Nga Dr. Selim IBRAIMI / Tetovë-Njujork
Politika aktuale amerikane, e përqendruar në blerjen e territoreve ose fitimin e tyre ushtarakisht, daton më shumë se dy shekuj më parë, kur SHBA-të kishin nevojë për zgjerim territorial dhe më shumë burime për të luftuar Britaninë e Madhe dhe, ndërkohë, për të bërë më shumë miq.
Burrështetasit e atëhershëm amerikanë si, Xhorxh Uashington, Tomas Xheferson, Xhejms Adams, dhe të tjerë me të drejtë e lidhen fatin e kolonive amerikane e më pas me ndihmën evropiane e në veçanti të Francës.
Ndërsa sot po ndodh e kundërta, presidenti amerikan tallet me presidentin francez.
Kur në korrik SHBA-të do të kremtojë 250- vjetorin e pavarësisë nga Britania e Madhe, gjerat kanë lëvizur në drejtim të paparashikueshëm.
Miqtë dhe aleatët e dikurshëm të SHBA-së ndiehen të tradhëtuar dhe të pa sigurt.
E kanë humbur besimin në SHBA-në. NATO është bërë aleanca ku SHBA-ja dhe aleatët evropianë po testojnë vektorët e vendosur dekada më parë. Evropianët tashmë janë zgjuar dhe përfundimisht janë duke e kuptuar se koha e artë me SHBA-të është në përfundim dhe duhet parë rrugë të re për dy arsye të thjeshta.
E para, SHBA-të nuk është ajo e dikurshmja. E dyta, ngritja e botës multipolare bashkë me zhvendosjen ekonomike në Lindje i ka bërë shtetet evropiane të bëjnë më shumë në sigurinë dhe pavarësinë ekonomike nga SHBA-ja.
SHBA-ja konkretisht nën presidencën aktuale të Donald Trump-it për arsye buxhetore dhe fokusit në Hemisferën Perëndimore, ndjehet e tradhtuar nga evropianët. Disa herë presidenti Trump ka theksuar se nuk do të ketë “çeqe të pastra” për evropianët.
Duke qenë mirë që nga viti 1945 dhe një ditë gjithçka ndryshon, nuk është aq lehtë për Evropën, shtetet e Ballkanit dhe në veçanti për të gjithë botën që përfitoi nga mbështetja e SHBA-së që nga vitit 1945.
Në kushtet e reja politike-ekonomike, SHBA-ja, ka marrë hapa radikalë në politikën e brendshme sociale dhe shëndetësore për të ulur shpenzimet.
Edhe pse më parë, qytetarëve amerikanë nuk u ofrohej aq shumë kujdes shëndetësor etj., me luftërat e fundit, shumë përfitime aktuale janë në rrezik të shfuqizohen.
Pra, ka disa arsye pse SHBA-të, në 250-vjetorin e tyre, nuk janë të njëjta për të gjithë.
Madje edhe për qytetarët amerikanë që e votuan presidentin aktual për më pak luftëra dhe më shumë përqendrim në problemet e brendshme.
“Amerika e Para” sikur nuk vlen vetëm në Hemisferën Perëndimore por edhe më shumë.
Mbështetës të Lëvizjes MAGA kanë shprehur shqetësim për lëvizjet e fundit të Trumpit në Lindjen e Mesme, sepse shumë premtime për përmirësim të gjendjes së brendshme do të mbesin vetëm premtime zgjedhore të vitit 2024. Në këtë drejtim presidenti Donald Trump tha se qeveria federale po shpenzon aq shumë për luftën sa nuk mund të përballojë programe si kujdesi ditor (për fëmijët) dhe kujdesi shëndetësor.
“SHBA-të nuk mund të kujdesen për kujdesin ditor. Kjo duhet të varet nga shtetet”, tha presidenti Trump. “Ne po bëjmë luftëra. Ne nuk mund të kujdesemi për kujdesin ditor.”
Ai e zgjeroi këtë linjë të mendimit edhe në programet kryesore të kujdesit shëndetësor. “Medicaid, Medicare, të gjitha këto gjëra individuale të shteteve. Nuk mund ta bësh”, tha Trump.
“Ne duhet të kujdesemi për një gjë: mbrojtjen ushtarake. Ne duhet të ruajmë vendin.”
Në të njëjtën kohë, Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe madje edhe Italia po kërkojnë partnerë të tjerë bashkëpunimi dhe burime të besueshme.
Sipas të dhënave të disa agjencive, që nga viti 1945 e deri në vitin 1961, SHBA-të dërguan rreth 45 miliardë dollarë në Evropën Perëndimore.
Nga viti 1962 deri në vitin 2021, SHBA-të dhanë ndihmë në rreth 25 miliardë dollarë.
Që nga viti 2022, për shkak të luftës në mes Ukrainës dhe Rusisë, SHBA-të kanë dërguar rreth 188 miliardë dollarë. Nga kjo, 127 miliardë dollarë shkuan drejt në Ukrainë.
Në përgjithësi, që nga viti 1945, ndihma përgjithshme e SHBA-së për të gjitha vendet evropiane arrin deri në 260 miliardë dollarë.
Me paratë e sotme, afërsisht 750-800 miliardë dollarë. Sipas raportit të USAFact, ndihma përgjithshme e SHBA-së për të gjitha vendet që nga viti 1945 shkon deri në 3.8 trilion dollarë të sotëm.
Pavarësisht të dhënave, dhe mungesës së shumë programeve brenda vendit , bashkë me indeksin e lumturisë së një qytetari amerikan, SHBA-ja po vazhdon involvimin në luftëra të reja që paralelisht do të dëmtojnë buxhetin amerikan dhe jetën e qytetarëve.
Kohët e fundit, qeveria amerikane i ka kërkuar Kongresit edhe 250 miliardë dollarë për luftën në Iran.
Trilion dollarët e luftërave të pafundme që nga viti 1954 dhe humbjet e tjera që kanë dëmtuar SHBA-në nuk përfshihen.
Duke i pasur parasysh këto rrethana, si mund të mos jetë i shqetësuar një qytetar i zakonshëm amerikan? Çfarë mund të presin më shumë evropianët?
Në këtë kontekst, mendja jonë shkon gjithmonë te fati i mëparshëm i perandorive përgjatë shekujve, si Perandoria Romake, Perandoria Britanike, etj.
Zgjerimi i tepërt në luftërat në vendet e huaja, aspekti ekonomik dhe fraksionet politike i çuan perandorinë një ditë drejt shembjes.
Kjo duhet të jetë një shenjë paralajmëruese për SHBA-në në afrimin e 250-vjetorit të pavarësisë, ku gjithmonë duhet të shikohet e kaluara, e tashmja dhe të ecet me kujdes në të ardhmen.
Borxhi publik i SHBA-së, sipas raporteve të fundit, arrin deri në 39 trilionë dollarë amerikanë, një fakt që duhet të jetë alarm për Uashingtonin.
