Nga Dan GASHI / Njujork
Pas katër javësh lufte me Iranin, shtrohet një pyetje e pashmangshme: A u fut Amerika me vetëdije në këtë luftë, apo u drejtua drejt saj pa vullnetin e vet? Sepse kur i sheh dëshmitë me kujdes, kur gjurmon çdo arsyetim të vendimeve, çdo kalkulim të gabuar, si dhe momentet ku Uashingtoni kishte një zgjedhje, por zgjodhi gabim, atëherë domosdoshmërisht krijohet një konkludim thellësisht shqetësues.
Amerika nuk u fut rastësisht në një kurth, por u udhëhoq drejt kurthit hap pas hapi, qasje pas qasjeje dhe pozicion pas pozicioni. Dhe tani, ushtria më e fuqishme në historinë njerëzore e gjen veten në një pozicion që asnjë superfuqi nuk dëshiron të ishte: tepër vështirë të fitojë. Nuk mund të largohet me nder e as nuk mund të qëndrojë gjatë në këtë luftë.
Për të kuptuar më mirë këtë paradoks, duhet të ktheheni në vitin 1979, në historinë e armiqësisë së Amerikës dhe Iranit. Me rënien e Shahut, kthimin e Khomeinit nga ekzili, mbajtjen peng të diplomatëve amerikanë për 444 ditë dhe vendosjen e regjimit teokratik, marrëdhëniet mes dy vendeve nuk u riparuan kurrë.
Marrëdhëniet vazhdimisht të tendosura, ndihma amerikane për Irakun në luftën e vitit 1980 kundër Iranit, rrëzimi i aeroplanit civil “Iran Air 655” duke vrarë 290 civilë dhe moskërkimi falje siç duhet, krijuan një perceptim strategjik të Iranit dhe besimin e thellë, të institucionalizuar e pothuajse teologjik, se Amerika është armiku i përbetuar i Iranit, “Satani i Madh”.
Udhëheqja e Iranit kishte krijuar bindjen se çdo ndërveprim me Amerikën që nga viti 1979 ka konfirmuar një gjë: Uashingtonit nuk mund t’i besohet, sepse në vazhdimësi kërkon ndryshimin e regjimit, dhe e vetmja gjuhë që Uashingtoni respekton është forca.
Edhe Amerika po përforconte bindjen se Irani është iracional; se Irani është teokraci fanatike dhe me të nuk mund të arrihet asnjë kompromis i qëndrueshëm. Duke konkluduar se e vetmja zgjidhje është presioni maksimal, sanksionet, izolimi dhe, nëse është e nevojshme, forca ushtarake.
Këto bindje armiqësore reciproke të dy palëve krijuan një rreth të mbyllur vicioz, një profeci vetëpërmbushëse që e bëri konfliktin jo vetëm të mundshëm, por pothuajse matematikisht të pashmangshëm. Amerika nuk zhvilloi kurrë një strategji koherente për Iranin, por vetëm një seri taktikash e jo strategji të mirëfillta. Obama provoi angazhimin diplomatik dhe arriti marrëveshjen bërthamore (JCPOA) të vitit 2015, e cila ishte pika më e afërt që Amerika arriti ndonjëherë në zgjidhjen e problemit të pasurimit të uraniumit përmes diplomacisë, duke mbajtur nën monitorim strikt projektin bërthamor iranian të destinuar për përdorim civil, nga ekipet ndërkombëtare të verifikimit. Por me ardhjen e Trumpit në pushtet në vitin 2018, marrëveshja u anulua, jo sepse Irani e shkeli, por për arsye politike të brendshme të administratës Trump.
Irani nxori një mësim që nuk do ta harrojë kurrë: Marrëveshjet amerikane janë të pavlera, dhe siguria e vetme reale nuk është një marrëveshje e nënshkruar, por arma bërthamore. Me analogjinë e Iranit, askush nuk i gris marrëveshjet me vendet që kanë armë bërthamore si Koreja e Veriut, India, Pakistani etj.
Edhe Uashingtoni gabimisht mendoi se sulmet masive me bomba për depërtim të thellë mund të shkatërrojnë programin bërthamor të groposur thellë nën male, ku edhe bombat më të fuqishme depërtuese të Amerikës mund të dështojnë.
Irani, duke e ditur se konfrontimin me Amerikën dhe Izraelin nuk mund ta përballojë me një luftë konvencionale, në 30 vitet e fundit ngriti atë që quhet luftë asimetrike. Për këtë qëllim strategjik, ata ndërtuan një rrjet proksish si: Hezbollahun në Liban, Hamasin në Gazë, Huthit në Jemen dhe milicitë Shia në Irak. Dhe secili nga këto grupe përgjigjet njëkohësisht në pesë vende të ndryshme. Rrugë detare të mbyllura, çmimi i naftës në rritje, ushtarë amerikanë që vdesin dhe plagosen në Irak, Siri, Katar si dhe vende të tjera të Gjirit, përfshirë edhe Izraelin nën breshëri raketash.
Edhe pse në pamje të parë duket se Amerika po lufton vetëm Iranin, e vërteta është se ajo po lufton Iranin plus Kinën, Rusinë dhe çdo vend që ka interes të shohë fuqinë amerikane të kufizuar. Interesat e aktorëve kyç janë ta ndihmojnë Iranin, sikurse po bën Rusia me furnizim dhe zbulim të caqeve të shënjestruara për sulm nga Irani. Në anën tjetër, Kina është blerësi më i madh i naftës iraniane dhe e sheh Iranin si një partner strategjik për të sfiduar dominimin e SHBA-së.
Zgjerimi i luftës në vendet e Gjirit dhe aftësia iraniane për hakmarrje reciproke në kohë reale, po e detyrojnë Amerikën të marrë vendime bazuar në ciklet e lajmeve dhe jo më në një strategji të mirëfilltë që e zgjidh problemin. Amerika ka rënë në një kurth, e fuqishme për të shkatërruar, por jo mjaftueshëm e fuqishme për të gjunjëzuar armikun dhe për të shpallur fitoren.
