Nga Korab BLAKAJ
Në diskursin publik kosovar, një kor agjenturor ka përhapur tezën e rrezikshme: se çdo mbështetje për Albin Kurtin,apo çdo votë kundër Vjosa Osmanit,përkthehet automatikisht si qëndrim kundër Shteteve te Bashkuara të Amerikës. Kjo tezë është e pasaktë, një përpjekje për ta zhvendosur debatin nga përgjegjësia politike te frika gjeopolitike, nga vlerësimi i brendshëm te presioni i jashtëm.
Mbështetja masive për Kurtin nuk ishte një rebelim kundër Amerikës, por një akt i vetëdijes qytetare kundër një rendi të brendshëm të kalbur. Votuesi kosovar nuk e hodhi votën për të sfiduar aleancën strategjike, por për të refuzuar korrupsionin, kapjen e shtetit dhe elitën që për vite me radhë e përdori miqësinë me SHBA-në si alibi për dështimet e veta. Ky ishte një votim për dinjitet të brendshëm, dhe në asnjë moment kundër orientimit perëndimor.
Shqiptarët e Kosovës janë historikisht ndër popujt më proamerikanë në Evropë. Roli vendimtar i SHBA-së në çlirimin e Kosovës dhe mbështetja për NATO në janë pjesë e identitetit politik pasluftës. Ky konsensus nuk zhbëhet nga zgjedhjet, as nga ardhja e një kryeministri me gjuhë më kritike. Ajo që ndryshoi ishte forma e marrëdhënies: nga nënshtrimi simbolik te partneriteti i duhur.Nga kërkesat për ndarje tek ligjshmëria dhe sovraniteti në veri, nga retorikat jotradicionale në ligje amerikane dhe letra urimi; duke u garantuar mosndarja dhe duke u ligjëruar botërisht mbështetja për integritetin territorial
Në të njëjtën linjë, vota kundër Vjosa Osmanit nuk mund të etiketohet si antiamerikanizëm vetëm sepse ajo perceptohet si “e preferuar” nga aleatët. Preferenca e një miku nuk e shndërron një figurë politike në të paprekshme. Demokracia nuk njeh kandidatë të shenjtë.Ajo njeh bilance politike, trende, sfida dhe rreziqe që duhen vlerësuar. Vet bilanci i Znj Osmani,për shumë deputetë e qytetarë, përmban defekte serioze.Në regjistri e veprimeve politike të saj kemi të shënuar;mbështetjen për Gjykatën Speciale, e perceptuar si selektive ndaj luftës çlirimtare; votimin e Asociacionit në vitet 2013 dhe 2015, të parë si kërcënim për funksionalitetin e shtetit; si dhe demarkacionin me Malin e Zi, proces që la pas humbjen e territorit të Çakorrit! Këto nuk janë akuza emocionale, por akte politike me pasoja të prekshme.
Dhe tani,trendet e panjohura, sfidat e sigurisë dhe rreziqet e gjeopolitikës diktojnë udhëheqësi të ditur dhe besnike! Dituria dhe besnikëria ndaj atdheut, shtetit dhe interesave kombëtare janë dy kriteret bazë të lëna amanet nga historia shekullore e kombeve dhe popujve! Vjosa asnjërën nuk i ka!
Të ishte e ditur- në të tri rastet votonte kundër! Të kishte besnikëri prej patrioteje – besnikëria do ta bente të votonte kundër!
Prandaj në filtrin e vërtetë ajo nuk kalon për rizgjedhje në postin e Presidentës!
Dhe, të refuzosh një presidente për këto arsye nuk do të thotë të refuzosh Amerikën. Do të thotë të refuzosh idenë se aleanca strategjike pezullon gjykimin kritik. Nëse çdo mospajtim me një figurë të preferuar nga aleatët shpallet tradhti, atëherë sovraniteti reduktohet në formalitet dhe vota humbet kuptimin e saj.
Etiketa “antiamerikan” është shndërruar kështu në një armë retorike për mbylljen e debatit. Ajo shërben si mburojë për elitat politike, duke e kthyer kritikën legjitime në herezi. Por Kosova nuk u ndërtua mbi bindje të verbër; u ndërtua mbi partneritet. Partneriteti nënkupton edhe mospajtim, pa e vënë në dyshim boshtin strategjik.
Përfundimisht, të jesh proamerikan në Kosovë nuk do të thotë të votosh emra të caktuar, por të mbrosh vlera të qarta: demokraci funksionale, sundim të ligjit dhe orientim euroatlantik. Mbështetja për Albin Kurtin dhe refuzimi i Vjosa Osmanit, në këtë kuptim, nuk janë shenja armiqësie ndaj SHBA-së, por shprehje e një pjekurie politike që kërkon barazi, dinjitet dhe llogaridhënie. Pa këtë liri zgjedhjeje, aleanca do të ishte formë; me të, ajo mbetet vlerë.
