktati tjetër, marrëveshjes së NATO-s për statusin e forcave të vitit 1955. Ky pakt u lejon forcave amerikane të hyjnë dhe të dalin lirisht nga Grenlanda, edhe nëse nuk e bën ligjërisht tokën tokë amerikane.
Që nga fundi i viteve 1980, prania amerikane në bazë ka qenë shumë e vogël. Rreth 100 trupa janë atje për t’u përqendruar në paralajmërimin e hershëm dhe mbrojtjen nga raketat.
«Shumë prej saj është verë e vjetër në një shishe të re», tha Jim Townsend, një ish-zëvendësndihmës sekretar i mbrojtjes për NATO-n dhe Evropën. «Në të gjitha bazat tona anembanë botës, ne negociojmë sovranitetin. Nuk është diçka që po e marrim vetëm nga Groenlanda».
Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, pritet të takohet me Rutte të premten për të diskutuar takimet e tij me Trump. Por, si gjithmonë, karta e paparashikueshme në këtë proces mbetet presidenti amerikan. Ashtu siç u tërhoq shpejt nga kërcënimet për të pushtuar Groenlandën këtë javë, ai mund t’u rikthehet po aq lehtë këtyre kërcënimeve, pranuan aleatët. Ata po përgatiten për më shumë surpriza.
Por aleatët gjithashtu e kanë kaluar pikën e minimizimit të frustrimit të tyre.
Bjorn Soder, një parlamentar suedez i cili shërben në Komitetin Suedez të Mbrojtjes, tha se ndërsa NATO ka shqetësime legjitime për sigurinë në Arktik, hapi agresiv i SHBA-së po dëmton marrëdhëniet brenda aleancës.
“Shtetet e Bashkuara po bëjnë një gabim të madh duke ngritur këtë temë të Groenlandës”, tha ai. “Ne jemi shumë pro-Amerikan në rajonin tonë dhe ajo që po ndodh tani është se zërat që zakonisht flasin shumë [me shumë respekt] për Amerikën tani po ndryshojnë qëndrim.”
Udhëheqësit politikë danezë kanë kundërshtuar gjithashtu bisedimet e hershme midis Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe Trump, veçanërisht pasi ata i lanë jashtë danezët dhe grenlandezët.
“Vetëm Danimarka dhe Groenlanda mund të marrin vendime për çështjet që kanë të bëjnë me Danimarkën dhe Groenlandën”, tha Frederiksen e Danimarkës të enjten në një deklaratë . “Ne mund të negociojmë për gjithçka politike; sigurinë, investimet, ekonominë. Por nuk mund të negociojmë për sovranitetin tonë” në lidhje me Groenlandën.
Por disa krerë shtetesh, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz, shprehën lehtësim të enjten në Davos që temperaturat ishin ulur.
Frederiksen tha se Kopenhageni mbeti i hapur për të ndërtuar mbi marrëveshjen e vitit 1951, megjithëse nuk ishte menjëherë e qartë se cilët do të ishin hapat e ardhshëm.
[Përktheu dhe përgaditi: Dan GASHI/Njujork]
