Dr. Elez ELEZI / Gjilan
Pas luftës në Kosovë, njerëzit dolën në rrugë me një gëzim që sot vështirë përshkruhet.
Pas viteve të frikës dhe dhimbjes, liria u ndje si fillim i një jete krejt tjetër.
Brohoritej “Liri!”, përqafoheshin ushtarët e KFOR-it, dhe për një moment u duk sikur gjithçka po fillonte nga e para.
Shpresa ishte e madhe.
Njerëzit nuk prisnin luks, prisnin punë, dinjitet dhe një shtet që funksionon. Prisnin që fabrikat të ringjalleshin dhe jeta të kthehej në normalitet.
Por realiteti shkoi ndryshe.
Në qytete si Gjilani, fabrikat që dikur mbanin qindra familje u mbyllën njëra pas tjetrës.
Fabrika e tekstilit, ajo e duhanit, e baterive, “Gosha” dhe shumë të tjera u lanë të shkatërrohen.
Disa u privatizuan, disa u shitën për pak para, e disa përfunduan si hekurishte.
Nuk humbën vetëm ndërtesa. U humbën vende pune, u humb dinjiteti i punëtorit dhe u thye besimi se ky shtet do të ishte i drejtë.
Pyetja që njerëzit e bëjnë ende sot është shumë e thjeshtë: si është e mundur kjo?
A ishte paaftësi?
Apo dikush përfitoi nga kaosi?
E vërteta është se pas luftës kishte rrëmujë, mungesë institucionesh dhe shumë improvizim, por kjo nuk e shpjegon gjithçka. Sepse kur sheh pasuri publike që zhduket dhe disa njerëz që pasurohen shpejt, nuk mund të thuash se gjithçka ishte rastësi.
Kjo është pjesa që i ka shkaktuar dhimbje më shumë qytetarëve.
Edhe më e rëndë bëhet gjendja, kur disa prej atyre që sot kanë pasuri e ndikim, dikur kanë qenë pjesë e luftës dhe simbol i sakrificës.
Sepse pritja ishte e qartë: ata që luftuan për këtë vend, do ta mbronin atë, jo ta kthenin në pronë private.
Por, në shumë raste, ndodhi e kundërta.
Lufta mbaroi atëherë, por sfida e vërtetë nisi pas saj.
Dhe sot, kur flitet për ligjin e pasurisë së pajustifikueshme, shumë njerëz, më në fund, kanë një shpresë të thjeshtë: që dikush do të japë llogari.
Ky ligj ua ka kthyer shumë qytetarëve shpresën se drejtësia, më në fund, do t’i prekë edhe ata që përfituan në emër sakrifices për liri.
Është fakt që Albin Kurti është kryeministri i vetëm deri më tash që e ka iniciuar ligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, dhe kjo ka krijuar pritje reale te qytetarët.
Por këtu është testi i vërtetë: ligji vlen vetëm nëse nuk ndalet te të vegjlit.
Nëse prek vetëm të dobëtit dhe i lë të fortët rehat, atëherë nuk është drejtësi, është vetëm shfaqje.
Kosova nuk ka më nevojë për shpjegime.
Ka nevojë për rezultate.
Sepse pa drejtësi, liria nuk jep atë që njerëzit e pritën prej saj.
