Evropa nuk mund t’i lejojë më vetes ta trajtojë Ballkanin Perëndimor thjesht si një projekt të ngecur zgjerimi
26 shkurt 2026 |
Nga Amine Ayoub | The Algemeiner
Gjatë vitit të kaluar, Izraeli ka nisur një ofensivë diplomatike dhe ushtarake agresive, nën rrezet e radarëve, për të ndërtuar një mur mbrojtës gjeopolitik në Ballkan. Kjo strategji është e dukshme në intensifikimin e paprecedentë të lidhjeve të Izraelit me Serbinë dhe Shqipërinë.
Në mes të shkurtit 2026, Gjermania dhe disa shtete të tjera anëtare të Bashkimit Evropian zgjatën në heshtje kontrollet e tyre të brendshme kufitare të Shengenit edhe për gjashtë muaj të tjerë. Arsyetimi zyrtar ishte migrimi i parregullt i përgjithshëm, por konsensusi i pathënë i inteligjencës tregon për një kërcënim shumë më specifik dhe akut: “Rruga e Ballkanit Perëndimor” është bërë arteria kryesore për operativët e mbështetur nga Irani dhe aktorët e radikalizuar që kërkojnë të infiltrojnë kontinentin.
Ndërsa vëmendja e botës mbetet e fiksuar në Lindjen e Mesme dhe kërcënimin e Iranit ndaj rajonit, një luftë në hije – më e qetë, por po aq e rrezikshme, po zhvillohet në periferi të Evropës. Me proksitë e tij tradicionale në Levant të dëmtuar rëndë, Teherani po riaktivizon dhe zgjeron në mënyrë aktive pikën e tij më të vjetër të mbështetjes në Evropë – Ballkanin, për të eksportuar terror, për të destabilizuar BE-në dhe për të shënjestruar komunitetet hebreje nga brenda.
Shkëmbimet direkte balistike midis Izraelit dhe Iranit verën e kaluar thyen një tabu dekadash. Pas kësaj, Garda Revolucionare Islamike (IRGC) kuptoi se mbështetja ekskluzive në një “Unazë Zjarri” në Lindjen e Mesme e lë atdheun iranian të pambrojtur në mënyrë të papranueshme ndaj hakmarrjes izraelite dhe amerikane.
Për të rikthyer parandalimin e tij asimetrik, Teherani është kthyer nga jashtë, duke u fokusuar në “barkun e butë” të Evropës Juglindore. Lidhjet e Iranit me rajonin janë të thella, që daton nga vendosja e IRGC-së në Bosnjë e Hercegovinë gjatë luftërave jugosllave të viteve 1990. Sot, megjithatë, ajo infrastrukturë e fjetur po armatoset për të shfrytëzuar një fenomen modern: aleancën “Kuq e Gjelbër”.
Duke operuar nga qendra kulturore opake dhe OJQ të subvencionuara nga shteti në Sarajevë dhe më gjerë, inteligjenca iraniane po bashkëvepron me sukses me rrjetet radikale evropiane të së majtës ekstreme. Nën maskën e koordinimit “kundër luftës”, Teherani po ofron mbështetje logjistike, taktika të komunikimit të sigurt dhe mbështetje financiare për fraksionet ekstreme anti-sioniste. Qëllimi është i thjeshtë: prodhimi i një motori vetë-qëndrueshëm të trazirave të brendshme dhe antisemitizmit virulent që i mban shërbimet e sigurisë së Evropës Perëndimore vazhdimisht të shpërndara.
Jeruzalemi është shumë i vetëdijshëm për këtë matricë kërcënimi në ndryshim dhe nuk po pret që Brukseli të zgjohet. Gjatë vitit të kaluar, Izraeli ka nisur një ofensivë agresive diplomatike dhe ushtarake për të ndërtuar një mur mbrojtës gjeopolitik në Ballkan.
Kjo strategji është e dukshme në intensifikimin e paprecedentë të lidhjeve të Izraelit me Serbinë dhe Shqipërinë. Pas vizitave historike të Presidentit izraelit Isaac Herzog në rajon, bashkëpunimi në mbrojtje dhe kibernetikë është rritur jashtëzakonisht. Vetëm në gjysmën e parë të vitit 2025, eksportët serbë të armëve drejt Izraelit u rritën në dhjetëra miliona euro, duke kulmuar me marrëveshje masive dypalëshe të mbrojtjes.
Simultanisht, Izraeli po thellon përqafimin e tij strategjik me Shqipërinë. Tirana, një komb kryesisht musliman me një histori krenare të shpëtimit të hebrenjve gjatë Holokaustit, ka dalë si një nga bastionet më të ashpra anti-Iran në Evropë. Pasi ndërpreu lidhjet diplomatike me Teheranin pas sulmeve masive kibernetike iraniane në vitin 2022, dhe aktualisht pret në territorin e saj Muxhahedinët-e-Khalq (MEK) që janë kundër regjimit, Shqipëria ka mirëpritur ekspertizën izraelite të mbrojtjes kibernetike me krahë hapur.
Duke forcuar Beogradin dhe Tiranën, Izraeli po punon në mënyrë aktive për të izoluar gjeografikisht ndikimin iranian në Bosnjë, duke krijuar një zonë tampon (buffer zone) që mbron interesat izraelite dhe, ironikisht, kontinentin e gjerë evropian.
Pavarësisht masave proaktive të Izraelit, Bashkimi Evropian mbetet i ekspozuar në mënyrë të rrezikshme. Rrjetet “Kuq e Gjelbër” që po inkubohen në Ballkan nuk synojnë të qëndrojnë atje. Ato janë krijuar për të shfrytëzuar afërsinë gjeografike dhe kufijtë porozë të Ballkanit Perëndimor për të kontrabanduar operativë, armë — veçanërisht armë zjarri të paligjshme të devijuara nga depot e vjetra — dhe individë të radikalizuar direkt në zonën Shengen.
Zgjatjet e fundit të kontrolleve kufitare të BE-së janë një “ngjitëse” (band-aid) reaktive dhe e dëshpëruar ndaj kësaj cënueshmërie strukturore. Kur kampuset universitare evropiane shpërthejnë në dhunë të koordinuar anti-Izrael, ose kur institucionet hebrenje në Paris apo Berlin përballen me ngacmime të shënjestruara, karburanti logjistik dhe ideologjik për këto veprime mund të gjurmohet gjithnjë e më shumë në korridorin e Ballkanit.
BE nuk mund t’i lejojë më vetes ta trajtojë Ballkanin Perëndimor thjesht si një projekt të ngecur zgjerimi; ai duhet të njihet si një teatër aktiv i subversionit iranian.
Brukseli duhet të lëvizë përtej kontrolleve të përkohshme kufitare dhe të adaptojë një kornizë proaktive të udhëhequr nga inteligjenca. Kjo kërkon kushtëzimin e ndihmës financiare të ardhshme për shtetet e Ballkanit me dëbimin e rreptë të organizatave paravan të IRGC-së. Për më tepër, kryeqytetet evropiane duhet të braktisin hezitimet e tyre diplomatike dhe të mbështesin aktivisht murin e sigurisë që Izraeli, Serbia dhe Shqipëria po përpiqen të ndërtojnë.
Nëse Evropa dështon të çmontojë portën ballkanike të Teheranit, kriza e ardhshme e madhe e sigurisë nuk do të vijë përmes një varke kontrabandistësh nëpër Mesdhe. Ajo do të udhëtojë drejt e nëpër një kufi tokësor evropian, e armatosur me akses në Shengen dhe me një ideologji të ndërtuar qëllimisht për të shkatërruar Perëndimin nga brenda. [Përktheu: Dan GASHI]
Shënim: Amine Ayoub, një bashkëpunëtor në Forumin e Lindjes së Mesme, është një analist politikash dhe shkrimtar me qendër në Marok.
