Nga Miceál O’Hurley dhe Oksana Shadrina
Ky libër zbërthen konceptin metodologjik se si një kishë mund të shndërrohet në një shërbim sigurie me petka fetare, duke e kthyer lirinë e besimit në një “pikë të verbër” për sigurinë kombëtare.
I mbështetur mbi kërkime të thelluara, vepra dokumenton se si Patriarkana e Moskës, ideologjia e “Russkiy Mir” (Bota Ruse) dhe aparati i propagandës ruse funksionojnë në sinkron si instrumente të luftës hibride, duke kërcënuar sigurinë evropiane dhe vlerat demokratike.
Vepra e përshkruan Kishën Ortodokse Ruse (ROC) si një komponent kyç të arsenalit rus, që përdor ndikimin shpirtëror dhe kulturor për të gërryer kohezionin demokratik.
Analiza gjeopolitike dhe ideologjike
Ambicia e “Romës së Tretë”: Libri analizon synimin e Patriarkut Kirill për të zëvendësuar Patriarkanën Ekumenike të Kostandinopojës si qendër të Ortodoksisë, duke e pozicionuar Moskën si “Roma e Re”.
Mohimi i Autoqefalisë:
Një fokus i veçantë i kushtohet rolit të kishës në mohimin e legjitimitetit të Kishës Ortodokse Ukrainase të pavarur, gjë që paraqitet si një përpjekje për të ruajtur “realitetin shoqëror” mbi Ukrainën.
Historia e fabrikuar:
Libri zbërthen konceptin e “Rusisë së Shenjtë” (Holy Rus’), duke ekspozuar metodologjinë e kontrollit të gjuhës dhe censurës në funksion të pretendimeve territoriale permes pikave kryesore të tij:
Doktrinat e bashkuara:
Autorët shpjegojnë “Botën Ruse” dhe “Rusinë e Shenjtë” si dy doktrina plotësuese në shërbim të zgjerimit të kufijve politikë, të veshura me petkun e një “misioni hyjnor”.
Nënshtrimi Historik i Kishës:
Rikonstruktohet vartësia e kishës nga shteti, duke filluar nga reformat sinodale të Pjetrit të Madh (1721), përfshirjen në strukturat e sigurimit sovjetik (KGB), e deri te “pazari” i pasvitit 1991 midis Kremlinit dhe Patriarkanës.
Mjetet e rusifikimit:
Analizohen mjetet e censurës dhe propagandës operative, nga ndalimi i gjuhëve te kontrolli i teksteve shkollore dhe efekti i “iluzionit të së vërtetës” përmes përsëritjes strategjike.
Përçarjet në Ortodoksi:
Trajtohen krisjet në Ortodoksinë globale pas autoqefalisë së kishës ukrainase, duke argumentuar se shenjtërimi i luftës bie ndesh me parimet themelore të Ungjillit.
Rreth Autorëve
Miceál O’Hurley: Akademik irlandez-amerikan dhe analist mediash i specializuar në mbrojtje, siguri dhe zgjidhjen e konflikteve. Anëtar i “Chatham House” dhe gazetar i akredituar në Selinë e Shenjtë (Vatikan).
Oksana Shadrina: Psikologe dhe gjuhëtare ukrainase-irlandeze (Universiteti “Taras Shevchenko”, Kiev). Avokate e spikatur e pavarësisë së Ukrainës, dekoruar nga Kisha Ortodokse e Ukrainës me “Urdhrin e Lirisë”.
Libri shërben si një udhërrëfyes thelbësor mbi mënyrën se si simbolika fetare, mitet historike dhe operacionet e ndikimit mund të shkrihen në një mjet të fuqishëm të pushtetit shtetëror dhe ambicieve hegjemoniste ruse. [Përktheu: Dan GASHI]
