Nga Dan GASHI / Njujork
Turqia gradualisht po tërhiqet drejt vorbullës së luftës tëë përshkallëzimit të Iranit. Deklaratat dhe lëvizjet e fundit të Turqisë po perceptohen si një nga lojërat më të mëdha gjeopolitike të vitit 2026 dhe bota po e vëzhgon Ankaranë si kurrë më parë.
Më 12 prill 2026, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan doli para Konferencës së Partive Politike Ndërkombëtare të Azisë në Stamboll dhe lëshoi deklaratën që mund të përshkruhet vetëm si një kërcënim i nivelit të luftës. Ai akuzoi Izraelin se po bën luftë gjenocidi të njollosur me gjak, duke vrarë fëmijë dhe civilë të pafajshëm pa asnjë rregull apo parim, dhe duke shpërfillur të gjitha vlerat njerëzore.
Ai shkoi më tej dhe kërcënoi se Turqia mund të ndërmarrë veprime të drejtpërdrejta ushtarake kundër Izraelit, duke e krahasuar shprehimisht çdo veprim të tillë me ndërhyrjet e kaluara ushtarake të Turqisë në Karabak dhe Libi.
Kjo deklaratë kërcënuese e Erdoganit, një kreu të një shteti i NATO-s që komandon ushtrinë e dytë më të madhe në aleancë, duke thënë hapur se opsioni ushtarak kundër Izraelit është në tryezë, mori përgjigje të menjëhershme. Edhe përgjigja e Izraelit erdhi brenda pak orësh, Ministri i Jashtëm izraelit e quajti Erdoganin një “tigër letre”.
Kurse Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, përdori gjuhë fyerse drejtuar personalisht presidentit turk. Sulmit ndaj kreut të shtetit turk iu bashkëngjit edhe Kryeministri Netanyahu, duke e akuzuar Erdoganin se ka masakruar qytetarët e tij kurdë. Zyrtarët e lartë turq e quajtën Netanyahun “Hitleri i kohës sonë” dhe një kriminel lufte të kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, si dhe e akuzuan atë për kryerjen e krimeve të tmerrshme në Gazë, Siri, Liban dhe Iran.
Kjo nuk është thjesht një përplasje diplomatike, por një thyerje pothuajse e plotë e çdo marrëdhënieje mes dy shteteve që teknikisht janë të dyja të rreshtuara me botën perëndimore.
Për të kuptuar se si arritëm këtu, duhet të kthehemi më 28 shkurt 2026, ditën kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulmet ushtarake kundër Iranit. Ky sulm i armatosur ka tronditur hartën strategjike të Lindjes së Mesme, ku Turqia ndodhet saktësisht në kryqëzimin e saj më të rrezikshëm.
Turqia ndan një kufi prej 500 km me Iranin dhe rreth 20% e furnizimit të saj me naftë kalon përmes Ngushticës së Hormuzit. Irani plotësonte gati 7.5% të nevojave të Turqisë për gaz natyror para se të fillonte kjo luftë. Pra, kur bombat filluan të binin mbi Teheran, Ankaraja e ndjeu presionin menjëhershëm si në planin ekonomik, politik edhe ushtarak.
Në ditët e para të luftës, Turqia u përpoq të mbante një linjë të kujdesshme. Erdogan dënoi sulmet mbi Iranin, por ai gjithashtu dënoi sulmet hakmarrëse me raketa të Iranit ndaj vendeve të tjera në rajon. Zyrtarët turq e bënë të qartë se hapësira ajrore dhe asetet turke, duke përfshirë bazën ajrore tejet strategjike të Incirlik-ut, nuk do të përdoreshin për të sulmuar Iranin.
Fillimisht dukej se Turqia mund të arrinte të qëndronte jashtë “Rrethit të Zjarrit”, siç e përshkroi vetë Erdogani. Por pastaj erdhi data 4 mars dhe ai iluzion u shemb plotësisht. Atë ditë, interceptorët e NATO-s rrëzuan një raketë balistike iraniane që ishte drejtuar drejt hapësirës ajrore turke. Turqia, edhe pse nuk ishte goditur, tani ishte padyshim pjesë e këtij konflikti.
Për të komplikuar edhe më shumë këtë situatë, në të njëjtën ditë dolën raporte se CIA po punonte aktivisht për të armatosur forcat kurde brenda Iranit për të nxitur rebelim; këtë më vonë e konfirmoi edhe vetë Trumpi në një deklaratë të tij për shtyp. Për Turqinë, kjo ishte një vijë e kuqe që u kalua. Çështja kurde është shqetësimi më i thellë dhe më ekzistencial i sigurisë së Turqisë. Ideja që forcat kurde të mbështetura nga SHBA-ja të krijojnë territor dhe fuqi në kufirin lindor të Turqisë, brenda një Irani që po shpërbëhet, është diçka që Turqia nuk mund ta lejojë në asnjë rrethanë.
Ministri i Jashtëm Hakan Fidan, një nga ekspertët më të spikatur të strategjisë në historinë e politikës së jashtme turke, lëshoi atë që mund të jetë deklarata më e troçtë nga një diplomat turk në dekada. Ai tha pa asnjë dykuptimësi se pala kryesore përgjegjëse për luftën që e ka zhytur rajonin në një krizë të paprecedentë është Izraeli.
Fakti që aleati më i afërt i partnerëve të Turqisë në NATO emërohet drejtpërdrejt si agresor, tregon qartë se sa shumë janë përkeqësuar marrëdhëniet dhe sa urgjentisht Ankaraja ndjen se duhet të pozicionohet në këtë konflikt. Brishtësia ekonomike e Turqisë është një nxitës kryesor i kësaj urgjence. Çdo herë që çmimet e naftës rriten me 10 dollarë për fuçi, ato rrisin deficitin e Turqisë me 3 deri në 5 miliardë dollarë.
Turqia po përballet me një nga normat më të larta të inflacionit në botë, me mbi 30% në vit. Kriza e kostos së jetesës po krijonte tashmë pakënaqësi të thellë dhe presion publik mbi qeverinë Erdogan shumë kohë para se të fillonte kjo luftë. Tani, me rritjen e kostove të energjisë dhe ndërprerjen e rrugëve tregtare, presioni ekonomik po arrin nivele kritike.
Qeveria Erdogan e kupton qartë se një luftë e zgjatur do të thotë përkeqësim të gjendjes ekonomike, pakënaqësi dhe protesta publike.
Shqetësimi i Erdoganit reflektohet edhe në bisedën e drejtpërdrejtë me Presidentin rus Vladimir Putin javën e kaluar, duke theksuar se konflikti i Iranit nuk duhet të kalojë në zona të reja tensioni në krizën Rusi-Ukrainë. Ai u bëri thirrje të gjitha palëve të shmangin hapat përshkallëzues.
Erdogani gjithashtu, më 11 prill, foli me Presidentin francez Macron për të bërë përpjekje për armëpushim që përfshijnë Iranin, situatën në Liban dhe luftën e vazhdueshme në Ukrainë. Të dy udhëheqësit ranë dakord se duhet gjetur një zgjidhje diplomatike e qëndrueshme dhe se lundrimi përmes Ngushticës së Hormuzit duhet të jetë i lirë për të gjithë. Thirrjet telefonike të Erdoganit janë më shumë se biseda diplomatike; janë përpjekje serioze për të ndërtuar një “mur mbrojtës” diplomatik rreth Turqisë para se flakët e luftës të përhapen gjithandej.
Në anën tjetër, Turqia iu bashkua një koalicioni të fuqishëm të kombeve me shumicë myslimane më 2 prill, duke u vendosur krah Egjiptit, Indonezisë, Jordanisë, Pakistanit, Katarit, Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe në një deklaratë të përbashkët ministrore.
Nga ky koalicion u lëshua një deklaratë që bënte thirrje urgjente për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të situatës rajonale, duke i dhënë Turqisë një pozicion koordinues ndërkombëtar dhe rolin e shtyllës qendrore të solidaritetit të botës myslimane.
E megjithatë, krahas këtij aktiviteti diplomatik, dimensioni ushtarak po imponohet në heshtje. Ka raporte të pakonfirmuara, por të raportuara gjerësisht brenda forcave të armatosura turke, për mundësinë e hyrjes në territorin iranian për të krijuar një zonë tampon, për të parandaluar flukset e refugjatëve potencialë, por gjithashtu për të parandaluar krijimin e çdo entiteti kurd në kufirin e Turqisë.
Turqia ka nxjerrë mësim se çfarë ndodh kur krijohen vakume pushteti në kufijtë e saj, si në Irak e në Siri, ku forcat kurde u zgjeruan duke detyruar Turqinë përfundimisht të ndërhyjë ushtarakisht.
Pozicioni i Turqisë është veçanërisht i vështirë dhe politikisht kompleks, duke qenë anëtare e NATO-s dhe njëkohësisht duke dënuar operacionet e aleatëve të NATO-s. Kufizohet me Iranin, por nuk mbështet fushatat e tij bombarduese ndaj fqinjëve. Mbron të drejtat e palestinezëve, por varet nga tregjet perëndimore. Imponohet si ndërmjetësuese, por retorika e saj sot tingëllon më shumë ushtarakisht kërcënuese sesa ajo e një pale neutrale.
Këtë qëndrim ambiguiteti të Turqisë, analistët e politikës së jashtme po e quajnë “menaxhim i pragut”, duke u përpjekur të qëndrojë afër çdo qendre zjarri, por pa u djegur vetë. Acarimi i situatës dhe deklaratat e fundit nga Erdogan sugjerojnë se pragu po bëhet gjithnjë më i vështirë për t’u menaxhuar. Kur një lider shteti krahason një sulm të mundshëm ushtarak kundër një vendi fqinj me ndërhyrjet e kaluara që ai ka kryer tashmë, kjo nuk është metaforë. Ky është një sinjal politik.
Për ta përforcuar këtë lojë kërcënuese politike, Turqia demonstroi raketën balistike “Tayfun Block 4” dhe objekte të reja të prodhimit të kokave të raketave. Ky ishte një demonstrim i kalkuluar i aftësisë ushtarake në momentin e saktë kur tensionet rajonale janë në kulmin e tyre. Ankara po dërgon një mesazh të qartë se ka mjete dhe nuk ka frikë t’u referohet atyre në publik.
Shoqëria turke kohët e fundit ka shtuar sensibilizimin dhe solidarizimin në mbështetje të Palestinës. Televizioni turk është i mbushur me komente të deklaratave të qeveritarëve ekstremë të Izraelit që paralajmërojnë se Turqia është e radhës pas Iranit.
Eskalimi gjithnjë në rritje i konfliktit, narrativa e brendshme dhe narrativa zyrtare e politikës së jashtme po konvergjojnë në një zonë që po ia ngushton Erdoganit hapësirën për t’u tërhequr në heshtje. Ky është momenti gjeopolitik për të cilin Turqia ka punuar prej vitesh, duke projektuar veten si mbrojtëse e interesave të botës myslimane, faktor kundërshtues ndaj fuqisë rajonale izraelite, si dhe ndërmjetësja e domosdoshme mes Lindjes dhe Perëndimit.
A do të përfundojë tërë ky manovrim i kalkuluar diplomatik në një llogaritje të gabuar katastrofike, apo në një zgjidhje të mirëfilltë afatgjatë në interes të Turqisë dhe rajonit, varet nga vendimet që po merren në ditët dhe javët e ardhshme pikërisht nga Turqia dhe aktorët kyç të përfshirë në këtë konflikt, që mund të përfundojë me një luftë globale.
