
Evropianët mund të presin më shumë nga e njëjta gjë derisa të miratojnë programin e paqes.
Nga Philip Pilkington / 23 janar 2026
Retorika e Presidentit Donald Trump për Groenlandën i ka nxjerrë plotësisht nga ekuilibri udhëheqësit evropianë. Nëse ky ishte efekti i synuar i kërcënimeve të Trumpit apo nëse presidenti thjesht dëshiron ta marrë ishullin, pak rëndësi ka në këtë fazë, ndikimi më i rëndësishëm objektiv që kanë ngritur diskutimet për Groenlandën është efekti që do të ketë në NATO, në të ashtuquajturën “Aleancë transatlantike” dhe në luftën në Ukrainë.
Edhe pse është pothuajse jashtë teme, ndoshta ia vlen të trajtohet së pari çështja moralo-ligjore.
Për aq sa ia vlen, më vjen keq për njerëzit e Groenlandës që janë përfshirë në një lojë për të cilën nuk ishin të përgatitur. Megjithatë, hipokrizia që buron nga kryeqytetet evropiane është e urryer. Ata veprojnë sikur një veprim i njëanshëm nga Shtetet e Bashkuara kundër një territori që nuk u përket atyre, është një sfidë ndaj “Mandatit të Qiellorëve”. Megjithatë, vetëm pak ditë më parë, të njëjtët udhëheqës po brohorisnin për të ashtuquajturin “veprim policor” të Trump-it në Karakas të Venezuelës.
Kujtoni se kur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e quajti Trump-in “baba” duke i dhënë botës një pamje të marrëdhënies së ndyrë që është zhvilluar midis Shtetve të Bashkuara dhe vasalëve të saj mazokistë në Evropë, Rutte po i referohej sulmeve të administratës Trump ndaj objekteve bërthamore të Iranit. Duke lënë mënjanë gjykimet mbi veprimet në Venezuelë dhe Iran, çështja është se evropianët janë plotësisht dakord me ndërhyrjet ushtarake në vendet tjera, për sa kohë që këto vende janë jashtë “aleancës së shenjtë”. Të kujtohen komentet e Zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian, Josep Borrell, në vitin 2022, se bota jashtë “kopshtit” evropian është në fakt një “xhungël” dhe kështu, arrijmë në përfundimin se zbatohen ligjet e xhunglës.
Megjithatë, ky nuk është vetëm një rast i racizmit pothuajse nostalgjik dhe neokolonial të udhëheqësve evropianë, një fantazi e vogël e ndyrë që ata e jetojnë përmes ndërhyrjeve të “babait” në vendet e tyre të vjetra të banimit. Udhëheqësit evropianë interesohen po aq pak për popullsinë në Evropë. Nuk pati protesta kur administrata Obama bombardoi Libinë, gjë që rezultoi në një valë migrimi që shkatërroi strukturën shoqërore evropiane. As nuk u indinjuan kur tubacioni Nord Stream shpërtheu në mënyrë misterioze, duke vënë në lëvizje deindustrializimin e Evropës. Ata i brohoritën të gjitha këto. Ata janë kundër ndërhyrjes së Trump-it në Groenlandë vetëm sepse ajo bie ndesh me egon e tyre dhe i ekspozon si vartësit e dobët që kanë qenë prej kohësh.
Drama e Groenlandës është një dramë narciste evropiane në çdo kuptim të fjalës. Klasa e lidershipit evropian është një shaka globale, me të cilën tallen kryeqytetet anembanë botës. Megjithatë, ata mund ta tolerojnë këtë, sepse ende e shohin kontinentin e tyre të deindustrializuar, politikisht të paqëndrueshëm dhe të shkatërruar nga lufta si një “kopsht” për pjesën tjetër të “xhunglës” së botës. Ky është një iluzion i llojit që nuk është parë në Evropë që kur Hitleri kaloi ditët e tij të fundit në bunkerin e Berlinit, dhe shihet për atë që është nga Uashingtoni në Moskë e deri në Pekin. Por është një iluzion mjaftueshëm i fortë sa i lejon elitës evropiane të ruajë qetësinë e saj në ngjarjet e tyre të rëndësishme – ngjarje që bëhen më të vogla dhe më pak të rëndësishme çdo ditë. Problemi me propozimet e Trump-it për Groenlandën është se ato ndërhyjnë në këto “fshatra të vegjël Potemkin” që elita e sëmurë ka ndërtuar për vete.
Në gjuhën popullore të elitës evropiane të zhytur në filozofinë dhe kulturën e kohëve të fundit: kërcënimi i Trump-it për të marrë Groenlandën u tregon evropianëve se “Tjetri i Madh” nuk ekziston. Në gjuhën strukturaliste, “Tjetri i Madh” është një sistem simbolik i supozimeve, normave dhe kodeve shoqërore që ekziston për të strukturuar mjedisin shoqëror. Pika kyçe nyjore në “Tjetrin e Madh” evropian i cili mban të bashkuar mjedisin shoqëror që ne mund ta quajmë, duke u mbështetur te Borrell, “kopshti” — është ideja se Amerika gjithmonë shfaqet në sfond si një baba dashamirës, që siguron rendin në kopsht dhe mban xhunglën larg. Duke kërcënuar se do të marrë Groenlandën, Trump-i e ka ofenduar elitën evropiane në nivelin më të thellë duke sugjeruar se, ndoshta, vetë Evropa është pjesë e xhunglës dhe se kopshti është një iluzion.
Nëse e gjithë saga e Groenlandës është projektuar për t’i shkëputur evropianët fëmijërorë nga gjiri amerikan, nuk e di. Po të hamendësoja, do të thoja se diskutimi për Groenlandën filloi të merrte hov dhe administrata Trump e pa atë si një mundësi të përsosur për të sabotuar marrëdhënien toksike që është zhvilluar midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës veçanërisht që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Cilado qoftë etiologjia, tani është krejtësisht e qartë se amerikanët po e përdorin çështjen e Groenlandës si një shkop për t’u dhënë evropianëve një “rrahje” të dhunshme dhe shumë publike.
Pse administrata Trump ndien nevojën t’i godasë publikisht evropianët si një shërbëtor që sillet keq? Sepse evropianët nuk dëgjojnë. Presidenti dhe shoqëruesit e tij u kanë thënë evropianëve vazhdimisht, pa asnjë dyshim, se lufta në Ukrainë duhet të përfundojë dhe Evropa duhet të gjejë një mënyrë për të jetuar në paqe me Rusinë. Por evropianët janë rikthyer në sjelljen e tyre të zakonshme sabotuese dhe kanë përdorur çdo mjet në dispozicion për të penguar çdo negociatë aq më pak çdo arkitekturë të ardhshme sigurie në çdo hap. Strategjia e tyre duket të jetë përpjekja për ta zvarritur luftën deri në vitin 2029, kur një sfidues demokrat mund të vijë në pushtet dhe të luftojë rusët në emër të evropianëve.
Ky qëndrim nuk është vetëm imoral, është edhe iluzion. Nga një perspektivë morale, elita liberale në Bruksel dhe në kryeqytete të tjera evropiane ka kultivuar një cinizëm për jetën e ukrainasve që kufizohet me “sakrificën rituale të gjakut”. Është e neveritshme dhe do të shihet nga njerëzit e civilizuar në të ardhmen për atë që është. Por edhe nga një perspektivë politike thjesht pragmatike, pritja e një “kalorësi të bardhë” demokrat që do të vijë në shpëtim është e pamundur. Demokratët nuk janë aspak të interesuar për luftën në Ukrainë apo për Evropën. Lufta nuk arriti ta mposhtë Rusinë; ishte disfata e Rusisë ajo që ishte në interes të demokratëve pas aferes “Russiagate”. Prandaj, lufta tani është e jointeresante. Në dosjet “Epstein”, demokratët kanë gjetur një “lodër” të re për të luajtur, një që implikon një ose dy figura kyçe në anën evropiane, duke përfshirë të paktën një ish-ambasador të shquar të emëruar pikërisht për t’u marrë me Trump-in.
A janë serioze kërcënimet e Trump-it për të marrë Groenlandën? A janë morale? Kush e di. Por ajo që është serioze, ajo që është imorale dhe ajo që është jashtëzakonisht e rrezikshme në fakt, kërcënimi i botës me zjarr nëse nuk menaxhohet siç duhet, është qëndrimi i shkujdesur evropian ndaj një lufte në rënie në kufijtë e tyre. Udhëheqësit evropianë janë shumë të dobët, shumë dekadentë për t’u marrë me problemin vetë dhe refuzojnë të lejojnë dikë tjetër ta trajtojë atë në vend të tyre. Për këtë arsye, duhet të presim që poshtërimet të vazhdojnë derisa evropianët të gëlltisin krenarinë e tyre (nëse u ka mbetur fare), të pranojnë se lufta është humbur dhe të zgjohen ndaj faktit se duhet të jetojnë pranë rusëve.
Nëse nuk mund ta bëjnë këtë, duhet të presim që ritualet e poshtërimit të bëhen gjithnjë e më agresive, derisa përfundimisht popullsia evropiane të mos mund të rrijë më duarkryq e të shohë udhëheqësit e tyre duke hedhur dinjitetin e popujve evropianë në kanalizime. Në atë pikë, udhëheqësit evropianë do të fillojnë të shohin se si “xhungla” që kanë krijuar në të gjithë Evropën, do të fillojë të depërtojë në “arkipelagët e vegjël të kopshtit” që ata vazhdojnë t’i banojnë me xhelozi. Do të ishte fuqimisht në interesin vetjak të klasës elitare evropiane që të mos lejonin që gjërat të shkonin kaq larg. [Përktheu: Dan GASHI/Njujork]
