Nga Alush Blakaj / Jurist
Më 5 mars 2026, në orën 22:00, Parlamenti i dalë nga zgjedhjet e lira dhe demokratike të 28 dhjetorit filloi procedurat për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.
Edhe pse kjo po ndodhte në ditën e fundit që parasheh Kushtetuta, ky akt po bëhej plotësisht në harmoni me Rregulloren e Kuvendit dhe në përputhje me afatet kushtetuese.
Seanca nuk arriti të zgjedhë Presidentin e vendit. Shkaqet e këtij dështimi nuk mund t’i adresohen mazhorancës në asnjë mënyrë. Shkaku real është shumë i thjeshtë: partitë opozitare bojkotuan seancën pa ndonjë arsye reale dhe bindëse.
Kushtetuta e Kosovës i obligon të gjithë deputetët të marrin pjesë në seancë dhe të votojnë: pro, kundër ose të abstenojnë. Përjashtim nga kjo rregull bëhet vetëm kur deputeti apo deputetja e njofton kryetaren e Parlamentit se, për shkaqe të arsyeshme, nuk mund të marrë pjesë në seancë.
Në këtë seancë, kryetarja e Parlamentit ndoqi me përpikmëri të gjitha procedurat dhe, në fund, konstatoi se nuk ka kuorum për vazhdimin e seancës dhe njoftoi se ajo do të vazhdojë kur të plotësohen kushtet e nevojshme.
Të nesërmen, pra më 6 mars, herët në mëngjes, Presidentja e Republikës, me një shpejtësi të paparë, shpalli dekretin e shpërndarjes së Parlamentit dhe ftoi partitë parlamentare për konsultime lidhur me zgjedhjet e parakohshme (jashtëzakonshme).
Ishte ky një hap shumë i nxituar dhe i paprecedent.
Presidentja, në vend që të luajë rolin e saj kushtetues, me këtë akt zgjodhi rrugën e komplotit.
Zonja Presidente, po ju kujtoj Kapitullin V, nenin 83 (Statusi i Presidentit), i cili thotë taksativisht:
“Presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikës së Kosovës.” Përfundon citati.
Hapi i parë i shkeljes së Kushtetutës (nenit 83) është pikërisht ky, zonja Presidente, sepse ju nuk ishit në nivelin kushtetues që ju obligon të jeni mbi partitë politike, e predispozuar të ofroni zgjidhje e jo të involvoheni në kurthin e interesave politike të palëve.
Vazhdojmë më tej, përsëri me Kapitullin V (Presidenti i Republikës së Kosovës), neni 84 (Kompetencat e Presidentit), paragrafi (2), i cili përcakton se Presidenti garanton funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me këtë Kushtetutë.
Zonjë, a ishte dekreti juaj në përputhje me këtë nen të Kushtetutës apo binte ndesh me të?
Pika (4) e këtij neni shprehet taksativisht: “Nxjerr dekrete në pajtim me këtë Kushtetutë.”
Zonja Presidente, dekreti juaj i 6 marsit, a ishte në pajtim me këtë nen?
Nëse nuk e keni të qartë, më lejoni t’jua them unë: ky dekret është në shpërputhje të plotë me Kushtetutën.
Për këtë, zonja Presidente, shihni nenin 86 të po të njëjtit kapitull (Zgjedhja e Presidentit).
Neni 86, paragrafi 2, thotë:
“Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.”
Zonja Presidente, këtu qëndron lajthitja juaj më e madhe, respektivisht paaftësia juaj dhe e këshilltarëve tuaj për një interpretim të rregullt juridik.
Kjo pikë e nenit 86 tregon, respektivisht udhëzon për afatin se deri kur duhet të zgjidhet Presidenti. Pikë. Askund nuk shkruan se duhet të shpërndahet Parlamenti.
Zonja Presidente, në lidhje me këtë, do të ishte e udhës që, para se ta aktivizonit nenin 86, paragrafi 2, të kishit lexuar edhe pikat 4, 5 dhe 6 të po të njëjtit nen.
Citim i nenit 86 (Zgjedhja e Presidentit):
Pika 4:
Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
Pika 5:
Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë ndërmjet dy kandidatëve që kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë, dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve zgjidhet President i Republikës së Kosovës.
Pika 6:
Nëse në votimin e tretë asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh.
Sikur t’i kishit analizuar këto nene, atëherë, si juriste “e mirë” që pretendoni se jeni, do t’i riktheheshit edhe një herë nenit 82 (Shpërndarja e Kuvendit).
Neni 82 thotë në mënyrë taksative se Kuvendi shpërndahet në këto raste:
Neni 82 (1):
Nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e caktimit të mandatarit nga Presidenti i Republikës së Kosovës nuk mund të formohet Qeveria.
Pra, zonja Presidente, duke shkelur këtë nen, ju keni bërë të pamundur rrjedhën e procedurës normale për zgjedhjen e Presidentit.
Zonja Presidente, Kushtetuta nuk është një shportë ku janë hedhur disa nene, prej nga ju mund të përzgjidhni e të merrni çfarë të doni për t’i përdorur sipas dëshirës dhe nevojave tuaja.
Kushtetuta e Kosovës, zonja Presidente, si të gjitha kushtetutat moderne të demokracive liberale, është një konglomerat normash juridike dhe, rrjedhimisht, është akti më i lartë juridik që rregullon jetën shoqërore dhe politike të vendit, pra të Republikës sonë.
Logjika juaj si juriste dhe politikane nuk mund ta përmbysë këtë ngrehinë juridike e politike, sepse ajo është ngritur mbi gjakun e gjithë atyre dëshmorëve dhe martirëve që ranë për këtë Republikë.
Duke marrë parasysh ngritjen tuaj profesionale dhe ekipin e këshilltarëve në Presidencë, nuk ma thotë mendja se jeni në lajthitje juridiko-kushtetuese.
Të gjitha faktet na orientojnë në një drejtim tjetër, mjerisht shumë më të errët: këtu kemi të bëjmë me një diversion politik-kushtetues.
Porositë për një akt të tillë vijnë nga jashtë – nga “miqtë” tanë perëndimorë – dhe ju këtë e dini shumë mirë.
E para, vizita juaj dhe e mikut tuaj, Edvin Kristaq Rama, lidhet me obligime që keni marrë pa pyetur askënd.
Për një kohë shumë të shkurtër, ju ktheheni dhe ritakoheni në Kosovë me Kryeministrin e Shqipërisë, mikun tuaj Edvin Rama, dhe dakordoheni për veprime deri në detaje, duke filluar zbatimin e një grushtshteti kundër rendit politik dhe kushtetues.
E dyta, që është edhe më e rëndë: Serbia dhe Presidenti i saj, A. Vuçiq, nuk kanë derë të hapur në kancelaritë europiane, përveç në Francë. Kjo të çon në variantin e dytë: se porosia vjen nga vetë Franca, përmes Edit Ramës, për të njëjtin qëllim si në rastin e parë.
Këto dy teori praktike janë paralajmëruar edhe nga opozita në Kosovë para seancës për zgjedhjen e Presidentit. Njëri nga ata që kishte paralajmëruar ishte vetë zoti Abdixhiku, i cili paralajmëroi dekretin tuaj, zonjë.
Do të ishte e udhës të rrini e qetë dhe të mos e humbisni kontrollin, sepse në politikë hyn shpejt, por prej saj largohesh edhe më shpejt.
Republika e Kosovës do të jetojë ndër shekuj, zonjë, me ju apo pa ju. Gjithashtu edhe pa Edi Ramën, i cili do të ishte mirë të kujdesej për Shqipërinë, sepse për Kosovën ka kush kujdeset.
