Nëse Irani u mbijeton sulmeve amerikano-izraelite, lufta e Trumpit me Kinën dhe BRICS-in për burime energjetike mund të dështojë.
Nga Dan GASHI / Njujork
Në esencë, kjo është një luftë ekzistenciale për Iranin, e mbështetur në aftësitë, qëndrueshmërinë dhe kapacitetet ushtarake të tij, kryesisht raketat, dronët e llojllojshëm, si dhe raketat balistike hipersonike. Perceptimi konvencional ka qenë se kjo ishte një garë e fituar para se të fillonte; Irani do të mposhtej nga teknologjia superiore dhe fuqia e zjarrit e SHBA-së dhe Izraelit, që do ta detyronin atë të kapitullojë. Fillimisht u duk se ky parashikim po materializohej, pasi në sulmin e parë masiv, forcat sulmuese të SHBA-së dhe Izraelit arritën të vrasin Ajatollahun dhe një pjesë të madhe të elitës politike e ushtarake të Iranit. Kjo, sipas parashikimeve, do të mjaftonte për fillimin e një revolte masive që do të mposhtte regjimin iranian dhe do ta kthente atë në sferën perëndimore. Tani, pas një jave bombardimesh mbi caqe ushtarake dhe civile, Irani dhe regjimi i tij jo vetëm që nuk u shembën, por arritën të godasin Izraelin dhe rreth 15 shtete të rajonit, aleatë të SHBA-së, me dronë dhe raketa, përfshirë bazat ushtarake amerikane në mbarë Gjirin.
Kjo strategji e Iranit po ndikon sistematikisht në pakësimin e aftësive të mbrojtjes ajrore izraelito-amerikane, pasi Irani fillimisht u dha përparësi raketave dhe dronëve më të vjetër që konsumojnë mbrojtjen e sofistikuar dhe shumë të shtrenjtë. Pas kësaj vale sulmesh, Irani filloi të përdorë raketa të teknologjisë së lartë hipersonike, që fluturojnë me shpejtësi disa herë mbi atë të zërit dhe rezultojnë kryesisht të pandalshme.
Eliminimi i Liderit Suprem prodhoi efekt krejt të kundërt nga ai që mendohej. Në vend që të nxiste rënie të moralit dhe revoltë gjithpopullore, ai nxiti një mbështetje masive për Republikën Islamike. Strategjia e Iranit po mbështetet në prolongimin e luftës, rezistencën asimetrike dhe luftën afatgjatë kundër SHBA-së. Kjo është e kundërta e kalkulimit amerikan, i bazuar në një luftë të shpejtë e efikase, të mbizotëruar nga teknologjia moderne dhe inteligjenca artificiale. Strategjia amerikane është e imponuar kryesisht nga rezervat e kufizuara të municioneve dhe kostot enorme financiare, ku kostoja e vetëm një dite lufte tejkalon 1 miliard dollarë. Kostoja tjetër, edhe më e madhe, është cenimi i monarkive të Gjirit, sinonim i “Markës” së Gjirit. Prosperiteti, investimet astronomike, turizmi dhe luksi përrallor, ka të ngjarë të zhbehen.
Pasojat gjeopolitike të këtij konflikti shtrihen shumë përtej Iranit. Mbyllja, qoftë edhe e pjesëshme, e Ngushticës së Hormuzit dhe shkatërrimi i objekteve portuale e aeroporteve civile, shpalosin një skenar të frikshëm për ekonominë botërore. Rëndësia e këtij rajoni qëndron në faktin se përafërsisht 90% e tregtisë botërore të naftës kalon përmes këtyre zonave. Flota amerikane mbulon tri pika vitale: Ngushticën e Hormuzit, Kanalin e Suezit dhe Ngushticën Bab al-Mandeb. Operimi i kësaj flote nuk është thjesht një port, por një infrastrukturë tërësore inteligjence dhe radari. Irani ka arritur të shkatërrojë një pjesë të madhe të infrastrukturës logjistike në Bahrejn dhe përreth.
Lufta ndaj Iranit nuk është projektuar vetëm që SHBA-ja të dominojë burimet energjetike sipas modelit venezuelian. Irani, vitin e kaluar, përfaqësonte vetëm rreth 13.4% të naftës së importuar nga Kina. Lufta ka të bëjë me një strategji më të madhe: dominimin e pikave të tranzitit për t’i mohuar Kinës qasjen në tregje, duke kufizuar ekspansionin e saj. Kjo qasje ishte konceptuar në “Strategjinë e Sigurisë Kombëtare” (NSS) të Trumpit, me qëllim ribalancimin e ekonomisë kineze drejt konsumit të brendshëm. Kjo është gjuha e koduar për detyrimin e Kinës që të eksportojë më pak, me qëllim rikthimin e pjesës së Amerikës në eksportet globale.
Një mënyrë për ta imponuar këtë është përmes tarifave, por më efikase do të ishte mohimi i aksesit në tregjet e energjisë. Kjo mund të arrihet duke kontrolluar furnizimin dhe duke imponuar bllokada detare në pikat e kalimit. Irani, përmes sulmeve në Gji, synon të tregojë se rreshtimi i fqinjëve me Izraelin nuk është më i pranueshëm. Po ashtu, Irani po përpiqet të shkëpusë korridoret detare nga kontrolli i SHBA-së për t’i sjellë nën kontrollin e vet. Një ndryshim i tillë do të ishte jetik jo vetëm për Kinën, por edhe për Rusinë.
Nëse Irani triumfon, pasojat do të jenë kolosale: kaos në tregjet evropiane, krizë bankare dhe zhvlerësim i dollarit. Korridori “Rruga Trump për Paqen” nëpër Kaukazin e Jugut ka të ngjarë të dështojë, duke nxitur Indinë të kthehet nga Rusia. Pa asnjë dyshim, kjo luftë do të imponojë një rikonfigurim të ri gjeopolitik dhe një arkitekturë gjeofinanciare me pasoja të paparashikueshme.
